Modë / 18 Mars 2024, 16:48

“Balenciaga” e Carey Mulligan: Prova ideale e jetëgjatësisë së “klasikes”!

“Balenciaga” e Carey Mulligan: Prova ideale e

Nga: Kostandin Feshti

Mbrëmjen e 10 Mars-it, i gjithë Hollywood-i e audienca e tij, ishin sy e vesh nga tapeti i kuq i “Dolby Theatre” dhe yjet që po parakalonin mbi të, të ftuarit e mbrëmjes së madhe të edicionit të 96-të të çmimeve “Oscar”. Plot aktorë, të nominuar e jo, prezantues të ndryshëm, përformues, këngëtarë, producentë, të bërë bashkë në një natë të vetme, për të celebruar më të mirët e industrisë.

Ajo që gjithmonë tërheq vëmendje gjithsesi, përpos triumfuesve të natës, janë dukjet e personazheve me të cilat ata kanë zgjedhur të paraqiten në event. Këtë herë dua të them se “Oscars” nuk zhgënjyen aspak. Në tërësinë e organizimit, mbrëmja ishte një ceremoni “e këndshme” ( nuk ka asgjë të keqe që diçka të jetë thjesht e “këndshme” ). Veshjet ishin të mirëkuruara, jo të ekzagjeruara dhe brenda linjave, të cilat i dikton dhe vetë rëndësia e vëmendja e natës. Materiale dhe prerje klasike, bizhuteri të shtrenjta, të krijuara nga gurët më të çmuar që mund të gjehen, forma elegante, ishin shënjestrat e goditura nga një pjesë e mirë e të ftuarve. Por, ajo që mund të veçohej më shumë nga të gjithë ( të paktën, për mua po ), ishte Carey Mulligan, e veshur me një fustan velvet të zi, model sirene, me një theksim tepër “Hollywood 1950” në pjesën e belit, rikthim në kohë, i cili e bën veshjen akoma dhe më elegante, marrë parasysh periudhën e referuar. Dorezat e zeza, të cilat mbulonin 2 të 3-tën e krahëve të saj, bashkë me aksesorët e zgjedhur, ishin detajet që nevojiteshin për ta kompletuar dukjen në totalitet. Interesant ishte fakti se, pas daljes së Mulligan në tapetin e kuq, u bë e ditur për publikun se modeli i fustanit ishte një model “vintage” i brandit, dizenjuar nga themeluesi i shtëpisë së modës, Cristobal Balenciaga në vitin 1951 ( model, i cili shumë shpejt u shndërrua në një ndër fustanet më ikonikë të dizenjuesit ).

“Balenciaga” e Carey Mulligan: Prova ideale e

“Balenciaga” e Carey Mulligan: Prova ideale e

Ky fakt më bëri të mendoj: “Mos vallë me të vërtetë ka pjesëza, të cilat aq sa kanë qënë për kohën, aq dhe kanë qënë para saj?”

Me ngritjen në masë të numrit të njerëzve, të cilët i janë drejtuar tregut të veshjeve “vintage” ose “second hand” ( të përdorura ), po kuptojmë dita-ditës se, njëherë e një kohë, veshjet, çantat, këpucët, prodhoheshin në një mënyrë të atillë dhe me materiale të caktuara, të cilat i kanë rezistuar viteve e ri-jetojnë tanimë në garderobat tona, ku ne i stilojmë për ditët e sotme, e krenohemi për blerjet tona “vintage”, të cilat mund t’i kemi vetëm ne si copëza. Si rasti i fustanit të Carey-t mund të përmendim fare mirë çantat “Chanel”, të cilat prodhoheshin me elemente floriri 24 karat e lëkurë të plotë, ndërkohë sot, çmimet janë të pajustifikueshme, si pasojë e mungesës së cilësisë dhe mos-përdorimit të materialeve, të cilat e bënin “Chanel”-in atë që “Chanel”-i nuk është më sot. Dhe jo vetëm këto shembuj. Të njëjtën gjë mund të themi për të gjitha brandet e mëdha, po t’i hulumtojmë në detaje ( e jo vetëm ) koleksionet e tyre të vjetra, me atë që ato zgjedhin të prodhojnë e ofrojnë sot për klientët e tyrë, të cilët thjesht për logon e markën, duket sikur vendosin një fashë mbi sytë e tyre dhe e lënë kartën të zbrazet pak e nga pak.

Eleganca dhe rafinimi nuk mund të konsiderohen kurrë si “diçka e vjetër”, pasi nuk janë të tilla për t’u konsideruar. Janë standarde që duhen vendosur mbi veten e dukjen personale, prodhuesit e modës e ata që e kritikojnë atë e themelojnë të ashtëquajturat “trende”. Mund të krijojmë, apo të paktën, të tentojmë për të krijuar risi, por pa humbur kontaktin me realitetin, i cili është se: “Dhe më të mirët e industrive po i rikthehen dizenjove të vjetra”. Koleksionet e prezantuara gjatë Javëve të Modës këtë sezon ishin të mbushura me ndikim nga e kaluara e brandve, duke afirmuar dhe njëherë se dizenjot e kuruara, fine dhe të thjeshta, janë klasike dhe baza e çdo tentative për të ri-sjellë në jetë një “risi”.

Horoskop