Personazh / 14 Korrik 2023, 19:51

Brikena Prifti, në garë me veten

Brikena Prifti, në garë me veten

Nga: Santana Çomora

Redaktore: Xhoia Dumi

Fotografia: Pirro Beati

Make Up Artist: Suela Çangu

Fashion Editor: Ori Kamberi

Vendndodhja: Hotel Melia Durrës

Brikena Prifti, një nga figurat më të pastra të ekranit, nisi këtë sezon televiziv një rrugëtim të ri, duke lënë bazat e gazetarisë, lajmet, për t’iu përkushtuar një përvoje të re, në një ekran të ri, për të sfiduar veten e për t’u bërë pjesë e pasditeve tona. Me sa duket, kishte ardhur koha që të bënte një ndryshim, i cili rezultoi i suksesshëm dhe i pëlqyer nga publiku. Brunia flokëgjatë, me një konstrukt prej modeleje shtatlartë, me seriozitetin dhe dashurinë për punën pushtoi pa e kuptuar fashën e orarit të Vizionit të Pasdites, në televizionin publik Vizion Plus, duke e bërë këtë program një nga më të ndjekurit e këtij formati. Nëse më parë ishim mësuar ta shihnim në një studio të vogël ku transmetonte lajmet dhe ngjarjet më të rëndësishme të ditës, sot Brikenën e shohim të pozicionuar në një studio më të madhe, duke trajtuar të ftuar e tema nga më të larmishmet, ku koha kalon pa u ndier. Në “shtëpinë e saj të re” ajo pret e përcjell të ftuar të shumtë. Me historitë që mbartin dhe mënyrën se si ajo i trajton, ka ditur të rrëmbejë dashurinë e teleshikuesit.

Brikena Prifti, në garë me veten

Brikena është profesioniste në ekran, vjen nga një shkollë gazetarie e mirëfilltë, me baza të forta e të shëndetshme. Një vajzë, e cila përveçse e do shumë punën, është gjithmonë në garë me veten. E mësuar me tempin e lajmeve, dinamikën e tyre, përcjelljen e informacionit, tashmë ishte e gatshme të niste një kapitull të ri në jetë: pasditen, ku përsëri konkurrenca ishte po aq e madhe sa në redaksitë e informacionit. Në fund të këtij sezoni mund ta themi me bindje se ajo ia doli të superonte edhe veten e të ishte imazhi i ri i pasditeve të shqiptarëve.

Për herë të parë për Living, ajo vjen në një rrëfim të sinqertë me seriozitetin që e karakterizon, duke e konsideruar një vlerë të shtuar.

Si i kujton çastet e para kur u bëre pjesë e ekranit? Kush ishin të parët që të shtynë për të ecur përpara?

- Kur e kthej kohën pas, e shoh veten si një nga shumë të rinjtë që ndjekin universitetin dhe njëkohësisht duan të angazhohen në punë. Gjatë studimeve në Fakultetin e Gazetarisë, nëpërmjet sugjerimeve të pedagogëve kam shfrytëzuar çdo hapësirë e mundësi për ta provuar veten në ekran. Projektet e para nuk kanë qenë shumë të rëndësishme. Top Channel ishte ekrani i parë në të cilin u shfaqa, në një rubrikë të emisionit “E diell”. Impakti i parë, ngjitja për herë të parë në një skenë televizive, ma rriti besimin se ëndrra ime profesionale do të bëhej realitet. 

E qartë që doja lajmet, por edhe e vetëdijshme që çdo gjë do kohën e vet, kalova një periudhë shumë të shkurtër në prezantimin e motit në ABC NEWS. Mundohem gjithmonë t’i marr më të mirën çdo gjëje, ndaj edhe pse e dija që “moti” nuk ishte vendi im, ata pak muaj i shfrytëzova për të tejkaluar çdo emocion që mund të më krijonin kamerat e paralelisht u bëra pjesë e redaksisë, duke krijuar lidhjen e parë me lajmin. Kolegë të ndryshëm më sugjeruan televizionet e reja, të cilat ofronin më shumë hapësira për gazetarët e rinj, si një formë për t’i ngjitur shkallët me radhë, duke u bazuar tek aftësia dhe merita. Kështu u bëra pjesë e ekipit të Fax News, periudhë në të cilën u mundova të punoja pa orar e me shumë pasion. Brenda një viti, Tv Klan më përfshiu në projektet e tij, duke më ofruar të bëhem pjesë e redaksisë së informacionit. Katër vjet në Tv Klan mund të them me bindje se qëndrojnë në themelin e formimit dhe pjekurisë profesionale.

Në të gjithë këtë rrugëtim të bukur, por edhe të vështirë, argëtues dhe plot tension, lodhje e jo pak vështirësi, kam pasur pas vetes personin më të dashur në jetë: mamin! Ajo është njeriu që ka besuar tek unë, që më ka shtyrë, që më ka ngritur në çastet më të vështira, që më ka udhëhequr në çdo hap, me këshillat e duhura dhe me dashurinë e pazëvendësueshme të një nëne.

Si e kujton edicionin e parë të lajmeve?

- Atë të provës apo të transmetimit (qesh)? Më kujtohet edicioni i parë në Tv Klan, në një studio që e kisha ëndërruar që fëmijë. Plot emocione. Ishte sikur të dilja për herë të parë në ekran, por, nga ana tjetër, edhe sikur kisha një jetë aty. Që ditën e parë e kam ndier atë studio si shtëpinë time, që e doja dhe më donte. Kështu ishte deri ditën e fundit.

Ke pasur modele në fillimet e karrierës? Po sot?

- Koha kur ëndërroja të bëhesha gazetare, i jepte shumë rëndësi figurave te lajmeve. Për sigurinë, peshën dhe profesionalizmin që tregonin në edicionet informative, Sonila Meço dhe Ilva Tare pa dyshim kanë qenë dy emra të jashtëzakonshëm të ekranit. Kur i shihja, kisha sigurinë që një ditë do të isha edhe unë aty. Sot do të doja të arrija të shndërrohesha unë në një model për të gjitha vajzat e reja që aspirojnë të bëhen spikere, moderatore apo gazetare televizive.

Je edhe në jetë aq serioze sa të paraqet formati i lajmeve?

- Mund të them që jam edhe më shumë (qesh), por sipas vendit, edhe kuvendi. Me njerëzit e afërt apo shoqërinë jam e qeshur aq sa duhet. Serioziteti nuk të bën asocial. Përkundrazi, ta shton miqësinë. Unë e shoh si një vlerë të shtuar. Nuk besoj se më ka hequr kurrë pikë, madje më ka ndihmuar të eci para me shumë siguri.

Brikena Prifti, në garë me veten

A ke ndier konkurrencë të fortë me spikeret e tjera të lajmeve?

- Dua të jem e sinqertë. Duke pasur modele gazetaresh të njohura, të cilat e kishin tejkaluar me kohë fazën e të qenit spikere, konkurrencën e kam ndier vetëm me këtë kategori dhe me veten. Prej kohësh kam kuptuar se forma më e mirë për t’u përmirësuar është gara me veten. Kam parë dhe shoh vazhdimisht çfarë kam qenë dhe çfarë jam profesionalisht. Jam kritikja më e madhe e vetes dhe nuk dua t’i lë asgjë rastësisë.

Çfarë të mësuan lajmet, ndryshe nga një program përditshmërie?

- Kur përfundova studimet, nuk doja vetëm ekranin. Doja të prekja gazetarinë në terren dhe në redaksi, gjë që do të përbënte më pas diferencën në atë që mund të përcillja publikisht. Prekja e lajmit të ndihmon të kuptosh më shumë e ta përçosh saktë atë që ke në dorë, tek ata që të ndjekin. Besoj se hallkat që kam ndjekur pas Universitetit, kanë qenë të duhurat. Për shumë vite, nëpërmjet lajmeve, u formova në fusha të ndryshme, duke lexuar çdo informacion. Lajmet të japin një formim të përgjithshëm, nëse investohesh sa duhet.

Në edicionet informative trajtohen çështje dhe problematika të ndryshme, nëpërmjet të cilave synohet të luftohen fenomene negative, të përmirësohet jeta në shoqëri, të nxiten debate mbi çështje që na prekin çdo ditë apo që mund të përcaktojnë të ardhmen tonë. Një program përditshmërie nuk ndryshon shumë, por ai fokusohet vetëm në një ose dy tema të rëndësishme të ditës, në një fenomen të caktuar apo te një personazh. Pra, nuk e ka atë larminë e informacionit, por nga ana tjetër të jep mundësinë që një çështje të rëndësishme ta shohësh në të gjithë dimensionin e saj, 360 gradë dhe ta trajtosh në mënyrë shteruese.

Si erdhi propozimi për të drejtuar Pasditen në Vizion Plus?

- Pas pesë vjetësh me lajmet kisha nisur të mendoja se më duhej një ndryshim, një sfidë e re, një stad tjetër, për të eksploruar një pjesë tjetër të televizionit dhe për të mos qëndruar në vendnumëro. Propozimi erdhi në kohën e duhur. Të them të drejtën, nuk e kisha menduar veten në një emision pasditeje, por projekti që m’u ofrua më tërhoqi.

I the menjëherë “po” ofertës?

-  Sigurisht që jo! Janë të pakta gjërat që mund t’u thuash “po” menjëherë. Vendosa ta pranoja, pasi projekti më pëlqeu dhe pasi e diskutova me njerëzit e mi më të afërt, të cilët, edhe pse pak më pro lajmeve, më inkurajuan për këtë ndryshim, si një “markë” tjetër në CV-në time.

Cili ishte ndryshimi i parë që bëre me veten kur vendose të drejtoje një program të përditshëm? Çfarë ndryshoi në rutinën tënde?

- Vizioni i Pasdites është një emision aktualiteti. Ai trajton ngjarje të ditës, temat më të rëndësishme të javës, të karakterit social, ekonomik, kulturor, politik, sportiv etj. Kështu, nuk më është dashur të bëj ndonjë ndryshim nga ana profesionale. Vijoj të lexoj çdo informacion, pasi e shoh si përgatitje kur do të drejtosh një program. Sfida më e madhe që e dija se do të kisha, ishte të hiqja pak kostumin e lajmeve dhe të buzëqeshja më shumë. Me kohën, besoj se e kalova me sukses.

Përveçse një vajzë e përkushtuar dhe e përgatitur, duket sikur nuk i ke fort qejf ndryshimet e mëdha, që nga pamja, e cila ka mbetur po ajo: Brikena e përhershme, që ruan një “look” të kuruar, pa dalë nga kornizat. Do të guxoje të bëje ndonjë ndryshim?

- Të gjithë duam të jemi në formën më të mirë dhe për ta arritur atë, secili prej nesh ka eksperimentuar në forma të ndryshme. Edhe unë kam bërë ndryshime të herëpashershme vite më parë. Besoj se publiku që më ndjek prej kohësh është i lidhur me Brikenën e tanishme dhe mbi të gjitha, nisur edhe nga sa e rëndësishme është të ndihemi vetvetja, ndihem shumë mirë me atë që jam dhe dukem tani. Kur të filloj të ndiej që edhe në pamje ka ardhur koha për një ndryshim, mund ta bëj.

Brikena Prifti, në garë me veten

Po të bënim një përmbledhje në mbyllje të sezonit të parë të Pasdites në Vizion, si do ta përcaktoje këtë përvojë të re? Çfarë u përpoqe të jepje, në krahasim me të gjitha formatet e tjera në këtë fashë orari?

- Kam qenë e qartë për atë që mund të bëja para se të pranoja drejtimin e programit të Pasdites. Siç e thashë, sfidën e kisha kryesisht me buzëqeshjen, si një vajzë që vinte nga një format ku buzëqeshjen duhet ta përdorte rrallë. Kaluar kjo, jam munduar që atë që më kanë dhënë vitet në gazetari, ta përdor për të pasur një emision me standarde. Fokusi nuk ka qenë të bëjmë bujë me titujt apo të bëjmë zhurmë, por të tërheqim vëmendjen duke qenë profesionalë me çdo temë aktualiteti të trajtuar, me çdo fenomen që na prek, me çdo personazh që ka diçka me vlerë për të thënë. Besoj se publiku e bën diferencën e cilësisë, kur duhet të zgjedhë çfarë të shohë në ekran.

Çfarë presim nga sezoni i dytë i Pasdites?

- Ky vit i parë ka qenë një përvojë e mirë, gjatë së cilës u mundova edhe të kuptoja pak çfarë publiku dëshiron të ketë gjatë pasditeve. Do të përpiqemi të ndryshojmë disa elemente, si në skenografi, ashtu edhe në përmbajtje, për të qenë më pranë shikuesve me tema që i prekin drejtpërdrejt, me problematika të çështjeve të debatit publik, me personazhe që ua bëjnë pasditet më të ngrohta, dhe pse jo, i motivojnë me historitë personale.

Nëse do të kishim një peshore, nga do të anonte ajo: nga Brikena e lajmeve apo nga Brikena e Pasdites në Vizion Plus?

- Nuk do të kishte fitues në ndeshjen mes Brikenës së lajmeve dhe Brikenës së Pasdites. Unë nuk i shoh shumë të ndryshme të dyja formatet, për sa i përket përmbajtjes. Lajmet janë dhe do të mbeten boshti i karrierës sime. Tani jam jo vetëm në rolin e moderatores apo spikeres, por edhe të gazetarit që bën dhe ngre pyetje që gjithkush do të donte që t’i dëgjonte nga gazetarët, edhe në edicionet e lajmeve. Kështu që Brikena e informacionit është mesi i peshores. Ajo mban ekuilibrin mes lajmeve dhe emisionit.

Kur shikon studion e lajmeve në Vizion Plus, a tundohesh të ulesh e t’ia nisësh nga e para?

- Ndonjëherë tundohem nga lajmet, kur ka ngjarje të mëdha, kur ka maratona informative, siç janë ditët e zgjedhjeve, kur ka ngjarje me peshë ndërkombëtare. Ndërsa në përditshmëri, po e shijoj atë që të jep mundësinë ta bësh vetëm një emision.

Si do të jetë kjo verë për ty?

- E qetë. Kryesisht me familjen, por edhe me shoqërinë, si pjesë e rëndësishme imja. Pushime në bregdet dhe udhëtime brenda e jashtë vendit, por edhe duke punuar për të sjellë një sezon sa më të mirë të Vizionit të Pasdites.

Çfarë stili përditshmërie ke dhe a i ndjek trendet e momentit?

- Serioze për në punë, klasike për darkat, sportive në kohën e lirë.

Brikena Prifti, në garë me veten

Cili nga pjesëtarët e familjes është syri yt kritik?

-  Babi!

Një mesazh për “Living” e për të gjithë ata që po e lexojnë këtë intervistë.

Dua ta falënderoja “Living” për hapësirën që më dha në këtë numër të ri. Janë të pakta rastet kur dua të flas për veten, por e di që në “Living” kjo intervistë do të lërë gjurmë ndër vite, ndaj po përfitoj për ta përmbyllur me një mesazh, kryesisht për ata të rinj të gazetarisë që një ditë duan të bëjnë emër: “Punoni fort për atë që keni ëndërruar gjithmonë, sepse puna nuk do t’ju lërë kurrë në baltë dhe një ditë mund ta shihni veten në kopertinën e një prej revistave më të mira në vend.”

Horoskop