Kuzhina / 16 March 2017, 11:37

Kek me kakao dhe qumësht

toortekakaoo
Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Keku është ëmbëlsira më e thjeshtë, mund ta përgatisin të gjithë edhe ata që kanë sukses vetëm me zierjen e vezëve! Përbërësit e kekut që kemi zgjedhur sot janë edhe më të thjeshtë se përgatitja! I keni të gjithë në shtëpi…

Përbërësit për tavë me diametër 24 cm me vrimë në mes ose jo:
● 130 ml vaj ulliri me shije delikate
● 4 vezë
● 200 g sheqer pluhur
● 140 g miell
● 40 g kakao e hidhur
● 20 ml qumësht
● 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g)

Përgatitja:
Ndezim furrën në 180° C.
1.Në robot ose me rrahësen elektrike të vezëve, rrahim vezët me sheqerin për 10 minuta. Tani përdorim spatul ose lugë druri për të përzier miellin, kakaon dhe sodën, të cilat i hedhim pjesë-pjesë me sitë. Shtojmë vajin, qumështin dhe i përziejmë edhe këto me kujdes.
2.Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e kakao dhe e pjekim afërsisht për 40 minuta ose aq sa, kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. E heqim nga tava kur të jetë ftohur plotësisht.