Personazh / 16 Qershor 2023, 17:21

Nga prapësitë e fëmijërisë te lidhja speciale me dy vajzat dhe mbesën, Robert Ndrenika të gjitha dritëhijet e 81 viteve jetë

Nga prapësitë e fëmijërisë te lidhja speciale me dy

Robert Ndrenikën kam dashur gjithmonë ta intervistoj. Ai u përpoq të më bindë këto dy vitet e fundit se nuk kishte asnjë shpresë për një rrëfim publik rreth jetës së tij. Nuk iu qepa asnjëherë, sepse në ka një gjë që më duket e dhunshme është bezdisja ndaj tjetrit që ngatërrohet shpesh me këmbënguljen. Nga ana tjetër, vetë nuk hoqa dorë nga ideja për një podcast me të, derisa e gjeta shtegun. Në këtë podcast ylli shqiptar, Robert Ndrenika, flet që nga fëmijëria e deri sot, 81 vjeç, me një mendje të freskët e memorie brilante, sigurisht me humor fin dhe një origjinalitet që veç një njeri i ngopur me jetë e ka.

Nuk i pëlqen më të lëvizë shumë! Në fillim u stepa kur më tha që intervistën do ta regjistronim në kafenenë e preferuar të tij. Domethënë një kafe lagjeje. Okay, i thashë. Unë kam pritur të ftuarit e mi për dy vjet në një sallë teatri, këtë herë po vij unë tek teatri "Robert Ndrenika"! Në këtë intervistë, Robert Ndrenika që konsiderohet një figurë përbashkuese e shqiptarëve, flet për ditët e mira dhe të vështira, për kryqëzime fatesh, rastësish. Dashurinë me Poliksenin, por edhe një sinqeritet për martesën që do ju bëjë buzagaz. Filmin që zbuti Enver Hoxhën, rolet negative që ia jepnin si “ndëshkim”, por që i rezultuan bekim dhe përcaktuan famën e tij dhe suksesin me publikun shqiptar.

Hyrja dhe dalja nga politika në vitet `90, dhe së fundmi edhe debati për Teatrin Kombëtar. Çfarë bën ai sot? Si ndjehet një njeri që ka bërë jetën që ka dashur që fëmijë dhe që jeton në një vend ku të gjithë e duan pa kushte? A do donte dhe a do ishte më mirë sikur të kishte lindur në epokën e internetit?

Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: I dashur Ndrenikë, faleminderit që më the Po dhe para se të të pyes, dua t`ju falënderoj që ndërruat mendje ndoshta për një nga zotimet më kokëforta të jetës tuaj, për të mos dhënë intervistë jete. Më shumë sesa meritë e imja, them se është e juaja. Njeriu e ka më të vështirë të ndryshojë mendjen e vet ndonjëherë.

Robert Ndrenika: Tani ti më bëre komplimente mua, po unë megjithëse je shumë e bukur, e dashur, e mirë nuk po të bëj komplimente. Tani fillojmë.

Mira Kazhani: E nisim me fëmijërinë tuaj. Cili është kujtimi më i fortë që keni nga fëmijëria? Ndoshta diçka me nënën, me babain, me vëllain, me një shok. Çfarë ju vjen ndërmend kur shkoni në fëmijëri?

Robert Ndrenika: Një fëmijëri e qetë, i urtë. Shokëve iu thashë një histori.

Mira Kazhani: Na e thuaj dhe neve!

Robert Ndrenika: Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj, etj. Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin te radha e burrave. Radha ishte: një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha te burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: 'O baba, ç`më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë'.

Mira Kazhani: Çfarë tha babai?

Robert Ndrenika: Më këputi një të sharë që nuk thuhet këtu. Edhe unë diçka kuptova. Mbylla gojën edhe nuk fola më.

Mira Kazhani: Duhet mbyllur goja ndonjëherë në jetë.

Robert Ndrenika: Uaa. Duhet mbyllur. Gojën po e mbyllim edhe sot.

Mira Kazhani: Çfarë e keqe të vjen nga fjala?

Robert Ndrenika: Thonë disa që gjuha hekur s`është, po hekur thyen.

Mira Kazhani: Meqë ishim në fëmijëri, dua të rri pak tek nëna juaj. Si e kujtoni nënën?

Robert Ndrenika: Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e Gjuhës, e Gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë. Natyrisht babai njëçik më i rreptë.

Mira Kazhani: Si baballarët në përgjithësi.

Robert Ndrenika: Nuk ma mësuan greqishten që flisnin bashkë. Nuk ma mësuan se u kuptoja sekretet. (qesh) Kur vinte babai kuptoja që mëma i thoshte greqisht ca zullume të miat. Unë e ndjeja këtë gjë. Ai më thoshte mbas pak “Ke bërë këtë, ke bërë atë”.

Mira Kazhani: E mësove vetë greqishten më vonë?

Robert Ndrenika: Në pleqëri diçka. Se m`u desh që të vija herë pas here në Greqi. Mësova sa për të blerë speca, sa për të blerë domate, gjëra të zakonshme.

Mira Kazhani: Origjina juaj është nga Vunoi?

Robert Ndrenika: Origjina është Vunoi. Por të ikur nga Vunoi, të vajtur në kurbet edhe mamaja, edhe babai. Vonë, vonë nga kurbeti u kthyen, erdhën në Tiranë kur këtu u bë monarkia e Zogut. Bënë edhe një shtëpi këtu në të cilën unë kam lindur sot e 81 vjet më parë. Edhe në maternitet nuk kam qenë. Këtu në këtë shtëpi edhe kam lindur, banjo edhe sot e kësaj dite.

Mira Kazhani: Në atë kohë nuk ka qenë nocioni ‘adoleshent’ siç themi sot, po si keni qenë ju gjimnazist?

Robert Ndrenika: Gjithmonë kam qenë njëçik më i vogël se të tjerët. Duke qenë arsimtare mëma, më kishte futur jo 7 vjeç, por më pak se 6 vjeç. Të mesmen e kam mbaruar në moshën 16-vjeçare. Gjithmonë me dëshirën që të bëhesha aktor. E kisha këtë dëshirë që i vogël. Shihja nxënës shkolle që luanin teatër dhe desha t`i imitoja. Rashë si të thuash në dashuri me këtë profesion. Shkoja nëpër Shtëpi Pioneri, nëpër Pallate Kulture paralelisht edhe me gjimnazin. Në gjimnaz kam qenë nxënës jo shumë i mirë, po jo dhe shumë i keq. I kam kaluar të gjitha vitet. Nuk kam mbetur ndonjëherë provim për vjeshtë. Kur mbarova gjimnazin babai nuk e kishte qejf këtë profesion që mora unë. Donte gjëra praktike.

Mira Kazhani: Inxhinier.

Robert Ndrenika: Inxhinierinë donte shumë. Bëri ç`bëri, dhe në fillim e drejta e studimit më doli për Inxhinieri Mekanike. Vajta ca kohë atje. Bëra ca gafa - që mund t`i them ndonjëherë tjetër - edhe ika. Ika dhe prisja që të hapej shkolla e aktorëve. U hap shkolla e aktorëve. Vajta dhashë konkurs aty, por nuk fitova radhën e parë.

Mira Kazhani: Nuk fituat! Robert Ndrenika nuk e ka fituar konkursin për herë të parë.

Robert Ndrenika: Nuk fitova. Edhe një Shpëtim Shëmilli i Elbasanit, edhe një Pëllumb Kulla që është dramaturg, regjisor, edhe ai nuk ka fituar.

Mira Kazhani: Por nuk hoqët dorë nga ëndrra?

Robert Ndrenika: Jo nuk hoqëm dorë. Vitin tjetër që u bë konkursi u futëm të tre madje, pa u njohur me njëri-tjetrin. Vitin tjetër fituam dhe fati ishte që ishim në një kurs katër vjet, për aktor.

Mira Kazhani: Ju pëlqenin se ishit i pashëm apo se kishte tek ju shumë talent në aktrim? Si ka ndikuar paraqitja juaj?

Robert Ndrenika: Radhën e parë më skarcuan sepse isha pak a shumë minoren në trup edhe në bukuri. Isha i paformuar. Gjatë shkollës pedagogët më zbuluan këtë anën profesionale, anën e talentit.

Mira Kazhani: Cila ishte pika juaj e fortë sipas pedagogëve të kohës?

Robert Ndrenika: Profesorë kam pasur Luarasin dhe Spahivoglin, ose Spahivoglin dhe Luarasin. Njëri kishte studiuar në Rusi, tjetri në Hungari. Pedagogë shumë të mirë. I ndrittë shpirti atje ku janë.

Mira Kazhani: Kur e takove Poliksenin, dashurinë tënde të jetës? Gjatë kohës kur ishe student?

Robert Ndrenika: Student.

Mira Kazhani: Ku u takuat për herë të parë?

Robert Ndrenika: Këtu në Tiranë. Edhe ajo kishte bërë Liceun Artistik. Mirëpo unë nga eksperienca e familjes time, edhe nga ajo që shihja aktorë burrë e grua në një punë, që në fillim mbase ishin, po pastaj kishte edhe sherre dhe konflikte dhe nga eksperienca që mëmën e kisha arsimtare, ishte më e lehtë puna dhe ndërroi degën Polikseni, u bë arsimtare për Gjuhë-Letërsi.

Mira Kazhani: E bëri për ju këtë sakrificë? Ia kërkuat ju apo e bëri vetë se e ndjeu, për dashurinë tuaj?

Robert Ndrenika: Po të dyja mund të thuash. Edhe njëra, edhe tjetra. Po nuk i doli keq edhe si arsimtare, për arsyen se bëri dy vajza. U bë një familjare e mirë, kurse teatri ka qenë i vështirë, jo vetëm për atë, po ka qenë i vështirë për turnera, për familjarët ka qenë i vështirë.

Mira Kazhani: Edhe për burrat po thoni, sepse duhet të ikje nga shtëpia.

Robert Ndrenika: Një shembull është i ndjeri Sandër Prosi. Nuk na dilte dieta, edhe thoshte: Ore s`dua dietë. Mbajeni juve dietën. Mua më jepni vetëm për të ngrënë. Më jepni dy paketa Partizani (cigare), dy kafe, edhe s`dua dietë. Se puna ishte të mos merrnim nga rroga. Rroga duhej për në shtëpi, për familjen.

Mira Kazhani: Keni shkuar shumë mirë me Poliksenin.

Robert Ndrenika: Relativisht mirë.

Mira Kazhani: Pse thua ‘relativisht mirë’?

Robert Ndrenika: Po se s`ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç`bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s`mund të thuhen këtu.

Mira Kazhani: Jo nuk do t`i themi, por më pëlqen sinqeriteti juaj.

Robert Ndrenika: E dinë gratë e aktorëve se ç`kanë hequr (qesh).

Mira Kazhani: E di dhe Polikseni.

Robert Ndrenika: Po edhe ajo e di atje ku është, në Shën Spiridhon.

Mira Kazhani: Ka qenë xheloze Polikseni? I linit vend vetes ju për xhelozi?

Robert Ndrenika: Edhe mund të ketë qenë.

Mira Kazhani: Je rrethuar me vëmendje grash Robert Ndrenika? Si reagoje? Ta përkëdhelte sedrën kjo?

Robert Ndrenika: Më duket se tani në pleqëri, ja kam vënë re që ti ke filluar të më… (qesh)

Mira Kazhani: Po, unë po flirtoj pak (qesh). Ju jeni baba i dy vajzave. Jeni i rrethuar me gra në shtëpinë tuaj. Elena jeton në Gjermani, ndërsa Diana në Tiranë. Kanë emra të bukur që të dyja. Udhëtoni shpesh për tek Elena në Gjermani?

Robert Ndrenika: Jo. Kam 2-3 vjet që nuk udhëtoj. Nuk iki nga Tirana më. As në Korfuz nuk vete.

Mira Kazhani: Korfuzi ka qenë destinacion i bukur për ty? Ke kujtime të mira?

Robert Ndrenika: Po, se kemi një copë shtëpi, një copë banesë aty.

Mira Kazhani: Kur shkoje në Gjermani si të dukej jeta atje?

Robert Ndrenika: Ditët e para mirë, por pastaj mërzitesha. Më kujtohej vetëm Heine që kishte Gjermania “Përrallë dimri”. Nuk ishte ndonjë përrallë kushedi se çfarë në dimër.

Mira Kazhani: Kur u takuam bashkë, më the një shprehje në greqisht, që krahasoje Shqipërinë me Gjermaninë. Kur të pyeta nëse të pëlqente atje, më the diçka që ishte e nënës. Nuk e di nëse mund të ma risjellësh se më ka pëlqyer shumë.

Robert Ndrenika: “Spiti spitaqi palo kalivaqi”, domethënë “Shtëpi, shtëpiza ime sado e vogël, po qoftë edhe kasolle e keqe, është shtëpia ime”.

Mira Kazhani: Është Shqipëria.

Robert Ndrenika: Po.

Mira Kazhani: Çfarë raporti ke me Tiranën?

Robert Ndrenika: Raportin më të mirë, sidomos me këtë vendin këtu që ka lulëzuar dhe bliri tani.

Mira Kazhani: Edhe në intervistën tonë kushti yt ishte që ta bëjmë në kafen tënde të preferuar, që është një kafe normale në fakt.

Robert Ndrenika: E mira do ishte ta kishim bërë atje përjashta.

Mira Kazhani: Te bliri do doja dhe unë.

Robert Ndrenika: Te bliri.

Mira Kazhani: Ka shumë zhurmë atje.

Robert Ndrenika: Edhe njerëz.

Mira Kazhani: E mira është që ne po flasim dhe po bëjmë bashkë një bisedë. I dashur Ndrenikë, për këtë intervistë ka bashkëpunuar shumë me mua mbesa juaj, Ana Maria. Ishte e rëndësishme për të që ju të jepnit një rrëfim. Madje më tha sa më modern. Siç është gjyshi në të vërtetë. Autoironik, modern dhe i jashtëzakonshëm. Ajo më tha se ju do më shumë edhe se vetë prindërit e saj. Pse mendon që ke këtë raport kaq të veçantë me mbesën?

Robert Ndrenika: Ajo është paksa e përkëdhelur, por mua ma ka bërë qejfin sepse është si ajo që nuk e prisja të më dilje kaq i mirë (qesh).

Mira Kazhani: Është doktoreshë e mirë.

Robert Ndrenika: Doktoreshë e mirë. Ka sukses në profesion. Ana në shkollën fillore filloi me Anglisht. Nga italishtja nuk dinte fare. Dinte vetëm filmat e animuar dhe arriti në shkojë në shkollë për Mjekësi në italisht, tek Zoja e Këshillit të Mirë. Mbaroi studimet për mjeke në gjuhën italiane.

Mira Kazhani: Jeni krenar për Ana Marian.

Robert Ndrenika: S`më ka lënë mundësi tjetër. Duhet ta vlerësoj për këtë.

Mira Kazhani: Çfarë i këshillon Ana Marias? Të punojë shumë apo ta jetojë jetën shumë?

Robert Ndrenika: Të dyja. Jo jetë që ta jetojë qëllim në vetvete, prandaj të dyja paralel.

Mira Kazhani: Çfarë uron për të?

Robert Ndrenika: Shëndet në radhë të parë. Se me çështje shëndeti kemi ca telashe.

Mira Kazhani: I kemi të gjithë në çdo shtëpi.

Robert Ndrenika: Shëndet në radhë të parë. Them që shëndeti është pasuri.

Mira Kazhani: Në 81 vjet eksperiencë me jetën çfarë ke mësuar? Përveçse shëndeti është shumë i rëndësishëm… Çfarë të bën të jesh një njeri në harmoni me veten tënde? Të bën suksesi? Të bën familja e lumtur? Të bën një mendje e fortë, e shëndetshme…?

Robert Ndrenika: Nuk di si të përgjigjem, por di që jam nga ata që e falënderoj Zotin dhe jetën për kaq sa kam arritur.

Mira Kazhani: E ndjeni veten me fat?

Robert Ndrenika: Deri diku e ndjej veten me fat.

Mira Kazhani: Ke një dëshirë apo një peng që s`është plotësuar?

Robert Ndrenika: Ç`të të them? Të isha milioner? Edhe po të isha milioner do falja majtas-djathtas. Ç`i desha të gjitha? Më kritikon njëra nga këto vajzat. Je minimalist më thotë. Nuk kam qenë shumë.

Mira Kazhani: I etur pas parasë?

Robert Ndrenika: Po. Edhe pas pasurisë. Më pëlqente një frazë që thoshte një burrë i vjetër që para as kam, as më mbarohen.

Mira Kazhani: Ky jeni ju!

Robert Ndrenika: Po kështu jam edhe unë.

Intervistën e plotë e lexoni duke klikuar në Robert Ndrenika: Jeta ime me fat (deri diku), Burimi "Tirana Post"

Horoskop