Turizmi / 31 Korrik 2012, 03:59

Barcelona

Barcelona, qytet port mesdhetar drejt Baleareve, është njëri nga qytetet më të çuditshme të Spanjës. Në vijim do të gjeni një guidë të shkurtër për të vizituar vendet më të mira në ditë me diell.

Në rast se keni dëshirë të kaloni një fund-vjeshtë të ëmbël, shkoni në Barcelonë. Atje do t’ju krijohet përshtypja sikur jeni duke kaluar një fund-verë, kur ju mund të bëni banjë e të nxiheni si dhe të zbuloni me mijra kënaqësitë e turistëve. Herë klasike, herë e çuditshme, Barcelona është një qytet i kureshtive.


Atje mund të admironi “El barrio classico”, lagjen historike me sitet e saj me arkitekturë fetare tërheqëse. Ndaloni në “carrer Petrixol”, rrugën e kakaos, pranë sheshit del Pi dhe shkoni për të pirë një një kakao të ngrohtë e me shkumë.


Një vizitë në tregjet e Barcelonës është e paevitueshme. Zgjidhni “el Mercado de la Boqueria” pranë Ramblas-eve ose tregun Sant Antoni, një treg më karakteristik . duke qëndruar ulur në stolat e lartë të bareve të tregut, ku Katalanët shkojnë për të ngrënë, nuk do të mërziteni kurrë me “chipirines, patatas bravas, tapas” dhe me verën e kuqe si dhe gatimet e tjera tipike.


Por Barcelona me ritmin e jetës së saj të natës është njëkohësisht edhe Spanja, atëherë, shkoni në kafenetë e Ramblave, ku do të zhyteni në zemër të lagjes në të gjitha orët.


Kryeqyteti i kulturës
Ngjituni me funikular për të vizituar fondacionin Miro në lagjen Montjuïc e për të zbuluar koleksionin permanent rrethuar nga një peizazh i pyllëzuar.
Kundroni arkitekturën krahinore dhe moderniste të shekullit të 19-ë, të simbolizuar nga artisti i famshëm Gaudi, veprat e të cilit i japin një ritëm të veçantë peizazhit. Mos lini pa vizituar Sagrada Familia (Familjen e shenjtë) dhe parkun Güell, nga ku mund të shihni një panoramë të plotë të qytetit.
Natyrisht që nuk duhet të lini pa parë tragetet që nisen për kroçiera, parkun dhe malin olimpik, etj.


Pasqyrim i larmisë
Një larmi e jashtëzakonshme lagjesh dhe arkitekturash të ndryshme, ku e pabesueshmja qëndron pranë tradicionales, modernia pranë origjinales. Plazhet janë një imazh tjetër karakteristik i personalitetit të këtij qyteti me ekonomi të pasur. Nga Barceloneta në Llacuna, ambiente të panumërta, ku mund të provoni edhe një pjatë me “anchoas”, sigurisht në bregun e detit.
Mund të lëvizni në këmbë, me biçikletë apo me taksi. Metroja (TMB) e barcelonës është e shkëlqyer: nuk është shumë e ngarkuar dhe metrotë janë shumë të shpeshta. Barcelona është një qytet me shtrirje të madhe, por njëkohësisht edhe e dëndur dhe me gjallëri.
Barcelona, kryeqyteti i Katalunjës,do të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe natyrisht që ju do të kërkoni të riktheheni në këtë qytet festiv e plot gjallëri.
Të vizitosh Barcelonën pa admiruar realizimet arkitekturore të Gaudi-t, do të ishte një gabim i rëndë. Site të shumta bëjnë të mundur të zhytesh në universin e këtij arkitekti të talentuar i cili për shumë vjet (nga viti 1886 deri në vitin 1923) krijoi peizazhin urban të qytetit.


Veprat monumentale të Gaudi-t:


La sagrada Familia
Ndërtimi i kësaj katedraleje të mrekullueshme, që i dedikohet Familjes së Shënjtë, filloi në vitin 1883. Ndërtesa vazhdon të mbetet e papërfunduar. Nëse vizitoni ndërtesë, e cila ndodhet në qendër të qytetit, do të shihni punimet gjigande të realizuara si dhe ato që vazhdojnë ende aktualisht.


Casa Batillo
Kjo shtëpi me mozaikë me ngjyra pasteli ka një fasadë të valëzuar të realizuar me një arkitekturë elegante që të kujton fragmente kockash. Fantazia e gaudit shpaloset edhe në interiorin e shtëpisë nëpërmjet zgjedhjes së mobiljeve dhe dekoracioneve.


La Pedrera
Në kohën kur u ndërtua, shumë spanjollë e cilësuan si një vepër të tmerrshme këtë ndërtesë me konture të valëzuara që nuk ka asnjë perspektivë arkitekturore klasike. Forma e saj të kujton një re pa formë. La Pedrera është e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESKO-s. Ai është njëri nga monumentet më të vizituara të Barcelonës.


Parku Guell
Në parkun Guell do të zbuloni shumë vepra të Gaudi-t, i cili e kishte ndërtuar shtëpinë e tij në mes të këtij thesari të gjelbëruar. Kurbat e kudondodhura, mozaikët dhe skulpturat e krijuara nga fantazia e artistit e kthejnë këtë shëtitje në një moment të këndshëm zbulimi. Parku ofron gjithashtu një pamje të mrekullueshme të qëndrës së Barcelonës.


Lagjet karakteristike të Barcelonës


Ramblas
Një arterie kryesore e Barcelonës, ku gjallëria nuk pushon në asnjë orë të ditës apo natës, Ramblas-et janë një pikë nevralgjike e qytetit ku gëlojnë artistët e rrugës, shitësit ambulantë dhe shitës të tjerë suveniresh.


Lagja gotike
Është qëndra mesjetare e Barcelonës, ku përqark katedrales së Shën Eulalisë, ndodhet një mori rruginash shumë të këndshme për t’u përshkuar dhe ndërtesa të shumta karakteristike. Mos lini pa vizituar sheshin e Mbretit, kapelën e Shën Agatës dhe katedralen e Barcelonës: vende ku historia e Spanjës ka përjetuar periudha të lavdishme.


Lagja Eixample
Kjo lagje rezidenciale është e mbushur me dyqane dhe restorante simpatike. Një lagje moderne, shumë e ndryshme nga lagja gotike e Barcelonës së vjetër, në lagjen Eixample ndodhen shumë vepra arkitekturore të Gaudi-t (sidoomos Shtëpia batillo dhe Pedrera).


Lagja Montjuic
Lagja Montjuic ndodhet në një kodër, në qëndër të qytetit. Një lagje shumë e frekuantuar nga vendasit për shëtitje familjare në fundjavë. Është njëkohësisht edhe një qendër kulturore ku ndodhet Muzeu kombëtar i artit katalan, Fondacioni Miro dhe shumë site të tjera të rëndësishme. Në periudhën e verës, kur bie nata, një spektakël i çuditshëm u ofrohet kalimtarëve të shumtë që shkojnë për të asistuar në ndriçimin e shatërvaneve ne muzikën e Shopenit apo Moxartit. Një spektakël i mrekullueshëm që nuk duhet humbur!


Plazhi Barceloneta
Në rast se stina dhe kohëzgjatja e qëndrimit tuaj jua bëjnë të mundur, një ditë në plazhin e Barceloneta-s (ku mund të shkoni me metro brenda disa minutave duke u nisur nga qendra e qytetit) do të ishte një mbyllje e shkëlqyer e qendrimit tuaj në Barcelonë. Një ditë relaksi, por edhe njohjeje me lagjen olimpike të ndërtuar për Lojrat e Barcelonës 1992.