Turizmi / 30 Maj 2014, 16:00

Kalaja e Prezës

Legjenda e trevës thotë se këtu u martua Mamica motra e Skënderbeut, në dasmën e të cilës morën pjesë edhe shumë princër shqiptar,

Ultësira kodrinore bregdetare midis Tiranës dhe Durrësit çahet mes përmes prej dy korridoresh gjeografikë: Grykës së Vorës dhe luginës së Ndroqit ku kalojnë dy rrugët natyrale që lidhin Durrësin me fushën pjellore të Tiranës dhe me malësitë e thella të Bendës, Martaneshit, Krujës, Matit dhe Dibrës. Dy korridoret e ndajnë trevën në tri pjesë:

Në veri është krahina e Prezës e quajtur dikur Skura e Madhe, në qendër shtrihet krahina e Shijakut me emrin mesjetar Skura e Vogël, në jug ndodhet krahina e Ndroqit e cila së bashku me krahinën e Kavajës e të Pezës quhej disa shekuj më parë Tumenisht. Kalaja e Prezës është ndërtuar në pjesën më të lartë të vargut kodrinor, prej nga zotërohej pjesa veriore e fushës së Tiranës dhe kontrollohej rruga me rëndësi ekonomike dhe ushtarake që lidhte Durrësin me Krujën dhe me Shkodrën.

Kodra mbi të cilën është ndërtuar kalaja është një kreshtë shkëmbi shtufore që zgjatet në drejtim veri-jug, ndërsa sipërfaqja brenda mureve ka pasur pjerrësi nga lindja në perëndim që me kalimin e kohës është niveluar deri në një farë mase. 

Kalaja ka qenë e vogël dhe e pafuqishme për luftime dhe rrethime të gjata, qëllimi i ndërtimit ka qenë vrojtimi mbi rrugët e rëndësishme ekonomike dhe ushtarake si dhe të mund të siguronte mbledhjen e taksave nga popullsia e krahinës. Sipas Barletit vendi ku u vendosën trupat turke (e ka fjalën për fushën e Tiranës) në rrethimin e Krujës 1466, qe ndërmjet qytetit të Krujës dhe qytezës së parthinëve që në këtë kohë njihej me emrin Prezë dhe ishte në gjendje gërmadhe. Sipas Lazër Papajanit kjo tregon se ishte ndërtuar kohë më parë por si një kala e dobët s’kishte mundur t’u rezistonte luftimeve dhe rrethimeve të gjata. Ndaj si periudhë e mundshme e ndërtimit të saj mund të jetë fillimi i shekullit XV-të nga Topiasit, zotëruesit e kësaj zone. 

Pasi u braktis në kohën e Gjon Kastriotit ajo nuk u rindërtua më nga i biri Gjergji (Skënderbeu). 

Legjenda e trevës thotë se këtu u martua Mamica motra e Skënderbeut, në dasmën e të cilës morën pjesë edhe shumë princër shqiptar, thuhet se bukuria e një vashe u bë shkas për një konfrontim mes Lekë Zaharisë dhe Lekë Dukagjini. Konfrontimi qe aq I ashpër sa 150 vetë u therën e u gjakosën- ndaj dhe vendi u quajt Prezë se u prenë në presë. Por nga dokumentet e shkruara një fakt i tillë nuk përmendet, dihet vetëm martesa e Mamicës me princin shqiptar Muzak Topia, dhe si rezidencë e tyre përmendet Kalaja e Petrelës. Mamica në vitet e fundit të jetës shkoi në Kepin e Rodonit, ku sipas studiuesit Teodor Ippen atje ajo ndërtoi Manastirin e motrave Klarisa pranë kishës së Sh’na Ndoit. 

Pas pushtimit të Krujës nga turqit kalaja pëson ndërhyrje ku ndërmjet të tjerave ndërtohet edhe xhamia mbi portë.