News / 12 Shkurt 2024, 13:55

Letra e dashurisë së Musine Kokalarit për djalin izraelit. Rrëfimi i shoqes së klasës: Ishte 20 vjeçe, ajo verë ka qenë…

Letra e dashurisë së Musine Kokalarit për djalin izraelit.

Qendra Kombëtare e Leximit përkujtoi të shtunën ditën e lindjes së shkrimtares, Musine Kokalari. Bashkë me një plejadë grash të edukuara në shkollat italiane, ato i dhanë jetë lëvizjeve feministe në Shqipërinë e para-Luftës.

QKL publikoi shkrimin e Selfixhe Ciut, një ndër shkrimtaret e asaj kohe, shoqe klase e Musine Kokalarit. Ciu e quan Kokalarin edhe simbol të bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare. Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.

Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”. “Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq 13 gusht 1983, nga kanceri.

SHKRIMI I PLOTË I SELFIXHE CIUT:

Përkujtojmë sot në ditën e lindjes simbolin e bukurisë dhe mençurisë së gruas shqiptare, shkrimtaren Musine Kokalari. Vepra e saj gjithnjë e më shumë po vjen në vëmendje të kritikës së lexuesit, duke na njohur më shumë, me një ndër autoret e para të letërsisë shqipe. Bashkë me një plejadë grash të edukuara në shkollat italiane, ato i dhanë jetë lëvizjeve feministe në Shqipërinë e para Luftës. Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin shkrimet tona të para.

Musinea sapo e kishte marrë maturën e atë verë, verën e vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në revista e gazeta me pseudonimin “Kolombja”. Musinea ende lëkundej, jo se s’kishte guxim të botonte, apo pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj., që janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet. Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën.

Ishte koha kur ne lexonim shumë. Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet. Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit. Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën “Rrymëzime”.

“Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste”, vetëmbrojtja e Musinesë në gjyq

Historitë e femrave të guximshme nëpër botë mund të jenë të shumta. Një ndër to është edhe Musine Kokalari, një femër e guximshme, e cila në një sistem të vështirë politik, nuk u tremb. E deshi jetën më të njëjtin pasion dhe luftoi për idealet e saj. Kjo grua ka patur dhe ka një ndikim mjaft të madh në rrjedhën e historisë.

Mbase nuk ia doli mbanë të fitonte betejën e saj, por ama ia doli të ndryshonte mënyrën tonë të të menduarit. Më 8 tetor të vitit 1961, pasi i kishte kaluar të dyzetat, e liruan nga burgu dhe e internuan në një qytet të zymtë në Veri të Shqipërisë, ku vazhdonte të jetonte akoma. Shtëpia ku jetonte nëse mund të quhej e tillë, përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël, muret e së cilës ishin të veshura nga lagështia. Prej kohësh, vuante nga një sëmundje e rëndë, kishte një gjëndër kanceroze në gji. Por kishte vendosur ta donte jetën dhe ta vijonte luftën deri në fund, pa u dorëzuar, ashtu siç kishte bërë gjithmonë.

Kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej. Kishte shkuar në spital në dimër dhe po dilte në pranverë. Ishte fillikat e vetme, nuk kishte askënd…Nuk bëri kompromise. Asnjëherë. Me askënd. Gjatë gjyqit, në ato pak çaste që iu dha mundësia për të folur, tha: “Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Kam kulturë demokratike. Unë jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj! Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”. Me këtë vetëmbrojtje dhe me qëndrimin e saj ajo i tha jo komunizmit. I tha jo dhunës, mungesës së lirisë dhe padrejtësive. Dhe vijoi t’i thoshte jo gjatë gjithë jetës së saj. Dhe tani që ishte në shtratin e vdekjes.

Nga dënimi me vdekje tek internimi, kush ishte mikesha e afërt e Musinesë

Selfixhe Ciu Broja është gruaja e parë shqiptare, e cila botoi literaturë në Shqipëri. Mikeshë e ngushtë me Musinen, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Selfixhe Ciu lindi në vitin 1918 në një familje të pasur gjirokastrite. Fëmijërinë e kaloi në Gjirokastër, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Rumbo”. Etja për dije dhe leximet e shumta, njohja dhe miqësia me Musine Kokalarin në librarinë e së cilës, u njoh edhe me shkrimtarët e gazetarët e kohës, Nonda Bulka, Petro Marko, Kolë Berisha që po sillnin një erë përparimtare në vendin e tyre. Selfixhe Ciu studioi në vitin 1937 në fillim në Firence për letërsi dhe pas Firences pas kësaj shkoi në Grenobël të Francës, ku u njoh me Xhemal Brojën, bashkëshortin e saj.

Të formuar me idealizmin europian ata erdhën në Shqipërinë e ’40-ës për të ndarë bashkë fatin e vendit të tyre në luftë e pasluftë. Selfixheja me pseudonimin Columbia shkroi në shtypin e kohës, pseudonim me të cilin ishte pagëzuar kur shkruante poezitë e para në moshën 17 vjeçare. Jo vetëm shkrimet si gazetare, por edhe poezitë e Selfixhe Ciut shquajnë një grua me shpirt të trazuar, plot dilema dhe ëndrra që Shqipëria të lulëzonte e përparonte.

Poezitë dhe shkrimet e saj plot revoltë dhe shpresë i referoheshin gjendjes së nënshtruar e gruas shqiptare. Selfixheja ishte e para që hodhi idenë e guximshëm të divorcit të gruas nëse nëpërkëmbej, zhgënjehej ose keqtrajtohej. “Unë u ndërgjegjësova, se të jeshë femër nuk është fatkeqësi, dhe kjo frymë duhet shpërndarë edhe në familje, jo vetëm në shoqëri..”. Bashkë me burrin e saj Xhemal Brojën hapën një dyqan me libra në Shkodër. Broja u bashkua me Partinë Komuniste të Shqipërisë së bashku me Drita Kosturin dhe Nexhmije Hoxhën, ishte një nga organizatorët e një demonstrimit të paligjshme dhe për shkak kësaj u arrestua dhe u dënua me vdekje, por më vonë u lirua.

Në demonstratën e shkurtit 1942, ku pati përleshje me fashistët italianë, Xhemalin e akuzuan si organizator dhe e kaluan në ilegalitet në Postrribë, ndërsa të shoqen e arrestuan. Gjatë kohës së Luftës u ndesh me shumë ngjarje, pikëpamje e praktika, me të cilat nuk ishte dakord. Hera-herë edhe i kundërshtoi. Hera-herë heshtte, me mendimin se është kohë lufte! Filloi survejimi i tmerrshëm. Xhemali me të shoqen u vetizoluan. Megjithatë fati i tyre ishte paracaktuar nga zyrat e krimit. Në janar të vitit 1947, pa asnjë sqarim, i internojnë në Kurvelesh, në një ferr të vërtetë. Pas prishjes me Jugosllavinë ju hoq masa e internimit dhe emërtimi “Armiq të partisë” Xhemalit dhe Selfixhesë.

 

Horoskop