Personazh / 10 Shkurt 2023, 15:32

La Diva Romana me zemrën në Shqipëri

La Diva Romana me zemrën në Shqipëri

Nga: Santana Çomora
Fotografia: Armand Habazaj
Fashion Editor: Niko Komani
Make Up Artist: Suela Cangu
Redaktore: Xhoia Dumi
Redaktimi letrar: Etleva Çepele
Lexo Nr. 49 të Revistës Living

Ditë të acarta dimri që herë pas here të kujtojnë melodinë e këngës “Jon” dhe vargjet që vazhdojnë të kenë të njëjtën fuqi si para shumë vitesh … ( kur anijet si fantazma / nëpër det me aventura). Të tilla janë disa histori që përveç dhimbjes së largimit, mbartin edhe shumë histori suksesi. Pikërisht në një nga këto net të hidhura, në errësirën e detit e me frikën e një fëmije 8 vjeç, u largua pa e ditur se ku edhe Marsela Çibukaj, sot një nga vokalet më të mira në Shqipëri, një zë që dashur pa dashur i ka kaluar brigjet e dy vendeve fqinje, duke u bërë sot Ambasadorja e dy kulturave tona.

Në këto dymbëdhjetë vjet larg, Marsela u rrit brenda artit të Romës së bukur, u frymëzua nga historia e antikitetit, krijoi modele të bukura nga televizioni italian, ngjizi finesën dhe të bukurën italiane në shpirt dhe u kthye. U kthye te “balta më e ëmbël se mjalta”, për të lënë gjurmën e saj në muzikën shqiptare. Spikati që në çastin e parë në spektaklin “The Voice of Albania”, jo vetëm për vokalin brilant, por edhe si artistja që pushtoi menjëherë jo vetëm skenën, por edhe zemrën e publikut. Sot, ajo është fituese e disa çmimeve muzikore e së fundmi fituese e vendit të parë të Këngës Magjike 2022, me këngën “I Paftuar “.

Marsela është një univers i mbushur me dimensione të shumta , i cili e shtyn atë të marrë përsipër realizimin e çdo mundësie të bukur që i ofrohet e çdo ëndrre që e bën të zgjohet me dëshirën për ta kthyer në realitetin e saj. Pikërisht siç na ka treguar, që është e aftë ta bëjë këtë me të gjitha daljet e saj si këngëtare, moderatore, por, mbi të gjitha, një vajzë e thjeshtë, e sinqertë, me ambicien për ta parë veten aty ku meriton të jetë.

La Diva Romana me zemrën në Shqipëri

Në këtë kopertinë të parë të saj në “Living”, ajo vjen si një diva e vërtetë, me një pamje ndryshe. Me të qeshur më thotë gjithmonë “...se ti Santanë më ke çuar në Romën time” e për këtë ndihem e lumtur që e kam bërë të ripërjetojë emocione të bukura, të forta e mbi të gjitha të jetë sa më e sinqertë në intervistën tonë. Shijoni një lexim të mirë, të mbushur me dashuri për artin, nga një artiste gjithmonë në kërkim të perfeksionit, duke e nisur gjithmonë nga vetja e që pretendon të kapë majat e muzikës botërore.

Kush janë zakonisht “Të paftuarit” në jetën tënde?

Të paftuarit në jetën time janë ata që gënjejnë ose ata që më zhgënjejnë, ata që kanë thyer besimin në diçka në të cilën unë kisha investuar kohë dhe ndjenja.

Interpretim dhe një performancë e jashtëzakonshme, që nga look-u e deri te skenografia. Mes dhimbjes e dashurisë, ku e gjen veten në këtë këngë?

E gjej në shumë aspekte. Është një këngë, e cila flet për ndjenja, për kohë të çmuar të dhuruar dikujt, i cili ka treguar me kohë që nuk të meritonte. Dashuria dhe zhgënjimi disa herë duket sikur ecin bashkë; kjo ndodh mes dy partnerëve, mes dy miqve e mes dy të afërmve. Interpretimi i këngës me siguri ka të bëjë me një aftësi timen të lindur. Unë mundohem t’i vesh historitë e përcjella në këngë, sikur t’i kem përjetuar vërtet ato.

Çfarë rryme muzikore pëlqen më shumë? Ku e gjen veten?

Kam lindur si këngëtare “Blues”, “Rhythm & Blues”, “Soul” dhe “Jazz Music”, kjo e diktuar edhe nga ngjyra e vokalit tim të kadifenjtë dhe shumë të përshtatshëm për këto zhanre. Që në hapat e para, kam kënduar repertor të tillë, kryesisht të viteve `40, `50, `60. Në fakt, edhe kënga “I Paftuar”, me të cilën u vlerësova me çmimin e parë dhe me çmimin “Best Big Artist”, ka nuancat e “Rhythm & Blues” në kompozim dhe në melodi.

La Diva Romana me zemrën në Shqipëri

Sipas teje, cila është ajo këngë që identifikon më shumë Marselën?

Nga repertori im sigurisht që kënga “I Paftuar”, por edhe një këngë tjetër, me të cilën jam klasifikuar e 4-ta në Festivalin RTSH 53, në vitin 2015. Edhe ai një kompozim “jazz”, “pop jazz”, me të cilën identifikohem shumë. Titullohet “S’muj”.

Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë ndonjëherë?

Mund të them se jam me fat, pasi kam marrë vërtet shumë komplimente në karrierën time dhe vazhdoj të marr. Mund të citoj tre të fundit, të cilat janë shumë domethënëse në këtë çast të karrierës sime: i pari gjatë pjesëmarrjes në “Kënga Magjike” nga artistët e rinj. Më komplimentuan duke më thënë që ata frymëzoheshin nga mënyra se si kam ndërtuar karrierën, duke i qëndruar shumë besnike disa vlerave muzikore, pa rënë domosdoshmërisht pre e kërkesave apo tendencave të tregut muzikor dhe duke u kthyer kështu në shembull dhe pikë reference për brezat më të rinj; i dyti ishte para një jave nga familja e shquar Kadare, e cila (nuk isha në dijeni) më ndjek me ëndje në çdo hap të karrierës sime muzikore dhe më vlerëson si një nga artistet më të kompletuara dhe fisnike të skenës shqiptare; dhe i fundit ka qenë gjatë konkurrimit, në finalen e Këngës Magjike 2022, ku producenti i njohur amerikan Angelo "Doc" Velasquez (producent i artisteve si Rihanna, The Weekend, Lil Wayne, Drake, Alicia Keys etj.), vlerësoi zërin tim, duke e cilësuar një zë të veçantë, që ai e sheh shumë mirë në skenat e mëdha botërore.

Kur zgjohesh në mëngjes, cila është ajo këngë që të pëlqen të këndosh, apo nuk është se detyrimisht çohesh duke kënduar?

Unë zgjohem pothuajse çdo ditë me dëshirën për të kënduar. Më shoqëron shpesh “Perfect day” nga Lou Reed, pak “Rock & Roll” nga Elvis Presley ose ndonjë hit i momentit. Duhet pozitivitet dhe energji për të nisur një ditë të re.

Sot jetojmë në botën virtuale, aq sa ka marrë vlera më shumë se ajo reale. A do të bëje kompromise për të bërë një këngë, e cila do të vlente më shumë për klikime?

Nëse kënga ka vlerat në të cilat unë besoj, nuk ka asgjë të keqe të shpërndash muzikë dhe art te sa më shumë dëgjues. Dikur këtë mundësi (atë të përhapjes së shpejtë dhe masive) e ka pasur radioja, ndërsa sot e kanë aplikacionet e ndryshme dhe rrjetet sociale. Jam e idesë që duhen bërë sa më shumë këngë të bukura dhe art i mirëfilltë për publikun.

Cili nga personazhet e botës së spektaklit italian është më i dashuri për ty?

Unë jam rritur në Itali, në Romën “Caput Mundi” dhe kinematografia, spektaklet televizive apo shfaqjet teatrale italiane kanë qenë ato që më bënë të dashurohesha me profesionin që bëj sot. Personazhet kanë qenë vërtet të shumta: nga Fellini te De Sica, nga divat e kinematografisë neorealiste, si Sophia Loren, Anna Magnani, Mastroianni, Toto’ etj., te personazhet më të dashura të ekranit dhe të muzikës, si Carra’, Venier, Mina, Battisti e shumë të tjerë. Jam munduar të marr shumë prej tyre si spektatore dhe si admiruese, gjithçka që mund të shërbente për të bërë më të mirën në skenë. Ka qenë një shkollë frymëzuese për mua.

Cila është ajo këngë italiane që e ke lajtmotiv dite?

Një nga këngët më të dashura nga repertori i Domenico Modugnos, që titullohet “Meraviglioso”, e vitit 1968. Është një himn për jetën, më dhuron pozitivitet edhe në ditët me shi. Më kujton sa e bukur, sa unike, sa e papërsëritshme është jeta me të gjitha çastet e saj, të bukura apo edhe ato më të trishta.

Nëse do të ishe ende në Itali, ku do të ishe tani? Çfarë do të ishe duke bërë?

Sigurisht që në Romën që aq shumë e dua, duke admiruar mrekullinë e saj si një muze, një skenografi natyrale në qiell të hapur dhe që mund të adhurohet nga çdokush.

Cili është ai tipar i Italisë që ka mbetur tek ti, është rrënjosur brenda teje dhe e ke shndërruar në lëkurën tënde?

Eleganca, dashuria për të bukurën, etja e vazhdueshme për art dhe bindja që italianët, me fantazinë e tyre, kanë për t’ia dalë në çfarëdolloj situate. Kjo, mbi të gjitha, edhe në gatimet e tyre të mrekullueshme.

Nëse do të të ofronin diçka tani, për shembull një projekt muzikor në Itali, a do ta lije Shqipërinë?

Unë e konsideroj veten me shumë fat që kam profesion muzikën, sepse është një profesion që nuk njeh kufij, ndaj ku ka më bukur sesa të përcjellësh emocion dhe të marrësh duartrokitje në çdo cep të botës. Sanremo vazhdon të mbetet një nga skenat më joshëse për mua.

Titulli si Ambasadore e Italisë mes dy kulturave, asaj shqiptare dhe italiane... E kishe menduar ndonjëherë?

Jo, nuk e kisha menduar. Ishte një surprizë shumë e bukur që ky titull m’u dorëzua nga Ambasadori Italian në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci. Ndër vite jam munduar të jem vetvetja dhe të sjell në skenë për publikun, të gjithë formimin tim artistik, duke krijuar kështu një urë të fortë midis dy popujve, midis këtyre dy tokave fqinje të mrekullueshme, kaq të afërta gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht, siç janë Shqipëria e Italia.

Si jeni njohur? Kush ka guxuar të japë i pari aprovimin e njohjes?

Me Vitmarin jemi njohur para shumë vjetësh në skenat e festivaleve apo të studiove televizive këtu në Shqipëri. Kishim admirim profesional për njëri-tjetrin, një ditë të bukur u takuam për një kafe dhe kështu mori jetë diçka plot magji dhe emocion të bukur. Kuptuam që mund të kishte më shumë sesa thjesht një shoqëri mes nesh.

Çfarë pëlqen më shumë nga Vitmari?

Vitmari është artist në jetë dhe në shpirt. I rrallë për ato vlera dhe ideale në të cilat beson. Karakteri i tij gjithmonë i paqtë dhe i qetë, shumë herë më ndihmon t’i shoh gjërat nga një këndvështrim ndryshe, duke qenë se kam temperament më impulsiv.

Këshilla që të jep më shpesh ai...

Të përqendrohem te thelbi i gjërave dhe tek objektivi, me pozitivitet dhe me buzëqeshje.

Dueti më i bukur së bashku?

Ne nuk kemi shumë duete bashkë, por një duet që mbetet shumë i dashur për mua është një ripërpunim i këngës së vjetër tiranase “Dashurinë që kam për ty”, nga mjeshtri i repertorit të muzikës tiranase, Muharrem Gurra.

Albumi “9”, dedikuar dashurisë suaj. Pse numri 9? Ka ndonjë lidhje ky numër?

9 në fakt ishin këngët që përmbante albumi në të cilin edhe unë kam bashkëpunuar. 9 ishin edhe muajt që u deshën për ta finalizuar këtë album. Është një album që Vitmari i dedikoi dashurisë sonë të sapolindur. Shpresoj të jem gjithmonë muza e tij edhe në projektet tona të ardhshme.

A ka ardhur momenti për të veshur fustanin e bardhë?

Nuk e kemi menduar ende. “Living” do të ketë eksluzivitetin kur të ndodhë. ????.

Ishte Italia që ju lidhi më shumë apo ishte një dashuri artistësh që pati rrugëtimin e vet në krijimin e lidhjes?

Mendoj se kanë ndikuar të dyja. Pa dyshim, fakti që të dy jemi rritur në Itali dhe me ëndrrën për muzikën, na bën të kemi shumë të përbashkëta. Kemi edhe shumë objektiva të jetës të përbashkëta, si: dashurinë për natyrën, për udhëtimet, për gatimin e shumë të tjera.

Sot që ke humbur mjaft në peshë, sa kujdesesh të ruash ekuilibrat e tu për një jetë të shëndetshme?

Mundohem shumë të kem prioritet mënyrën më të mirë dhe sa më të shëndetshme për t’u kujdesur për veten. Kam bërë një ndryshim radikal, jo vetëm në peshë, por edhe në mendim, për një jetë me ushqim dhe jetesë sa më afër natyrës dhe sa më larg teprimit apo ekzagjerimit.

Marsela është një këngëtare që e shoqëron gatimin me nota muzikore?

Claro que si, J nuk e imagjinoj dot gatimin, pa ndonjë këngë të bukur në sfond. Ju garantoj që pjatancat marrin një shije të mrekullueshme kur shoqërohen me pak muzikë të mirë. Provojeni!

Me cilin artist shqiptar nuk do të bashkëpunoje kurrë?

Nuk e kam menduar ndonjëherë, e kam më të thjeshtë të mendoj se me kë mund të shkonte një duet. Ka shumë artistë të mirë, me të cilët mund të ndaja muzikë të mirë.

Pjesa tjetër e familjes tënde jeton ende në Itali. Ke një motër të bukur, me një pasion tjetër. Na e përshkruan pak marrëdhënien mes ju të dyjave?

Po, familja vazhdon të jetojë në Itali dhe është e kotë t’ju them se sa shumë më mungojnë. Jonida, e vogla e shtëpisë, është një vajzë e mrekullueshme dhe një frymëzim i pashtershëm për mua. Edhe ajo është në fushën e krijimtarisë, por jo në muzikë. Prej vitesh i dedikohet me shumë pasion botës së modës, fillimisht si modele, më tej si sipërmarrëse. Jam e lumtur që është pjesë e jetës sime dhe mbi të gjitha që nuk është vetëm motra, por edhe shoqja më e mirë që mund të kisha zgjedhur.

Si i ke marrëdhëniet me fansat? Ka pasur ndonjë moment që je vënë në siklet nga mënyra se si kanë reaguar ata?

Njerëzit që ndjekin dhe duan muzikën time kanë treguar me vite një dashuri dhe mbështetje të jashtëzakonshme ndaj meje. Një publik që edhe në çaste të vështira, siç ishte për shembull periudha e pandemisë për artistët, ka qenë gjithmonë një forcë dhe mbështetje në çdo hap. Jam gjithmonë shumë, shumë mirënjohëse.

Në mos gaboj, kjo është një nga intervistat e para gjithëpërfshirëse për ty… më shumë kanë qenë dalje televizive.

Po dhe ju falënderoj shumë për ftesën, mbi të gjitha për kujdesin plot finesë dhe elegancë në çdo detaj të këtij takimi, të kësaj interviste kaq të bukur.

Çfarë ka mbetur pa u thënë nga Marsela Çibukaj?

Pas fitores së çmimit “Best Big Artist” dhe çmimit të parë në Kënga Magjike 2022, kam kënaqësinë të prezantoj në pranverë projektin e radhës, i cili është albumi i im i parë. Po punoj për ta përcjellë me videoklipe dhe me një koncert special për publikun. Mezi pres të këndoj këngët e reja për të gjithë ju.

2022 ishte viti i trofeve të tua

Po. Viti 2023 do të jetë viti i projekteve muzikore origjinale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Lexuesit e “Living” do të jenë të parët që do të informohen rreth të rejave që pres të realizoj në këtë vit të ri. Ju uroj të gjithëve shumë diell dhe realizime të suksesshme!

Horoskop