
Dita Botërore e Turizmit, ja sa milionë turistë udhëtuan në 7 muajt e parë të 2023
Sot në mbarë botën festohet Dita Botërore e Turizmit . Fokusi i këtij viti është te “ investimet e gjelbra ”, q...
Kryeredaktore: Santana Çomora
Hair & Make up: Gerta Shehu, GStudio
Fotografia: Ergys Zhabjaku
Xhubleta u realizua nga kostumografja: Edlira Sulaj, Tradita.al
Design: Aldo Beshiri
Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit e nën petkun e saj, avokatja e mirënjohur ndërkombëtare, Rudina Jasini, vjen në një editorial ndryshe, me emocionin e bukur të historisë që mbart, vlerave të padiskutueshme dhe përjetimit kur e ndjen në lëkurë këtë veshje unike. Të dokumentosh kaq bukur xhubletën, nën objektivin e fotografit, Ergys Zhabjaku, e cila këtë vit u pranua nga UNESCO, është deri diku një ngjarje e madhe që rimerr forcën e saj nga përjetimet personale të Dinës, e cila erdhi posaçërisht nga Londra për këtë set fotografik.
Xhubleta më është dukur gjithmonë një veshje po aq magjike sa dhe mistike, tek e cila gjejnë shprehje kode dhe detaje të trashëguara në shekuj dhe të realizuara me aq hijeshi dhe përsosmëri. Frymëzimi për këtë projekt në fakt filloi në “Universitetin e Oxford-it”, gjatë një takimi ku diskutohej trashëgimia kulturore dhe ruajta e saj në shoqëritë post-konfliktuale. Ishte pikërisht koha kur xhubleta, kjo pasuri e trashëgimisë sonë kulturore u deklarua si pasuri e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ishte nje lajm vërtet i bukur, dhe që me bëri të ndjehesha krenare që dijebërja e veshjes së xhubletës katërmijëvjeçare ishte tashmë pasuri e gjithë njerëzimit. Ky kostum madhështor mbart me vete shumë histori dhe vlera kombëtare dhe njerëzore.
Më pas, ishte miku im dhe fotografi shumë i talentuar Ergys Zhabjaku, i cili më tregoi fotot e xhubletës të realizuara prej tij me aq mjeshtëri për një projekt në Tiranë. Aty lindi edhe ideja për këtë set fotografik. Ne fakt, mendoj se është pasioni për trashëgiminë kulturore dhe të bukurën, i gërshëtuar edhe me një ndjenjë të fortë atdhedashurie, që ndajmë unë dhe Ergysi, që solli këtë krijim. Në një mënyrë u bashkuan vizioni, energjia e mirë dhe mbështetja e disa miqve në Tiranë për t’u kujdesur për çdo detaj. Ajo që u realizua është një kujtim i bukur dhe që do të mbetet i shtrenjtë për mua.
Ndjesia që kam provuar teksa e mbartja ishte shumë e veçantë. Ky kostum i rëndë, me aq detaje, me format perfekte të një kambane, edhe pse të mbante shumë të lidhur me tokën, përsëri të jepte një ndjesi sikur lëvizje në ajër dhe të ndiheshe si zana e Bjeshkëve.
Duhet t’i jemi të gjithë mirënjohës zonjave të Shqipërisë së Veriut që kanë ditur të ruajnë dhe ta trashëgojnë brez pas brezi njohurinë e të punuarit me dorë të këtij kostumi kaq unik. Kjo veshje kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe dhe të qëndisura me figura simbolike është një vepër arti.
Gjithashtu, këtu është për t’u përgëzuar edhe Ministria e Kulturës që e ktheu në një mision të saj përgatitjen e dosjeve të xhubletës për UNESCO, dhe që arriti që kjo veshje, simbol i trashëgimisë tonë të jetë tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.
Dr. Rudina Jasini është avokate dhe studiuese e së drejtës penale ndërkombëtare dhe e të drejtave të njeriut. Si studiuese pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Oxford-it ajo është e angazhuar në drejtimin e një projekti të Këshillit Kërkimor Ekonomik e Social të Mbretërisë së Bashkuar “Impakti i pjesëmarrjes së viktimave në Gjykatën Penale Ndërkombëtare: Zhvillimi i platformave për bashkëpunim”. Ky projekt është zhvilluar në bashkëpunim me Zyrën e përfaqësimit ligjor të viktimave dhe Dhomën e avokatisë pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Rudina është gjithashtu avokate në mbrojtjen e një prej të akuzuarve në çështjen Thaçi dhe tre të akuzuarve të tjerë pranë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, në Hagë.
Rudina ka mbaruar studimet për doktoraturë (DPhil) dhe master (MSc) në kriminologji dhe drejtësi Penale në ‘’Universitetin e Oxford-it’’, studimet për Master (LLM) në të drejtën ndërkombëtare në fakultetin e drejtësisë në ‘’Universitetin e Georgetown-it’’, si dhe studimet për drejtësi në fakultetin e drejtësisë në ‘’Universitetin e Tiranës’’. Ne vijim, ajo ka zhvilluar studimet e post doktoraturës pranë fakultetit të drejtësisë në ‘’Universitetin e Oxford-it’’ dhe pranë ‘’Qendrës për të drejtat e njeriut dhe drejtësisë globale’’ në ‘’Universitetin e New York-ut’’. Ajo gjithashtu ka zhvilluar studime kërkimore pranë fakultetit të drejtësisë në ‘’Universitetin e Harvard-it’’, Institutit për të Drejtën Penale Ndërkombëtare të ‘’Max Planck’’, si dhe ka ligjëruar në universitetet më prestigjioze në botë. Në 2015-n, Rudina është zgjedhur anëtare e Komitetit të së Drejtës Penale Ndërkombëtare të Shoqatës për të Drejtën Ndërkombëtare. Dhe së fundmi, në vitin 2023, ajo është zgjedhur anëtarja më e re e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Sot në mbarë botën festohet Dita Botërore e Turizmit . Fokusi i këtij viti është te “ investimet e gjelbra ”, q...
Djali i yllit të famshëm të muzikës botërore, Madonna-s, ka festuar ditëlindjen e 18, i cili tashmë konsiderohet si një...
Kemi dëgjuar vazhdimisht të flitet për ëndrrën amerikane, tokën e premtuar të mundësive të mëdha dhe s...