News / 27 Janar 2025, 14:22

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Nga: Kostandin Feshti

Kryeredaktore: Santana Çomora

Fotografia: Kostandin Feshti

Dizajni Grafik: Kostandin Feshti
Të jesh Niusha Khanmohammadi

Kur e kam takuar Niushën për herë të parë ishte nëntor, ditë e enjte, startimi i një eventi artistik me literatura të ndryshme ndërkombëtare. Në një moment të caktuar sytë më zunë një vajzë të veshur me shumë stil dhe kaçurrela të zeza që nuk kishin si të mos viheshin re. I afrohem dhe i komplimentoj pikë së pari çantën që po mbante atë natë, buzëqeshjen gjithashtu, e më pas, e mbyllëm takimin tonë të parë duke komplimentuar personalitetet e njëri-tjetrit, pasi biseda, dhe pse hera e parë që takoheshim, u ndje sikur nuk ishte e para mes nesh. Mendoj se të gjithë ata që e njohin Niushën personalisht, do të dakordësoheshin me mua kur them se personaliteti i saj rrezatues dhe tepër energjik, në botën që jetojmë sot, haset rrallë, ndaj, kur e dallon një të tillë, njihe.

Gjatë takimeve tona përgjatë nëntorit e bisedave virtuale të vazhdueshme, kuptova se nuk po flisja me një vajzë të zakonshme, por me një artiste të mirëfilltë. Niusha Khanmohammadi është një autore, piktore, njohëse arti si dhe një promovuese e fuqisë dhe talentit të artisteve gra. E lindur në një qytet të vogël suedez, Sandviken, por me origjinë iraniane, Niusha është ndjerë unike, qysh në fëmijërinë e saj, siç shprehet dhe ajo vetë: “Të dy prindërit janë nga Irani dhe në atë kohë unë isha pothuajse i vetmi fëmijë që dukej (dhe ishte) ndryshe në qytet. Unë nuk kam luajtur hokej si shumica e fëmijëve të tjerë, por mësoja violinën. Unë u rrita me përpjekjen klasike të përshtatesha me idenë e një vajze të mirë, por nuk munda. Nuk isha bionde, më pëlqente të shkruaja dhe të vizatoja, ndërkohë të tjerët shijonin sportet e tyre dhe dimrin, me të cilin ende nuk jam mësuar.”

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Ambicia për të përqafuar unikalitetin që zotëronte, e çoi Niushën drejt themelimit të biznesit të saj të parë, vetëm 18 vjeç. Krijimi i librave për fëmijë nëpërmjet fotografimit të bimëve të ndryshme, më pas editimit të tyre nëpërmjet kodimit me ngjyra dhe vendosjes së informacioneve për ta bërë lidhjen e fëmijëve me natyrën më të lehtë, ishte një ndër idetë e para të Niushës. Por, sado kreative që Niusha mund të ishte, kjo nuk e ndihmonte atë me të ndjerit “në shtëpi”, si në Suedi, ashtu si dhe në Iran: “Gjithmonë ndjeja se po më mungonte pjesa tjetër e botës dhe mezi prisja ta shihja. Qyteti im i vogël nuk ishte shtëpia e shpirtit tim dhe pse plotësues nga ana materiale, emocionalisht aspak. Çdo verë si familje vizitonim Iranin dhe më pëlqente, por asnjëherë nuk përshtatesha me të vërtetë atje. Doja të qëndroja, por kjo nuk ishte një mundësi. Sa më shumë kalonin vitet, aq më e vështirë bëhej. Unë luftoja për të gjetur se kush isha, se pse nuk i përkisja në të vërtetë asnjë bote. Gjithmonë e dija se duhej të largohesha dhe të gjeja rrugën time. Dhe kështu bëra. Shumë e shumë vende dhe qytete më vonë gjeta një shtëpi për zemrën time, Stambollin.”

Ama, jeta e saj si një artiste, bashkëpunimet e ndryshme, punët me “UN Women”, Bashkimin Evropian dhe Ambasadën Suedeze, Niushën e kanë vendosur në një lëvizshmëri të përhershme, dhe është pikërisht kjo, ajo që e solli autoren për herë të parë në Shqipëri në vitin 2022.

Këtu fillon intervista jonë me artisten bashkëkohore, Niusha Khanmohammadi.

Niusha, kur të takova për herë të parë, nuk mund të mos tërhiqesha nga energjia jote që rrezatonte dhe ky është një fakt. Më thuaj, a është ky një tipar i formësuar nga ana familjare apo jeta në tërësinë e saj të ka ndërtuar në këtë mënyrë?

Haha, të falenderoj. Është fantastike të kesh arritur një pikë në jetë ku kupton se ky tipar është diçka tepër e mirë. Unë do të thosha se, padyshim vjen nga familja dhe vëllai im më i vogël është akoma edhe më energjik (dhe karizmatik, duhet ta pranoj) se unë. Është një karakteristikë, e cila më është shtypur shumë në vitet e mia të hershme, nga shoqëria dhe mjedisi ku u rrita. Vetëm më vonë në jetë kam mësuar ta përqafoj dhe me këtë mendoj se është ndërtuar akoma më shumë, gjë për të cilën jam e lumtur. Kjo energji tërheq gjithnjë e më shumë njerëz të bukur në jetën time.

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Ti je një artiste në kuptimin e plotë të fjalës. Ke organizuar ekspozita me vizatimet e tua të mahnitshme, ke shkruar shumë artikuj, ke punuar me administrata e projekte të ndryshme dhe tani, një libër, i cili vjen në pranverën e këtij viti. Çfarë mund të ndash me ne për të?

Më pëlqen të krijoj, asgjë që bëj nuk është e planifikuar. Thjesht ndodh, dhe kështu ndodhi me librin. Filloi si shënime personale pasi u ktheva në Suedi pas shumë vitesh jashtë vendit. Më duhet të pranoj se nuk isha e lumtur për këtë, por puna ishte interesante dhe një mundësi e mirë për të bashkëpunuar me shumë krijues të tjerë, kështu që e pranova. Jam e lumtur për këtë ndodhi kur e mendoj sot, pasi në fund të fundit, më solli në Shqipëri. Përshtatja me jetën e qetë të Stokholmit ishte e vështirë. Fillova të shkruaj poezi të vogla për Stambollin që më mungonte aq shumë, qyteti në të cilin kisha jetuar për më shumë se një vit, pak para se të shpërngulesha. Babai im thotë gjithmonë se qytetet janë qenie shpirtërore, të krijuara nga njerëzit, e se ne lëmë gjurmë të vetes brenda kufijve që krijojmë dhe në të cilat jetojmë. Duke ndjerë mungesën për Stambollin, poezitë e mia gradualisht u kthyen në letra dashurie. Përsëri, duke u përpjekur të përshtatem me Stokholmin, fillova t'i shkruaj edhe Stokholmit. Jam e sigurt që mund të imagjinoni se nuk kishte asnjë letër dashurie për Stokholmin, haha. E gjithë kjo u rrit gradualisht, fillova t’i shkruaj dhe qyteteve të tjera ku kam jetuar dhe ku kam qenë, e kështu filloi një dialog midis miqve të vjetër. Ishte rreth një vit më vonë, kur kisha njëqind nga këto letra, kur një miku im i mirë më tha se kjo mund të ishte diçka më shumë dhe unë i besoj atij. Kështu fillova t'i rishkruaj letrat si tregime të shkurtra dhe t’i portretizoja qytetet si qenie shpirtërore, me vizatimet e mia gjithashtu. Gjithçka u bashkua pas më shumë se dy vjetësh, një roman për dashurinë, pikëllimin, urrejtjen dhe epshin, një dialog poetik midis udhëtarit dhe marrëdhënieve midis qyteteve të ndryshme.

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Çfarë do të thotë të jesh një artiste për ty? Sa e rëndësishme është të vizatosh, të shkruash, të hulumtosh, të bisedosh? Çfarë do të bëje pa to?

Kjo është një pyetje e mirë. Për mua, të jesh një artist është të thuash të vërtetën tënde dhe ta lejosh veten të jesh ai që je. Krijimi është një nga mënyrat e shumta për të shprehur veten dhe për ta njohur atë ndërsa rritemi dhe ndryshojmë. Është një pjesë kaq e rëndësishme e përditshmërisë sime. Duke krijuar, çfarëdo që të jetë, kuptoj se si jam në të vërtetë atë ditë, arrij të përshtatem me pjesët e jetës - të mirat dhe të këqijat dhe kjo më ndihmon të kuptoj ekzistencën tonë. Nuk mendoj se do të kisha qenë unë, nëse nuk do ta bëja këtë që bëj dhe jam mirënjohës që kam mënyrat dhe mjetet për ta bërë. Liria e shprehjes, një e drejtë themelore që nuk duhet ta marrim si të mirëqenë.

Çfarë është një gjë që Niusha nuk e ka bërë ende, por dëshiron ta realizoj atë me ngulm?

Ideimi dhe prodhimi i bizhuterive dhe veshjeve! Unë i dua bizhuteritë dhe kam qenë gjithmonë e apasionuar mbas tekstileve e hulumtimit mbi to. Kam kaq shumë ide që tani janë të hedhura vetëm në letër, kështu që shndërrimi i tyre në pjesëza të prekshme që unë (dhe të tjerët) mund t'i veshim është një hap tjetër, një hap shumë tërheqës dhe ekzaltues për mua.

Tani, më lejo të të pyes pak për Shqipërinë. Kur ka qenë hera e parë që e ke vizituar këtë vend? Ne patjetër duam të dimë edhe arsyen se përse e bërë këtë.

Një ndodhi të çon tek tjetra dhe ti thjesht nuk e di kurrë se çfarë të pret! Erdha për herë të parë në Shqipëri në shtator të vitit 2022 dhe më pëlqeu menjëherë. Ishte një udhëtim pune, duke punuar me zhvillimin kulturor, vizitova partnerët këtu dhe kisha disa seminare të planifikuara mbi të drejtat e autorit. Mbasi u largova, mezi prisja të rikthehesha.

Përshtypjet e para kanë rëndësi. Ndaji të tuat me ne.

Më dukej sikur e njihja nga më parë Tiranën, qyteti më foli vërtet menjëherë. Mbrëmjen time të parë e mbaj mend shumë mirë. Shkova për një shëtitje të gjatë dhe gjeta një bar komod përgjatë bulevardit dhe u ula, piva një pije dhe thjesht shihja njerëzit që kalonin, buzëqeshja gjatë gjithë kohës. Qyteti më goditi si një vend kaq i bukur, i hapur dhe i gjallë. Një qytet ku jo vetëm mund të shohësh, por edhe të ndjesh se ka shumë histori dhe emocione. Njerëzit janë miqësorë dhe tani që kam parë si veriun, ashtu dhe jugun, i gjithë territori më duket magjik. Unë nuk jam vajza tipike skandinave, admiruese e natyrës, por malet dhe plazhet shqiptare më kanë mahnitur vërtet.

Nga sa kemi komunikuar me njëri-tjetrin, kam kuptuar se ti vjen dhe shkon shpesh. Në një farë mënyre Shqipëria po bëhet si ajo shtëpia e pushimit, që nuk e viziton aq shumë, por sa herë që e viziton, ndihesh mirë. A e ke menduar ndonjëherë të jetosh këtu për një periudhë të gjatë kohore?

Unë jam shumë e lumtur që kaloj kaq shumë kohë në Shqipëri. Vajtja dhe ardhja tanimë janë një pjesë e madhe e asaj që jam dhe e jetës që dua të jetoj. Nuk e shoh veten të banoj përgjithmonë askund. Të jem e bazuar diku po, por kjo është diçka ndryshe. Në Shqipëri, kam ardhur për të krijuar një shtëpi dhe një komunitet të bukur njerëzish frymëzues. Do të doja të kaloja më shumë kohë këtu dhe jam e sigurt se do ta bëj këtë gjë.

Jam vërtet kurioz të di për një pëlqim të madh tëndin dhe për një mospëlqim, po aq të madh, kur bëhet fjalë për vendin tonë.

Shqipëria dhe unë kemi diçka të përbashkët, ndjenjën e dëshirës për të kapur kohën që kemi humbur. Duke jetuar nën një re izolimi për disa kohë, ne mezi presim të fillojmë nga e para. Nuk jam e sigurt se çfarë është, por në Shqipëri më duket se njerëzit janë gjithmonë gati. Çfarëdo ideje që ke apo çfarëdo që dëshiron të bësh, njerëzit buzëqeshin dhe të thonë: "Hajde, le të shkojmë." Më pëlqen gjithashtu që askush nuk është në kohë, kurrë, sepse as unë vetë nuk jam haha. Nga ana tjetër, Tirana është një çmenduri kur vjen puna te trafiku. As Stambolli nuk është kaq i çmendur! Unë do të doja të mund të shkoja nëpër vende për të eksploruar më shumë, pa makinë. Mezi pres të shoh më shumë trena dhe autobusë në qarkullim. Do të doja të ishte pak më e lehtë për të eksploruar vendin, kam ende shumë për të parë!

Të jesh Niusha Khanmohammadi

Ndonjë ngjashmëri me Stambollin?

Padyshim. Tirana më duket si motra e vogël e Stambollit. Shumë energji, e bukur, me diell, e zhurmshme dhe me kaq shumë histori për të treguar. Spontaniteti, ushqimi, përdorimi i njejtë i fjalëve të caktuara, trafiku gjithashtu, zhvillimi i shpejtë, ma kujtojnë shumë atë qytet.

Pjata e preferuar shqiptare që ke pasur rastin ta provosh deri tani?

Oh, shqiptarët, ju po që e njihni mishin tuaj dhe unë këtë e vlerësoj tej mase, haha.

Së fundi, çfarë ka në sirtar e ardhmja për Niusha Khanmohammadi-n tonë? Ndoshta, çfarë do të dëshiroje ti që të kishte ajo brenda, sado e afërt apo e largët qoftë?

Të jetoj më shumë! Për të vazhduar takimet me njerëz të rinj, të bukur si ty, për të udhëtuar e parë më shumë vende të reja, projekte të ndryshme, duke krijuar më shumë dhe për t’i ndarë ato me botën. Ata që kanë privilegjin të lëvizin dhe të eksplorojnë, nuk duhet ta marrin kurrë si të mirëqenë. Kaq!

Faleminderit Niusha për këtë bisedë letrare kaq të këndshme e mezi presim librin tënd!

Faleminderit Living për këtë mundësi kaq të bukur, e duhura për të më motivuar si një fillim viti tepër promovues e vlerësues, faleminderit!