Modë / 31 Mars 2024, 12:13

Për çfarë po i harxhojmë paratë? Sendet e pakuptimta që shtëpitë e modës janë duke i “mbivlerësuar”

Për çfarë po i harxhojmë paratë? Sendet e pakuptimta

Nga: Kostandin Feshti

Shpesh shohim sfilatat e brandeve luksoze ose fushatat e atyre pak më të përballueshme dhe frymëzohemi për të shtuar “dëshira” të reja në listën tonë të të blerit. Fillojmë e justifikojmë çmimet e vështirësinë për t’i poseduar disa elemente të caktuara, me idenë se jemi duke shkuar pas diçkaje që “do të ruaj vlerën”, pas një copëze të cilës “do t’ia nxjerrim lekët” ( fjalët e fundit më të famshme para çdo blerjeje ) e se do ta shijojmë gjithmonë. Por, ka raste, që sado të mundohemi të justifikojmë ne veten dhe ata që kanë krijuar një mini-objekt, i cili ngacmon fantazinë tonë në atë pikë ku ndihemi se duhet të jemi pronarët e tij të rinj me se s’bën, nuk mund të justifikohen. Kjo e gjitha derivuar nga disniveli i madh midis produktit dhe çmimit që shpesh herë tregu sot paraqet, nisur nga ai më ekskluzivi e luksozi e deri tek brandet më të aksesueshme në përditshmërinë e shumë prej nesh, të cilat, imitojnë për masën pikërisht këto objekte, si pasojë e ritjes së kërkesës, por dhe e pamundësisë për t’i blerë ato nga krijuesit e tyre parësorë. Ndodhi kjo, e cila po i shtyn njerëzit ditë pas dite drejt të blerit “vintage” e produkte në tregun e dorës së dytë ( second-hand shopping ).

Për çfarë po i harxhojmë paratë? Sendet e pakuptimta

E gjitha nis kështu: “Fendi” paraqet në pasarelën e tij një “mbajtëse lëpirseje”. Nga ana tjetër “Balenciaga” një mbajtëse kufjesh me blutooth, që kushton sa një çantë normale e një brandi më pak të njohur. Të njëjtin problem ( po e quajmë ne kështu ) dhe “Jacquemus”, me modelin e tij ikonik “Le Chiquito”, por jo në versionin mini, ai virali që njohim të gjithë, por në versionin mikro, nano, quajeni si të doni, relativisht po aq i famshëm dhe po aq i shitur, me një çmim irracional ( çmenduria që inicion diskutimin ). “Louis Vuitton” nuk mbetet pas, është një ndër shtëpitë e modës më të famshme për produktet e saj të vogla të lëkurës [ ( mini ) leather goods ], por kur ti paguan atë lloj shume që “Louis Vuitton” të bën të paguash për një mbajtëse uji, këtu mendojmë se ka nevojë për pak bisedim. Rasti i rradhës, ai i të famshmes “Chanel”, e njohur së fundmi për uljen e cilësisë dhe rritjen e çmimeve në nivel stratosferik, qoftë dhe nëse je duke paguar për një çantë të vogël, e cila maksimalisht mund të mbajë thjesht një çelës pa asnjë lloj aksesori dhe një pilulë për dhimbje koke. Janë elemente marketingu, të cilat proklamohen në atë mënyrë “vicioze” sa arrijnë të të përfshijnë të shpenzosh para duke mos e kuptuar thelbësisht se për çfarë je duke i shpenzuar paratë në rradhë të parë.

Për çfarë po i harxhojmë paratë? Sendet e pakuptimta

Të rralla janë rastet kur këto objekte bien në duart e koleksionistëve, zakonisht ato i shohim në “influencera” të paguar për t’i reklamuar ato ose në duart e atyre, të cilët në një mënyrë ose një tjetër duan t’i vërtetojnë botës se kanë mundësi të shpenzojnë para pa u menduar mirë, thjesht, sepse kanë aq shumë sa për ta bërë këtë gjë. Tregu i luksit e etiketon këtë grupim si “new money” ( “zengjinët e rinj” ), ata të cilët paranë mund ta kenë bërë shpejt ( një numër i këtij grupimi në mënyrë ilegale ), mund të kenë rënë në të ( fitues lotarie, frekuentues kazinosh të cilët mund të kenë fituar një shumë të majme ), e po aq shpejt sa e kanë bërë këtë “pasurinë” e tyre, aq shpejt duan dhe ta harxhojnë, duke e bërtitur pikësëpari me aparencën e veshjen që i dedikojnë asaj. Pikërisht për ta, shtëpitë e modës së luksit krijojnë koleksione të mbushura me objekte irracionale, rroba të mbushura me logo, materiale butaforike, ndërkohë që për klientët besnikë, ata të cilët trendeve iu qëndrojnë me kilometra larg, kanë prodhime specifike, të cilat bëhen me materiale po aq specifike, por mbi të gjitha, cilësore.

Askush nuk po thotë që nuk mund të ketë një balancë midis trendit dhe klasikes, një inkorporim i të dyjave në një veshje, për ta bërë atë pak më interesante, më “streetstyle”, por gjithmonë e mira është për të ruajtur një balancë e për t’i dedikuar para elementeve që me të vërtetë janë “luksoze” për nga cilësia e qepjes, materialit e strukturës bashkë me formën që mbartin. E kemi thënë gjithmonë, e do ta themi sa herë të na jepet mundësia: “Për t’u dukur bukur, veshja juaj nuk ka pse të kushtojë sa një qera apartamenti. Shifrat e shpenzuara, në fund të fundit i dini vetëm ju, ne shohim rezultatin e kombinimit tuaj”.
Shpenzim të zgjuar!

Horoskop