News / 21 Janar 2025, 09:42

Arsyet pse duhet të sërviteni gjatë menopauzës

Arsyet pse duhet të sërviteni gjatë menopauzës

Stërvitja është jashtëzakonisht e mirë në çdo fazë të jetës sonë, por bëhet edhe më e rëndësishme gjatë paramenopauzës dhe menopauzës. Ulja e hormoneve e shton rrezikun për problemet shëndetësore si osteoporoza dhe sëmundjet kardiovaskulare, humori bie përtokë dhe trupat tanë priren të shtojnë në peshë rreth belit.

Sa shumë duhet të stërvitemi?
Këshilla e përgjithshme është që duhet të stërviteni gjysmë ore në ditë, 5 ditë në javë7. Si pikënisje duhet të synoni të stërviteni të paktën 3 herë në javë, pastaj shikoni si do të shkojë. Merrni një program javor dhe në fillim të çdo jave, uluni dhe planifikoni ushtrimet në ditarin tuaj. I thoni vetes “Kjo është koha e stërvitjes” dhe rezervoni një vend në palestër. Vendoseni programin në një vend të dukshëm, ku nuk mund ta injoroni, si për shembull në frigoriferin tuaj. Shikojeni javën në tërësi dhe planifikojeni stërvitjen në çastin më të përshtatshëm për ju. Mund të planifikoni të stërviteni çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte dhe ta lini fundjavën pushim. Nëse e dini që të hënave nuk ju vjen për mbarë ngaqë jeni shumë të ngarkuar në punë dhe nuk do të angazhoheni, zgjidhni një ditë tjetër.

Kurrë nuk jeni shumë të zënë për t'u stërvitur

Nuk ka justifikime! Gjithmonë ka kohë për t’u ushtruar. Sapo të gjeni kohë, do të befasoheni që shumë shpejt stërvitja do të bëhet pjesë e jetës suaj. Nëse do të filloni të mendoni “Punoj shumë dhe nuk kam kohë gjatë ditës” ose “Në fund të ditës dua vetëm të shtrihem në divan”, kam zgjidhjen më të thjeshtë për ju: “Ngrihuni më herët”. Vendoseni alarmin gjysmë ore më herët. Në fillim mbaroni stërvitjen dhe do të keni në dispozicion gjithë atë kohë për gjithçka tjetër që ju duhet gjatë ditës. Unë bëja palestër që në orën 7 të mëngjesit, çdo të hënë, dhe isha shumë e lumtur që e mbaroja në orën 7:45. Postoja gjithmonë një “selfie” me mbishkrimin: “Stërvitja u krye”. E urreja veten për postimin, por ndihesha shumë mirë që e kisha bërë. Kjo më përgatiste për javën në vazhdim.

Pse është e shkëlqyer ecja
Është kaq e nënvlerësuar, por mua më pëlqen të bëj ecje. Është falas, nuk ka nevojë për pajisje të bukura dhe të kthjellon mendjen. Gjithashtu, përfshihet lehtësisht në jetën tuaj. Provoni t’i çoni në këmbë fëmijët në shkollë. Ecni kur shkoni nëpër dyqane apo në stacionin e trenit, në vend që të hipni në makinë. Unë dal të shëtis qenin, Bonë, 2 herë në ditë. Vendos një çantë mesi sipër veshjes, për të cilën fëmijët më tallin, por është e shkëlqyer, sepse në të fus ushqimet e qenit dhe qeset për jashtëqitjen e tij, pastaj ecim të dy. Kjo më nxit t’ju jap një këshillë tjetër. Nëse i doni kafshët dhe keni hapësirë për to në jetën tuaj, merrni një qen. Më besoni, nuk do të pendoheni. Qentë janë të mrekullueshëm, të dhurojnë dashuri të pakushtëzuar dhe janë shoqëruesit më të mirë! Një qen nuk do t’ia dijë nëse jeni në menopauzë, ka medoemos nevojë për shëtitje. Qeni ju motivon dhe s’është nevoja të vishni rrobat e palestrës. Unë e shëtis Bonë 2 herë në ditë, në shi ose diell. Ecja është një ushtrim peshe i shkëlqyer që ju ndihmon për forcimin e kockave. Ushtrimet e peshës nënkuptojnë punën kundër gravitetit. Nëse nuk ju pëlqen ecja, mund të kërceni ose të ngjisni shkallët.

*Shkëputur nga libri "Menopauza", botimet Living!