Personazh / 14 Korrik 2023, 18:40

Intervistë ekskluzive me Pierre Ravan: "Spiritualiteti është arti i zemrës"

Intervistë ekskluzive me Pierre Ravan: "Spiritualiteti është

DJ, producent, mësues i certifikuar i Yoga-s, trajner i Meditimit të Zemrës, bashkëpunëtor i modës së nivelit të lartë dhe drejtues  i klubeve më të njohura në botë. Është e drejtë të thuhet se Pierre Ravan ka bërë më shumë se shumica, gjatë tre dekadave të prezencës  të tij në  botën e muzikës, kërcimit dhe modës. E mbasi lexon përshkrimin e  shkurtër mbi sukseset e tij,  ose siç e quajnë ndryshe të DJ-it Spiritual, pyetja e parë që të vjen në mendje, është: Pse Pierre Ravan ndodhet në Shqipëri dhe çfarë lidhje ka ai me parfumet ?

Sigurisht që ne të Living patëm fatin e madh ta takonim dhe të inspiroheshim nga Z. Ravan, energjia që ai përçon, filozofia e tij e jetës, të cilën ai e integron në çdo projekt mode, muzike apo rritjeje personale. Megjithatë e veçanta e bisedës me z. Ravan, u kuptua fill pas prezantimit dhe fjalive të para që shkëmbyem, mbi të gjitha nga pyetja që ai më drejtoi: “ Çfarë je duke bërë për zemrën tëndë? Si kujdesesh ti për zemrën tënde ?”

Kështu midis rrëfimeve personale dhe visherale nisa të zbuloj z.Pierre Ravan dhe parfumet ETERNAL JOURNEY, tre parfume që përfaqësojnë ciklin 24-orësh të udhëtimit njerëzor : Sunrise to Sunset', 'Sunset to Midnight' dhe 'Midnight to Sunrise'. Ato janë punuar me dashuri nga FIRMENICH dhe Pierre Ravan. Parfumet ETERNAL JOURNEY gjenden në dyqane në Francë, Gjermani, Katar dhe Shqipëri te parfumeri Le Parfum Tirana.

Spiritualiteti është arti i zemrës

Living: z. Ravan, çfarë do të thotë DJ spiritual ? 

Pierre Ravan: Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje duhet të shpjegoj se çfarë do të thotë të jesh spiritual. Po, unë lakohem si DJ Spiritual, por un gjithashtu  luaj muzikë në klube natë, ku ka drogë, ka prostitucion, ka lluks dhe është normale të pyesësh se si mund të jetë dikush i tillë edhe njeri spiritual. E them këtë, sepse mendoj që njerëzit shpesh herë ngatërrojnë kuptimin e fjalës ‘spiritual” dhe do të doja të sqaroja këtë si fillim.

Kur mendon spiritualitetin gjëja e parë që të vjen në mendje është religjioni, pa kuptuar që spiritualiteti është: arti i zemrës. Mos e harro, është arti i zemrës. Spiritualitet do të thotë që ti vetëdijësohesh që çdo gjë ndodhet brenda teje dhe që s’ka asgjë tjetër jashtë. Ajo që ndodhet jashtë nesh është thjeshtë iluzion. Kur kemi qenë në mitrën e nënës, gjurmën e parë të ekzistencës e kemi dhënë nëpërmjet rrahjeve të  zemrës. Kur nuk ka ende asnjë organ tjetër,  ti mund të ndiesh zemrën.  Prandaj themi që spiritualiteti është e ndërlidhur me të ndierit, me ndjenjën, me lartësimin tënd, pavarësisht besimit që ke, edhe nëse je ateist dhe nuk beson në religjion apo fe, ti beson në diçka, tek vetja jote, vetvetja. Ja pra çfarë do të thotë të jesh spiritual, do të thotë që jeton një jetë të ekuilibruar, që sheh jashtë dhe brenda dhe ndien që kjo jetë është një mundësi e jotja për t’u rritur, spiritualisht. Çdo e mirë që do arrish do të kthehet në hi, e vetmja gjë që askush s’të merr dot, është zemra.

Living: a jeni ju DJ i parë në botë i muzikës house spirituale ?

Pierre Ravan: Unë jam një nga DJ e parë spiritual që do të thotë që kam krijuar një stil muzike, që është spiritual house.  Unë jam DJ prej 35 vitesh dhe prodhoj muzikë prej 35 vitesh, dhe besoj që e njeh muzikën house, por ndoshta nuk di pse është krijuar. Muzika house ( në shqip, shtëpi) u krijua nga ata që ishin të lodhur nga shkëlqimet dhe kërkonin të shkonin në vende “underground” ( në shqip nëntokësore), në mënyrë që të luanin muzikë brenda në shtëpi, me qëllimin e vetëm të bashkimit, unitetit, të gjithë si një. Më pas erdhën drogat, exstasy, jo për të kryer marrëdhënie seksuale, por për të bërë qejf, sepse njerëzit ndiheshin aq të mërzitur dhe të lodhur nga jeta, dhe zgjidhnin klubet e natës për të çliruar energjinë negative. Problemi është që media, shoqëria, kompanitë, ndër vite, kanë ndërhyrë duke ndërruar formulat dhe përbërësit e drogave, çdo gjë ndryshoi në këtë dimension, saqë njerëzit në vend që të rrinin të bashkuar, u ndanë.

Ajo që unë kam synuar me muzikën time spirituale, është bashkimi, uniteti, por unë s’mund të jem i bashkuar me ty nëse në fillim nuk e kam bërë këtë gjë me veten. Nuk mund të të dua ty, nëse si fillim nuk dua veten. Çdo gjë nis brenda teje, brenda nesh, prandaj dhe meditimi në ditët e sotme nuk duhet të jetë më zgjedhje opsionale. Sot të jesh spiritual është bëre trendy dhe in, të vishesh si shaman, të marrësh ndonjë kërpudhë magjike dhe më pas të mendosh që pe zotin apo që chakrat e tua janë hapur. Këto janë të gjitha iluzione, unë e kam përjetuar kohën në Ibiza, kur erdhën gjithë hippy-t, me mesazhet e tyre për paqen, dashurinë, seksin e lirë. Nuk po gjykoj askënd, i kam kaluar të gjitha këto, por kjo është e vërteta, unë them të vërtetën dhe njerëzit nuk pëlqejnë të dëgjojnë të vërtetën, unë flas të vërtetën sepse unë jam eksperienca ime, jo një predikues, unë jam rezultat i i asaj që jam. Kjo është spiritualitet: zemra.

Moda, Muzika, Meditimi

Living:  Cila është lidhja e një DJ spiritual me modën e nivelit të lartë ?

Pierre Ravan: Kur fillova udhëtimin spiritual, pikërisht sepse isha i ndërgjegjshëm për zemrën, arrita të kuptoj që çdo gjë që ka të bëjë me artin dhe është krijuese vjen nga zemra, shiko pikturën, këngën, aktivizimin. Unë kam punuar me më të mirët, edhe para se ata të bëheshin të famshëm, kam qenë DJ i parë që ka udhëtuar me Paco Raban, Dolce e Gabbana, Galliano, unë isha DJ i tyre zyrtar. Dolce e Gabbana janë të famshëm prej 20 vitesh, por më parë, ata ishin dy djem që synonim modën, të cilëve ju kam dhënë idenë e të pasurit DJ gjatë pasarelës së modeleve. Ata me tregonin koleksionin 6 muaj më parë dhe unë prodhoja muzikë për ta. Pra kam qenë DJ, u bëra mësues joga, fillova të meditoj, isha në botën e modës së lartë dhe nëpërmjet tyre, kërkesave të tyre unë arrita të mbledh eksperiencën time 35 vjeçare, të ndërlidh të gjitha pikat dhe të krijoj një niche parfumesh dhe parfumin Eternal Journey.

Living: Si arrini të ekuilibroni jetën shpirtërore dhe jetën materiale ?

Pierre Ravan: është një pyetje shumë e bukur që të gjithë kanë dhe kjo ndodh sepse unë nuk kam parë dhe s’kam bërë asnjëherë dallim midis të dyjave. Kjo ndodh sepse ato nuk janë të ndara, janë si krahët e një zogu, i cili duhet të fluturojë. A mundet një zog të fluturojë vetëm me një krah ? Ato janë të ndërlidhura, atëherë kur, në mes të materializmit dhe jetës së pasur, ti ke ende spiritualen me vete. Sepse të jesh spiritual nuk do të thotë të refuzosh paranë apo të japësh të gjitha paratë në bamirësi, por do të thotë të jesh i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, të bësh biznes dhe të kesh objektiva lartësimi. Për shembull, nuk ka asgjë të keqe nëse ti ke një Ferrari, por e rëndësishme është të mos jesh i lidhur ngushtë me të. Mund të kesh një makinë të shtrenjtë apo një Traban, por me rëndësi është të kuptosh që produkti je ti. Ti je në jetën spirituale dhe në jetën materiale. Ti ke një familje, ke grua, ke fëmijë, ke nënë, ti punon dhe ke të ardhura, pra ti i ke të dyja. Nëse mëson t’i gërshetosh atëherë mund të jetosh me të dyja.

Living: Çfarë është projekti juaj Karavan, çfarë kuptimi ka, si e keni konceptuar ?

Pierre Ravan: Është një pyetje me vend. KaRavani me shkronjën “K” dhe jo me shkronjën “C”. Arsyeja se pse ngul këmbë tek germa ka të bëjë me emrin tim. Unë quhem Pierre Ravan, por emri im i mesit është Kambez  prandaj e quajta KaRavan, mora dy germat e para të emrit të mesit dhe mbiemrin tim. Unë besoj që kjo jetë është si një udhëtim i përjetshëm, ne do të ikim dhe do të kthehemi deri sa të mbarojmë misionin tonë. Arsyeja e ardhjes tonë dhe jetës tonë është që të rritemi spiritualisht. KaRavan është brand-i im fashion që përfaqëson disenjot e mia në botën e modës, veshjeve apo orëve, ndërsa Eternal Journey i parfumeve. Janë rezultat i eksperiencës, udhëtimeve, jetës time profesionale dhe personale.

Living: kjo pra është dhe arsyeja se pse trilogjia e parfumeve tuaja quhet Eternal Journey ( udhëtim i përjetshëm në shqip), por jam kurioze për emrat e parfumeve, Sunrise to Sunset, Sunset to Midnight, dhe Midnight to Sunrise, kanë ato lidhje me setet muzikore ?

Pierre Ravan: Pyetje me vend. Unë besoj që të pesta shqisat tona, janë gjithashtu të ndërlidhura me zemrën dhe me udhëtimin e përjetshëm, prandaj doja të krijoja parfume që të ndërlidhja dhe shkrija të gjithë eksperiencën time 35 vjeçare në to. Po të shohësh logon dhe inicialet e saj, Eternal Journey, do të vëresh që janë në formë rrethi, pra diçka që është e përjetshme. Parfumet janë tre sepse unë besoj në trinitet, janë një cikël sepse muzika që unë prodhoj është muzikë që mund të dëgjohet 24 orë, pra si një cikël që përsëritet. Parfumet janë të krijuara dhe në mënyrë shkencore dhe i përshtaten ndryshimeve hormonale që trupi ndien gjatë ditës. Për shembull kur zgjohem në mëngjes, marr qenin me vete, dua të dal për një shëtitje, dhe nëse dua të përdor ndonjë parfum, nuk do kërkoj shije vanilje ose patchuli, por do të përdor një parfum që duhet të aktivizojë sistemin para simpatik, që të zgjojë trupin dhe qenien dhe prandaj do të përdor, Sunrise to Sunset.  Pasi ke dalë dhe ke shëtitur qenin apo ke bërë ecjen e përditshme, kthehesh në shtëpi, dhe ke nevojë për diçka më të fortë, më sexy më e koncentruar me myshk, mirra, kanellë, koha pra, për Sunset do Midnight. Dita vazhdon dhe ti tani do dalësh, do ikësh të kërcesh, ke nevojë të tërheqësh vëmendjen, të  të shohin, të jesh aktiv. Prandaj të duhet parfumi i tretë, me sandalwood, me safron, një parfum që mbush hapësirën me prezencën e vet, prandaj duhet Midnight to Sunrise.  Të gjitha këto shkojnë në trilogji dhe përdoren në momente të ndryshme të ditës, duke u shtresëzuar njëri me tjetrin.

Pierre në Eternal Journey

Living: A ka qenë origjina juaj persiane e rëndësishme për të gjitha sukseset që keni arritur në jetë ?

Pierre Ravan: Unë besoj që në i zgjedhim prindërit, zgjedhim ku të lindim, kështu që dhe unë zgjodha të lind në Iran, ( ish Persia) sepse unë besoj që ai vend më ka hapur mendjen dhe dhënë shumë. Kur kam qenë i vogël një herë babai im më ka lexuar disa rreshta nga Rumi që thonin:

I was raw – Unë isha i papërpunuar

I was  baked – unë u poqa 

I burn  - unë u dogja

Po ta mendosh kështu është jeta. Lind, je i virgjër, i papërpunuar, pastaj piqesh dhe më pas digjesh, nga dashuria, nga vetë jeta. Origjina ime është e rëndësishmw për mua.  

Living: Në cilin shtet jetoni aktualisht ?

Pierre Ravan: Do të tregoj udhëtimin tim në botë. Unë jam rritur në Republikën Ceke, babi im ishte ambasadori iranian aty, por gjatë revolucionit iranian, 1978-1979, ne u kthyem në Iran dhe nuk mund të lëviznim apo udhëtonim jashtë. Pas revolucionit ne u kthyem përsëri në Republikën Ceke, më pas unë shkova në Amerikë për të mbaruar studimet e mia për Inxhinieri Mekanike, më pas kreva doktoraturën për Marketing dhe Inxhinieri Muzikore. Kam jetuar 26 vjet ne Dubai dhe ende jetoj aty, para se Dubai të ishte Dubai që njohim sot.  Shumica e njerëzve kanë paragjykime rreth Dubait, por mos harro që dhe vendi me luksoz ka një pjesë të shoqërisë që është më spirituale, sepse çdo vend ka nevojë për balancë. Unë jam gjithashtu i martuar dhe jam babai i katër fëmijëve dhe mendoj që midis gjithë punëve që kam, prindërimi  është më e vështira. Jeta e familjes të mëson për dashurinë dhe çfarë është dashuria. Për shembull në familje personi që të kritikon më shumë është gruaja dhe personi që balancon egon tënde është partneri apo gruaja dhe ti duhet të lutesh që të kesh një grua të tillë, që të kritikon sepse të lejon të rritesh.

Pasi jetova në Dubai disa vite shkova dhe në Indi sepse doja që fëmijët e mi të jetonin jetën e vërtetë. Ne kemi jetuar në Ashram, për dy vite në mes të Indisë. Më pas kemi qenë në Irlandë sepse gruaja imë është irlandezë, më pas në Paris. Tani jetoj midis Parisit dhe Dubait.

Living: Ju keni arritur shumë suksese në dimensione të ndryshme të jetës, cili është projekti juaj i ardhshëm ?

Kjo është hera e parë në Shqipëri, dhe biznesi im i parfumeve nuk kërkon nevojën e prezencës time, por kur vendosa të vija këtu, doja të sillja diçka për këtë vend, doja të bëja diçka për Shqipërinë. Vizioni im për linjën time të parfumeve Eternal Journey në Shqipëri ishte i ndërlidhur me dëshirën që shqiptarët të përfitojnë, spiritualisht, dhe kjo është arsyeja se pse linjën e parfumeve e prezantova në Aramera duke luajtur muzikë, kjo është arsyeja sepse do të jem përsëri këtu në gusht, e në Festivalin Unum në Shëngjin vitin tjetër, unë dua të sjell një eksperiencë, bashkim. Dua që të ju tregoj të rinjve që nuk ke nevojë të marrësh droga për të dëgjuar muzikë tekno ose house por mund të dehesh natyralisht, spiritualisht, duke medituar, duke bashkuar njerëzit.

Living: E zgjodhët ju Shqipërinë, apo është Shqipëria që zgjodhi ju ?

Pierre Ravan: Mendoj që ka qenë plani i natyrës, çdo gjë ndodh natyralisht, detyra jonë është që ta perceptojnë dhe pranojmë, të jemi receptorët. Ne kemi humbur ndërlidhjen tonë, kemi humbur radarin tonë. Duhet të kuptojmë që dielli ndriçon për të gjithë njësoj, nëse vendos të mbyllësh dritaren është përgjegjësia jote, ose nëse ke një dritare të mbyllur, shko gjej një dritare të hapur, kërko një tjetër dritare për të parë diellin që shkëlqen. Mos rri afër dritares së mbyllur duke qarë. Ti krijon fatin tënd.

Takimi me Elonën, e La Parfum, nëpërmjet një mikeshe serbe, më bindi të vija në Shqipëri bashke me trilogjinë time të parfumeve, Eternal Journey. Lidhja spirituale që patëm ishte aq intensive sa vendosëm që duhet patjetër të bashkëpunonim.

Living: Cila është fragranca juaj e preferuar. I përdorni të tre parfumet apo vetëm njërin prej tyre ?

Pierre Ravan: E ndien tani se cili nga ta kam përdorur? Në fakt i përdor të treja sepse në shitje ka dhe një paketim discovery ( paketim travel) që mund të marrësh me vete, por ( merr shishen) një veçori që kanë këto shishe është fakti që nuk mund të vëresh pompën e brendshme të parfumit, dezajni është  studiuar që të jenë elegant dhe në prezantim të zhduken ato tubat dhe pompat e parfumit, ndërkohë që tapa është prej druri, sepse çdo gjë është e ndërlidhur me natyrën dhe si rrjedhojë ekologjike. Ky është një produkt “gender fluid” i përshtatshëm për të gjithë, sepse nuk më pëlqen të përdor fjalën unisex.

Living: Faleminderit

Pierre Ravan: Të pres në seancën e meditimit sonte.

Horoskop