Mirëqenie / 26 Janar 2023, 11:35

Vera po afron, por nuk dini akoma ç'krem SPF të përdorni? Farmacistja Denada Nako u jep përgjigje të gjitha pyetjeve

Vera po afron, por nuk dini akoma ç'krem SPF të përdorni?

Nga Denada Nako

Të gjithë përballemi me 1 nga pyetjet më të shpeshta në përditshmëri: Çfarë kremi me SPF përdor? Para shumë kohësh në fakt ky term ka qenë pak ose aspak i njohur, e të them të drejtën jam shumë e lumtur që tani po përqafohet nga pjesa më e madhe e personave. Sot pikërisht dua të diskutoj për disa nga pyetjet që marr çdo ditë në lidhje me përdorimin dhe nocionin e SPF.

Sun Protection Factor të mbron nga rrezet dhe sigurisht për këtë qëllim përdoren filtrat që absorbojnë dhe reflektojnë këto rreze të padukshme për ne. Filtrat mund të jenë mineralë/fizikë dhe organikë/kimikë. Filtrat fizikë reflektojnë rrezet UVA (absorbojnë pak) dhe zakonisht janë efektive në mënyrë të menjëhershme pas aplikimit. Filtrat kimikë absorbojnë rrezet UVA/UVB dhe kërkojnë të paktën 15-30 minuta kohë për t’u aktivizuar (kjo është një nga arsyet se përse ne rekomandojmë një kohë të tillë për t’u aplikuar kremi mbrojtës përpara ekspozimit në diell).

Të gjithë diskutojmë çdo ditë në lidhje me SPF-në, e kur vjen puna te përzgjedhja e një kremi apo locioni mbrojtës, të gjithë kemi tendencën të përzgjedhim vetëm faktorin maksimal, që do të thotë: vetëm faktorin 50+. Por nuk do të thotë që përzgjedhja e këtij faktori të jetë gjithmonë e duhura. Asnjë filtër mbrojtës nuk mund të bllokojë plotësisht të gjitha rrezet e dëmshme të diellit, por ajo që mund të përmendim është se:

-SPF 15+ bllokon rreth 93% të rrezeve të dëmshme;

-SPF 30+ bllokon rreth 97% të rrezeve të dëmshme;

-SPF 50+ bllokon rreth 98% të rrezeve të dëmshme.

Vera po afron, por nuk dini akoma ç'krem SPF të përdorni?

Pra, siç e shikoni, diferenca ndërmjet faktorit 30 dhe atij 50 është vetëm rreth 1%, që do të thotë se ajo që kishit menduar deri më tani në lidhje me diferencën e madhe që mund të kishte midis tyre, bie poshtë. Prandaj për të gjithë ju që ende nuk e kishit këtë informacion dhe deri më tani, edhe pse lëkura juaj është normale/ pa tendencë për eritema solare, keni përdorur gjatë gjithë kohës faktorin maksimal SPF 50+, tashmë mund të përdorni edhe faktorin e lartë SPF 30+ dhe sigurisht që do të jeni të mbrojtur pothuajse njëlloj.

Po pse duhet të mbrohemi nga rrezet e dëmshme?

1. Njollat kafe.

2. Dëmtimi i qelizave të lëkurës.

3. Plakja e lëkurës.

4. Kanceri i lëkurës.

5. Alergjitë me origjinë nga rrezet e dëmshme.

6. Eritemat solare.

Arsyet e mësipërme dhe sigurisht edhe shumë të tjera si këto, janë më se të mjaftueshme që të gjithë të kemi parasysh se duhet të mbrohemi nga rrezet e dëmshme. Duhet të evitojmë orët e ditës në të cilat këto rreze janë më të fuqishme (gjatë stinës së nxehtë (10AM-4PM). Gjithashtu duhet të vendosim kremin me faktor të përshtatshëm mbrojtës 30 minuta para ekspozimit ndaj rrezeve të dëmshme.

Kujdes: duhet të keni parasysh që kremi duhet të aplikohet me një shtresë të hollë në lëkure, në baze të tipit të saj, në fytyrë, qafe, dekolte dhe trup. Zakonisht rekomandohet që kremi i diellit të vendoset çdo 90 minuta nëse do të kemi një ekspozim të vazhdueshëm ndaj rrezeve të dëmshme gjatë ditës (kohëzgjatja e rivendosjes së kremit mbrojtës bëhet në bazë të moshës, tipit dhe ngjyrës së lëkurës e gjithashtu në bazë të kohës së ekspozimit ndaj rrezeve te dëmshme, etj).

A duhet të përdoret kremi me faktor mbrojtës gjatë gjithë vitit apo vetëm gjatë stinës së nxehtë?

Një pyetje e cila bëhet shumë shpesh, por që gjithmonë merr një përgjigje të gabuar. Kremi i diellit duhet vendosur gjatë gjithë ditëve të vitit, pavarësisht se kemi të bëjmë me kohe me diell, me shi, me dëborë, etj. Rrezet e dëmshme ultraviolet UV janë një rrezatim i padukshëm që arrin të depërtojë në shtresat e lëkurës (rreth 80%) edhe kur dielli nuk e ka fuqinë maksimale, kështu që vendosni krem me faktor mbrojtës gjatë gjithë ditëve të vitit.

Kujdes maksimal duhet të tregoni edhe në përzgjedhjen e kremit me SPF në bazë te tipit te lëkurës tuaj. Është një nga gabimet që bëhen më së shumti çdo ditë dhe kjo ndikon në shëndetin e lëkurës në mënyrë të drejtpërdrejtë. Çdo firmë e caktuar ofron një linjë të veçantë me SPF, të ndara sipas çdo tipi lëkure, duke nisur me atë të yndyrshme, mikse, me prirje për akne, normale, të thatë, e duke përfunduar me atë të ndjeshme. Kështu që duhet të bazoheni në tipin e lëkurës përpara së të zgjidhni kremin SPF.

Te gjithë jemi në risk për të shfaqur më vone gjatë jetës probleme në lëkurë, nëse nuk mbrohemi nga rrezet e dëmshme. Kështu që të gjithë duhet të kemi parasysh se dielli shkëlqen gjatë gjithë stinëve, jo vetëm gjatë stinës së nxehtë, prandaj merrni me vete gjithmonë mikun tuaj më të ngushtë: kremin me SPF.

Horoskop