Personazh / 26 Maj 2023, 14:49

"Në Elbasan ndiqte lajmet me gjyshërit, në Itali u bë kryetare bashkie", rrugëtimi i suksesshëm i Sindi Manushit

"Në Elbasan ndiqte lajmet me gjyshërit, në Itali u bë

Ky podcast u regjistrua në Dolomitet e famshme, por arsyeja është 31-vjeçarja Sindi Manushi. Shqiptarja e parë në Itali që u zgjodh kryetare bashkie e Pieve di Cadore, një zonë e e pasur në veri, e rrethuar nga e djathta ekstreme dhe me ndonjë nuancë raciste. Si ia doli avokatja 31-vjeçare, Sindi Manushi, cila mbërriti në Itali në moshën 9 vjeç, me një histori klasike emigrantësh? Prindër punëtorë, por gjyshër që i futën në gjak politikën qëkur ishte fëmijë në Elbasan.

“Kam qenë fëmijë atipik. Shikoja lajmet dhe më tërhiqnin personazhet e politikës”, thotë ajo.

Në fillim në Itali u tremb nga dëbora dhe nga ndonjë shok e shoqe që e përbuzën, por në pak kohë u bë e para e klasës. Tani është e para e qytetit të vet dhe ka plane sesi ta çojë përpara Pieve-n. Si mbërriti deri këtu? Sindi thotë se planetet u rreshtuan për të, por në fund të këtij episodi do të kuptoni se nuk është vetëm punë yjesh, fati a planetesh. Është diçka tjetër. Ju ftoj ta ndiqni vetë!

Biseda e transkriptuar

Mira Kazhani: Duhet të jetë gëzim i madh. Shumë urime Sindi Manushi!

Sindi Manushi: Shumë faleminderit për ftesën dhe për prezantimin! Nuk e di a e meritoj. Shpresoj!

Mira Kazhani: E meriton. Është e vërteta. Ti je zgjedhur. Ke marrë vota.

Sindi Manushi: Po, jam e përzgjedhura (qesh). Është shumë kënaqësi për mua të të kem këtu dhe është moment shumë i veçantë t`i prezantohem publikut shqiptar ndërmjet teje, sepse të ndjek prej kohësh. Ti e di.

Mira Kazhani: Faleminderit! U gëzova shumë që edhe e ndiqje podcast-in.

Mira Kazhani: Rrugës për Pieve Di Cadora, erdhëm nga Treviso, po mendoja, çfarë gëzimi mund të ketë qenë, jo vetëm për Sindin, por për familjen e Sindit që përpara 22 vitesh kanë shkuar si emigrantë, me ato vështirësirë e të gjithë emigrantëve shqiptarë, duke bërë nga dy-tre punë, duke sakrifikuar shumë,

Sindi Manushi: Përmasat e lumturisë, sidomos të prindërve të mi janë të pallogaritshme. Unë ditët e para isha pak si e hutuar me thënë të drejtën dhe nuk e realizova çfarë kisha bërë, çfarë kisha punuar. Ndërsa ata e kuptuan direkt sa vlente ky moment. E kuptuan madhështinë e saj, triumfin. Ndërsa unë nuk e kuptova në momentin e parë. Ata u lumturuan shumë dhe unë besoj se e gjithë jeta iu kaloi para syve. E kishin shumë vështirë ta mendonin që në 20 e pak vite mund të arrinin në këtë moment.

Mira Kazhani: Është ngjarje në fakt.

Sindi Manushi: Është.

Mira Kazhani: Si është politika këtu. Është e lehtë? Si ishte për ty? Pse ia dole ti Sindi?

Sindi Manushi: Unë mendoj se ia dola sepse disa faktorë më sollën këtu. Si puna e planeteve. Planetet u rreshtuan dhe unë erdha këtu. Është në njëfarë mënyre edhe merita ime, sepse këmbëngula shumë, por edhe disa faktorë të jashtëm më sollën këtu. Për shembull momenti historik. Është e vërtetë që kjo zonë, Veneto në përgjithësi dhe kjo zonë e Bellunos është goxha e djathtë, nga ana politike. Po nga ana tjetër e djathta tani që është në qeveri sidomos këtu në Itali, është e rrëmbyer nga këto dinamikat kombëtare dhe po e lëshon pak veten tek pjesa lokale e territoreve. Kështu që nuk arritën të formulonin një listë elektorale. Lista ime ishte e vetmja që konkurroi dhe unë kisha si kundërshtar vetëm kuorumin. Kështu që 40% të pjesëmarrësve në vota duhet të shkonte dhe të sigurohej. Kështu që unë përzgjidhesha nga të paktën 40% e popullsisë. Ka qenë një fushatë elektorale atipike, sepse nuk kisha një kundërshtar politik me kë të merresha, të polemizoja. Isha tek pullë. Po ishte edhe e vështirë, sepse të gjitha paragjykimet, të gjithë njerëzit shikonin vetëm nga ana ime. Unë isha në qendër të vëmendjes dhe për herë të parë në jetën time.

Mira Kazhani: Ishe vajzë. Ishe shumë e re. Ishe nga Shqipëria. Arsyeja ndonjëherë për ata që nuk dua të them racist, po një lloj racizmi ekziston, sidomos në pjesën e veriut. Apo jo?

Sindi Manushi: Po. Është më tepër ndonjëherë injorancë sesa racizëm. Se kur të njohin pastaj e lëshojnë veten. Nuk e kanë problem. Po janë ato paragjykimet e para. Sidomos këtu jemi në një zonë malore dhe malësorët janë pak të mbyllur vetë derisa të studiojnë pak, pastaj kur marrin konfidencë e kanë më të lehtë. Zona malore është e vështirë në fillim, sepse janë të mbyllur, por kur kuptojnë që je njeri që punon fort dhe e do vendin e tyre sa e duan edhe ata, të japin shpirtin dhe janë shumë njerëz të sinqertë. Shumë herë më të sinqertë nga sa janë nëpër qytetet e mëdha.

Mira Kazhani: Me çfarë i bëre për vete? Me një pjesë tënden të karakterit, përveç programit.

Sindi Manushi: Një program duhet, sepse nuk është se zgjedhin vetëm njeriun dhe karakterin.

Mira Kazhani: Dakord, por njerëzit sado të zhvilluar, unë mendoj që italianët ndoshta janë shumë më të mirë se ne shqiptarët kur vjen puna për të lexuar programet, por kudo votohet pak me emocion mendoj unë. Nuk e di nëse je dakord me mua.

Sindi Manushi: Ashtu është. Politika është emocion në fakt. E besoj dhe unë këtë. Unë mendoj se njerëzit panë tek unë çiltërsinë dhe këtë mënyrën time të të shprehurit shumë bazike, shumë të thjeshtë. E vërtetë që unë jam avokate. Kam ato interesat e mia. Mund edhe të shprehem në njëfarë mënyre në italisht, se fatkeqësisht në shqip nuk e kam shumë të pasur fjalorin, por në italisht shprehem më mirë

Mira Kazhani: Flet shumë bukur, Ke ardhur 9 vjeçe këtu, por flet shumë mirë shqip.

Sindi Manushi: Faleminderit. Po që besoj çiltërsinë. Unë jam e thjeshtë. I dua njerëzit. Kam qejf të komunikoj me ta. Rri orë e orë duke i dëgjuar. Nuk lodhem. Kjo është politika e vërtetë për mua.

Mira Kazhani: Çfarë iu premtoje atyre?

Sindi Manushi: I premtoja që nuk do bëja premtime të mëdha. (qesh) I premtoja që nuk do t`i premtoja hënën, sepse atë nuk ia jap dot. Unë e di shumë mirë gjendjen e komunës ku ndodhem dhe tani administroj, kështu që nuk doja të filloja një marrëdhënie timen me ta duke gënjyer. Edhe kjo është pjesë e çiltërsisë time. Doja që Sindi politike të ishte Sindi që është edhe në shtëpi. Nuk doja të bëja një si tip dyzimi timin.

Mira Kazhani: Meqë jemi në Itali dhe shkon shumë kjo shprehja, t`i japim Çezarit atë që i takon Çezarit. Edhe italianët që të besuan dhe të votuan e meritojnë një bravo apo jo?

Sindi Manushi: E meritojnë dhe kam qenë e habitur nga përgjigjja që dhanë. Duhet të shkonin të votonin 40% e popullsisë. Shkoi 48% kështu që bëmë një 8% më tepër nga parashikimet. Ajo që më habiti më tepër, nuk janë njerëzit që unë njihja dhe kishin besim tek unë, sepse më njohin dhe personalisht, e nuk kishin paragjykime. Po njerëzit që nuk më njihnin dhe madje nga ana politike kishin ide shumë ndryshe nga të miat. Ato mendoj se panë njeriun tek unë. E kuptuan që kjo ndeshje që unë po bëja nuk ishte ndeshje personale. Nuk ishte një fushatë sepse unë doja të arrija diku, sepse unë doja të përçoja idetë e mia politike. Këtu je në një vend shumë të vogël dhe unë mendoj se idetë politike nuk kanë vlerën që kanë në një kontekst kombëtar apo ndërkombëtar.

Mira Kazhani: Sa banorë ka Pieve di Cadore?

Sindi Manushi: 3600.

Mira Kazhani: Nuk janë pak.

Sindi Manushi: Nuk janë shumë. Nuk janë pak.

Mira Kazhani: Flasim për bindjet e tua politike?

Sindi Manushi: Flasim.

Mira Kazhani: Ti je e qendrës së majtë. Elly Schlein të mori në telefon? Të uroi?

Sindi Manushi: Po më mori në telefon, më uroi.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për Elly Schlein ti?

Sindi Manushi: Në fillim kur kandidoi Elly Schlein unë pata pak ato dyshimet e mia. Lexova programin. Ia pashë intervistat. Më tepër se Schlein, nuk më bindnin njerëzit që e rrethonin, të partisë, sepse ishin njerëz me një eksperiencë politike dhe angazhim shumë të gjatë, kështu që e kisha frikën se do e çonin në disa shtigje që nuk ishin të asaj.

Mira Kazhani: Ato shtigjet e burokracisë e ke fjalën?

Sindi Manushi: Po edhe ato, për ato. Ndërsa ajo u tregua shumë e zonja. Ma mbushi mendjen. Unë pastaj e votova në primaret e partisë demokratike italiane dhe jam shumë e kënaqur që është Elly Schlein në krye të partisë që edhe përfaqësoj.

Mira Kazhani: Çfarë të tha kur të uroi?

Sindi Manushi: Që ishte shumë e lumtur për mua dhe asnjë nga ato nuk e priste këtë rezultat. Për çdo gjë që unë mund të kisha nevojë do gjeja përkrahje.

Mira Kazhani: Do të duhet të bashkëpunosh me Giorgia Melonin apo jo?

Sindi Manushi: Po sigurisht. Unë duhet të bashkëpunoj me të gjitha institucionet. Nuk e kam shumë këtë idenë që politika duhet të jetë o e bardhë, o e zezë, ose e zezë e kuqe.

Mira Kazhani: O aleat, o armik.

Sindi Manushi: Po. Nuk e kam fare këtë. Madje të gjitha komunat e tjera që e rrethojnë Pieven janë të administruara nga kryebashkiakë që kanë bindje politike të djathta. Unë nuk e kam pasur asnjëherë problem.

Mira Kazhani: Ti je i vetmi trëndafil?

Sindi Manushi: Po. Në një fushë me zymbyla, jam i vetmi trëndafil. Po që nuk e kam aspak problem. Edhe vetë rajoni i Venetos është i administruar nga Lega, parti e djathtë. Nuk e kam as bezdi as problem që të komunikoj me ta. Se e rëndësishme është të bësh politikë të mirë e të krijosh një rrjet.

Mira Kazhani: Ti je tipike e majtë.

Sindi Manushi: Ka edhe njerëz që janë më radikalë tek e majta. Ka njerëz që nuk i sposton nga idetë e tyre. Kanë frikë se mos bëhen pis nga idetë politike të tjera.

Mira Kazhani: Nga kompromiset.

Sindi Manushi: Nga kompromiset, po.

Mira Kazhani: Unë për shembull besoj shumë te kompromisi.

Sindi Manushi: Edhe unë ashtu si ty besoj te kompromisi. Kompromisi nuk është medoemos diçka e keqe. Madje duhet bërë kompromisi në politikë, sepse nëqoftëse të gjithë ne ngulim këmbë tek bindjet tona dhe i marrim për të mirëqena nuk do kishte dialog dhe problemet nuk do zgjidheshin. Do gjenim një problem për çdo zgjidhje. Kështu që unë besoj tek kompromisi. Duhet komunikuar dhe duhet gjetur një vijë e mesme.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për politikën italiane sot?

Sindi Manushi: Mendoj se si gjithnjë është rrumpallë. Politika italiane është shumë e larmishme. Ju e shihni vetë që kryetarët e këshillit italian ndërrohen shumë shpesh brenda një mandati politik. Çdo dy vjet kemi një premier të ri. Ka shumë dinamika dhe për fat të keq ka shumë pak stabilitet. Ky stabilitet i pakët ndikon shumë tek ekonomia italiane sipas mendimit tim.

Mira Kazhani: E kundërta e Shqipërisë që kemi shumë stabilitet të zgjatur. Nuk ndërrrohet asnjë në 30 vjet. Çfarë mendon ti për politikën në Shqipëri? E ndjek?

Sindi Manushi: E ndjek. E kam ndjekur gjithmonë. Pasioni im për politikën vjen nga gjyshërit e mi dhe kam filluar që e vogël të ndiqja politikën. Mund të them që ato mendimet e para, kujtimet e para që kam për politikën janë në Elbasan, nuk janë këtu. Kam qenë shumë e vogël dhe shihja lajmet bashkë me gjyshërit. Me njërin ose me tjetrin. Isha fëmijë atipik. Nuk shikoja kukullat, por shikoja lajmet. Më pëlqenin lajmet. Më pëlqente të imitoja politikanët se më dukeshin që atëherë shumë qesharakë dhe përpiqesha t`i imitoja.

Mira Kazhani: Kë imitoje atëherë?

Sindi Manushi: Fatos Nanon.

Mira Kazhani: Me ato fjalët e komplikuara.

Sindi Manushi: Po, me atë mënyrën e vet shumë diplomatike. Sali Berisha ishte më i thjeshtë, sepse ishte më karakteristik.

Mira Kazhani: Ka qenë gjithmonë më i thjeshtë për t`u imituar.

Sindi Manushi: Dhe faktikisht është më i imituari nga të gjithë politikanët.

Mira Kazhani: Edhe Edi Rama ndoshta.

Sindi Manushi: Edhe Edi Rama. Po Edi Rama tani është status quo, në kuptimin që ka aq shumë vite në krye të Shqipërisë sa që medoemos është kthyer në personazh. Plus që ai vetë është i tillë. Unë e ndjek politikën shqiptare. Këtë muajin e fundit, fushatën e zgjedhjeve lokale nuk e kam ndjekur, sepse kam qenë e impenjuar nga ana tjetër këtu me Pieven time.

Mira Kazhani: Tre zymbyla në gjithë Shqipërinë ka. Të informoj unë.

Sindi Manushi: Unë paskam mbjellë në vendin më pak të duhur. Politika në Shqipëri nuk është aq idealiste sa e mendoj unë politikën këtu dhe arrij ta bëj. E dimë shumë mirë që ka një rrjet interesash të ndërthurur që është shumë vështirë për t`u përçarë dhe nuk gjejnë rrugë idealizmat në Shqipëri. Tani unë kam shumë kushërinj që nuk i njihja më parë. Tani jam plot me kushërinj që më kanë shkruar. (qesh)

Mira Kazhani: Disa e bëjnë nga krenaria.

Sindi Manushi: E di, e di. Unë i dua shumë të gjithë.

Mira Kazhani: Plus që në pushtet shtohen shumë miq, kushërinj, shumë dashamirës.

Sindi Manushi: Jemi edhe fis i madh. Është problemi im që nuk i njoh. Shumë më kanë pyetur a e kam menduar ndonjëherë të kthehem në Shqipëri apo të bëj politikë atje. Po nuk është në planet e mia. Fara e trëndafilit tim nuk mbillet mirë atje se nuk gjen terrenin e duhur. Jam edhe shumë e padjallëzuar nga njëra anë dhe nuk dua vetë t`u hyj atyre shtigjeve. Është shumë radikale?

Mira Kazhani: Jo, është e vërteta që beson ti. Përmende Fatos Nanon, Sali Berishën, Edi Ramën. Do më pëlqente nga një përshkrim shkurt, ose edhe një fjali për secilin prej tyre nga ty.

Sindi Manushi: Janë të tre personazhe historike. Unë Fatos Nanon dikur e kam pas pëlqyer si nga ana formale në kuptimin që nuk merrte kollaj zjarr. Ishte shumë njeri i qetë në mënyrën e vet të të folurit, por besoj se në atë kohë, në vitet `90 nuk ka bërë një punë të keqe. Kishte goxha popullaritet. Njerëzit e donin. Nuk dua t`u hyj thellë punëve, por besoj se ka qenë një politikan i mirëndjekur nga shqiptarët. Më pëlqente shumë aplomb-i tij (vetëbesimi). Ishte shumë british nga mënyra formale. Ndërsa në të kundërt, Sali Berisha është njeri shumë sanguin, impulsiv. Impulsiv në pamje të parë, se faktikisht për të qenë në politikë më shumë se 30 vjet duhet t`i llogarisësh mirë gjërat. Nuk besoj që duhet të jesh aq impulsiv. Ka më shumë gjestikulim, shprehi fytyre. Është shumë karizmatik. Megjithëse unë i kam bindjet të majta, duhet të jem e ndershme intelektualisht dhe t`i jap Çezarit atë që është e Çezarit. Kështu që është shumë karizmatik si lider dhe e ka treguar dhe së fundmi, megjithëse ka mbi shpatulla shumë e shumë dekada politike. Ndërsa Edi Rama është shumë atipik. Është gaforre si puna ime kështu që kam përshtypjen është edhe pak manipulator si gjithë Gaforret. Po në sensin jo të keq të fjalës. Besoj se ka ndryshuar shumë personazhi i tij ndër vite. Dikur ka qenë e reja e politikës shqiptare. Ishte njeriu kundër status quo-së. Erdhi si diçka e freskët dhe më pas u kthye ai vetë në status quo. Siç ndodh gjithmonë në politikë, se nuk mund të ruash rininë përjetësisht. Edi Ramën unë e ndjek me kënaqësi sepse është njeri interesant. Ka shumë bagazh, edhe nga ana kulturore normalisht. Mirëpo nuk bie shumë dakord me linjën, me prerjen që i ka dhënë partisë edhe qeverisë së tij. Unë megjithëse kam bindje të majta, nuk e ndjej veten të mirëpërfaqësuar nga ndonjë parti politike e madhe në Shqipëri. Nuk ndihem e mirëpërfaqësuar. Po ky është problemi im mbase.

Mira Kazhani: Ndoshta është problemi ynë si individë, se ti jeton në Pieve di Cadore. Po Shqipëria kur vjen, çfarë shije të lë?

Sindi Manushi: Kur vij në Shqipëri, vij me shumë mall çdo vit. Vitin e parë që kam ardhur kam qarë. Po vetëm vitin e parë. Pastaj sikur u regja pak nga nostalgjia, por vij gjithmonë me mall. I dua shumë njerëzit e mi, kushërinjtë, farefisin. Kam gjyshen që e kam pikë të dobët. Vij çdo vit e takoj. Kam tezen. Vij me mall sidomos për njerëzit, por edhe me kuriozitet që të shikoj çfarë përmasash po merr Shqipëria ose Ebasani. Çfarë ka ndryshuar në Elbasan. Eci nëpër rrugicat e kalasë. Dua të shikoj çfarë ka ndryshuar nga kujtimet e mia. Se kujtimet e mia janë parametri im. Ajo është Shqipëria që unë kam fiksuar në tru dhe pastaj e shikoj që ndryshon e ndryshon herë pas here.

Mira Kazhani: Kur sheh gocat e moshës tënde, të rinjtë çfarë të bën përshtypje?

Sindi Manushi: Për mirë më pëlqen shumë fakti që të rinjtë shqiptarë janë të rinj punëtorë. Është ai mendimi ndonjëherë që ‘këta të rinjtë e sotëm…’. Unë mendoj se janë rini që ka shumë shpresë dhe mund të premtojë shumë. Më vjen shumë keq që nuk kanë mundësitë që kemi ne shqiptarët që jemi diku tjetër. E shikoj që edhe atyre vetë u vjen keq, se përndryshe nuk do emigronin masivisht. Më vjen keq sepse ka shumë talente. Ka shumë njerëz të mirë ai vend. Ndonjëherë më vjen t`i them: Merre fatin tim edhe eja dhe ti nëpër botë dhe bëj ç`të duash. Po e shikoj që ka shumë pesimizëm ndër tyre.

Mira Kazhani: Ke pasur fat apo ke punuar shumë për gjërat që ke sot?

Sindi Manushi: Të dyja bashkë them unë. Kam punuar shumë.

Mira Kazhani: Flasim pak për fatin tënd dhe të shikojmë a do ta duan ata të rinj që e dëgjojnë këtë podcast. Ke qenë 9 vjeç kur keni emigruar me prindërit në Itali. Përveç dëborës që e lexova në një gazetë, te Corriere më duket që të ka bërë shumë përshtypje. Nga Elbasani dhe ke ardhur këtu ke parë vendin të mbuluar me dëborë, çfarë gjërash i ke të shenjuara në kujtesë nga ditët e para këtu.

Sindi Manushi: Faktin që në shtëpi ishim shumë veta. Se ishte familja ime me babin. Ishte xhaxhai im, ishin dhe gjyshërit nga ana e babait. Gjyshi im atëherë ishte nën kurat e kimioterapisë edhe një vit më vonë vdiq për fat të keq. Kështu që ka qenë viti më i vështirë i jetës time. Ishim shumë veta në një shtëpi shumë të vogël. Me gjyshin që nuk ishte fort mirë. Megjithatë është i njëjti gjysh me të cilin shikoja lajmet kur isha e vogël. Kisha shumë marrëdhënie të mirë. Ai vinte gjithmonë më merrte nga shkolla. Edhe pse kishte pak fuqi. Po i vështirë se edhe nga ana e gjuhës hasja shumë vështirësi. E kuptoja italishten, sepse shikonim dhe Rai- n kur ishim në Elbasan. Mirëpo nuk e flisja mirë aq sa doja. Nuk e shkruaja mirë, nuk e lexoja mirë. Bëja shumë gafa dhe më vinte zor nga vetja, sepse fëmijët e tjerë të shkollës më përqeshnin për gjëra të vogla, por që ndodhin. Pastaj pata disa episode racizmi që për momentin më lënduan shumë, por pastaj sikur fitova një siguri në vetvete. Fillova të kuptoja mirë italishten. Të dilja e para e klasës. Edhe sikur fitova prapë atë sigurinë që kisha dikur.

Mira Kazhani: Tani je e para e qytetit.

Sindi Manushi: Po, po e para e fshatit. (qesh)

Mira Kazhani: E gjithë bota është një fshat i madh! Vuajtja dhe dhimbja janë mësuesi më i mirë në botë apo jo?

Sindi Manushi: Janë, por janë në qoftë se ti i jep mundësinë që të mësosh.

Mira Kazhani: E kuptova mesazhin. Se mund të jenë edhe mësuesi më i keq në botë.

Sindi Manushi: Ose mund të lindë edhe një si ndjenjë hakmarrjeje ndonjëherë. Ndonjëherë është e kundërta.

Mira Kazhani: Prindërit e tu çfarë pune kanë bërë në Shqipëri dhe kur kanë ardhur këtu çfarë punësh u është dashur të bëjnë?

Sindi Manushi: Mami ka punuar në sektorin e Metalurgjisë, në Elbasan, sepse është diplomuar si kimiste. Ndërsa babi ka qenë gjithmonë saldator. Edhe këtu vazhdon të jetë. I vetmi që nuk e ka ndryshuar jetën e tij radikalisht. Se siç ishte në Shqipëri, është edhe këtu.

Mira Kazhani: Është mjeshtër ai prandaj.

Sindi Manushi: Është, është. Është vërtet shumë i mirë dhe shumë punëtor. Mami këtu filloi një kurs për t`u bërë si tip ndihmëse infermiere. E bëri atë kursin 1 vit e gjysmë. Bëri edhe stazhin. Tani punon në spital si ndihmës infermiere. Po të dy prindërit kanë bërë këtu shkollën e natës, sepse diploma që kishin në Shqipëri nuk u vlente. Bënë shkollën e natës që të paktën shteti italian të dinte që ishin të alfabetizuar.

Mira Kazhani: Po ju natën me kë rrinit në shtëpi?

Sindi Manushi: Shkoja me mamin, me babin, merrja dhe unë leksione të dyfishta. I kam ndjekur gjithmonë në këto zgjedhjet e tyre. Edhe kur mami në fillim punonte si pastruese shkoja gjithmonë i jepja një dorë. Kur nuk jepja një dorë e shikoja, flisja me të. E mbaja me muhabet.

Mira Kazhani: Sa e mirë! Çfarë goce! Puna jote e parë, përveçse ke ndihmuar mamin, cila ka qenë dhe në çfarë moshe ke punuar?

Sindi Manushi: 13 vjeç kur mbarova 8-vjeçaren kisha një komshije që kishte shumë nevojë. Ishte në një periudhë të vështirë të jetës së saj. Sapo i kishte vdekur shumë i ri bashkëshorti dhe kishte djalin shumë të vogël, disa muajsh. Nuk arrinte t`i përballonte të gjitha. Edhe nga ana emotive. Kështu që unë fillova të mbaja djalin e saj. Ta ndërroja, t`i jepja për të ngrënë. E mora shumë për zemër. Që atëherë kam punuar gjithmonë. Në fundjavë, ose verave kam punuar gjithmonë. Derisa u diplomova në Trento, kam punuar.

Mira Kazhani: Çfarë bëre me ato lekët e para të djalit që e ndihmoje?

Sindi Manushi: Bleva librat. Kisha zgjedhur pas shkollës 8-vjeçare të bëja atë që këtu quhet Liceo Classico, që është gjimnazi i përgjithshëm, por i dedikuar më tepër lëndëve letrare. Kështu që duhet të studioja greqishten e lashtë dhe latinishten. Babi nuk ishte shumë dakord fillimisht. Tha: Ç`të hyn në punë ty?

Mira Kazhani: Babi është vetëm për një profesion.

Sindi Manushi: Babi është njeriu më konkret që kemi në shtëpi. Shyqyr që e kemi, se ne të gjithë fluturojmë. Me ato lekët e para kam blerë fjalorin e latinishtes dhe të greqishtes së lashtë.

Mira Kazhani: Ja pse ia vlen të fluturosh, gjithmonë.

Sindi Manushi: Gjithmonë!

Mira Kazhani: Në Trento ke studiuar juridik. Çfarë studente ke qenë ti? Shumë e mirë apo ishe më shumë empatike, e shkathët, aktive. Si do ta ndaje?

Sindi Manushi: E dyta. Nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë studente ekselente. Kam qenë gjithmonë shumë mirë, por jo 10 me yll. Nuk kam qenë ndonjëherë ekselente me thënë të drejtën, sepse jam marrë gjithmonë shumë me çështje politike, me komunitetin. Bëja shumë punë vullnetare. Në Trento për shembull isha përfaqësuese e studentëve. Që atëherë konkurova dhe më zgjodhën. Kisha shumë të bëja me organizmat e universitetit.

Mira Kazhani: E paske patur këtë shpirtin e drejtuesit, e liderit. E ke treguar gjithmonë me sa duket.

Sindi Manushi: Po, është diçka konstante. Nuk është se ka mbirë tani.

Mira Kazhani: Mendon që, që fëmijë ka qenë ajo echo-ja për të shkuar afër politikës? Pra një njeri mund ta kuptojë që në fëmijëri që do të bëhet diçka.

Sindi Manushi: Që e vogël kam dashur të bëhem avokate. Këtë e di shumë mirë, sepse kam një ditar të vjetër që mbaja 10 vjeçe dhe e kam të shkruar: Unë një ditë dua të bëhem avokate.

Mira Kazhani: Po tjetër çfarë ke shkruar aty?

Sindi Manushi: O Zot, më vjen shumë zor. Në atë kohë shikoja shumë ‘wrestling’ me vëllain tim dhe më pëlqente shumë një nga ata luftëtarët që quhej John Cena. Kështu që kisha shkruar: Dua të bëhem avokate. Të martohem me John Cena-n. Më mirë mos ta transmetoni këtë (qesh). Më vjen shumë zor nga vetja.

Mira Kazhani: Do mërzitet shoku aktual?

Sindi Manushi: Absolutisht jo.

Mira Kazhani: Domethënë ka një shok në jetën tënde?

Sindi Manushi: Po. Jetojmë bashkë.

Mira Kazhani: Është italian?

Sindi Manushi: Po, është italian.

Mira Kazhani: Si quhet?

Sindi Manushi: Marco. Jetojmë bashkë pothuajse prej një viti. E ke parasysh atë detin e qetë që të çon shumë larg? Marco më jep atë qetësinë që më duhet, sepse unë jam si ato kokoshkat. Ndërsa ai është i qetë. Më suporton shumë. Nuk ka ato xhelozirat pa shkak. Është shumë i lumtur që unë eci përpara dhe kam këto arritjet e mia. Edhe unë me të.

Mira Kazhani: Ndoshta nuk është vetëm punë karakteri kjo. Sa më shumë kalon koha, muhabet gocash ky - ata që të duan vërtet, janë kështu. Një që të do shumë gëzohet për suksesin tënd dhe të lë të bësh rrugën tënde. Jo që të do, por ashtu e ka karakterin.

Sindi Manushi: Jo, ato janë dashuri toksike. E di që ka marrë përmasa të papërballueshme si term “toksik”, por janë dashuri të papjekura.

Mira Kazhani: Cila është filozofia e jetës tënde?

Sindi Manushi: Nuk e kam pyetur asnjëherë veten a kam ndonjë filozofi.

Mira Kazhani: Ndoshta është e mbivlerësuar edhe kjo si pyetje.

Sindi Manushi: Një nga parimet e mia është që të mos i bëj të keqen dikujt. Jam shumë e lidhur pas këtij parimi. Jam shumë njeri i drejtë. Ndonjëherë edhe më tepër nga sa duhet. Besoj se drejtësia në fund triumfon dhe gjërat e këqija të kthehen. Kështu që është e kot që t`i bësh. Disa gjëra thjesht “Let it go”. Të këqijat i hedh pas krahëve zakonisht. Nuk jam njeri as hakmarrës. Besoj shumë në energjinë pozitive të të tjerëve dhe timen. Eci përpara me këtë parim dhe me parimin që duhet të jesh mirënjohës nga çfarë të jep jeta ose njerëzit e tjerë. Kur më pyetën, po ti ç`ne që u kandidove në Pieve? Si ka mundësi? Përgjigja ime standarde është që dua t`u kthej qytetarëve të Pieves një pjesë të të mirës që ata më kanë dhënë në këto vite. Mirënjohja është diçka shumë e ngulitur tek unë, sidomos nga gjyshërit, prindërit. Po të dha njëri një, ti duhet të japësh dy.

Mira Kazhani: Është gjë e mirë. Na pëlqen të gjithëve t`i besojmë filozofisë dhe faktit bëj mirë se do gjesh mirë në një mënyrë, ose në një tjetër.

Sindi Manushi: Nuk është gjithmonë e vlefshme.

Mira Kazhani: Jo gjithmonë funksionon, por njeriu duket të shpresojë. Se pastaj fillon edhe bëhet pesimist. Je natyrë optimiste?

Sindi Manushi: Jo. Nuk jam fare optimiste. Kam mamin që është shumë optimiste. Aq sa ndonjëherë acarohem, i them, si ka mundësi që je aq optimiste. Unë jam shumë e ngulitur me këmbët në tokë dhe e kam tendencën të jem më pesimiste nga ç`duhet. Në kuptimin që shpresoj gjithmonë më të mirën, por mendoj gjithmonë të keqen, sepse është e mira që ta përgatis veten.

Mira Kazhani: Personalisht mendoj që cilësia më e nevojshme për një politikan.

Sindi Manushi: Të jetë pesimist thua?

Mira Kazhani: Më mirë të jetë pesimist, sesa të jetë optimist dhe të thotë gjëra kot. Është më mirë të mendojë të keqen dhe të jetë duke vëzhguar çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Optimistët janë të mirë në tavolinë, por pastaj janë pak si të pakalkuluar në jetë.

Sindi Manushi: Është e vërtetë. Është edhe çështje e përgjegjësisë.

Mira Kazhani: Nuk dukesh fare pesimiste si natyrë. Dukesh pozitiviste madje. Kujt i ngjan nga prindërit më shumë?

Sindi Manushi: Si karakter jam një miks i të dyve. Ngjaj pozitiviste, sepse mami im është e tillë. Është shumë personazh.

Mira Kazhani: E takova Arin, Arianën dhe është shumë personazh.

Sindi Manushi: Ndërsa babi është njeri më konkret, me këmbë në tokë. I llogarit mirë gjërat. Mami është më impusive.

Mira Kazhani: Si të uruan ata? Çfarë tha njëri dhe çfarë të tha tjetri?

Sindi Manushi: Mami qau se e ka të vetën që rrëmbehet shumë nga emocionet. Është njeri impulsiv. Kurse babi ishte aq i lumtur sa që…

Mira Kazhani: … nuk tha asgjë.

Sindi Manushi: (qesh) Nuk tha asgjë. Tha vetëm: Ia dolëm. Ishte si ëndërr për të. Kështu që unë e njoh babain tim kur është në maksimumin e lumturisë së tij nuk para shprehet. Dhe unë nuk e ngacmova. VAZHDON...

Kjo intervistë u mor nga Tiranapost.al

Horoskop