Personazh / 4 Tetor 2023, 20:12

"Çfarë ka qenë Tirona" tashmë flet anglisht, libri i gazetares së njohur Rezarta Delisula pjesë e bibliotekave më në zë në SHBA

"Çfarë ka qenë Tirona" tashmë flet anglisht,

“M’ndaloi njoni i dit n’xhade, kush osht tironas m’tha mer tate? Pse mer cun nuk i ke syt n’ ball, vrej iher mir vërdall. Vreje atë që s’bon patere, ene i thot tigonit ftere. Vreje atë që t’respekton e kur s’je afër selom të çon. Vreje atë që ecën konit, ene keq nuk i bon asnjonit. Vreje atë që omël fol, ene nuk i lshon llafet si kaqol. Vrej mër pra se jina pak, Jena TIRONSA n’gen e n’gjak.”

Vargjet e mësipërme, të interpretuara mjeshtërisht në sofrat tiranase nga Arben Derhemi, kanë fuqinë të të sjellin natyrshëm buzëqeshjen në fytyrë e njëherazi të të “zhysin” në një lumë pikëpyetjesh, sapo i lexon.

Kush janë tironsit? Po Tirona ç’ka qenë? Çfarë mbart nga pas qyteti i gjithë shqiptarëve, ai që i hapi dyert kujtdo që dëshironte të ndyshonte të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Duket se për kryeqytetin s’ka shumë për të rrëfyer, se janë thënë të gjitha, por është krejt e kundërta. Në Tironë ka gjithmonë diçka për të zbuluar dhe gazetarja e mirënjohur Rezarta Delisula, e ktheu këtë gati-gati në një mision personal.

Pas një eksperience të gjatë në shtypin e shkruar, ajo sfidoi veten  për herë të dytë  në shkrimin e një libri, një libër për Tironën e saj, qytetin ku u lind dhe u formësua si bijë, grua dhe profesioniste. Në faqet e “Çfarë ka qenë Tirona”, botuar në shkurt të vitit 2022, Delisula përcjell përmes 100 dokumenteve autentike të gjetura në Arkivin Osman copëza historie të viteve ‘1800-‘1900 që kanë vlerë të padiskutueshme për kryeqytetin. Përmes tyre lexuesi do të njihet me kontributin e popullsisë tironse në ndërtimin e institucioneve arsimore,  sistemit financiar dhe bashkëjetesës fetare mes komuniteteve. Ideja për këtë libër i ka rrënjët e thella në kohë, që pas publikimit të “Tirana Mahnia”, i cili Tiranën e dikurshme krahasuar me të sotmen, një manual etno/historik i kryeqytetit.

E nxitur edhe nga historania, Nevila Nika, Rezarta do të niste kësisoj një punë kërkimore të detajuar për të seleksionuar dhe përkthyer qindra faqe dokumente që janë të lidhura jo vetëm me Tiranën, por edhe me vilajetet e rëndësishme të Shqipërisë në ato vite, siç është për shembull relacioni i  bërë për ndihmën e popullsisë shqiptare në luftën për çlirimin e Shkodrës.

“Çfarë ka qenë Tirona” është përkthyer edhe në gjuhën angleze për t’u ardhur në ndihmë gjeneratave të reja që lindin jashtë, për të mos humbur historinë e vendit të tyre dhe për t’u ndier krenarë për prejardhjen. Sipas Delisulës, libri u kërkua shumë jashtë shtetit, por në pamundësi për shpërndarje masive u ble individualisht. Sot janë po shqiptarët e Amerikës ata që e kanë bërë librin "The unknown story of Tirona" pjesë të bibliotekave në Manhattan dhe Brooklyn NY.

Sigurisht qëllimi i një autori është që puna e tij të mbetet dhe Rezarta është shumë e lumtur për arritjet e deritanishme.

Horoskop