Personazh / 18 Dhjetor 2023, 16:01

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Nga: Ani Jaupaj

'Njeriu nuk duhet të plaket pa u mençuruar'. Fjalët e 'budallait' besnik në veprën 'Mbreti Lir' të Shekspirit, nga të verbërit, u kuptuan vetëm kur tragjedia kishte shpërthyer. Mençuria e Lolos, që e deshi mbretin pa kushte, përtej argëtimit dhe një lloj vetëdijeje të pjesshme që i shkaktonte, nuk e ndihmuan krenarinë e marrëzinë e mbretit nga fati i keq.

Mbreti Lir është një pjesë që shpërfaq verbërinë, verbërinë e natyrës njerëzore rreth qëllimeve të tjetrit, verbërinë dhe zbrazëtinë që kanë fuqia dhe privilegjet.
Verbëria zhvlerëson kohën kur është shkruar pjesa, sepse është njësoj dhe sot. Marrëzia është po ajo, ndryshon vetëm grykësia, sepse Mbreti nuk kërkonte më asgjë veç rehatisë dhe lavdisë, ndërsa sot mbretërit duan gjithçka pavarësisht lavdisë. Mbreti, si të gjithë 'mbretërit' dhe 'mbretëreshat' bashkëkohorë, (shih fjalorin; kanakar) pavarësisht përmasës, të vetmet dëshira e qëllime kanë pasurimin, rehatinë dhe kënaqësitë, por syhapur nuk mund të shijosh shumë, prandaj i mbyllin, të gjithë! Të pavetëdijshëm që do t'ua hapë koha, dhunshëm.
Duke mbyllur sytë, nuk kuptojnë as dështimet e rënimet e tyre, që janë më të të qendrushme se të gjitha kënaqësitë dhe lavdet e shtira.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!
Me të humbur pushtetin, Mbreti Lir, njësoj si të gjitha karriget e rëna, rifiton shikimin dhe vetëdijen që ka dështuar, që ka humbur dashurinë, edhe të fëmijëve të tij. Mirëpo, thuajse përherë, është shumë vonë. Fati është shkruar.

Fati ishte shkruar edhe për Viktor Zhustin, që të ishte ky roli i tij, ylli i tij. Jo se ndikimet e tij në teatër e kinematografi janë të pakta, ka qenë përherë karakteri me sharm të përveçëm, por 'Mbreti' e veshi me këtë titull edhe përtej rolit. Për energjinë, për pamjen që, as nuk i afrohet moshës së vërtetë, ndryshimet e atypëratyshme karakteriale të një mbreti të marrë, për forcën dhe aftësinë që duhet të kesh për të mishëruar çmendurinë, për ta përballuar atë, për të qenë Mbreti Lir.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Betejat rraskapitëse të çdo shfaqjeje

"Është rol i ëndërruar nga çdo aktor i moshës së tretë. Është ndër rolet më të komplikuara, me mbingarkesë të jashtëzakonshme vokale dhe emocionale, që vështirë se gjendet i dytë në repertorin shekspirian. Çdo rol e bën aktorin të vuaj, të djersijë, por Liri, të çmend, të rraskapit. Çdo ditë me të në skenë nuk është provë, por ndeshje dhe çdo shfaqje është betejë rraskapitëse. Për mua ka qenë një përvojë e çmuar dhe një dhuratë e mrekullueshme e Teatrit Metropol, në këtë moshë, të njëjtë me të 80-at e Mbretit. Asgjë nuk do të arrihej pa kujdesin dhe përkushtimin e gjithë kolegëve, ansamblit krijues dhe ekzekutues të Metropolit  të cilët i falenderoj me mirënjohje për ndihmën e pakursyer".- thotë Viktor Zhusti që vetëm me moshën e Mbretit nuk ngjan, as me fluturimet e deliret e tij dhe të të gjithë të verbuarve që shihen në pasqyrë mbretër.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!
 
Zhusti: Ky rol më ka marrë shpirtin, aq sa edhe shpirt më ka dhënë

Mbase aktorët, njësoj si shkrimtarët, nuk kanë faj që nuk duan e nuk kanë ç'thonë përtej rolit a veprës. Ç'mund të thotë Viktor Zhusti më shumë se stërmundimet e rolit të tij që përcillen një për një, në çdo karrige të publikut, me fuqinë e një mesazhi intim.
Me tronditjet, lëkundjet emocionale, çmendurinë, e gjithë ngarkesat që shoqërojnë tragjedinë, personazhi i ka thënë të gjitha më mirë se çdo përshkrim. Fatit tragjik të Mbretit i rri përherë pranë, deri në vdekje, komizmi realist e syhapur i Lolos. Pas pamjes qesharake fshihet dituria, urtesia dhe zemera e madhe që Mbreti do donte të kishte.

“Mbreti Lir është ndoshta më i bukuri, më i vështiri rol, në teatrin shekspirian. Intensiteti, situatat e jashtëzakonshme, transformimi degradues në ato dy orë e gjysmë, pa shpërfillur moshën në të cilën mbreti Lir përjeton rrugëtimin nga parajsa në ferr, e bëjnë atë sa të magjishëm aq edhe të frikshëm. Është rol që më ka marrë shpirtin, aq sa edhe shumë shpirt më ka dhënë!"- thotë Viktor Zhusti, ndërsa ata që e kanë parë shfaqjen e dinë me siguri që është kështu.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Mbreti Lir paraqet karakter të dyfishtë, herë despot mizor e herë humanist. Cinizmi e kureshtja, zëvendësoheshin pa kuptuar me shpirtin e pastër të një njeriu të lënduar e tradhëtuar. Si fati i pashmangshëm i çdo mbreti a mbretëreshe, të së shkuarës e të së tashmes, keqedukimi i fëmijëve si rrjedhojë e tekave të pushtetit, është shkaku i tragjedisë. Dhe tragjedinë Viktor Zhusti e përcjell të tërën, si një ngjarje të parë me sy, si të ishe pjesë e fatkeqësisë. Me regjinë e Jonida Beqos, edhe e gjithë trupa, aktorë të rinj e ca më pak të tillë, e kishin plotësuar mjerimin e mbretërisë.
Bashkë me Lulëzim zeqen, Sokol Angjelin, Armela Demaj, Amri Hasanlliu, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Klea Konomi, Klesta Shero, Kriks Dumo, Luisa Dinellari, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari, Xhoni Spahi, "Mbreti Lir' nuk do të harrohet lehtë.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Mizoria e vajzave të mbretit dhe 'vrasësve' të tjerë.

Kordelja ishte e vetmja që i tha të atit fjalët që i thonte zemra, pa zmadhime, pa ledhatime, pa qëllime. Si më e dashura e të atit, mes tre bijave, ajo e zhgënjeu krenarinë e tij sepse nuk e lëvdoi aq sa donte marrëzia e oborrit, ndërsa Mbreti ndante pasurinë, për të lënë fronin. E vërteta, si padrejtësi e realitetit të botës, nuk doli dot mbi grykësinë dhe manipulimin e dy bidhave që përveç pjesës më të madhe, donin edhe kokën e babait.

Karakterin kompleks të Edmundit, te aktori Lulzim Zeqja, e lexoje të shkruar mirë, në sy e nerv, sepse jeta e kishte bërë të rritej me mllefin e të mënjanuarit, siç e tregonte në çdo fjalë timbri i zërit të tij. Edmundi nuk manipulon e dredhon vetëm për pasuri e pushtet, por sepse shoqëria, nën dirigjimin e të atit, e ka trajtuar si bastard, si fëmijën e një marrëdhënie të pakurorëzuar. Me pasojat që mund të lërë mbijetesa brenda një kornize të tillë, Zeqja i kishte dhënë rolit ftohtësinë që i duhej, duke e privuar veten nga çdo shenjë njerëzore dobsie.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

Dy vajzat e mëdha të mbretit, Regan dhe Gonerili, sjellë në skenë nga aktoret Armela Demaj dhe Klea Konomi, janë personazhet që shkaktojnë tragjedinë dhe hapin sytë e të atit. Siç i mbyllin, bashkë me të tyret, në fund të kësaj tragjedie që ndryshon nga aktualiteti vetëm prej formës së vuajtjes që mund të mos mbërrijë deri te vdekja, por mbetet një lëngim i gjallë që vishet me frak.

Vuajtjet e djaloshit Zhusti: Mbreti Lir më ka marrë shpirtin!

 

Horoskop