Mirëqenie / 29 Nëntor 2024, 21:18

Studimi: Gjumi në orare të parregullta rrit rrezikun e goditjes në tru dhe sulmeve në zemër

Studimi: Gjumi në orare të parregullta rrit rrezikun e goditjes

Një studim i fundit ka zbuluar se gjumi i parregullt çdo ditë është 'i lidhur fort' me një rrezik më të lartë të goditjes në tru, sulmit në zemër dhe dëmtimit të zemrës me 26%.

Sipas tyre, edhe nëse bëni 8 orë gjumë, nuk mjafton të kompensoni dëmet që shkakton ndryshimi i vazhdueshëm i kohës së fjetjes dhe kohës së zgjimit.

Hulumtimet e mëparshme kanë qenë të fokusuara në lidhjet midis kohëzgjatjes së gjumit dhe shëndetit, ku njerëzit këshillohen të flenë të paktën 7-9 orë.

Kjo këshillë qëndron ende. Por studiuesit tashmë po bëjnë kërkime se si ndikon gjumi i parregullt në rutinën tonë.

Në hulumtimet e kryera, të botuara në Journal of Epidemiology and Community Health, morën pjesë 72,269 njerëz të moshës 40 deri në 79 vjeç.

Autori kryesor, Jean-Philippe Chaput, i Universitetit të Otavës, tha se duhet të synojmë të zgjohemi dhe të flijmë brenda 30 minutave në të njëjtën orë çdo natë dhe të zgjohemi çdo mëngjes në të njëjtin orar, përfshirë edhe fundjavat.

"Askush nuk është i përsosur dhe nëse nuk keni një model të rregullt të gjumit për një ose dy ditë në javë, nuk do t'ju vrasë. Por nëse bëni gjumë të parregullt vazhdimisht, pesë ose gjashtë ditë në javë, atëherë ai bëhet kronik dhe ky është një problem," nënvizon Chaput.

Më tej ai shton se zgjimi në orare të ndryshme çdo mëngjes ngatërron orën tuaj të brendshme dhe kjo mund të ketë pasoja negative shëndetësore.

“Nëse ju duhet të arrini gjumin që keni humbur gjatë javës në fundjavë, atëherë të shkoni në shtrat më herët është më mirë sesa të shtriheni – duhet të përpiqeni të zgjoheni në të njëjtën kohë, edhe të shtunave dhe të dielave.”

Pjesëmarrësit mbanin një gjurmues aktiviteti për shtatë ditë për të regjistruar gjumin e tyre, ndërsa ekspertët me një indeks të rregullsisë së gjumit (SRI) shikonin kohën e gjumit të secilit.

Rezultati ndryshonte ditë pas dite, duke përfshirë orarin e gjumit, orën e zgjimit, kohëzgjatjen e gjumit dhe zgjimet gjatë natës. Pas rezultateve, njerëzve u jepej një vlerësim që varionte nga 0 (shumë i parregullt) deri në 100 (modeli krejtësisht i rregullt i gjumit-zgjimit).

Pjesëmarrësit u vendosën ose në një grup gjumi të parregullt, grupi mesatarisht i parregullt i gjumit, ose grupi i rregullt i gjumit. Njerëzit u ndoqën më pas për tetë vjet. Edhe pas marrjes në konsideratë të faktorëve që mund të ndikonin në rezultatet, ata që flinin parregullt kishin 26% më shumë gjasa të pësonin një goditje në zemër sesa ata me gjumë të rregullt, zbuloi studimi. Ata që flinin mesatarisht të parregullt kishin 8% më shumë gjasa ta bënin këtë.

Sasia e rekomanduar e gjumit për moshat 18 deri në 64 vjeç është shtatë deri në nëntë orë në natë dhe shtatë deri në tetë orë për ata të moshës 65 vjeç e lart.

Studimi zbuloi se një përqindje më e madhe e atyre që flenë rregullisht (61%) përmbushin kuotën e rekomanduar të gjumit sesa ata që flenë parregullt (48%). Por kjo nuk bëri asnjë ndryshim në shëndetin e zemrës për ata që kishin një gjumë të parregullt, të cilët kishin të njëjtin rrezik për goditje në tru dhe sulm në zemër edhe nëse flinin mjaftueshëm, raporton The Guardian.

Ky ishte një studim vëzhgues dhe, si i tillë, nuk mund të përcaktonte shkakun dhe efektin, dhe studiuesit pranuan kufizime të ndryshme për gjetjet e tyre. Por ata arritën në përfundimin se gjumi i parregullt ishte i lidhur fort me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare tek të rriturit, pavarësisht nëse flinin aq orë sa rekomandohet.

Horoskop