News / 1 September 2017, 11:10

Kur hipizmi shdërrohet në stil jetese, njihuni me 6 vajzat që kanë formuar një klub kalërimi

hipizmewr

JO SHUMË LARG KRYEQYTETIT, POR MJAFTUESHËM LARG GRACKËS SË MONOTONISË, GJASHTË VAJZA KANË KRIJUAR NJË KLUB. PËR T’I BASHKUAR ATO, NUK U DESH AS MË PAK E AS MË SHUMË SESA PASIONI E DASHURIA PËR KUAJT. VESHUR ME ÇIZMET KARAKTERISTIKE TË KALËRIMIT, PANTALLONAT E BARDHA DHE BLUZAT NË STILIN POLO, VAJZAT MARRIN NJË QËNDRIM FISNIK MBI KUAJT E RACAVE TË PASTRA, SI TË ISHIN KALORËSE PROFESIONISTE.
Hingëllimat dhe trokitjet e patkonjve dëgjohen prej së largu. Instruktor Gazin dhe vajzat i gjejmë në stallë, duke përgatitur kuajt për stërvitje. Për ta, është një ditë e zakonshme, ndaj prania jonë nuk ka pse ua prish rutinën. As kuajt nuk duken të shqetësuar, për sa kohë që kanë pranë vajzat. Pasi kanë marrë dozën e ledhatimeve, dalin me radhë nga bokset për t’u pastruar, ushqyer e shaluar nga kalorëset e vogla. Duket se parapërgatitja u merr vajzave më shumë kohë, sesa stërvitja, e cila nuk i kalon 30 minuta këto ditë të nxehta vere. Mjafton të shohësh se sa të lidhura janë ato me kuajt, për të kuptuar se hipizmi nuk përfshin vetëm kalërimin në pistë apo kudo qoftë, por dhe kohën gjatë së cilës kalorësi i bën të gjitha shërbimet kalit. “Ky është pikërisht momenti, aq i rëndësishëm, kur kafsha fisnike fiton besimin e kalorësit, për të lidhur më pas një miqësi të fortë. Është pasioni ai që bën të mundur gjithçka në këtë sport. Fitimi i besimit të plotë është pika kulmore e marrëdhënies së kalorësit me kalin”, - thotë instruktor Gazi. Të gjitha vajzat e kanë ditur mirë se kjo ishte mënyra e vetme për t’u njohur dhe afruar me kuajt, ndaj asnjëra nuk ka ngurruar të bëjë gjithfarë punësh, nga ato që moshataret e tyre as nuk i imagjinojnë.

kalimash
VEÇ STËRVITJES NË PISTË, instruktori organizon bashkë me vajzat piknikë në natyrë, rreth resortit e kodrinave të fshatit Mullet, ku për 3-4 orë shëtisin kuajt, kalërojnë dhe i ushqejnë me mollë, karota e karamele. Në fundjavë, ndodh që vajzat ta kalojnë gjithë ditën në stallë e në pistë dhe në mbrëmje, të mos kenë aspak dëshirë të largohen. Profesori kujton shumë raste të tilla, duke qeshur me vajzat, por më mirë se ai nuk do të mundej t’i kuptonte askush. Vetë ai, dikur ka qenë një fëmijë çapkën që kalëronte gjithë ditën. Vetëm me kalimin e viteve, do të kuptonte se hipizmi do të shndërrohej në profesionin dhe vetë jetën e tij. Fill pas rithemelimit të Federatës Shqiptare të Sporteve me Kuaj, në vitin 1993, instruktor Gazi do të regjistrohej si kalorës, do të nderohej me titullin “Kalorës Profesionist” e, prej 5 vitesh, do të drejtonte një shkollë kalërimi, duke mësuar 36 fëmijë, nga mosha 8 deri në 16 vjeç.
KY SPORT DUKET SE PO PËRHAPET GJITHNJË E MË TEPËR dhe interesimi sa vjen e rritet, ndonëse jo me ritmet që do të donte instructor Gazi e kolegët e tij. Si çdo sport tjetër, edhe hipizmi ka vështirësitë e tij e, ndër të parat që profesori përmend, lidhet me aspektin financiar. Të marrësh mësime kalërimi e të kujdesesh për një kalë, ka një kosto paksa më të lartë sesa sported e tjera, sepse ke të bësh me një qenie të gjallë që ka nevoja. “Nëse nuk keni kohë për kuajt, nuk mund të merreni me këtë sport! - shton ai. - Në ndryshim nga aktivitet e tjera fizike, kali kërkon vëmendjen, dashurinë dhe kohën tuaj sikur të ishte një mik i shtrenjtë.” Në qendër, numërohen rreth 17 kuaj e vajzat na drejtojnë drejt një boksi ku në një pllakatë metalike, shkruhet emri Panto, që është një kalë i racës Holsteiner. Ai është kali më i vjetër në stallë, një 20-vjeçar tejet i mbajtur, që nuk e tregon aspak moshën, duke marrë parasysh se Panto, në botën e njerëzve, do të ishte plot 60 vjeç. Cora, mëzja e lindur në stallë në prill të këtij viti, hingëllin me kryeneçësi duke kërkuar vëmendjen tonë, pasi prej 3 muajsh, është e përkëdhelura e vajzave. Nga një stallë kuajsh, kjo e fundit shndërrohet në një koshere bletësh ku vajzat njëzëri duan të na prezantojnë me kuajt e tyre, ndaj nuk kemi ç’presim për t’ju treguar gjithçka rreth klubit të kalorëseve.


emarw
Ema: KALORËSJA E PARË NË FEDERATËN SHQIPTARE TË SPORTEVE ME KUAJ
Ema, ose siç e thërrasin shoqet, “zysha”, është kalorësja e parë që merr pjesë në garat e zhvilluara nga Federata Shqiptare e Sporteve me Kuaj. Ka më shumë se 10 vite që merret me kalërim dhe ishte vetëm 10 vjeçe kur kalëroi Artën, ponin e parë në resortin “Panto”, e cila këtë vit mbushi 17 vjeç. Si më e vjetra, Ema ka ndarë me mikeshat e saj shumë sekrete, të cilat i ka mësuar me kohën. Ndonëse të gjitha vajzat thonë se kanë kalin e tyre, ato kalërojnë me të gjithë kuajt e stallës, në mënyrë që të dinë të përballojnë çdo situatë dhe të njohin çdo tip kali, pasi këta të fundit nuk janë të gjithë njësoj. Të qëndrosh mbi kalë, kërkon shumë energji dhe Ema tregon se një fëmijë nuk mund të kalërojë më shumë se 30 minuta, ndërkaq, mbi moshën 13 vjeç mund të rrish më gjatë, deri në një orë. Ema ka garuar krah instruktorit e nëse vajzat e tjera mund ta kenë pasion, Ema, në një të ardhme, mund ta ketë dhe profesion.


bulurshume
REZARTA & FRENKI: “GRINDAVECET” E KLUBIT QË E KUPTOJNË NJËRA TJETRËN DUKE U PARË NË SY
Rezi është 15 vjeçe dhe merret me kalërim prej një viti. Kuajt e tërhiqnin shumë dhe kjo ishte arsyeja pse, së bashku me familjen, vizitonte shpesh resortin. Kur mësoi se në atë resort mund të kalëronte e instruktuar nga professor Gazi, nuk priti më, por u regjistrua. Ashtu si vajzat e tjera, edhe Rezi i do shumë të gjithë kuajt, por Frenki duket se është kali i saj, sepse, sipas saj, i përshtatet në karakter! Duke qeshur, vajzat pohojnë njëzëri se, si Frenki, ashtu dhe Rezi, janë “grindavecet” e grupit. Në fillim, Rezi kujton që ndiente ankth kur afrohej pranë një kafshe aq të madhe, por, pasi mësoi se Frenki dhe kuajt e tjerë ishin të stërvitur posaçërisht, i doli frika. “Besimin e kam fituar duke kaluar kohë me kuajt, duke i ushqyer, duke i përkëdhelur. Me ta, nuk është e vështirë të kuptohesh, pasi kanë gjuhën e tyre! Me të gjithë kuajt jam e lidhur, por ashtu si shoqet, kam edhe unë kalin tim të preferuar, Frenkin, me të cilin jam shumë e lidhur shpirtërisht.”


efambikal
Efa dhe karakteri i njëjtë me kalin e saj
Efa merret me hipizëm prej rreth 3 vitesh. Ishte dashuria për kafshët e veçanërisht për kuajt, ajo që e shtyu të merrej me një sport të tillë. Duke qenë një sport i veçantë e jo shumë i përhapur në Shqipëri, hipizmi e tërhoqi Efën që në moshën 13-vjeçare. Ajo kujton me mall kohën kur kalëronte sipër Malborit, ponit mistrec. “Nga tre vite kalërim, kam kuptuar që ponit janë raca më tekanjoze dhe më e pabindur krahasuar me kuajt e tjerë. Ponit janë të lëvizur dhe të pamatur, si fëmijët.” Ndonëse ka kalëruar dhe ka pasur lidhje me shumë kuaj, ajo që i vodhi zemrën, ishte Alba. “Alba ka lindur në të njëjtin vit me mua, është moshatarja dhe shoqja ime më e mirë! Me të u kuptova që në çastin e parë. Është shumë inteligjente dhe e ndjeshme.” Duket e habitshme, por Efa thotë se Alba ka të njëjtin karakter si ajo, ndaj ka ndodhur dhe kjo alkimi. “Kalërimi ka luajtur rol kyç në formimin e personalitetit tim. Më ka bërë më të fortë, më të pavarur dhe me më shumë vetëbesim. Mësova t’u kushtoja vëmendje detajeve e të kisha në kontroll emocionet dhe një kalë të gjatë gati dy metra.”


nalizsa
Klelia “PËR HERË TË PARË KAM KALËRUAR SHILËN E, QË PREJ ASAJ DITE, NUK E KAM NDËRRUAR ME ASNJË KALË TJETËR
Ndryshe nga moshatarja e saj, Flana, për Klelian, takimi i parë me Shilën, kalin e saj të parë e të vetëm, ka qenë
një rastësi! Klelia e kujton mjaft mirë drekën familjare atë mesprilli vitin e kaluar, kur bëri xhiron e parë me kalin e bardhë dhe po atë ditë, vendosi që pas notit, ky do të ishte sporti i radhës me të cilin do të merrej. Pasi mësoi që në atë resort jepeshin mësime kalërimi, Kleila shprehu dëshirën për t’u regjistruar dhe për të mësuar gjithçka rreth botës së kuajve. Ndonëse vogëlushja ka krijuar lidhje me të gjithë kuajt, pasi vajzat kalojnë shumë kohë në stallë, Shila është shoqja më e mirë për të, ajo me të cilën flet e kuptohet me sy që ditën e parë kur e takoi.


nlalia
Nalisa: QETËSINË SHPIRTËRORE E GJEJ VETËM ME KUAJT.”
Nalisa është 16 vjeçe dhe ka filluar të merret me hipizëm që në klasë të dytë. Katër vitet e fundit, ajo ishte shkëputur nga ky sport, por para gjashtë muajsh, iu rikthye për të mos e lënë më. Më herët, Nalisa është marrë me basketboll, tenis, patinazh, not, por duket se hipizmi kishte avantazh kuajt, qeniet e gjalla që ia vodhën zemrën dhe e bënë t’i rikthehej këtij sporti. “Vetëm duke parë kalin, arrij qetësi shpirtërore. Është sport shumë i bukur dhe fisnik.” Shila dhe Frenki janë kuajt më të trajnuar për fillestarët dhe i binden çdo komande të Nalisës. Ndonëse pa mbushur një vit që merret me kalërim, Nalisa është lidhur ngushtë me kuajt dhe duket se i kupton përmes syve. Ajo është në fazën e parë dhe pas trokut, do të mësojë galopin, kapërcimin me pengesa dhe disiplina të tjera.


flanaa
Flana DHE SHOKU I SAJ I NGUSHTË, PINO
Flana, më e vogla e grupit, ka filluar të merret me hipizëm më herët se të gjitha shoqet e saj, madje duke thyer dhe rregullin e Federatës së Hipizmit, sipas të cilit, një fëmijë mund të merret me këtë sport pas moshës 8-vjeçare. Ajo ishte vetëm 7 vjeçe kur shkonte pas së motrës, Efës, dhe më shumë se një kalorëse, muajt e parë ishte një vizitore e rregullt dhe vëzhguese e vëmendshme ndaj detajeve edhe më të vogla. Pas tre vitesh, Flana ka mësuar jo vetëm çdo sekret që e bën një kalorëse të shkëlqyer, por dhe çdo stil kalërimi, si: trok, galop dhe kërcim me pengesa. Sipër ponit të saj pullali, Pinos, Flana bën figura që do të linin gojëhapur moshatarët e saj e jo vetëm.
NGA Frensis Lloji | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj