Familja / 31 Gusht 2023, 14:43

"7 vite të dhimbshme për të mbetur shtatzënë", historia rrënqethëse e nënës tashmë me 3 foshnje në vetëm 15 muaj

"7 vite të dhimbshme për të mbetur

Gjatë viteve që u përpoqa të kem një fëmijë pata shumë momente aspak të këndshme.

Ka shumë vendime në jetë që ne i marrim pa pasur parasysh disa pasoja që me kalimin e viteve ndryshojnë të ardhmen tonë. Siç ishte vendimi im për të pasur një fëmijë pas të 20- ave. Kur bëhet fjalë për planifikimin familjar ka disa gjëra që unë do të kisha zgjedhur t’i bëja ndryshe në të kaluarën time.

Ka shumë njerëz të moshës time që dëgjoj të thonë se sa të shkëlqyera ishin vitet në fund të 20-ave dhe fillim të 30-ave kur ata ndërtonin familje dhe njëkohësisht ishin të suksesshme edhe në karrierë. Ndërsa steriliteti, ndikoi në karrierën time, martesën time, marrëdhëniet e mia familjare, financat e mia dhe miqësitë e mia.

Isha 32 vjeçe kur fillova të provoja për të mbetur shtatzënë. Në të vërtetë edhe në atë moshë nuk ndihesha gati, por nga ana tjetër isha e vetëdijshme për orën biologjike për të cilën dëgjojmë kaq shumë. Megjithatë, nuk më ka shkuar kurrë në mendje se do të kisha ndonjë problem për të mbetur shtatzënë. Mjeku im i familjes më dha këshillën standarde për gratë në moshën time: Provo 12 muaj dhe nëse nuk ndodh gjë, eja sërish për një konsultë.

Muajt ​​e parë i kalova duke bërë shaka me miqtë se sa shumë seks po bëja. Por kur pash se muajt po kalonin dhe unë nuk po mbesja shtatzënë mendova se ndoshta me partnerin tim kishte ndonjë problem. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, shkova për një konsultë në një klinikë fertiliteti dhe po dëgjoja specialistin që më thoshte se nivelet e mia të hormoneve ishin në kufirin e menopauzës dhe nuk më kishin mbetur shumë vezë.

Ai shpjegoi se fertiliteti mesatar i një gruaje arrin kulmin në fund të të 20-ave dhe se në moshën që kisha filluar të provoja, 15% e grave konsideroheshin tashmë jopjellore, duke qenë shumë e vështirë ose e pamundur për të mbetur shtatzënë.

Teksa mësova faktet rreth fertilitetit, më habiti që nuk kisha njohur më parë asnjë nga këto informacione në dukje kritike, por që të ndryshonin jetën. 

Fillova menjëherë trajtimet e fertilitetit, por pas tre vjetësh, nuk kisha asgjë të re për të treguar përveçse një dosje të madhe mjekësore dhe pa rezultat. Pikërisht atëherë unë dhe bashkëshorti im vendosëm të shqyrtonim procesin e surrogacisë. Surrogacia ishte shumë më pak e zakonshme atëherë, por unë njihja dikë që kishte punuar me një nënë surrogate dhe ata me dashamirësi ranë dakord të më lidhnin me të. Ajo pranoi të ishte nëna zëvendësuese dhe brenda disa muajsh mbeti shtatzënë.

Edhe pse fëmijën tonë realisht nuk e mbaja unë në bark, në fakt ndjehesha sikur ai fetus ndodhej në barkun tim. Fillova të përgatisja shtëpinë për fëmijën tonë të porsalindur, udhëtoja në çdo vizitë mjekësore të nënës surrogate etj.

Një ditë para takimit tonë të fundit me mjekun, dëgjova rrahjet e zemrës së foshnjës, ishin të forta dhe ritmike. Pas tri ditësh ishte planifikuar injeksioni për lindjen nëse lindja nuk fillonte vetë deri atëherë. Ndihesha kaq e qetë dhe e lumtur që në 72 orët e ardhshme do të bëhesha nënë.

Pasditen tjetër nëna surrogate më telefonoi dhe më njoftoi se po shkonte në spital, tashmë ishte shumë pranë lindjes. Menjëherë edhe unë bashkë me burrin tim mbërritëm në spital, ku ishim shumë të shqetësuar dhe të emocionuar njëkohësisht.

Na lanë të prisnim në një dhomë boshe ku nga meraku i thash bashkëshortit të shkonte dhe të pyeste se çfarë po ndodhte. Por në fakt kur ai sapo u nis, një grup mjekësh po vinin drejt nesh, zemra filloi të më rrihte fort në ato çaste.

Ata u afruan dhe na thanë se zëvendësuesja ime kishte pasur një lindje traumatike. Fetusi nuk kishte rrahje zemre. Pasi vajza jonë lindi mjekët ishin përpjekur ta sillnin në jetë por ajo kishte lindur e vdekur.

Ndërsa po pastronin foshnjën që ne ta shihnim para se ta dërgonin në morg, unë shkova të shikoja nënën që e mbajti 9 muaj në bark. U ula buzë shtratit të saj dhe filluam të qanim së bashku.

Më vonë unë dhe bashkëshorti im ikëm në shtëpinë tonë të bërë gati edhe për bebushen, por fatkeqësisht ikëm në spital pa fëmijë dhe u kthyem sërish në shtëpi pa fëmijë. Kisha një ndjesi të çuditshme. Unë dhe bashkëshorti u ulëm në dhomë me dritën fikur, të pikëlluar për humbjen e vajzës tonë.

Këtë ja thash edhe shoqes time të nesërmen: “Pse ndjehem sikur më ka nxjerrë dikush zemrën nga vendi?”

“Sepse ju u bëtë prindër mbrëmë”- mu përgjigj ajo.

Aty kuptova se sa shumë kisha humbur në të gjitha vitet kur e kishim shtyrë planifikimin për të pasur një bebe.

Megjithatë ne nuk ndaluam kurrë!

Pas asaj nate të tmerrshme, jo një por dy surrogate të reja mbetën shtatzënë për ne, në të njëjtën kohë. Zëvendësuesja ime e parë fatkeqësisht abortoi, ndërsa e dyta më në fund lindi vajzën tonë Georgia. Ndodhi më herët se sa pritej dhe Georgia i kaloi 10 javët e para të jetës së saj në inkubator. Rreth asaj kohe surrogatia e parë zbuloi se fetuset që mbante në bark ishin binjake dhe mrekullia do ta quajmë ishte se aborti nuk kishte ndodhur plotësisht. Ajo mbante në bark njërën prej vajzave, Sadie e cila erdhi në jetë vetëm 3 muaj pas Georgias.

Pastaj, një mrekulli tjetër na ndodhi – pak pasi lindën vajzat, zbulova se isha vetë shtatzënë me djalin tim Lucas. Ai lindi në ditën e Krishtlindjeve dhe mbi të gjitha i shëndetshëm. 

Tashmë pas shtatë vitesh të plota përpjekjesh për të pasur fëmijë, ne u gjendëm me tre foshnja në 15 muaj.

Duke ndarë përvojën time, nuk dua t'i tremb njerëzit apo t'i bëj presion që të kenë fëmijë përpara se ato të ndjehen gati. Të bëhesh prind është një zgjedhje thellësisht personale dhe e shenjtë. Por ajo që do ju këshilloja të gjitha grave dhe vajzave është kontrolli i rregullt tek mjeku, të marrin informacion plotësisht mbi fertilitetin e tyre dhe të informohen për orën e tyre biologjike, gjëra të cilat unë nuk i kisha bërë.

Unë u them gjithashtu këtë: Çfarëdo rruge që zgjidhni për të pasur fëmijë, mos vononi të informoheni apo të merrni ndihmë. Nëse do të kisha qenë e informuar më mirë për fertilitetin tim, mund të kisha shmangur 18 muajt e dhimbshëm dhe të kotë duke u përpjekur të mbetem shtatzënë.

Fëmijët e mi janë pa diskutim dhurata më e madhe që kam nga kjo përvojë dhe për shkak të tyre, nuk do ta ndryshoja kurrë rrugëtimin tim. Por unë dua që kushdo që dëshiron një fëmijë një ditë të jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje të informuar sepse një peshë shumë të madhe ka edhe psikologjia e rënduar, që unë përjetova për vite e vite të tëra. 

Horoskop