Personazh / 14 Maj 2024, 15:04

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Nga: Anila Kadija
Dizajn: Aldo Beshiri
Kryeredaktore: Santana Çomora

Dr. Andi Hoxhaj, “OBE” është Ligjërues i Drejtësisë në “University College
London”. Ai mori doktoratën e tij nga Universiteti i Warwick në vitin 2017.
Më parë kishte dhënë mësim në Shkollën Juridike të Warwick dhe u
nderua me çmimin “Warwick” për “Përsosmërinë e Mësimdhënies 2021”.

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Interesat kërkimore të Dr. Hoxhaj përfshijnë korrupsionin, migrimin, sundimin e
ligjit dhe politikën e Ballkanit Perëndimor në MB dhe BE, dhe ai ka botuar disa
artikuj të rishikuar nga kolegët mbi këto tema. Ai është gjithashtu autor i “Politika
e BE-së kundër korrupsionit: Një qasje refleksive e qeverisjes (Routledge,
2020)”.

Ai aktualisht është duke punuar në një projekt kërkimor të titulluar “Emigrantët
shqiptarë në MB”, i cili financohet nga UCL Public Policy and the Arts and
Humanities Research Council. Atij iu dha çmimi i “Yllit në rritje të Akademisë
Britanike” në vitin 2018 dhe njohuritë e tij kërkimore shpesh citohen në mediat
ndërkombëtare. Ai gjithashtu ka dhënë prova në Parlamentin e Mbretërisë së
Bashkuar për hetimin e tij për “MB dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor” në
2018 dhe “Azili dhe Migrimi: Shqipëria” në 2022.

Dr. Hoxhaj është vlerësuar me OBE në Listën e Nderimeve të Vitit të Ri 2024
për kontributin e tij në marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Andi, ju jeni një akademik juridik që e shtrin punën e tij në fushën e kërkimit. Si e lidhni teorinë tuaj, me statistikat, në praktikë? Keni qenë ndonjëherë në terren dhe çfarë ju ka përcjellë kjo fushë?

Studimet e mia shkencore kanë të bëjnë kryesisht me qasjen socio-ligjore, ku analizoj statistika të cilat kanë të bëjnë me mënyrën se si një ligj është impelementuar. Intervistoj në terren ekspertë apo zyrtarë që aplikojnë ligjin për të mësuar nëse ligjet në fjalë funksionojnë apo jo. Kjo qasje më jep mundësinë që të mësoj më shumë mbi praktikat ligjore dhe të analizojë më mirë se çfarë ndryshimesh të tjera duhen bërë. Gjithashtu bëj studime krahasimore ku shikoj se si një politikë e re propozohet dhe bazën ligjore në të cilën mbështetet për të parë në cilat vende është përdorur më parë dhe nëse ka funksionuar apo jo – duke marrë parasysh si kulturën ashtu edhe kontekstin. Në studimet e mia më të fundit jam duke u marrë me mënyrën sesi politikat e zgjerimit të BE-së kanë funksionuar në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sundimin e ligjit.

Legjislacioni anglez, në lidhje me emigracionin, në Mbretërinë e Bashkuar ka ndryshuar tërësisht. A kanë informacion të saktë për këtë njerëzit e thjeshtë, sidomos  në vendet ku vazhdon kjo trysni në Ballkanin Perëndimor, siç është fluksi nga Shqipëria? Cila është ideja juaj personale, si studiues i lëvizjeve emigratore, për këtë çështje delikate dhe bashkëkohore?

Çështja e emigracionit është në krye të agjendës Europiane dhe shumë vende, përfshirë këtu Britaninë e Madhe, Italinë, Francën, Gjermaninë, Suedinë, Danimarkën dhe Holandën po ndryshojnë ligjet për sa i përket kërkesës për azil apo për t’u zhvendosur në këto vende. Gjithashtu, BE miratoi një paketë ligjore të re në lidhje me mënyrën si do të trajtohet çështja e emigrimit. Problemi kryesor është infrastruktura aktuale ligjore, e cila është shumë e ashpër për sa i përket legjislacionit për të ardhur në Britaninë e Madhe, apo në vende të tjera të BE-së. Kjo shtyn shumë persona që të vijnë në mënyra jo ligjore. Ky është problemi që shumë qeveri në këto vende gëlojnë nga shumë komunitete të cilët nuk janë integruar plotësisht dhe në disa raste jetojnë në botë paralele ku aplikojnë ligjet dhe normat e tyre sociale, të cilat shpesh bien ndesh me vendin ku janë zhvendosur. Ky fenomen shpesh i shtyn këto vende të marrin masa drastike, si për shembull Britania e Madhe e cila propozoi të çonte emigrantët e jashtëligjshëm në Ruanda për t’i procesuar, duke dhënë kështu edhe mesazhin që nuk jeni të mirëpritur. Ky shqetësim aktual mund të zgjidhet duke ofruar më shumë hapësira ligjore që emigrantët të vijnë në forma të ligjshme dhe të kenë mundësinë të punojnë konformë rregullave, duke qenë se mbi 85% emigrojnë për arsye ekonomike, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Aktualisht në Britani është vendosur si kriter që nëse nuk merr një rrogë prej £38,000 në vit është shumë e vështirë të marrësh vizë pune. Fatkeqësisht, për momentin si qeveria edhe opozita në Britani, nuk janë të hapur që të promovojnë politika pro emigrimit.

Popujt kanë të drejtë të lëvizin por duke respektuar ligjin. Ndërkohë që nuk po dilet dot nga ky rreth joshës ku edhe pse vitet kalojnë, sërish në një tjetër dekadë këto gomone vazhdojnë rrugëtimin e tyre nga Shqipëria. Ky fakt më kthen në vitet '90 (i kam përjetuar në Itali) ku flitet për të drejtat e njeriut, që shpesh keqinterpretohet, abuzohet, nga trafikantët e jetës, duke krijuar një hamulli sociale-emigratore. Si mendoni cilat janë rrugët më demokratike për ta shkelur territorin anglez? Retorikë politikash apo fakte? Aplikime në çfarë mënyre?

Për fat të keq ky vit shënoi vitin e 15-të sipas Freedom House që ka një regres në të gjithë botën për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe për fat të keq shumë vende nuk i japin më prioritetin e duhur. Për shembull në rastin e Shqipërisë, po bën gati 2 vjet që Avokatit të Popullit i ka mbaruar mandati dhe Parlamenti nuk po bie dakord të bëj 84 vota (qeveri-opozitë). Ky nuk është një mesazh pozitiv për sa i përket “commitments to human rights”. Gjithashtu në rastin e Britanisë së Madhe, kemi parë që Gjykata e Lartë vendosi që nuk mund të çojmë azil-kërkuesit në Ruanda, pasi atje ka rekord të tmerrshëm për të drejtat e njeriut. Gjithashtu, retorika kundër emigrantëve është në rritje dhe kjo është më shumë për të dekurajuar njerëzit të emigrojnë, e po ashtu për t’i bërë të ndihen të padëshiruar. Për momentin e vetmja mënyrë është të vish me vizë pune. Ndonëse ka shumë shqiptarë që kane ardhur në këtë mënyrë, duhen përmbushur një sërë kushtesh, si arsimi i lartë, njohja e mirë e gjuhës angleze, si dhe eksperienca pune. Në disa raste, sidomos ata që erdhën në 2022 me gomone, shumica dërrmuese nuk i plotësojnë këto kushte. Ndaj duhet parë se si në të ardhmen mund të ketë kushte të tjera ligjore mbi udhëtimin dhe jetesën në Britani, si për shembull vizat sezonale. Kjo nismë kërkon pak më shumë kohë dhe mbi të gjitha vullnet politik.

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

"The EU Anti-Corruption Policy: A Reflexive Governance Approach" cili ishte qëllimi i këtij libri në vitin 2020 dhe si është pritur në këto kohë pas botimit?

Libri është kryesisht për ekspertë dhe akademik, pasi është i bazuar në studimet shkencore që kam bërë gjatë doktoratës, ku jep një panoramë se si 27 vendet e BE-së e trajtojnë korrupsionin nga ana ligjore dhe instrumentet, që ju japin organeve ligjzbatuese për ta adresuar korrupsionin. Libri është pritur kryesisht mirë dhe pas botimit kam pasur disa takime të ndryshme me qeveritë e vendeve të BE-së, por dhe ato kandidatë për në BE, duke qenë se libri im jep dhe disa rekomandime sesi BE-ja mund të përmirësojë infrastrukturën e saj ligjore në lidhje me korrupsionin.

Ka strategji të dëmshme emigracioni, çfarë mendoni se janë, si mund të përballohen? Në karrierën tuaj në Britaninë e Madhe, keni pasur ndonjë rast ku jeni ndierë nën presionin e kësaj klime jo të mirë për sa i përket emigracionit të paligjshëm shqiptar?

E vërteta qëndron që në Britaninë e Madhe, përgjithësisht shqiptarët nuk e kanë reputacionin edhe aq të mirë dhe nëse neve i referohemi mediave, çdo javë ka ndonjë artikull që i portretizon shqiptarët jo mirë. Natyrisht që kjo ka pasur impakt se si njerëzit të shohin kur prezantohesh apo flet për prejardhjen tënde. Në punë nuk është se kam pasur paragjykime, por në evente të ndryshme si konferenca apo takime, jam pritur me habi për faktin që jam një akademik nga Shqipëria. Mendoj që kjo është një nga sfidat me të cilat duhet të përballemi dhe duhet të punojmë më shumë, që të përmirësojmë imazhin e shqiptarëve në BE.

Keni lidhje me organizata apo shoqata shqiptare në Londër, çfarë mendoni për to?

Njoh disa prej organizatave Shqiptare në Britani dhe më pëlqejnë disa nga punët që bëjnë për të ndihmuar komunitetin shqiptar të integrohet më shumë në Britaninë e Madhe dhe gjithashtu në shume raste trajtojnë shumë nga problemet që kanë. Unë nuk dëshiroj t’i veçoj, por më pëlqejnë shumë disa nga organizatat dhe shoqatat e rinjve që janë hapur këto vitet e fundit që mundohen të bëjnë mentorin për të rinjtë që kërkojnë punë në fusha të ndryshme. Mendoj se është ide shumë e mirë dhe gëzohem shumë që duan të japin mbështetje për të rinjtë dhe ndajnë me ta eksperiencat e tyre – këto janë iniciativa të shkëlqyera që kanë impakt shumë të mirë. Por, natyrisht organizatat që merren me gjuhën shqipe, meritojnë shumë respekt pasi sigurojnë jetëgjatësinë e gjuhës sonë të shenjtë në diasporë.

Shqipëri – Angli, si i keni marrëdhëniet me intelektualët dhe akademikët në vendin amë?

Po kam marrëdhënie me disa nga akademikët në Shqipëri që kryesisht merren me fushën e jurisprudencës dhe në fushat që kanë lidhje me integrimin në BE. Para pak kohësh disa studiues nga diaspora, në bashkëpunim me kolegë në Shqipëri, kemi publikuar një libër që quhet “Çështje të Shtetit të së drejtës në kuadrin e proceseve integruese të Shqipërisë” të cilin e ka edituar Prof. Aurela Anastasi dhe ishte një projekt i bukur pasi dhamë kontributin tonë për temat që lidhen ngushtë me negociatat me BE-në dhe procesin integrues të Shqipërisë. Shpresoj që të hapet një diskutim konstruktiv, duke marrë parasysh që Shqipëria hapi negociatat me BE.

Andi Hoxhaj një krenari shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Vlerësimin që ju dha, Urdhri i Lartë si Oficer i Perandorisë Britanike, OBE 2024, për kontributin e çmuar në marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, si e përjetuat?

U emocionova kur më erdhi letra në shtëpi, nga Pallati Mbretëror. Ishte një moment shumë i veçantë për mua, megjithatë emocioni më i fortë e përjetimi më i madh ishte kur m’ u dha titulli nga Princ William ne Windsor Castle. Ishte një ditë shumë e veçantë për mua, dhe familjen time të cilët qenë prezent gjatë ceremonisë. Urdhri më ka bërë të jem akoma më i angazhuar në promovimin e marrëdhënieve të mira midis vendeve tona. Unë për shumë vite kam punuar me personalitete të ndryshme për të adresuar disa nga problematikat që kemi në marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve, kryesisht lidhur me çështjet e sigurisë dhe rendit. Jam i gëzuar që kemi arritur të nxisim Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë, që t’i shtrijmë marrëdhëniet dhe në fusha të tjera, si arsimi dhe tregtia. Një nga iniciativat që kemi ndërmarrë është të lidhim Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri me atë të Britanisë së Madhe, duke rritur kështu bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe arsimit.

Çfarë dëshironi të përcillni si mesazh jete për të rinjtë shqiptarë?

Do t’i inkurajoja të rinjtë që të studiojnë dhe ta duan arsimin, pasi dija është një investim që askush nuk mundet t’ua marrë. Gjithashtu të punojnë me pasion për atë që kanë dëshirë të merren, pasi kjo do ti ndihmojë të arrijnë objektivat e tyre, e të jenë të suksesshëm.

 

 

 

Horoskop