"Kam pasqyrë", Ronela Hajati u përgjigjet të gjithë atyre që e kritikojnë për peshën
Këngëtarja e njohur shqiptare, Ronela Hajati, ka bërë një reagim të fuqishëm në llogarinë e saj në Instagram...
Nga: Santana Çomora
Fotografia: Armand Habazaj
Fashion Editor: Niko Komani
Editor: Xhoia Dumi
Design: Aldo Beshiri
Redaktimi letrar: Etleva Çepele
Veshja: EA Luxury Italian Brands
Djali që ndryshon sa herë e përshtatet kudo, në çdo kohë!
Ka personazhe, të cilat, sa herë që shfaqen në kopertinën e një reviste, aq herë garantojnë sukses, komente, pëlqime, duke krijuar zhurmë në rrjet. Personazhe të tilla janë të pakta e një prej tyre është dhe Isli Islami, një nga zërat më melodiozë të radios, një nga djemtë më karizmatikë të ekranit shqiptar, një spiker i denjë lajmesh e njëkohësisht balerin i mirëfilltë. Po kaq interes shfaqin këto personazhe kur për njëfarë kohe janë larguar nga ekrani.
Pra, Islin e shohim ndryshe, aq herë sa atij i jepet mundësia të ndryshojë e t’i japë publikut që e do kaq shumë, diçka të bukur e të re, në këmbim të mbështetjes e vlerësimit. Me një ironi e batutë fine, që shpesh e drejton dhe nga vetja, Isli Islami ju ka shoqëruar prej vitesh gjatë mëngjeseve, duke dëgjuar histori të rrëfyera nga të ftuarit e duke krijuar marrëdhënie që do t’i zgjasin “për gjithë jetën”, siç shprehet dhe në këtë intervistë. Ama, ka ardhur çasti i Islit për të qenë i ftuari, për të ndarë me lexuesit mendime të sinqerta e, si rrallëherë, të vijë si një i intervistuar, jo si intervistues.
Veshja: Lord Maul Albania
Me qëllime të qarta e duke hedhur hapa të mirëmenduar në rrugën e jetës, një djalë që njeh sukseset, por dhe “disfatat”, të cilat e kanë bërë të jetojë bukur momentin, të vlerësojë kohën e ta trajtojë atë me respektin më të madh, duke i kushtuar kështu dashurinë, karrierën, veten, kur duhet me përparësi, po shpesh dhe të tria bashkë. Një artist i diplomuar në fushën e artit, i cili vlerëson produktet e mira televizivo-artistike dhe po aq shumë njerëzit e mirë me të cilët ka punuar e punon.
Në këtë kopertinë, moderatori, kërcimtari e tanimë sipërmarrësi vjen i fotografuar ndryshe, me dëshirë për t’i qëndruar larg portretit klasik që nuk e ka simbolizuar kurrë, për të rrëfyer jetën nëpërmjet fjalëve, por edhe me imazhe: në lëvizje, gjithmonë shpejt, në disa vendndodhje për një kohë të shkurtër, por gjithmonë Isli, jo një shëmbëlltyrë e tij.
Për të njohur më shumë kombinimin çapkën të lojës e seriozitetit, spontanes e racionales, ju ftojmë të lexoni përgjigjet e mirëmenduara të Isli Islamit, ashtu siç nuk do t’i jepte ndryshe profesionisti televiziv që merr formë ashtu si ia kërkon çasti.
Veshja: Boggi Milano
Të gjithë njohim Isli Islamin e rritur, djalin sharmant të medies audiovizive, por Isli i vogël si ka qenë? Çfarë mund të na thuash për fëmijërinë?
- Është pak e vështirë të tregosh fëmijërinë si i rritur sepse, ose e sheh me nostalgji, si një kohë të ikur që s’kthehet më, ose e sheh më të bukur se ç’ka qenë në të vërtetë, ose e sheh me sy kritik, më shumë seç ajo kohë e shkuar e meriton. Ajo që mund të them për fëmijërinë time është se më ka bërë Islin që jam sot: njeriun që përpiqet të jetojë bukur dhe i rrethuar me njerëz që më duan dhe më kuptojnë. Të tjerat pastaj janë rrethana jetësore.
Një artist që ka dalë nga bankat e “Liceut artistik” e që më pas u shndërrua në një nga moderatorët më në zë të vendit. Duket sikur gjithmonë ke arritur ta kthesh pasionin në profesion. Kështu ka ndodhur vërtet?
- Unë kam punuar fare i ri, kur ende s’e dija dhe ndoshta as që e kuptoja cilat ishin vërtet pasionet e mia. Kisha shumë dëshira, projekte që në kokën time asokohe ishin shumë më të mëdha sesa arrija të kuptoja, por kujtoj që edhe atëherë punën e kam bërë me dëshirë, por edhe nga nevoja. Më vonë kuptova që puna ku mund të jepja më të mirën ishte ekrani, dhe ashtu ndodhi; çdo ditë në radio dhe ekran për 16 vjet dhashë më të mirën time.
Ndalemi këtu, fillimet e karrierës në medie. Cili ka qenë personi i parë që tha: “Po, Isli Islami bën për radio apo ekran”?
- Fillimet e karrierës kanë qenë përpjekje për të mësuar nga ky profesion dhe për të njohur më shumë medien. Pastaj, gjithçka ka ardhur gradualisht nga shumë çaste, nga shumë njerëz që më kanë ndihmuar dhe më kanë dhënë besim.
Radio apo televizion?
- Më pëlqen shumë kjo pyetje. Të dyja bashkë, është e mundur. Në “Wake Up” i bënim të dyja.
Veshja: Lord Maul Albania
Të kemi parë si moderator lajmesh, prezantues të programit të mëngjesit për gjashtë vite me radhë, pjesëmarrës në “Dancing with the Stars”, këngëtar dhe së fundmi si sipërmarrës. Si kanë ardhur fazat e ndryshimit për ty?
- Metamorfoza ime ka ardhur aq organikisht, sa është koha për të thënë që Perëndia i ka shkruar tamam gjërat për mua, në kohën e duhur, që jo gjithmonë është sipas orës sonë. Fazat e ndryshimit kanë ardhur duke i ngjitur shkallët një nga një dhe duke hapur çdo derë që më dilte para. Dera e parë që m’u hap ishte ajo e lajmeve. Shkallë pas shkalle u gjenda para një dere të re, që ishte emisioni i mëngjesit, e kështu me radhë. Pra, pak a shumë i kam hapur të gjitha dyert me të cilat jam përballur.
Nga të gjitha përvojat, cilën do të quaje “thirrjen” tënde?
- Mendoj se thirrja ime e vërtetë është t’u zbukuroj jetën njerëzve që më rrethojnë, t’ua bëj më pozitive, më të qeshur ditën, më të lehtë zgjimin, më të bukur fjetjen. Besoj duhet të jetë thirrje që na përfshin të gjithëve. Me këtë, dua të them që përpos realizimit të objektivave profesionale, për mua është më e rëndësishme të jem “i suksesshëm si njeri”. Pjesa tjetër është dytësore. Nuk them që e kam arritur 100 %, por përpiqem çdo ditë. Ndërsa nga përvojat e deritanishme profesionale, mendoj se më i rëndësishmi ka qenë emisioni i mëngjesit, më shumë për faktin se aty kam njohur miq, të cilët besoj se do të jenë gjatë në jetën time.
Për vite me radhë ke qenë “njeriu i mëngjeseve”, me zgjim që në orën 5:00 të mëngjesit. Pas përfundimit të kësaj dekade, ndryshimi i rutinës erdhi lehtë apo t’u desh kohë të mësoheshe “nga e para”?
- Jo, erdhi siç e kisha planifikuar. Nuk ishte rastësi ndryshimi, erdhi sepse unë e doja. Isha i përgatitur që jeta ime të merrte një rrugë tjetër.
Veshja: Lord Maul Albania
E vuan ndryshimin si koncept apo je njeri që përshtatesh?
- Ndryshimi është gjëja më e natyrshme në jetë dhe do të ishte humbje energjish e kohe ta luftoje apo të mërziteshe. Për këtë arsye nuk e vuaj aspak, përkundrazi, e kërkoj ndryshimin në çdo gjë timen. Besoj se e keni vënë re, herë me flokë e herë pa flokë
A ke pasur ndonjë situatë të sikletshme gjatë transmetimit të programit “Wake Up” përgjatë gjashtë viteve, qoftë e bukur ose jo?
- Të sikletshme jo, se edhe nëse do të nisej të ishte e tillë, me Orin arrinim ta kthenim në çfarëdo atë situatë, vetëm të sikletshme jo. Të bukura kam pasur, shumë të vështira po ashtu. Në një emision “live” ndodhin të gjitha.
Je po kaq i qeshur e solar në jetën e vërtetë, sa dhe në programet që të kemi parë?
- Nëse kam reflektuar këtë edhe në ekran, atëherë jam ashtu dhe në jetën e vërtetë. Unë nuk di të jem ndryshe në ekran dhe ndryshe në jetë, përndryshe do të kisha qenë edhe një superaktor
veshja: Lord Maul Albania
Nëse do të të ofronin një projekt të mirë, shumë të mirë, nga do të anonte peshorja: nga logoja e ekranit apo nga programi i kopsitur mirë në çdo detaj?
- Them me bindje: nga projekti! Mendoj se programet e mira e bëjnë logon, jo e kundërta. Nëse një program është i mirë, do ta gjejë rrugën për të shkuar te publiku, pavarësisht nga logoja.
Si e shikon sot zhvillimin mediatik në përgjithësi? A është ekrani ende Bibla e një mendimi të mirë dhe një opinioni të shëndetshëm, apo më mirë zgjedh të heshtësh [qesh]?
- Ekrani nuk është Bibël. Ekrani është një hapësirë publike ku do të duhej të ishte mendimi i mirë dhe opinioni i shëndetshëm, siç thoni ju. Por, ekrani sot është bërë hapësira e opinionit të gjithkujt dhe e fjalëve pa mendim. Për më tutje zgjedh të hesht...
Sa të rëndësishme janë miqësitë për ty? Dy miqësi me dy vajza shumë të këndshme, Ori Nebiaj dhe Ledia Sulaj. Vazhdon ta ushqesh miqësinë edhe përtej punës?
- Miqësitë për mua nuk janë thjesht të rëndësishme. Unë jam me tezën e Aristotelit që thotë: “Pa miq, askush prej nesh nuk do të zgjidhte të jetonte, edhe nëse do t’i kishte gjithë të mirat.” Marrëdhënie të tilla nuk krijohen dhe nuk vijnë rastësisht, por kërkojnë kohë dhe përkushtim. Për mua kjo është e rëndësishme, të kem gjithmonë kohë për miqtë. Kohën për mikesha si Ori dhe Ledia e gjej gjithmonë. Për Orin më shumë, se Ledia tani jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nuk na përkojnë oraret, por sa herë që vjen ajo apo shkoj unë, takimet janë të padiskutueshme.
Duke qëndruar te njerëzit e jetës: një djalë i mësuar me vrullin e lajmit e tempin e shpejtë të medies, po kaq vrullshëm funksionon në marrëdhëniet e tij?
- Absolutisht. Unë me vrullin dhe pasionin e një 2-metroshi të marr në qafë. A nuk është bërë e vështirë që në këto vite të arrijmë të jetojmë me vrullin e kohës e njëkohësisht të mos veprojmë nxitimthi? Përtej batutave, jam njeri që nuk i hedh hapat kurrë pa u menduar mirë, gjatë dhe pleqëruar siç duhet. Janë karakteristika të një djaloshi tek të 20-at.
A të ndodh të pendohesh shpesh, Isli? Çfarë do të quaje me bindje një “pendesë” tënden ose dhe peng?
- Njeriu pendohet kur i bën gjërat pa menduar ose kur vepron instinktivisht. Nuk më ndodh t’i bëj gjërat pa i menduar dhe peshuar mirë dhe rrallë ndodh të më udhëheqë instinkti. Në këto raste të rralla ka pendesa fare të vogla, të papërfillshme. Po pengje në plot kuptimin e fjalës mendoj se jam ende i ri për të pasur.
Largimi nga televizioni hyn në këtë grupim? I parakohshëm apo erdhi në çastin e duhur?
- Nuk është largim, por një tërheqje në kohën dhe çastin e duhur. Puna në medie, aq sa të jep kënaqësi, aq edhe ta merr atë energji, sepse ecën me ritme shumë të larta. Vjen gjithmonë një çast kur duhet të ndalosh e të mendosh për veten. Madje jo çdokush e ka “luksin” që ta bëjë këtë ndalesë në kohën e duhur, ndaj jam falënderues dhe i bekuar për këtë kohë ripërtëritjeje.
Sa e rëndësishme është familja për ty?
- Larg klisheve me të cilat nuk do të kem të bëj kurrë, dashuria është kryefjala e ekzistencës sime. Jam i bekuar shumë, shumë që kam një familje të rritur bashkë me dashuri dhe kjo nuk është një fjalë goje por është: të dashurit njëri-tjetrin, të pranuarit njëri-tjetrin ashtu siç jemi, me karakteristika sa të njëjta, aq edhe të ndryshme, dhe të mbështetjes në çastet e vështira. Roli femëror në jetën time, mami e motra, ka ushqyer gjithmonë atë ndjeshmërinë për të cilën e ndiej që njerëzit më duan dhe e vlerësojnë tek unë. Kam parë çdo ditë gra të forta e luftarake që vështirësitë nuk i ulën kurrë. Pa lënë mënjanë pjesën tjetër të familjes, vëllain dhe kunatin tim. Në këtë periudhë të vështirë, po mësohemi me mungesën fizike të bashkëshortit të motrës me ne këtu në tokë, por që mbetet një ndër njerëzit më të jashtëzakonshëm që Perëndia vendosi në rrugëtimin tonë këtu. Falënderues për gjithsecilin prej tyre!
Këngëtarja e njohur shqiptare, Ronela Hajati, ka bërë një reagim të fuqishëm në llogarinë e saj në Instagram...
"Silent quitting” apo fenomeni kur punonjësit zgjedhin të mos japin më shumë se minimumi i kërkuar po perhapet ndjeshem në...
Vjen një pikë kur të duket sikur gjithë bota të është kthyer kundër dhe stresi arrin kulmin duke u shpalosur në f...