Dashuria e madhe e Margarita Xhepës, aktorja rrëfehet si rrallë herë për bashkëshortin
Në jetën e Margarita Xhepës ishte një dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave, megjithatë i ba...
Nga Doreda Mio
E qeshura e tyre theu zhurmën e dallgëve të detit atë mëngjes herët. Ato erdhën të katërta. Vajza të reja. U ulën në tavolinën ngjitur në barin e plazhit. Porositën nga një Coca Cola dhe flisnin e qeshnin. Në një moment të caktuar u zhveshën dhe ua pata zili guximin e tyre rinor për t’u larë në det aq herë. Mirëpo u çudita kur në vend të vraponin drejt detit, ato nxorën nga çantat dhe veshën sandale me taka dhe ca si fustane të shkurtra.
Kulmi i hutimit tim arriti kur me kujdes të madh u duk një shishe shampanje dhe dy gota. Pastaj dyshe-dyshe filluan fotografitë me turne. Dy pozonin me buzët e gjoksin sa më përpara dhe të pasmet sa më pas, duke u përthyer që t’u dukeshin sa më të mëdha. Merrnin ca poza të çuditshme me sytë vëngër, ndërkohë dy të tjerat kacavirreshin dhe bënin foto me një zell për t’u admiruar.
Kur i shihje tek pozonin dukeshin sikur ishin klonuar, identike njësoj të njëjtat gjeste të njëjtat qëndrime, të njëjtat buzë, gati-gati si fotokopje e njëra tjetrës. M’u qesh me veten time kur një herë tjetër në një nga plazhet më “IN” të jugut, më saktë në zonën e tualeteve ku gjeja strehim për të shpëtuar nga muzika në kupë të qiellit në pikë të drekës, i mora për binjake nja dy vajza që lyheshin. U kthjellova, vetëm kur pashë me vëmendje njërën që vinte qerpikë falsë dhe tjetrën që mundohej të bënte flokët me onde (kuptohet për në plazh ) me një mashë flokësh gjigante.
Po pse të ngjash si personazhet e famshëm është diçka që po e synojnë shumica? Si arritëm deri këtu? Ishin vitet 40-50 të qindvjeçarit që shkoi, lexova në një artikull, kur aktoret filluan të shfaqeshin nëpër revista si ikona të bukurisë. Nga atëherë u duk ndikimi i bukurisë së tyre në kopjimin e imazhit. E nëse asokohe me një gërshërë për flokët, disa ngjyra sysh, një të kuq buzësh ishe në rrugën e duhur, në ditët e sotme të internetit e rrjeteve sociale kemi ndërhyrjet plastike e trajtimet estetike për më të guximshmit dhe filtrat e telefonit për ata më pak…
Psikologët thonë se kjo ndodh se ndihemi të pasigurt për pamjen tonë. Jemi në konkurrencë të vazhdueshme me influencers, por sidomos nuk duam të shihemi apo ndihemi të përjashtuar , “debilja e grupit” nëse flas me termat e të rinjve. A ka zgjidhje për këtë ? A mund të ketë kthim pas?
Seti fotografik vazhdoi ndonjë orë. Në momente të caktuara mblidheshin kokë më kokë dhe ulërinin: “Ua yll, ua nam”. Kur i pashë përsëri kishin veshur sërish xhinset e bluza dhe po pinin Coca-Cola. Ishin zhytur gjithësecila në telefonin e vet. Nga veshjet, këpucët dhe sidomos gotat e shampanjës s`kishte mbetur asnjë gjurmë. “Duken më bukur kështu veshur”, -kisha menduar me zë të lartë se menjëherë dëgjova zërin e tim biri: “Ke dy orë që sheh seç bëjnë të tjerët, shumë bukur duken edhe kështu veshur edhe ashtu zhveshur”. U ngrit e iku pikërisht në momentin që po mendoja t’i kërkoja të më bënte një foto me bregun e detit në sfond. Nuk më mbetej veçse t’u lutesha vajzave për një set fotografik, por unë veshur sigurisht, po pse jo me ndonjë gotë shampanjë në dorë.
Si përfundim kur në darkë, dritat fiken dhe mbyllim sytë për të fjetur, beteja me botën mbaron dhe fillon beteja më e fortë, ajo me veten, për zgjedhjet që kemi bërë apo nuk kemi bërë. Nëse në mëngjes kur sapo hapim sytë dhe shohim përpara pasqyrës një model origjinal, të vetmin në botë, mbase jo perfekt apo një model të rregulluar për të arritur përsosmërinë, e rëndësishme është mos jemi penduar.
Në jetën e Margarita Xhepës ishte një dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave, megjithatë i ba...
Këngëtarja e famshme Taylor Swift duket se nuk i interesojnë komentet e fundit të Scooter Braun. Pas grindjes së tyre pesë vjet ...
Reperi i njohur Bardhi ka marrë vëmendjen e ndjekësave kohët e fundit për shkak të një mbarëvajtjeje jo të mir&eu...