Modë / 21 Mars 2024, 17:45

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

Nga Kostandin Feshti

Shpesh herë në redaksinë e “LIVING”, në një pjesë të madhe të rrjeteve tona sociale, na vijnë pyetje apo shprehen kërkesa për t’i ndihmuar lexuesit tanë me sugjerime lidhur me stilin e të veshurin. Si t’i inspirojmë për kombinime të ndryshme apo se kush janë blerjet “e duhura” të momentit. Ndaj, menduam t’iu vijmë më pranë me një artikull, në të cilin editorët e “LIVING”, rekomandojnë pjesëzat e tyre të preferuara, të cilat fatmirësisht, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Kjo, duke e bërë artikullin akoma dhe më gjithëpërfshirës e duke i folur çdo stili që secili nga ju mund të ketë, pasi ne duam që të gjithë ndjekësit tanë, të jenë e të duken versioni më i mirë i vetes dhe stilit që posedojnë. E vërteta është se “LIVING” frymëzohet nga ju dhe nga “streetstyle”-i që kemi nisur të shohim present në rrugët e kryeqytetit tone, e jo vetëm.

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                              Foto: Pinterest / Kolazhi: LIVING

                         Santana Çomora, Editor-IN-Chief

Santana Çomora, kryeredaktorja e revistës “LIVING”, njihet për stilin e saj sa eksperimentues, aq dhe klasik. Me elemente, të cilat variojnë nga “trendet”, tek pjesëzat “must” të garderobave të shumë prej jush. Zgjedhjet e Santanës për muajt Mars-Prill janë pikërisht një lojë me njëra tjetrën. Pantallonat me reflektim, disa mund të thonë si një “top diskoje”, disa si “fletë alumini”, por që mbeten një trend i periudhës së ngrohtë mbas dimrit, por pa e quajtur “Pranverë” akoma. Jelekët e plotë, të cilët mund të vishen mbi një këmishë të bardhë ose mbi një t-shirt, për të krijuar efektin e shtresëzimit që i bën veshjet të duken akoma dhe më të kompletuara. Sigurisht nuk mund të mungoj dhe “shalli”, i cili sa më “i fortë” të jetë, aq dhe më interesant. Një print gazmor, një ngjyrë e çelët, një material i plotë dhe ju keni elementin ideal për t’i shtuar një detaj kontrasti kombinimit tuaj të ditës. Gjithashtu, një aksesorë tjetër, i cili nuk mund të mungonte në “moodboard”-in e Santës, janë çantat e vogla ose ato të një madhësie të mesme, të cilat kryeredaktorja, për dy muajt në vazhdim sugjeron të ishin në ngjyra neutrale, të cilat janë mbi të gjitha lehtësisht të kombinueshme. ( Një mori çantash të tilla mund të gjeni të përshkruara dhe në artikullin dedikuar koleksionit të ri të çantave “Lancaster” ).

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                      Instagram: @santana_comora

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                      Foto: Pinterest / Kolazhi: LIVING

                                   Xhoia Dumi, Editore

Xhoia Dumi është personifikimi i “guximit” në stil e kombinimet që ajo krijon. Shpesh shihet duke bërë bashkë printe dhe ngjyra, të cilat nuk do t’i vinin dikujt menjëherë në mendje. Materiale nga më të ndryshmet, që dikush nuk do të mendonte se shkojnë, por që kur ia shesh Xhoiës veshur, thua “po, ngjajnë bukur”. Editorja për muajin Mars vjen florale, e çelur, por elementë këto të jetëzuar në pjesëza klasike si kostumet ( “oversize” tanimë ), fundet e stilit të tenisit, me pala korrenti, si dhe pulovrat me qëndisje, të cilat kohët e fundit ajo zgjedh të jenë “vintage” madje ( e duam një vajzë “fashionable”, por dhe ekologjike në të njëjtën kohë ). Gjithashtu, Xhoia sugjeron se do të ishte mirë të guxonit me këpucët, si në stil, ashtu dhe në ngjyra. Atlete, të cilat i japin jetë një kombinimi “të qetë” ose klasiket “Mary Jane”, që shtojnë menjëherë elegancën dhe feminilitetin në kombinim tuaj, si për gjatë ditës, ashtu dhe për një darkë. Dhe sigurisht, mos harroni çorapet “e lezetshme”, të cilat shërbejnë fare mirë si “ngritëse humori”, por dhe si një mundësi për të iniciuar biseda me njerëzit.

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                          Instagram: @xhoia_dumi

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                    Foto: Pinterest / Kolazhi: LIVING

                                   Ani Jaupaj, Gazetare

Ani Jaupaj e “LIVING”, ajo e dhjetra editorialeve e artikujve interesantë, po aq interesante sa dhe shkrimet e saj është dhe vetë në stil. Sa të rëndësishme e ka rehatinë, aq dhe kombinimin e ngjyrave. Ani qëndron tepër në ngjyrat “militare”, në nuancat e errëta të atyre që mund të konsiderohen si ngjyra “vibrante”. Një tjetër karakterisitkë e stilit të gazetares së njohur është dhe tendenca e saj për të shkuar drejt kombimineve pak “oversize”, tepër stil, duke miksuar volume në pjesë të ndryshme të veshjes. Një metodë, e cila ruan dhe komfortin, po aq sa dhe t’u dukurit “trend”. Pika e dobët e Anit janë atletet. Sa më interesante, me elemente nga më të çuditshmet, sa më të detajuara, në kufij të t’u quajturit “arkitekturore”, Ani do të ketë atletet më të veçanta që mund të gjenden. Ndaj, sugjerimi i saj, jo vetëm për këto dy muaj, por për gjithë vitin, është të qënurit “rehat” mbi të gjitha me kombinimin tuaj dhe vitalizojeni atë me atletet tuaja. Njëjtë si Xhoia, mos ngurroni të rrëmbeni nga rafti çorapet tuaja më “cool” dhe xhaketat “bomber” më të stilizuara që mund të posedoni.

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                  Foto: Pinterest / Kolazhi: LIVING

                               Kostandin Feshti, Kontributor

Unë mund të jem admiruesi më i madh i minimalizmit të kombinuar me dy – tre aksesorë “zhurmues”. E para njëherë: Të normalizojmë çantat “fashion” për djemtë dhe zotërinjtë që ndjekin modën. E dyta: Nuk ka asgjë që na bën të dukemi më të veshur se një pallto “oversize”, ose një xhaketë formale e tillë, dopiopetë ose jo, pikërisht, këto dhe sugjerimet e mija për muajt Mars – Prill, të cilët na lejojnë dhe pak të luajmë me garderobat tona. Është mënyra perfekte për ta bërë një kombinim të duket automatikisht stil dhe në trend, pa qënë nevoja për të dalë nga stili dhe shija juaj personale, e pa ndërmarrë lëvizje butaforike sa i përket dukjes tonë. Nga ana tjetër, njejtë dhe unë si Ani, i kushoj rëndësi të madhe këpucëve dhe atleteve. Mendoj se tek meshkujt luajnë një rol kyç për sa i përket veshjes. Sa më urbane të jenë, sa më unike, moderne, aq më mirë. Njësoj si palltoja, janë një mënyrë për ta ngritur një kombinim të thjeshtë, në një nivel tjetër. Gjithashtu, sa më të mëdha të jenë në strukturën e tyre, aq dhe më “cool” e bëjnë look-un të duket. Një kostum i zi, mund të modernizohet fare lehtë me një atlete pak formale, por që mbetet “street-style”, me një pallto të madhe mbi supe dhe “voila”, keni veshjen perfekte për një mbrëmje argëtuese në qytet.

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                                  Instagram: @ninifeshti

Zgjedhjet e Editorëve “LIVING”: Mars!

                                                   Foto: Pinterest / Kolazhi: LIVING

                                   Olsa Kruja, Kontributore

Olsa Kruja, zonjusha e cila në kanalin e “LIVING” në YouTube ju ndihmon me shtrimet sa më elegante të tavolinave tuaja, ka një influencë tepër minimaliste kur bëhet fjalë për veshjen e saj. Po ta shohësh Olsën në rrugë, menjëherë do ta bëje për një italiane të vërtetë, e cila sapo ka zbritur nga avioni i pare, nga Milano. Në dukje “e shkujdesur” dhe e thjeshtë, por që veshjet kanë gjithmonë elemente të mirëmenduara, e mbi të gjitha, të mirë-kombinuara, si nga ana e teksturave, ashtu dhe nga ana e ngjyrave. Olsa është njëbesnike e zjarrtë e idesë se një zonjushë/zonjë duhet të investojë në një çantë të mirë, e cila të jetë shoqëruesja e ditëve të saj, e përshtatshme për çdo situatë. Gjithashtu, sipërmarrësja sugjeron se njeriu nuk gabon kurrë në momentin që i rri besnik ngjyrave të tokës, qoftë dhe në muajt pak më të ngrohtë të vitit. Për Olsën nuk ka asnjë kombinim, i cili nuk duket më “chic” në momentin që ai aksesorizohet me shaje të mëdhenj, xhaketa të stilizuara e këpucë unike, specifikisht çizme ose gjysmë-çizme ( klasike, por dhe moderne në të njëjtën kohë ) dhe mokasin-ët formal që nuk mungojnë në garderobën e askujt, si shembulli i bardhë në kolazhin e mësipërm. Janë pjesëza, të cilat i rezistojnë çdo trendi e rryme mode që siç vjen, ashtu dhe shkon.

 

Horoskop