Mirëqenie / 8 Prill 2024, 18:06

Shfaqet “kolla e mirë” në Shqipëri. Duket si grip i zgjatur apo alergji, fëmijë të prekur e të shtruar në spital

Shfaqet “kolla e mirë” në Shqipëri. Duket si grip i

Nëse keni kollë të fortë dhe që ju zgjat mbi 2-3 javë, mund të jeni prekur nga sëmundja e "Kollës së Mirë". Muajt e fundit mjekët po konstatojnë praninë e Pertusis, kryesisht në moshat pediatrike.

Fillimisht mund të duket si grip apo alergji e stinës, por kolla agresive dhe shumë e zgjatur është ajo që sipas mjekëve bën diferencën nga sëmundjet e tjera.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik konfirmon shfaqjen e "Kollës së Mirë" në vendin tonë. Aktualisht, janë të shtruar në spitalin pediatrik 4 fëmijë më këtë sëmundje ngjitëse ndërsa nuk mungojnë rastet e dyshuara deri në ekzaminimin përmes analizave të gjakut.

Për sëmundjen e “Kollës së Mirë” kryhet vaksinimi i detyruar i cili nis që në muajin e dytë të jetës dhe përsëritet në mënyrë periodike deri në moshën 16 vjeç. Megjithatë vaksinimi nuk përjashton infektimin, por ul ndjeshëm ndërlikimet, rastet e rënda dhe vdekjet.

“Kolla e Mirë” transmetohet përmes teshtimave dhe kollitjes nga personi në person. Kjo sëmundje shkakton pneumoni të rënda dhe infeksione të trurit. Vite më parë “Kolla e Mirë” ishte vdekjeprurëse, por me futjen e vaksinës në kalendarin e detyrueshëm, janë parandaluar deri format e rënda të këtij infeksioni./A2CNN

Horoskop