Nesër çadrat me vete, moti sjell ‘surpriza’ me rebeshe shiu e dëborë
Ditën e nesërme në vendin tonë do të rikthehen reshjet e shiut, por edhe të dëborës në lartësitë mbi 90...
Shkrimi : Kostandin Feshti
Fotografia : Renuar Locaj
Kryeredaktore : Santana Çomora
Hair / Make Up : Suela Çangu
Kur flasim për industrinë e muzikës shqiptare, janë disa emra, të cilët kanë lënë gjurmë të thella me këngët, performancat, stilin, e mbi të gjitha, me personalitetin që kanë. Por, njëra ndër to, ka kapërcyer aspektin kombëtar. Emri BLEONA sot njihet ndërkombëtarisht, ashtu siç dhe ajo shprehet në këtë intervistë: "Worldwide”.
Bleona për shumë vite ka qenë një figurë revolucionare artistike në arenën e vendit tonë të vogël. Produksione guxuese, melodi ritmike, tekste ngacmuese, me një lojë fjalësh e një humor karakterizues të personalitetit muzikor. Një frymë moderne dhe në ato momente kur modernizmi dukej akoma një ndodhi relativisht e largët për shqiptarët. Në vitin 1995 kur Shqipëria kishte vetëm 5 vite që kishte dalë nga komunizmi, asgjë nuk e ndalonte për të bërë muzikë të mirë. Në kohët e vështira, në Shqipërinë e tranzicionit të vitit 1997, Bleona publikoi albumin e saj të parë, duke qenë një nga të parat artiste, e cila i solli këto kënge me videoklipe, një risi për atë kohë. Në vitin 2000, ajo u bë artistja e parë shqiptare që realizoi një album vizual jashtë vendit. Albumi "Nëse më do fort" u xhirua në Gjermani dhe pasoi me suksesin e albumit të tretë të saj "S’më bëhet vonë," ku kënga kryesore e albumit u shoqërua me një video, që u realizua në Romë me një produksion italian. Këto projekte treguan ambicien e Bleonës për të tejkaluar kufijtë e zakonshëm të tregut shqiptar.
Më vonë në vitin 2002, vajza rebele dhe me një vizion të qartë u diplomua në Akademinë e Arteve për Aktrim, ndërsa vazhdonte të ngjiste majat e karrierës me një tur mbarëkombëtar, duke mbushur sheshet shqiptare - e vetme. Pjesëmarrja masive, shpesh deri në 50,000 fansa për koncert, ishte dëshmi e popullaritetit dhe ndikimit të saj.
Si një adhuruesi i saj, ashtu si dhe një lexues besnik i Living, pyetja e parë që më vjen në mendje është: Pse u largua nga e gjithë kjo famë e akumuluar ndër vite? Përgjigjja ndodhet pikërisht brenda pyetjes: Vizioni. Dëshira për të tejkaluar majat e suksesit, që ishin të limituara nga vetë fakti që Shqipëria ishte një vend i vogël në Evropën Juglindore me një shoqëri jo shumë largpamëse. Për të realizuar ëndrrat që shumë i konsideronin “të çmendura”, por dhe për t’i vërtetuar vetes mbi të gjitha, se me kurajon dhe vullnetin për të guxuar e duke u përkushtuar ndaj asaj që bën, ti ia del mbanë kudo.
Me të drejtë, këngëtarja e mirënjohur, gjatë bisedës së bashku në Zoom, u shpreh se në një farë mënyre u ndie e detyruar të bënte një lëvizje masive në jetën e saj artistike nga frika e përsëritjes, ose siç e përkufizon ajo "vdekja artistike". Pasi kishte arritur çdo majë të suksesit në tregun shqiptar, ajo ndjeu se nuk kishte më hapësirë për të përparuar brenda këtyre kufijve. "Fenomeni i përsëritjes është horrori më i madh për një artist," thotë ajo, duke theksuar dëshirën për të qëndruar gjithmonë inovative.
Në 2012-ën, rikthehet në Shqipëri për të bërë një tur modern në të njëjtin nivel si çdo artist tjetër botëror me skena dhe drita gjigante, ndriçime moderne LED e performanca të kuruara. Por prapë dhe në këtë rast, ishte pikërisht ajo e para, që vendosi një standard të ri të koncerteve në trojet shqiptare.
Sot, në 2024, Bleona ka kaluar në një tjetër nivel, atë të bashkëpunimeve ndërkombëtare. "Uria" për muzikë dhe art e shtyu të bashkëpunojë me producentët më të famshëm në botë. Ajo është artistja e parë shqiptare me një kontratë ekskluzive me një nga kompanitë më të njohura muzikore në SHBA – Create Music Group : - “Pra, për kohën digjitale unë prapë po bëj histori në mënyrën time.” Ndërkohë që shton se nuk mund të ishte më e kënaqur me numrat që kënga “Stani” ka akumuluar nga e gjithë bota, falë këtij bashkëpunimi.
“Fatmirësisht dhe fatkeqësisht unë i kam bërë gjërat shumë herët në jetën time, dhe po të kisha vazhduar të rrija në Shqipëri, thjesht do kisha përsëritur veten.”
Ndaj, pikërisht para 16 vitesh, vendosi të prekte ëndrrën amerikane, e cila vjen me një mori sakrificash, që ose të formësojnë, ose të vënë për fund. Sigurisht, me një natyrë luftarake si ajo e saja, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, do të fitonte. Lidhur me eksperiencën e saj matanë oqeanit, ajo shprehet:
“ Unë nuk jam e lindur në Amerikë, unë flas me theks kur flas anglisht. Për Amerikën do jem gjithmonë një artiste e huaj, ndërkombëtare, e cila sjell më të mirën e kulturës së vendit nga i cili vjen, të miksuar me kulturën e vendit në të cilin jeton, si një ambasadore e saj. Unë nuk jam në konkurrencë me Beyonce apo me Taylor Swift. Jam e vetme në ligën time, e cila është të jem e famshme në Amerikë, por që mbetem një e artiste e huaj. Vendimi im ishte të promovoja pamjen time klasike, me personalitetin tim pasionant, një pamje Monica Bellucci, me një personalitet si Gaga dhe Madonna, e ardhur e gjitha në trajtën e një këngëtareje POP. Kjo jam unë. Kam punuar me veten për ta kuptuar.” Duke shtuar se:
“Unë do të sjell muzikën time shqip, por dhe anglisht, muzikën që më ka bërë mua të famshme, do ta sjell në standardin që unë kam sot, jo me një standard të një epoke të kaluar, e cila ishte e bukur për kohën kur ishte e tillë. Do të jetë versioni i Bleonës që unë jam tani, me eksperiencën që unë kam sot si artiste, me njohjet, me buxhetet dhe me atë që di në këto momente. Njerëzit nuk janë të detyruar të të pëlqejnë. Ata zgjedhin të të pëlqejnë ose jo në varësi të asaj që ti i ofron botës.”
“Me videon e këngës së re ne anglisht që pritet të dalë në 10 Janar 2025, unë kam sjell veten në versionin më të mirë timin. Kjo është loja që dua të bëj, një këngë shqip, një këngë anglisht, që të kuptohet mirë thelbi i të qenurit një artiste ndërkombëtare.”
Bashkë rrahëm shumë tema, por ndamë edhe një shqetësim lidhur me mënyrën se si industria po funksionon sot, specifikisht ajo e tregut muzikor shqiptar, ku jo gjithmonë numrat që shohim në video e rrjete sociale janë legjitime. Bleona gjithashtu ndan me ne dhe arsyen se pse vendosi të fshijë të gjitha këngët e saj nga platforma YouTube:
“Mos u habisni me heqjen e këngëve të mia nga interneti, kam hequr Mandarinë me 70 milion shikime në 2013-ën. Këto këngë do t’i risjell sërish në versionin më të mirë të tyre. Duhet të flasim për faktin që në momentin që rryma shkoi drejt klikimeve dhe numrave të rremë, unë hoqa numrat e vërtetë. Në një farë mënyre kam zhdukur historinë time si artiste, për një person të huaj, i cili nuk e ka idenë se kush jam unë, por UNË JAM BLEONA DHE “I BELIEVE IN MYSELF”. Nëse unë do t’i bëja gjërat me frikë e dyshim, nuk do të bëja asgjë e nuk do të shkoja askund. Sot, artistët besojnë gënjeshtrat e veta, mendojnë që janë realisht aq të famshëm sa numrat e rremë të Instagramit.”
“Ndërkohë që këta shqetësoheshin për numrat fals të ndjekësve, unë shqetësohesha për numrat e vërtetë në llogarinë time bankare.”
Mesazhi i saj është i qartë: fama nuk matet nga klikimet apo ndjekësit e blerë, por nga arritjet e vërteta, ndikimi dhe autenticiteti që një artist sjell në skenë dhe përtej saj.
“ Njerëzit që kanë klikime false, kur rastisim të takohemi përfundojnë duke thënë: “A të bëjmë një foto bashkë?”. Supozohet që ti që ke më shumë ndjekës se unë, ke të gjithë fansat e mi dhe ca më shumë. Atëherë pse duhet të bëjmë foto bashkë? Mua gjithmonë më kap një e qeshur se thonë “Hë mo çfarë ka bërë kjo”, dhe kur ti u shkon në këto evente, apo rastistesh me ta diku, fillojnë të gjithë të kërkojnë foto. Sigurisht që fotoja bëhet, por nuk mundem të mos qesh me fenomenin në tërësi. Ajo që mbetet është fakti se këngët e mia vazhdojnë të dëgjohen nëpër klube. Në kohën digjitale që po jetojmë sot, është pikërisht po e njëjta gjë që po mundohem të bëj, të lë gjurmën time”.
Dalim kështu në pikën ku e nisëm këtë intervistë, punën kolosale që Bleona është duke bërë, jo vetëm për të korrur një sukses ndërkombëtar si një artiste e vetme, por për të globalizuar muzikën shqiptare në tërësi. Përpos këtij misioni, dëshira e saj për të parë një unifikim të artistëve shqiptarë dhe një investim të mirëfilltë të tyre ndaj karrierave respektive është e tejskajshme, një kërkesë tepër e bukur e pozitive, si ato të paktat në botën egoiste të artit. Lidhur me vijueshmërinë e kësaj nisme, Bleona ndau me ne këtë pohim:
“Ajo që dua të them unë është se: “bashkimi bën fuqinë”. Ti që ke më shumë dëshirë, por mendon që nuk ke mundësi të promovohesh nëpër botë, po ta ofroj unë këtë mundësi. Infrastrukturën që mua më është dashur 15 vite ta ndërtoj, po ta ofroj unë, duke të mundësuar një kontratë muzikore me Create Music Group njësoj si unë, dhe ato para që i hedh për klikime false nga vende të ndryshme, hidhi realisht për promocion në industrinë e muzikës amerikane dhe bëhu vërtetë hit dhe viral në të gjithë botën.
Me shumë dashuri kam një mesazh për të gjithë kolegët në Shqipëri dhe në Kosovë:
Tek unë derën e keni hapur nëse doni që të promovoni muzikën tuaj nëpër botë!
Bleona, me një sinqeritet që e karakterizon, ofron një perspektivë të ndryshme kur bie fjala për krahasimet me emra të njohur si Dua Lipa, Rita Ora apo Bebe Rexha. Ajo e sheh qartë dallimin mes rrugëve të tyre drejt suksesit dhe asaj që ajo ka kaluar në karrierën e saj.
"Dua Lipa dhe Rita Ora i përkasin sistemit amerikan; ato janë teknikisht këngëtare britanike apo amerikane me origjinë shqiptare," shprehet ajo. "Unë nuk kam arsye të krahasohem me to, sepse rrugëtimi ynë është tërësisht i ndryshëm. Ato nuk kanë ndenjur në radhë për bukë si të gjithë ne në vitet 90- të, nuk kanë pasur karrierë e sukses në Shqipëri dhe pastaj të kenë kaluar në skenën ndërkombëtare. Ato janë formuar atje, ndërsa unë jam rritur dhe kam filluar këtu, në Shqipëri."
Këngëtarja e hiteve muzikore të viteve 2000 përpiqet të theksojë se suksesi i saj ndërkombëtar ka ardhur përmes një rruge shumë më të gjatë dhe më të vështirë. Ky krahasim, më shumë sesa një përpjekje për të matur arritjet e njëra-tjetrës, është një reflektim i sfidave të ndryshme që secila ka përballuar, dhe një tjetër dëshmi e vendosmërisë që e ka bërë Bleonën atë që është sot.
Qëllimi i saj është të hapë një rrugë të re. Sigurisht, ai që e hap rrugën i pari mbart me vete dhe koston më të madhe. Dhe për këtë, ajo është shumë e vetëdijshme. Kjo është e vetmja gjë që i ka mbetur të bëjë, - “Ne duhet të sensibilizojmë të gjithë për të njohur artin shqiptar. Ka ikur koha e konkurrencës. Jemi një treg shumë i vogël dhe ka shumë pak vend për të qenë i pari. Është një ndeshje boksi pa rregulla, por të paktën në Amerikë ka disa rregulla. Duhet t’i japim mundësinë njëri-tjetrit të dalim të parët dhe në sipërfaqe së bashku. Këtë e them me shpirt, pasi jam në një moment shumë të mirë të jetës sime dhe dua ta ndaj me të tjerët. Unë pjesën timen do ta bëj.”
Synimi i saj nuk është të jetë me një të famshëm për të marrë famë, por të jetë vetë e tillë me çdo arritje.
“Nuk dua të fle me një burrë të pasur, unë jam vetë “burri i pasur” – siç ka thënë dhe CHER.”
Ne jemi të sigurt që me këmbënguljen karakterizuese të një prej divave të muzikës moderne shqiptare, ky udhëtim i ri, plot vizion e synime, do të kulmojë me produksione e bashkëpunime fantastike. Ndoshta, shumë shpejt, përsëri me Bleonën, do të jemi duke bërë një intervistë për të gjitha frytet që ndoqën nga pas një dëshirë shumë njerëzore, atë të një shkëlqimi kolektiv e global.
BLEONA #WorldWide
Ditën e nesërme në vendin tonë do të rikthehen reshjet e shiut, por edhe të dëborës në lartësitë mbi 90...
Është publikuar një letër rrëqethëse, të cilën shokët e klasës ia kanë dedikuar Martinit pas vdekjes dh...
Mungesa e hekurit është një problem që prek miliona njerëz në mbarë botën dhe mund të jetë më i zakonsh...