I shkurtër dhe i bukur, Sara dhe Bardhi zbulojnë emrin e vajzës së tyre
Ish banorja e Big Brother Vip, Sara dhe partneri i saj Bardhi kanë zbuluar emrin e vajzës që presin të vijë në jetë së s...
Ideja & Realizimi: Santana Çomora
Fotografia:Armand Habazaj
Personazh: Isida Mollaymeri
Fashion Editor:Niko Komani
Redaktore përgjegjëse:Xhoia Dumi
Grimi:Henri Gjata
Dizajn grafik:Aldo Beshiri
Objektet: Glamour Home – ETC
Vendndodhja:Kopshti Botanik Tiranë
Thonë që artisti nuk është asgjë pa talentin, por mos harrojmë që talenti nuk është asgjë pa punën. Kjo shprehje, më shumë se kurrë, vlen për solisten e baletit Isida Mollaymeri, e cila prej vitesh është një nga balerinat më të mirënjohura të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Gjatë karrierës së saj, ajo ka pasur një mori rolesh të rëndësishme në disa nga shfaqjet më të mëdha të vendosura në skenën shqiptare, ku ka shfaqur jo vetëm protagonizmin, por edhe aftësinë e t’u përshtaturit më së miri me karaktere nga më të ndryshmet. Sfidat në profesionin e saj nuk mungojnë asnjë ditë, që kur hap sytë në mëngjes dhe deri kur dita mbaron. Fatmirësisht është një profesion që puna e përkushtimi ndaj saj duken në skenë, dhe atë yllin e artistes “o e ke, o se ke”, i cili shkëlqen përkrah dedikimit dhe vullnetit të hekurt për t’u përmirësuar çdo herë e më shumë.
Jeta e Isidës nuk ka qenë si një përrallë, por ka punuar fort që ta bëj të tillë dhe t’i plotësoj vetes të gjithë ëndrrat që ka patur në mendje e shpirt që në fëmijëri. Është një vajzë që përveçse i ka këmbët në tokë, i ka dhe me një bazament shumë të fortë, pasi ka sakrifikuar shumë, ka punuar fort e njëkohësisht ka ndihmuar kë ka pasur mundësi duke u munduar gjatë gjithë jetës të jetë një njeri i thjesht dhe pozitiv. Filozofia e saj është që me pak talent dhe me shumë vullnet arrihet gjithçka.
Ajo është fanatike e baletit klasik. Adhuron magjinë e kësaj rryme muzikore, duke e çuar në një tjetër dimension, falë elegancës e finesës që zotëron në lëvizjet e saj.
Në këtë kopertinë për “Living”, konceptuar si një Lizë në botën e çudirave, Isida vjen ashtu siç është. Një vajzë e sinqertë, që karriera artistike i ka kalitur durimin, e ka mësuar të jetë e vërtetë dhe atëherë kur ndoshta e vërteta vret. Nuk ka ngurruar aspak të shpalos për lexuesit jetën e saj, që tashmë ka marrë një drejtim të ri.
Ky profesion thonë që ka shumë bërryla. Sa e vërtetë është kjo dhe ti vetë a je ndier ndonjëherë e kërcënuar?
Pafundësisht shumë. Ndonjëherë, dhe pse ke talent apo e ke treguar veten me mijëra herë që vlen, ndihesh e kërcënuar, sepse shikon që jo të gjithë kanë synimin që duhet të kenë për një shfaqje profesionale, që thjesht duan të mbushin kalendarin pa i kushtuar rëndësi mënyrës se si bëhet shfaqja. Ka forma të ndryshme të koncepteve. Diferencën e bërrylave e bëjnë ata që drejtojnë, që dinë t’i menaxhojnë këto bërryla dhe t’i japin një gjë sa për të mos i lënë pa gjë apo i japin shabllon ato që kërkojnë dhe dalin keq. Arti nuk pranon kompromise, një balerinë ka kriteret e veta, nuk mund të jenë të gjithë solistë. Ashtu si në jetën e përditshme s’mund të jenë të gjithë liderë.
Dikush drejton, dikush merr urdhra.
Si e shikon baletin sot në krahasim me fillimet e tua të karrierës?
Me shumë keqardhje nuk është aty ku duhet të jetë ose ku duhet të ishte. Nuk i jepet mundësia të rinjve, nga bërrylat e shumtë që ka, nuk është më ajo dëshira për të bërë gjëra të bukura, si dikur. Më përpara kërkesa e llogarisë, niveli artistik dhe dëshira ka qenë më e madhe dhe paga më e vogël. Sot është e kundërta. Në ditët e sotme nuk po dihet më se kush po kërcen me të vërtetë dhe kriteret nuk janë më ato që duhet të jenë për një profesionist.
Kam dëgjuar që ke një disiplinë ushtarake në profesion. Sa skrupuloze je ti në punën tënde?
Në fakt, jam shumë e rreptë në punë dhe në biznes. Jam mësuar me shumë disiplinë dhe e kam të vështirë të dëgjoj njerëz që thonë: “Nuk e bëra dot sot, do ta bëj nesër”. Jam e mendimit që suksesi im dhe gjithçka kam arritur është vetëm falë korrektësisë, disiplinës dhe punës sime të hekurt. Në punë nuk fal! Dhe mendoj që kështu duhet të jetë. Edukata e çdo individi fillon me disiplinën që ka si njeri në jetë, në familje, në shoqëri, në punë. Gjithçka është e lidhur zinxhir.
E kërkon rolin e protagonistes apo ta kanë dhënë më shumë koreografët?
Unë jam shumë kërkuese ndaj vetes, kërkoj më të mirën dhe maksimalen. Nuk kam kërkuar kurrë asnjë rol se fatmirësisht kam qenë e aftë t’i marr. Një herë që ndodhi një padrejtësi unë kërkova audicion: ua bëra të qartë që s’po e bëj që të marr rolin, por thjesht të tregoj veten, punën time, dhe gabimin e koreografes, sepse unë kam shumë besim te vetja dhe te puna ime.
Baleti i ëndrrave të tua është…
“Ëndrra e një nate vere”, ndoshta sepse adhuroj Shekspirin. Për fatin tim kam qenë edhe protagonistja kryesore për katër net me një sallë plot.
Koreografi yt…
Mjeshtri Agron Alia, ndoshta sepse kam punuar me të dhe e kam njohur çfarë potenciali dhe bagazhi kishte. Por, nuk mund të lë mbrapa as Ilir Kernin, as Arjan Sukniqin, që kanë vënë plot shfaqje prestigjioze në skenë.
Një tjetër drejtim yti kohët e fundit është dhe ideja e një biznesi në lidhje me bukurinë “Beauty Fair Albania”. Ka qenë strategji e jotja për të bërë një hap paralel me baletin?
Ka qenë përherë ëndrra ime që të kem një biznes timin. Hyn tek ambiciet e mia për t’u plotësuar si njeri dhe si vajzë. Përkrah suksesit në karrierë dhe 3 universiteteve që kam, doja patjetër një biznes që të kishte lidhje me të bukurën dhe të mbante emrin tim. Tashmë “Beauty Fair Albania” është një brand dhe jam shumë krenare për veten, që kam ngritur një biznes kaq të suksesshëm.
Baleti ka një afat skandence, por si për të gjitha balerinat ai mbetet i përjetshëm. Cili është stili i jetës që të karakterizon për të mbajtur këtë trup në formë?
Baleti është i vështirë. Nuk mund të jetë për të gjithë, kërkon shumë sakrifica dhe punë. Është shumë e vështirë me atë lodhje fizike që kemi të jesh dhe e kujdesshme në ushqim, pasi linjat e tua duhet të jenë të përsosura.
Ndalemi pak tek jeta private, nuk mund ta anashkalojmë, pasi vërtetë është një moment shumë i rëndësishëm për ty. Propozimi për martesë në Maj të këtij viti, besoj se ka qenë gjëja më e bukur. Kishit shumë kohë që e mendonit këtë ndryshim jetësor apo erdhi papritur?
Unë gjithmonë kam dashur që gjërat t’i bëj me radhë, ose të paktën kështu jam edukuar. Doja të mbaroja shkollimin, të plotësohesha në karrierë, më pas të krijoja familjen, dhe Zoti ma plotësoi këtë dëshirë. Njeriu i jetës sime erdhi në momentin e duhur. Atëherë kur unë vërtet isha gati. Pasi ky nuk është propozimi i parë që unë kam marrë për martesë, por është ai që kam pranuar
Si u njohët?
Ah! U njohëm me anë të një mikut tonë të përbashkët. Atëherë kur unë vetëm për lidhje s’kisha kohë, por kur gjërat janë për t’u bërë, bëhen. Si thonë: “Kismetin tënd se merr askush” dhe ja ku jemi sot.
Si e keni menduar të ardhmen? A do ta lije Shqipërinë për Zvicrën?
Nuk do ta lija Shqipërinë dhe “Tironën” për Zvicrën. Do t’i mbaj të dyja; edhe këndej edhe andej. Ai e ka shumë qejf Shqipërinë dhe pse s’është shqiptar dhe ka ardhur gjithmonë si vizitor. Po dhe ai është i këtij mendimi, që të jemi me këmbë të vendosura mirë edhe andej, edhe këndej.
Çfarë pëlqen më shumë tek partneri yt?
Karakteri dhe qetësia që ka kur merret me mua. Ndërkohë që unë jam një uragan. Është shumë i matur dhe i ka shumë peshë fjala. Me mua është vështirë t’ia dalësh, por ai ia del.
Kur mendohet dasma dhe ti vetë si e ke ëndërruar këtë moment: shumë intim me një grup të caktuar njerëzish apo dasmë të madhe ku të gjithë mund të gëzojnë bashkë me ty?
Aman, se dasma qenka hall më vete, ku do bëhet, kë do të ftoj, data, sepse ata që bëjnë eventin, fotografi, kuzhinieri, grimieri, videografi e shumë e shumë janë të zënë, dhe në fund, fustani. Me atë po merremi, s’kemi vendosur datë, sepse na thanë që data e dasmës nuk ndryshohet. Kështu që po rregullojmë gjithçka që të ndajmë datën më vonë.
Sa e rëndësishme është familja për ty?
Është më e rëndësishme se gjithçka. Familja është shtylla e çdo suksesi apo dështimi. Nga një familje e mirë dhe e edukuar ka vetëm fëmijë të mirë, të mbarë e të drejtë. Unë jam rritur në një familje ku jam edukuar se fëmija është hapi më i rëndësishëm i jetës dhe se mirëmbajtja e një familjeje të shëndoshë është suksesi më i madh në jetë. Kështu që i lutem Zotit që dhe unë të kem sukses në familje, njejtë si mami dhe babi im.
Familjes suaj i është shtuar dhe një pjesëtar i ri, qeni juaj Lui. Nga postimet e tua të shpeshta me të duket që keni krijuar një marrëdhënie shumë të fortë duke e quajtur motra...
Ne kemi pasur pothuajse çdo kafshë shtëpiake në shtëpi, sepse vdesim për kafshët. Unë kam pasur Pokun për 16 vjet, dhe vdekjen e tij mami nuk e kaloi mirë, u stresua shumë dhe babi më tha mos na merr më kafshë në shtëpi se nuk durojmë dot humbjen, por Lui erdhi shumë rastësisht dhe papritur. Një shoqja ime e mori për vajzën, por nuk e mbante dot. Unë për të disatën herë thashë të njëjtën gënjeshtër, duke iu thënë prindërve që: “Do ta mbajmë sa ta bëjmë 5 muajsh se nuk di shoqja ta rrisë dhe do t’ia kthej”. Nga ajo ditë, Lui na e ka zbukuruar jetën dhe mami ka frikë se mos na e merr Ernita. E duam shumë, vdesim të gjithë për të.
Njihesh edhe si vajza e këpucëve. Ne të “Living” e dimë prej kohësh këtë pasion tëndin. A i janë shtuar koleksionit këpucë të reja?
Janë shtuar, por edhe janë pakësuar, sepse i kam falur ca, jo se doja, por nuk më bënin më. Për të vetmen gjë që shpenzoj janë këpucët, se për rroba nuk e vras mendjen shumë.
Besimi në Zot është dhe një nga gjërat që të karakterizon. Si lindi kjo marrëdhënie kaq unike?
Si çdo gjë e mirë nga familja. Stërgjyshi im ka qenë hoxhë dhe e gjithë familja normalisht myslimane. Unë besoj shumë në Zot dhe në forcën që Ai të jep të bëhesh çdo ditë një njeri më i mirë. Nëse ti beson te vetja dhe te synimet që ke duhet patjetër të bësh mirë dhe të jesh një njeri më i mirë për veten, për familjen, por dhe për shoqërinë.
Isida, të falenderojmë shumë për mundësinë që na dhe për të realizuar këtë interistë kaq të këndshme me ty. Tani, shihemi kur nga një Princeshë, të bëhesh një Mbretëreshë e veshur me të bardha.
Faleminderit ju mbi të gjitha, për ftesën e profesionalitetin, e dini sa të veçantë jeni për mua.
Ish banorja e Big Brother Vip, Sara dhe partneri i saj Bardhi kanë zbuluar emrin e vajzës që presin të vijë në jetë së s...
Një pemë gjigante është rrëzuar pasditen e sotme në kryeqytet si pasojë e erës së fortë dhe shiut t&eu...
Gazetarja e njohur Anila Basha ka bërë një rrëfim ndryshe për jetën e saj në podkast me Mira Kazhanin. Nga nisja e karrier&eu...