News / 23 Prill 2024, 21:55

Drafti për nënat surrogate në Shqipëri, ja çfarë lejohet nëse miratohet ligji

Drafti për nënat surrogate në Shqipëri, ja çfarë

Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik një projektligj për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Drafti prej 16 faqesh synon të  rregullojë me ligj riprodhimin invitro, ardhjen në jetë të fëmijëve përmes nënave  surrogate, krijimin e bankave për ngrirjen e qelizave riprodhuese si dhe lejimin e abortit brenda 14 javëve të para të shtatzënisë nga  12 që është aktualisht.

Nëse do të miratohej ky draft, çdo femër dhe mashkull në Shqipëri mbi moshën  18 vjec mund të bëhej dhurues i qelizave të tij riprodhuese.

Sipas nenit 18 të projekt-ligjit dhurimi mund të kryhet deri në 5 herë.

“Mosha e donatorëve femra për dhurimin e vezëve fillon pas moshës 18 vjeç dhe përfundon në moshën 35 vjeç. Për donatoret meshkuj, dhurimi i spermatozoideve fillon nga mosha 18 vjeç dhe përfundon në moshën 45 vjeç.  Dhurimi do të jetë anonim dhe duhet të garantojë konfidencialitetin e të dhënave të identitetit të dhuruesve nga bankat e qelizave riprodhuese, si dhe nga regjistrat e dhuruesve. Dhurimi do të jetë i revokueshëm vetëm kur dhuruesi të kërkojë qelizat riprodhuese të dhuruara, për ti përdorur për veten e tij, gjithmonë nëse në datën e kërkesës ato do të jenë të disponueshme.”

Po ashtu nisma e Ministrisë së Shëndetësisë synon të ligjërojë në Shqipëri ardhjen në jetë të fëmijëve nga nënat zëvendësuese apo surrogate sic njihet ndryshe “Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë nje shtatzeni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj. Gruaja zëvendesuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë.

Ajo e duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë. Procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për një shtatzëni surrogate, përcaktohen në protokollin përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.” 

Edhe pse e ka cilësuar draft për  konsultim publik, autorja e kësaj nisme ligjore, ministria e shëndetësisë, ka vendosur të heshtë duke mos nxjerrë asnjë prej ekspertëve të shëndetit riprodhues për ta argumentuar projekt-ligjin.

Kjo nisme pritet të shkaktojë debate në radhët e atyre specialisteve të cilët ende mund të shprehen, ndërsa fjala e fundit do të vijë nga Kuvendi pas diskutimeve në Komisionet parlamentare.

Horoskop