Modë / 29 Mars 2024, 15:05

“VALENTINO” nën një udhëheqje të re: Alessandro Michele i “Gucci”-t i bashkohet gjigandit tjetër italian

“VALENTINO” nën një udhëheqje të re: Alessandro

Nga: Kostandin Feshti

Pierpaolo ( Piccioli ) largohet e Alessandro ( Michele ) vjen. Kjo është marrëveshja e re e shtëpisë së modës “VALENTINO”, e themeluar nga Valentino Garavani në vitin 1960, e cila, si “Drejtor Kreativ”, përgjegjës i çdo koleksioni që prezantohet, ka pasur Pierpaolo Piccioli-n, që nga viti 2008 ( në bashkëpunim me Maria Grazia Chiuri-n, deri në vitin 2016, kur ajo iu bashkua “rivalit” “DIOR” ). Pierpaolo është figura kryesore, të cilës i atribuohet “rimishërimi” i brand-it italian, i cili për 6 vitet e fundit ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të industrisë, duke qenë në qendër të çdo jave e sezoni mode të këtyre viteve. Besoj të gjithë e mbajmë mend të famshmen “Pink Valentino”, që shtëpia e modës, në bashkëpunim me “Pantone”, i dedikuan një koleksion të tërë, duke themeluar një trend, i cili sot akoma nuk është venitur.

Largimi i tij, sigurisht i pasuar në media me një habi të madhe, nuk është se nuk mund të mos parashikohej aspak, pasi nëse rikujtojmë sfilatën e fundit të “VALENTINO”-s në javën e modës italiane, ishte e tëra e veshur në të zezë, ndoshta një indicie ky kundrejt largimit të Pierpaolos nga brandi që u shndërrua në një sinonim të tijin. Gjithashtu, largimi i Micheles nga “Gucci”, ishte po prapë një lajm të cilin industria e modës e priti me ne një “shok” të thellë, pasi njëtë si me Piccioli-n për “VALENTINO”-n, ashtu ishte dhe Alessandro për “Gucci”-n. Personazhi i shquar, i cili e “ringjalli” “Gucci”-n në atë pikë, ku “titani i heshtur” po bëhej përsëri një faktor intrigues mes klientelës së luksit, me produkte të cilat shumë shpejt u kthyen në copëza klasike të shtëpisë së modës, me shumë njerëz duke investuar në to e duke i quajtur një “must”( nevojshmëri ). Çantat e famshme “Marmont”, “Jackie” ( e risjellë nga Michele ), “Dionysus”, e shumë modele të tjera, të risjella pikërisht nga vizionari Alessandro.

“VALENTINO” nën një udhëheqje të re: Alessandro

Në të njëjtën kohë, një lajm tjetër, jo kaq i bujshëm, por “mërzitës” për ndjekësit religjioz të modës, ishte dhe largimi i Dries Van Noten nga brandi me të njëjtin emër që ai posedon, sfilata e fundit e të cilit do të jetë në sezonin e Pranverës 2025, dedikuar meshkujve në Qershor, prezente në “Paris Fashion Week”.

“VALENTINO” nën një udhëheqje të re: Alessandro

Disa njerëz këtë pozicionim të ri e kanë quajtur “një riciklim të panevojshëm” me komente të tipit: “Janë gjithmonë të njëjtët “meshkuj të bardhë” që “kërcejnë” nga një post te tjetri, duke mos i lënë aspak hapësirë talenteve të reja dhe tepër premtuese”; dhe paçka se të dy kreatorët janë figura të themeluara në industri e gëzojnë respekt, një pjesë e mirë e publikut të tyre është dakordësuar me këto pohime, por që në fund të ditës, bien në vesh të shurdhët.

Por, nga të gjitha këto ndryshime, spekulime e mendime, ajo që pritet me më shumë kërshëri është pikërisht ndryshimi që do të ndodhë me “VALENTINO”-n dhe se si do të përkthehet kjo frymë e re në prodhimin e koleksioneve, tanimë, nën vulën e Alessandro Michele-s.

Horoskop