News / 3 July 2026, 19:53

Marina Orikum mirëpret edicionin e 15-të të Regatës Ndërkombëtare Brindisi- Vlorë/ Festa e detit që bashkon dy brigjet e Adriatikut

Marina Orikum, e para dhe e vetmja marinë aktive në Shqipëri, më 3-4 korrik, do të jetë edhe këtë vit porta mikpritëse e një prej ngjarjeve më prestigjioze të lundrimit në Mesdheun Lindor, duke mirëpritur edicionin e 15-të të Regatës Ndërkombëtare Brindisi-Vlorë, një traditë që prej vitesh forcon lidhjet mes Italisë dhe Shqipërisë përmes sportit, turizmit dhe kulturës detare.

Më shumë se një garë velash, kjo regatë përfaqëson një urë miqësie mes dy brigjeve të Adriatikut, ku pasioni për lundrimin bashkon ekuipazhe nga vende të ndryshme në një sfidë sportive të nivelit të lartë dhe në një përvojë unike njerëzore. Marina Orikum, si destinacion modern i nautikës shqiptare, konfirmon edhe një herë rolin e saj si qendra pritëse e këtij eventi me rëndësi ndërkombëtare, duke ofruar mikpritje dhe infrastrukturë të standardeve më të larta.

Regata, e cila nis nga porti i Brindisit dhe përfundon në Gjirin e Vlorës, pas një itinerari prej rreth 70 miljesh detare, mbledh në garë jahte monohull dhe multihull, ndërsa është e vlefshme për shpalljen e Kampionit Italian “Offshore ORC”. Fituesi që mbërrin i pari në kohë reale do të nderohet me Trofeun e Mikpritjes, simbol i mirëseardhjes shqiptare, ndërsa do të ndahen edhe Trofeu Mirko Gallone për fituesin absolut ORC, si dhe çmime për ekuipazhet më të mira në kategoritë respektive.

Atmosfera festive do të vijojë në Marina Orikum edhe pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ku do të organizohet një After Party Live, duke e shndërruar mbylljen e regatës në një festë të vërtetë të detit. Mbrëmja do të sjellë në skenë dy emra të njohur të muzikës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka, të ftuar specialë që do të interpretojnë për sportistët, vizitorët dhe komunitetin e lundrimit.

Ky aktivitet forcon pozicionin e Vlorës dhe të Marina Orikum si një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për turizmin detar në rajon, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, sportin dhe mikpritjen shqiptare në brigjet e Adriatikut.