Modë / 4 Shkurt 2024, 14:34

Sukseset dhe projektet e motrave Berisha, Sarah dhe Ditea flasin "pa dorashka" në Fashion Guru's

Sukseset dhe projektet e motrave Berisha, Sarah dhe Ditea flasin "pa

E nisën këtë rrugë me shpresë të vakët për të arritur suksese të mëdha, për shkak se dhe Shqipëria nuk premtonte shumë për këtë industri, por puna dhe pasioni i tyre për modën e mbi të gjitha duke qenë vajza gjithmonë me "këmbë në tokë", jo vetëm i dha sukses, por thyen edhe tabunë se vendi ku ishin lindur e rritur nuk ofronte shumë.

Podcasti i radhës në Fashion Guru's me Santana Çomora dhe Niko Komani, solli punën, problematikat e herë pas herëshme që fusha e tyre ofron, si dhe sukseset e mëdha që kanë arritur deri sot motrat Berisha, Sarah dhe Ditea. Sarah e njohur qysh herët me moderatore e podcastit, njëherësh dhe kryeredaktoren e revistës Living, Santanën, më vonë edhe me silistin e njohur Nikon, ka treguar se si e nisi dhe zhvilloi punën e saj si blogere mode.

"Është pak e çuditshme që vjen nga një vend aq i vogël dhe shkon në një sfilatë mode në Itali, apo sfilata e Diesel. Kur isha në sfilatën e Diesel doja vetëm ta shijoja nuk doja as të bëja foto, por thjesht të shihja se si ishin këta njerëz aq të famshëm, që ne i shohim në rrjete sociale, sepse kishte vërtetë shumë njerëz të famshëm aty", u shpreh Sarah.

"Mua kur më erdhi ftesa për eventin e Pradës, në Londër në 2022, fillimisht m'u duk si një email 'spam', nuk po e besoja dot në fillim. Ne si vend i vogël kemi vështirësi për të kaluar jashtë, psh vështirësia ime më e madhe për të shkuar në Angli ishte viza. Pra është një problematikë që ne e hasim shpesh, sepse atë rast nuk kisha dhe shumë kohë dhe vizën e kam marrë ditën që jam nisur për në Angli. Ne nuk kemi as avion mjaftueshëm për t'u nisur çdo ditë", vijoi Ditea.

E pyetur se si nisi ideja për të hapur blogun e parë dhe si nisi bashkëpunimi mes dy motrave, Sara tha: "Kur Ditea është kthyer nga Italia, mendoja që ishte gjëja më e mirë që të bashkoheshim duke qenë se kemi prirje për modën. Ndonjëherë njerëzit thonë, që duhet të ishte Ditea ajo që duhet ta kishte nisur këtë rrugë, sepse edhe në periudhën e gjimnazit ka qenë më e dhënë ndaj tendencave të fundit, etj., por e rëndësishme është që u bashkuam. Nuk e mendoja kurrë që do arrija këtu prej instagramit. Sepse e hapa me idenë që e shumta të shkoja në ndonjë emision të konkurroja, por jo të arrija kaq shumë gjëra".

"Në Shqipëri sot ka pafund goca që kanë hapur një instagram për t'u bërë fashion influencers. Unë mendoj se "brryla" ka si profesion, ashtu si në çdo fushë të jetës, unë TV e quaj si punë shteti sepse kush ka punuar në shtet i ka provuar "brrylat", por mendoj që janë më të kamufluara, më të fshehura. Në realitetin që ne jetojmë, njerëzit janë shumë të shtirur dhe kjo është gjëja më e bezdisshme dhe kur ka shtirje ka dhe "brryla", shprehet Ditea.

A e kanë menduar, që një ditë të rrisin një brand të tyre, duke qenë se siç thonë dhe dy moderatorët janë figura që e meritojnë vërtetë, motrat Berisha shprehen se: "E kemi menduar, diskutuar shumë herë dhe shumë më përpara. Mendoj se të gjithë e kanë momentin e vet dhe unë mendoj që dhe unë e Sara do kemi momentin tonë shpresojmë shumë afër. Duke qenë se do një investim goxha të mirë që të bëhet si duhet, tani mund të jemi në rrugën e duhur".

Sarah dhe Ditea janë dy personazhe shumë të pëlqyera në rrjetet sociale, jo vetëm se shfaqen bukur dhe kanë ndikim, por dinë të përcjellin aspektin e të veshurit mirë në mënyrë shumë harmonike, duke i ndërthurur elementet e të thjeshtës dhe modernes në mënyrë shumë të pranueshme.

Horoskop