Specialistët Living / 7 Dhjetor 2023, 12:04

Dy nga ne…

Dy nga ne…

Nga: Doreada Mio

Ato janë dy. Të pozicionuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të avionit. Njëra njofton ngritjen, tjetra lajmëron uljen. Nën kërcitjen e takave nëpër aeroporte duket sikur tërheqin jetën e tyre brenda valixheve të vogla me rrota.

Nëse i sheh nga pas, të gjata elegante me uniformën e verdhë duken si binjake, por jo S/1 sapo i ka kaluar të 50-tat, S/2 pret të fikë qirinjtë e 30 vjetorit… Ndërkohë që japin udhëzimet duke buzëqeshur përpara nisjes shikimet e tyre ndeshen: është udhëtimi i kthimit në shtëpi...

S/1 nuk do të kthehet në shtëpi, aty e pret bashkëshorti apo më saktë ish-bashkëshorti. Ai u kthye kur ajo nuk e priste më…e kishte lënë  për  atë vogëlushen e  tij bukuroshe, i bindur se kishte rigjetur gëzimin e jetës e ndihej i ri!  (S/1 kishte kaluar orë të tëra duke i përgjuar profilin në Instagram, po ajo vetëm bukuroshe nuk i dukej, e re po … )  Ai u kthye i rrënuar… Asaj gati gati i është kthyer në bezdi prania e tij. As ajo vetë nuk e kupton si u trondit aq shumë kur ai u largua… Tashmë ishte mësuar me qetësinë e shtëpisë që e prish zëri i lartë i lajmeve në televizor…Gjithsesi, ai nuk është më ëndrra e saj, ai e ka zhgënjyer, ajo ndihet më e lirë pa të…

Tek sheh pasagjerët a e kanë lidhur rripin e sigurimit S2 pas buzëqeshjes së stampuar që bie më shumë në sy nga  buzëkuqi i kuq është shumë nervoze…as ajo nuk do të kthehet në shtëpi ..aty ka ardhur i dashuri i saj tanimë jo sekret… Marrëdhënia e tyre asaj i pëlqente më shumë kur ishte e fshehtë plot pasion, megjithëse ajo kishte një frikë të tmerrshme nga gruaja e tij ....Ata takoheshin nëpër bare e klube larg syve të njerëzve apo në shtëpinë e saj....Ai e shihte si i magjepsur kur ajo perëndonte sytë duke shpalosur njohuritë e saj për verërat… Tani ai sheh më me interes lajmet në televizor ( ajo nuk e dinte që ka akoma nga ta që shohin Tv, aq me tepër lajmet apo filma të vjetër) për të mos thënë se i kujton të atin kur gërhet…Duket sikur i ka zaptuar gjithë hapësirën e shtëpisë së vogël me qera. Ishte me rehat pa të. Ai nuk është më ëndrra e saj, ai e ka zhgënjyer…ajo ndihej  më e lirë pa të…

Qetësinë e natës në një cep të aeroportit e prish e qeshura me zë të lartë e dy vajzave që duken si binjake, të veshura me uniformë të verdhë... Nga mënyra si po qëndrojnë dhe nga gotat plot me verë të kuqe duket sikur nuk kanë ngut … Gati gati të krijohet ideja se nuk duan të çohen... Në fakt ato ndihen më mirë në qiell... të paktën ai nuk i ka zhgënjyer …deri tani….

 

 

 

Horoskop