Turizmi / 18 Maj 2023, 14:51

"The Telegraph”: Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri

"The Telegraph”: Karaibet e Evropës i gjeni në

“Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri,"- shkruan Mark Stratton për median e njohur britanike “The Telegraph”.

Me ujërat e tij blu, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale. Pashë një postim në Instagram pak kohë më parë që përshkruante qytetin bregdetar shqiptar të Ksamilit si Karaibet e Evropës. Kishte më shumë se një ngjashmëri kalimtare, me palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat e diellit me kashtë. Me shqetësimin aktual mbi emigracionin shqiptar që po zien, fillova të imagjinoja një rrëfim alternativ të britanikëve “të uritur” për diell, që dynden në drejtim të kundërt për të kërkuar pak rreze dielli karaibike. Kështu që vendosa të bëj një vizitë, për ta parë tamam se si bëhej ky krahasim. Ksamili është sigurisht më i shpejtë dhe më i lirë për të shkuar se sa ishujt Barbados. Fluturova për në Korfuz, ishulli më i afërt grek me Rivierën Shqiptare, që shtrihet përreth 160 kilometra përgjatë bregut lindor të detit Jon. Nga qyteti i Korfuzit është një kalim me traget për 40 minuta drejt Sarandës.

“Atje ka shumë siguri dhe qetësi”, më tha taksisti që më çoi në portin e Korfuzit.

Në Sarandë, guida Gëzim Shimi qeshi kur i thashë komentin e taksistit grek.

“I gjithë publiciteti është i mirë. Gjatë viteve të fundit, unë kam udhëhequr shumë britanikë kureshtarë për të parë se si është Shqipëria në të vërtetë”, më tha Gëzimi.

Udhëtuam 30 minuta në jug të Sarandës për në Ksamil, i cili ndodhet pak mbi kufirin e Greqisë Veriore. Ksamili nuk ekzistonte derisa regjimi komunist i Enver Hoxhës e vendosi atë në vitet 1960 si bazë për prodhimin e vajit të ullirit. “Është vetëm disa milje nga Korfuzi, kështu që vetëm ata me prejardhje të besueshme politike lejoheshin të jetonin këtu gjatë komunizmit”, tha Gëzimi.

“Shqiptarët rrezikonin jetën duke marrë varka të vogla apo edhe duke notuar drejt Korfuzit, për t’i ikur marrëzisë staliniste të Hoxhës”, shton ai.

Ksamili është një qytet i vogël, i mbrojtur nga tre ishuj të gjelbër në det. Plazhi është i mbushur me hotele, restorante dhe bare dhe është i ndarë për përdorim privat, megjithëse shumica ishin të mbyllura kur mbërrita para sezonit. Vetëm një numër i vogël njerëzish ishin të zhytur në shtretër, nën çadra me kashtë.

“Ju mund të shihni se deti dhe rëra e bardhë janë pothuajse si të Karaibeve”, thotë ajo.

”Britanikët, gjermanët dhe italianët zënë tre vendet e para. Njerëzit vijnë për 310 ditë me diell çdo vit dhe çmime vërtet janë të mira”, shtoi ajo.

Sedimentet nga malet e mermerta përreth krijojnë një fund deti me rërë të bardhë që jep një ngjyrë të mrekullueshme qumështi. Dhe dhoma ime dyshe, me pamjen e saj të mrekullueshme të ballkonit drejt Korfuzit, kushton vetëm 80 paund për natë. Përgjatë gjithë kohës, Riviera Shqiptare ka pasur vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht kuzhina e ndikuar nga italianët, e pasur me ushqime deti. Në hotel, një vakt me tre pjata me sallatë greke, linguini me midhje dhe levrek të pjekur në skarë kushton vetëm 2250 lekë (17 paund). Megjithatë, nuk kishte asgjë nga Karaibet kur një shi i lehtë filloi të nesërmen në mëngjes. Për fat të mirë, një peizazh historik, aq i mirë sa kudo në Evropë, është pranë Ksamilit, me qytetërimet greke, romake dhe osmane që kanë lënë gjurmët e tyre.

Butrinti është një nga tre vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Shqipërisë dhe një vlerë arkeologjike. Virgjili e përmendi atë në “Eneidën” si datimin para rënies së Trojës, por lavdia e vërtetë filloi rreth shekullit III para Krishtit me romakët që u futën brenda dhe lanë struktura karakteristike sublime, përfshirë një teatër 3 000 vendesh me mbishkrime latine. Një orë ecje me makinë na çoi në malet për në Gjirokastër, shtëpitë trekatëshe osmane prej guri dhe kalaja e përmasave të Kështjellës Windsor pothuajse nuk kanë ndryshuar që nga shekulli XVIII. Ajo u njoh nga UNESCO në vitin 2005. Kuzhina është e ndikuar nga osmanët. Për drekë, hëngra imam bajalldi, një pjatë e quajtur sipas emrit të një kleriku mysliman, i cili konsumoi shumë patëllxhanë të mbushur dhe i ra të fikët.

Diku tjetër, plazhi i Porto Palermos mbikëqyret nga një kështjellë me mure të trasha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si një mburojë kundër britanikëve në Korfuz. Porto Palermo ka gjithashtu një bazë të braktisur nëndetësesh me një tunel të gjatë. Gëzimi tha se u deshën 30 vjet për ta ndërtuar, kryesisht sepse Hoxha u konfliktua me BRSS-në dhe Kinën, të cilët po financonin ndërtimin e saj. Si kompensim, ai refuzoi të kthente katër nëndetëse sovjetike, shkruan ATSh. Natën e fundit e kalova pranë Vlorës, ku deti Jon takohet me Adriatikun dhe hoteli ”Paradise Beach” ka dhoma dyshe të mëdha me pamje nga deti për 75 paund. Ajri i mbrëmjes ishte i ngrohtë, deti në ngjyrë blu dhe stafi më trajtoi si një mik të humbur prej kohësh.

turizem albania shqiperi ksamil karaibe udhetim bukuri

Horoskop