Modë / 20 Nëntor 2023, 15:00

‘Future Nostalgia’; Moda e së shkuarës që do të jetojë në të ardhmen, nga Santana Çomora dhe Niko Komani

‘Future Nostalgia’; Moda e së shkuarës që do të

Në botën e artit koha është thjesht një koncept. E shkuara dhe e ardhmja ecin gjithmonë së bashku, duke krijuar tendenca që gjithmonë i rezistojnë kohës.

Në puntatën e tretë të “Fashion Gurus” me kryeredaktoren e revistës “Living”, Santana Çomorën dhe stilistin Niko Komani, aty ku temat e përzgjedhura nuk janë ato të ezauruara shpesh nëpër panelet televizive, nuk kishte si të mungonte diskutimi mbi ‘Future Nostalgia’, ose ‘Retro-Futurism’. Ajo bashkon ndjesi nostalgjike me elemente të hapësirës dhe teknologjisë, duke krijuar një parajsë estetike surreale.

Të ftuarit e rradhës për të folur mbi temën, eksperiencat, idetë dhe punën e tyre, ishin Sada Peca dhe Enea Bitri, dy dizenjatorë të rinj që i premtojnë shumë botës së modës në Shqipëri, por dhe më gjerë.

“Për një krijuese mode si unë, është e rëndësishme që e shkuara të jetë e lidhur me të tashmen dhe e tashmja të jetë e lidhur me të ardhmen. Shpeshherë kur ulem dhe bëj kërkime se çfarë duhet të sjell në industrinë e modës apo të sugjeroj unë si dizenjatore, takohem shpeshherë me të ardhmen”, u shpreh Sada.

Po ashtu diskutimet mbi detajet, si jakat e veshjeve apo fjongot aq të preferuara sot, të ngjashme me ato të vajzave të vogla, materialet e përdorura si velvet etj., ishin një tjetër moment i rëndësishëm diskutimi në këtë puntatë.

Ndërkohë, teksa u fol për materialet që janë rikthyer sërish në trend, Enea Bitri u shpreh se shkëlqimi, trajtat e ndryshme të metalit, rripat e trashë, janë ato që i gjejmë sërish në garderobë, gati për t’i kombinuar për në përditshmëri.

Nga ana tjetër duke ecur në të njëjtin hap me modën sot, moderatorja Santana Çomora nuk mund të mos kishte vënë re edhe “mbathjet e leshit” të gjigandit të modës, Gucci, të cilat sipas saj janë një trend që edhe jashtë vendit nuk do të përqafohen shumë.

Ndërsa në lidhje me to, stilisti Niko Komani, na zbuloi se sapo i kishte parë, u ndje i lumtur që kishte ardhur diçka ndryshe dhe i pyetur nëse do t’i blinte apo jo, padyshim që u përgjigj: “Po”.

Ndërkohë mos harroni, “Fashion Gurus” keni mundësi ta ndiqni çdo të enjte në kanalin “Albanian YouTubers”, me tema gjithmonë interesante, për të cilat në të vërtetë do të donim të dinim shumë, por shumë pak flitet.

 

 

 

 

 

 

Horoskop