Familja / 15 Janar 2025, 20:41

Keni shumë kohë "beqar/e"? Si të menaxhosh një takim të parë me dikë për ta kthyer në një sukses

Keni shumë kohë "beqar/e"? Si të menaxhosh një

Dikur një takim i parë idealisht përfshinte një darkë, mundësisht në një vend romantik, por jo tepër, të ndjekur nga një kinema ose një shëtitje të shkurtër, por sot mund të kemi një takim të parë me dikë duke dalë për mëngjes ose brunch, ose për një shëtitje në park. Nëse janë ndryshuar vendet dhe mënyrat e takimit të parë, ajo që nuk ka ndryshuar është pritja dhe pak ankthi i domosdoshëm për t’u angazhuar në këtë situatë.

Takimi i parë, pse vazhdon të shkaktojë ankth?

Pavarësisht vendit që zgjidhet dhe trendeve të reja që janë shfaqur, takimi i parë është gjithmonë një moment shqetësimi dhe nervozizmi. Ideja e të angazhuarit, e "përmbushjes" së pritshmërive që tjetri ka për ne, por edhe përkundrazi, është një detaj që nuk ka ndryshuar fare.

«Nervozizmi lind nga frika se mos nuk jemi “mjaftueshëm” ose mos i përmbushim imazhin ideal që tjetri mund të ketë për ne. Në takimin e parë, ne nuk vëmë në lojë vetëm personalitetin tonë, por edhe atë që do të donim të përfaqësoheshim në sytë e tjetrit. Kjo na ekspozon ndaj një ndjenje pasigurie, sepse frikësohemi mos nuk përmbushim pritshmërinë e tjetrit ose mos zbulojmë që tjetri nuk përmbush ato të tonat», shpjegon psikologia Valentina Accomando, nga MioDottore. Shtohet edhe një aspekt tjetër: ai i dëshirës për t’u zgjedhur dhe njohur nga tjetri, dhe i të qenit në gjendje të zgjedhim, duke shpresuar që të lidhemi me dikë që mund të na pëlqejë dhe të përmbushë pritshmëritë tona. E gjithë kjo shkakton ankth, sepse shpesh ka një tendencë për ta idealizuar, dhe kështu krijohen pritshmëri për takimin e parë.

Vështirësia e zgjedhjes së vendit të duhur

Një nga gjërat më të vështira është zgjedhja e vendit të përshtatshëm: duhet të jetë joformal, por jo shumë, simpatik por jo shumë romantik, i këndshëm dhe ku mund të ndihesh i/e rehatshëm. «Vendimi për vendin bëhet një simbol: është terreni neutral ku zhvillohet interaksioni, por gjithashtu një mesazh. Një vend i shtrenjtë ose luksoz mund të duket shumë ambicioz ose detyrim, ndërsa një zgjedhje shumë rastësore mund të komunikojë sipërfaqësi. Për më tepër, shpesh kemi vështirësi në vendosjen e një vendi sepse friksohemi se ai mund të ndikoje në gjykimin që tjetri ka për ne, duke e bërë zgjedhjen një pasqyrë të pasigurisë sonë. Megjithatë, ajo që ka rëndësi është që vendi të krijojë një atmosferë të hapur, një balancë midis risisë dhe njohjes që mundëson që të dyja të ndihen rehat», shton Accomando.

Si të zgjidhni vendin ideal?

Sipas psikologes, duhet të ekzistojnë tre elementë thelbësorë: «Autenticiteti ynë, një atmosferë që inkurajon dialogun dhe një terren që lë hapësirë për një zbulim të ndërsjellë. Një ambient shumë intim mund të krijojë presion, ndërsa një ambient shumë i paidentifikueshëm mund ta humbë kuptimin e momentit. Objektivi është të gjesh një kontekst që nuk e mbivendos interaksionin, por e pasuron atë: një kafe e qetë, një shëtitje në park ose një bibliotekë mund të jenë zgjedhje që flasin për ju pa qenë invaduese. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është të krijoni kushte për një takim autentik, ku të dyja palët mund të ndihen të lirë të shfaqen ashtu siç janë, pa forca të jashtme».

Takimi i parë, trendet e reja

Në këtë kontekst, "darka + kinema" mund të mos jetë më takimi i parë ideal. Sot, darka është kaluar në mëngjes. Një moment më i lehtë dhe që kërkon më pak angazhim, edhe ekonomikisht, mëngjesi po bëhet një alternativë e parapëlqyer ndaj darkës tradicionale. Mund të jeni dakord të takoheni në fundjavë në një kafe të bukur, dhe teksa pini një kapuçino dhe hani një briosh, mund të njiheni më mirë. Një mundësi tjetër mund të jetë brunchi.

Nëse të dy jeni sportivë, mund të planifikoni një shëtitje të bukur, sepse kjo mund t'ju bëjë të dy të ndiheni më rehat. Pse të mos e shfrytëzoni këtë pikë të përbashkët? Nëse nuk jeni sportivë, por doni të qëndroni jashtë në ajër të pastër, mund të takoheni në park. Kjo është një zgjedhje shumë e përshtatshme, sidomos nëse të dy ose ndoshta vetëm njëri prej jush ka një qen. Ose mund të zgjidhni një kopsht botanik – një mundësi më ndryshe që stimullon kuriozitetin e të dyve për të kaluar disa orë së bashku. 

Në fund, mund të zgjidhni takime pak më “kulturore”. P.sh., mund të shkoni të shihni një ekspozitë që mund të pëlqeni të dy, dhe ndoshta është më e këndshme nëse mund ta bëni së bashku./Living