Personazh / 17 Gusht 2023, 15:27

Shkëlqimi dhe rënia e Asllan Rusit, volejbollistit të talentuar që e mbyllën me forcë në Spitalin Psikiatrik sepse dashuroi vajzën "e ndaluar" të Bllokut

Shkëlqimi dhe rënia e Asllan Rusit, volejbollistit të talentuar

Nga Ferdinand Dervishi

Asllan Rusi, ish- volejbollisti më i mirë i ekipit të Dinamos në vitet ’70, është goditur dhe shkatërruar nga Sigurimi i Shtetit në kulm të karrierës së tij, vetëm sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Një ngjarje e frikshme, pasojat e së cilës pak vite më vonë i kanë kushtuar jetën. Tashmë, pas rreth 25 vitesh nga humbja tragjike, historia e njeriut që shkroi një faqe të artë në librin e sportit shqiptar, për herë të parë pranohet e bashkuar me një tjetër fletë, kësaj radhe të zezë, të një historie tjetër. Faktin e pohon Mjeshtri Vangjel Koja, ish-trajneri i shquar i ekipit të meshkujve të Dinamos në vitet 1960-’90.

Është një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, por këtë moshë vetëm pamja nuk mundet ta fshehë. Ndërsa për 75 vitet e logjikës, Vangjel Koja, duket se është i aftë të matet me më të mirin. Në raste të tilla me vete mban edhe një bllok shënimesh, që daton vitet ’50 dhe që e ndihmon të jetë konçiz, më saktë të hedhë baste gjithmonë të fituara me veten. “Hidhini një sy. Në vitin 1962 Asllan Rusin e kam të fundit në listën e volejbollistëve, një renditje që e bëja duke respektuar aftësitë e gjithsecilit. Kurse në vitin 1975, kur edhe ndodhi ngjarja, e kam të parin në listë. Prej këtej e thyen dhe e hodhën përtokë si të ishte një fletë peme…”, – rrëfen trajneri Koja, duke shpjeguar se shkatërrimi i jetës së Asllan Rusit, është një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij. Gjithçka kishte ardhur papritur, aq papritur sa vijnë gjithmonë ngjarjet e frikshme.

Zoti Koja, do më pëlqente ta nisnim nga fillimi. Si jeni njohur me Asllan Rusin?

VANGJEL KOJA: Ka qenë viti 1961. Asllan Rusin, një adoleshent gjatosh, e pikasa në skuadrën e volejbollit të të rinjve të ekipit të Tiranës që kishte për trajner një mikun tim, Thanas Mitrushin. Duket Asllani ishte paska tip i pashtruar dhe kishte pasur disa përplasje me trajnerin. Kurse mua më bëri përshtypje që ishte më i gjatë se shokët e skuadrës. Biseduam dhe kur dëgjoi dëshirën time për ta marrë me Dinamon, Mitrushi nuk ma bari dysh: Ta jap unë Asllanin, – më tha. Unë isha tjetër tip, u bija kokës lojtarëve dhe nuk kisha asnjëherë probleme disipline, kështu që nuk më trembi “shtrimi” i Asllanit. Ai nisi të stërvitej me të rinjtë e Dinamos përgjatë vitit 1961. Një vit më pas forma e tij ishte shumë e mirë dhe e kaluam me ekipin e të rriturve. Kështu nisi edhe historia e tij që pak vite më pas do të njësohej me historinë e Dinamos së madhe, ekipit që do të bënte epokë në volejbollin evropian. Asllani ka qenë i vitlindjes 1945. Vinte i dobët, por me kalimin e viteve u mbush dhe gëzonte një fizik dhe një trup të formuar për të pasur zili. Kam edhe parametrat: Ishte 188 cm i gjatë, peshonte 88 kilogramë, gjatësia me krahë 2,45 m, kërcimi 3,45 metra…

Dhe kur, në ç’vit Asllani arriti të ishte një nga më të mirët e ekipit të Dinamos?

VANGJEL KOJA: Ishte i talentuar dhe u ingranua shumë shpejt. Nisi të shkëlqente që në vitin 1963. Një vit më pas me Asllanin në skuadër do të fitonim titullin Kampion Kombëtar, madje filluar nga ky vit titullin e fituam tetë herë radhazi. Pikërisht në kampionatin e fituar të vitit 1964 spikatën gjuajtjet nga vija e dytë të Asllanit. Kujtoj se këto gjuajtje në atë kohë nuk i bënte askush në Shqipëri. Kishte një taktikë të gabuar, sipas të cilës për gjuajtjet nga vija e dytë nuk organizohej bllok dhe liheshin të priteshin. Por pothuaj në të gjitha këto gjuajtje Asllani merrte pikë. Kujtoj se kampionatin e fituam me një ndeshje të drejtpërdrejtë me ekipin e Partizanit, që në ato kohëra lulëzonte dhe kishte “aneksuar” prej kohësh titullin kampion.

Shkëlqimi dhe rënia e Asllan Rusit, volejbollistit të talentuar

Dihet që Dinamo në atë kohë ka arritur të luajë deri në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, një arritje nga më të mirat e sportit shqiptar, tashmë krejt e paimagjinueshme. Cili ishte roli i Asllanit në skuadër?

VANGJEL KOJA: Asllani ishte nga më të mirët e turneve në një kohë që luanim më skuadra kampione të Evropës. Kujtoj se ai, por edhe Dashamir Fagu, – këtë e merrnim “borxh” nga “Partizani”, patën oferta për të luajtur me ekipe të mëdha të Evropës. Kuptohet, një ëndërr që komunizmi nuk e lejonte. Pra, me kalimin e viteve loja e Asllanit vinte në rritje. Le të shohim një statistikë. Në kampionatin e vitit 1969-’70 Asllan Rusi i ka dhënë skuadrës 160 pikë, pra është më i miri i ndjekur nga Kreshnik Tartari, që renditet i dyti. Pas kësaj kohe ka qenë absolut në lojën e tij që vinte duke u rritur. Në vitin 1972 arritëm të futeshin në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, ku Asllan Rusi dhe Dashamir Fagu bëjnë figurë të shkëlqyer. Hidhini një sy bllokut të shënimeve. Që nga viti 1973 Asllan Rusi renditet i pari, jo vetëm sipas vlerës, por edhe sipas pjekurisë. Por siç e shikoni edhe vetë, ai ka luajtur deri në vitin 1975. Më tej Asllani nuk luan më… nuk ka më Asllan.

Pse nuk ka… çfarë ndodhi?

VANGJEL KOJA: E goditën, e rrëzuan. Kaloi disa peripeci në këtë kohë, dashuronte vajzën e Enver Hoxhës.

Si u krijua mundësia të njihej me vajzën e Enver Hoxhës?

VANGJEL KOJA: Janë njohur në plazhin e Durrësit, në Kavalishencë. Duhet t’ju kujtoj se ekipi i Dinamos i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe si të tillë kishim të drejtë të shfrytëzonim një pjesë plazhi të rrethuar në Durrës në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, që rëndom quhet Kavalishenca. Ngjitur ishin edhe vilat dhe plazhi i udhëheqjes komuniste të kohës. Pikërisht këtu janë njohur Asllani me të bijën e Enver Hoxhës. Kujtoj gjithashtu se vajza e Enverit stërvitej me ekipin e femrave të Dinamos dhe kjo ka qenë një tjetër mundësi kontakti mes të dyve. Vajza ishte e gjatë dhe llogaritej të ishte një volejbolliste me perspektivë. Kujtoj gjithashtu se ajo ishte më e vogël në moshë nga Asllani.

Nga sa dini ju, bëhej fjalë për dashuri të ndërsjellë, apo vetëm Asllani ishte dashuruar pas vajzës?

VANGJEL KOJA: Unë flas nga pozita e një trajneri, që sigurisht nuk e ka mundësinë të dijë më shumë se lojtarët e skuadrës. Kështu që mendoj se lojtarët e tjerë të skuadrës dinë më shumë hollësi të këtij lloji. Për një gjë jam i sigurt, që Asllani e dashuronte. Jam i sigurt gjithashtu se pikërisht kjo dashuri u bë shkaktare që atij ti shkatërrohej jeta, duke filluar me largimin nga ekipi i Dinamos e dërgimin me dhunë në spitalin psikiatrik.

Mjeshtër, kur kuptuat se Asllan Rusi kishte probleme, apo nisi të ndryshonte në sjelljen e tij?

VANGJEL KOJA: Bëhet fjalë gjithmonë për në vitin 1975. Kohë kur ai dashuroi vajzën e Enver Hoxhës. Natyrisht unë e mësova më pas këtë fakt, por pikërisht në këtë kohë Asllani pati një ndryshim në sjelljet e tij, që s’më shpëtoi nga vëmendja. Nisi të konsumonte alkool. Duket që e kishte një hall. Gjithsesi, në fushën e lojës vazhdonte të ishte një lojtar perfekt. Pak ditë më pas, pas interesimit pse mungonte në stërvitje, më thanë se e kishin shtruar në spitalin psikiatrik. Kjo më shokoi.

Për sa kohë e kishit njohur, ju kishte dhënë ndonjë shenjë Asllani se kishte probleme nga ato që mund të shërohen në psikiatri?

VANGJEL KOJA: Absolutisht jo. Asllani ishte në kulmin e karrierës dhe shkëlqimit të tij si sportist. S’ka ndodhur kurrë të ketë shkaktuar situata të pakëndshme, apo të tregonte se kishte probleme mendore. Prandaj, edhe shtrimi në spitalin psikiatrik m’u shkarkua me dhimbje në mendje. Me të mësuar për këtë, u nisa me urgjencë për në spital që ta vizitoja.

Shkëlqimi dhe rënia e Asllan Rusit, volejbollistit të talentuar

Mund të na përshkruani si e gjetët?

VANGJEL KOJA: Po. Ka qenë një nga skenat më të dhimbshme që kam përjetuar. Sa hyra në dhomë, mu shfaq një Asllan i tjetërsuar. Të më kuptoni. Gjatë atyre viteve isha mësuar të konceptoja një Asllan me trup viganësh, që ia kishin zili shumëkush, një Asllan vital, të qeshur dhe njëkohësisht të sjellshëm e të bindur. Pra, u futa me këtë përshtypje në dhomën ku e kishin shtruar dhe u shtanga kur e pashë. Në pak orë të kaluara aty brenda, se nuk ishin bërë akoma ditë, ai ishte tjetërsuar. Ishte lëshuar krejt dhe nuk ishte në gjendje as të çonte gotën e ujit me duart e veta te goja. U tmerrova dhe kërkova shpjegime. Një mjek më sqaroi se ishin duke e kuruar për sistemin nervor. Mjeku mu prezantua si tifoz i sportit të volejbollit. Më thotë: Mos u tremb. Po i bëjmë një kurë me ilaçe që i heqin forcën nervore… Por me kalimin e kohës gjithçka do kalojë.

Si u gjend në këtë spital Asllan Rusi, shkoi me rekomandimin e ndonjë mjeku, apo…?

VANGJEL KOJA: Këtë e mësova më pas. Është nga ato histori të cilat pasi i dëgjon të presin krahët, pasi dalin jashtë fuqive të tua. Më rrëfyen se Asllanin e kishin çuar me forcë në spitalin psikiatrik. I kishin kurdisur një kurth. Duket, ata kishin tentuar ta merrnin dhunshëm në ndonjë tjetër rast, por ka gjasa që kishin dështuar, për shkak të fizikut të jashtëzakonshëm të Asllanit. Prandaj i kishin bërë llogaritë mirë që të mos dështonin sërish. Më rrëfyen se kurthin ia kishin gatitur në afërsi të Degës së Brendëshme të Tiranës. Sot në të njëjtat ambiente është Drejtoria e Policisë. Dy policë të bëshëm, të cilët ishin njëkohësisht mundësa të “Dinamos”, që të dy të njohur apo miq të Asllanit, i kishin prerë rrugën me një makinë policie. Dy policët kishin zbritur nga makina dhe pa dhënë asnjë shpjegim e kishin marrë Asllanin me forcë dhe futur dhunshëm në brendësi të xhipit. Mua më thanë se nga këtu ishin nisur drejt e në spitalin psikiatrik.

Pra, Asllani u çua në spital forcërisht, jo sepse kishte nevojë për kurim?

VANGJEL KOJA: Asllan Rusi u shkatërrua nga injeksionet në spitalin psikiatrik. Nuk ishin të natyrshme këto zhvillime. Asllani nuk u dërgua në spital se ishte i sëmurë, ai u shkatërrua nga diçka tjetër. E goditën, sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Kjo histori e shkatërroi. Kur e pashë në atë gjendje, e mendova të humbur. Kujtoj se në spital i shkonte përditë i vëllai, Mimi, një basketbollist i mirë joni, i cili i rrinte pranë me orë të tëra. Pas vdekjes së Asllanit, në vitin 1983, Mimi kaloi shumë kriza nervore dhe humbi jetën duke u hedhur nga dritarja e pallatit.

Ç’ndodhi më pas? Asllani doli një ditë nga spitali, apo jo?

VANGJEL KOJA: Patjetër, por nuk ishte më në gjendje të stërvitej. Ishte lëshuar shumë fizikisht. Kujtoj Asllanin që vinte pranë fushave ku stërviteshin shokët e vet dhe kalonte kohën duke luajtur “nëntësh” me rojen. Një skenë që më shkaktonte lotë. Por çuditërisht pati një periudhë që Asllani e merr veten. Ishte i njëti vit, 1975, dhe skuadra jonë ishte në Rumani për Kampinatin Evropian. Aty Asllani luajti si i barabartë me ekipin. Por me t’u kthyer në Shqipëri, sërish përfundoi në spital. Pas kësaj e detyruan të largohej nga ekipi i “Dinamos”.

Le të ndalemi pak në këtë pikë, pasi kolegët e vet thonë se pikërisht largimi nga ekipi i “Dinamos” e shkatërroi përfundimisht Asllan Rusin. Jeni edhe ju i të njëjtit mendim?

VANGJEL KOJA: Kam qenë dhe mbetem i mendimit se atë e shkatërruan, sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Mua më kanë thirrur në Ministrinë e Brendshme dhe më kanë urdhëruar ta largoj Asllanin nga skuadra. Duhet t’ju risjell në vëmendje, se “Dinamo” ishte ekip i Ministrisë së Brendshme. Nuk më kujtohen njerëzit që më thirrën, por kujtoj se më thanë prerë: Asllani s’është më për ne. Një urdhër përpara të cilit isha krejt i pafuqishëm, edhe pse u përpoqa ta ndihmoja Asllanin. Sipas mjekëve, atij i bënte mirë sporti. Kështu që në atë përballje të pabarabartë në Ministrinë e Brendshme, arrita të paktën që të “merrja leje” që Asllani të kalonte në një tjetër ekip.

Si reagoi Asllani kur i komunikuat largimin nga skuadra?

VANGJEL KOJA: Nuk më keqkuptoi kur ia thashë. – Të paktën më rregullo në ndonjë ekip tjetër, – më tha.

Ishte një nga bisedat më të vështira të jetës sime. Më dhimbsej. Asllani nisi të luante me ekipin e Studentit përgjatë vitit 1966 dhe natyrshëm që vazhdonte të ishte më i miri i ekipit. Por duket aty nuk merrte të njëjtën kënaqësi shpirtërore që merrte me “Dinamon”. E la shpejt sportin, në vitin 1976. Kujtoj se vitet e fundit të jetës i kaloi si mësues fizkulture në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më tej u godit nga një sëmundje kanceroze. Unë shkoja shpesh ta shihja në spital. Aq shpesh, saqë dikur i kishte thënë Andi Tiranës, që ishte njëkohësisht mjek dhe volejbollist i Dinamos: “Nuk ma merrte mendja se nga të gjithë, më shumë më donte profesori”. Vdiq në vitin 1983. Ishte vetëm 38 vjeç.

Fatkeqësitë e familjes Rusi

Familjen e Asllan Rusit e kanë ndjekur pas aq shumë fatkeqësi, sa tashmë prej trungut të saj nuk jeton askush. Babai, Xhelal Rusi, një farmacist i diplomuar në Francë, që njihej edhe me Enver Hoxhën, vdiq në moshë ende të re duke u shprehur gjithmonë i pakënaqur nga regjimi komunist. Të njëjtin fat pati edhe e shoqja, që ishte njëkohësisht e mbesa e poetit kombëtar Naim Frashëri. Në vitin 1983 vdekja nuk kurseu edhe volejbollistin e talentuar, Asllan Rusi, në këtë kohë me fizik të shkatërruar. Por e dhimbshme është edhe historia e vëllait të tij të vetëm, që pas humbjes së të afërmve të familjes, përgjatë një krize mendore, u hodh nga një kat i lartë pallati duke humbur edhe ai jetën./Burimi "Memorie.al"

Horoskop