Personazh / 4 Mars 2024, 11:17

Apnea e gjumit, pajisjet e gërhitjes dhe praktikat e ekspertëve nga Dr. Gera Tagani

 Apnea e gjumit, pajisjet e gërhitjes dhe praktikat e ekspertëve nga

Nga: Santana Çomora

Dr. Gera Tagani sjell në klinikën e saj mes shumë shërbimeve dhe trajtimeve, edhe ekspertizën e specialistëve më të mirë në mjekësinë e gjumit në Shqipëri me një qasje inovative për shëndetin e gjumit. Duke jetuar dhe studiuar në Amerikë, Dr. Tagani njohu mirë këtë lloj mjekësie, duke konstatuar edhe një boshllëk thelbësor në kujdesin shëndetësor në vendin tonë për sa i takon çrregullimeve të gjumit. Pacientët shpesh i drejtohen klinikës së saj duke ia atribuuar shqetësimin e gërhitjes problemeve të hundës. Ndaj Dr. Gera mendoi të pasurojë specialitetet në klinikën e saj duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim dhe kujdes të specializuar, por edhe rëndësinë e trajtimit të menjëhershëm të këtyre çështjeve, pasi krijojnë probleme, që variojnë nga lodhja e ditës dhe vështirësitë e përqendrimit deri tek ato më serioze, të natyrës kardiovaskulare. Ky shënon një moment kyç për Shqipërinë, ku integrimi i praktikave të avancuara të gjumit synon të transformojë peizazhin e kujdesit shëndetësor.

Apnea e gjumit, pajisjet e gërhitjes dhe praktikat e ekspertëve nga

Dr. Gera, nuk na ndodh shpesh të flasim për shëndetin e gjumit dhe sidomos me një mjeke të kirurgjisë plastike. Si ndodhi lidhja juaj me kujdesin shëndetësor në çrregullimet e gjumit?

-   Si një specializante e kirurgjisë plastike, e angazhuar aktualisht në një specializim për mikrokirurgji në Universitetin Stanford në San Francisko, kam përshkruar një udhëtim unik profesional e studimor me sfond mjekësinë estetike për shtatë vjet. Gjatë kësaj kohe, pacientët më janë drejtuar shpesh, jo vetëm duke kërkuar përmirësime në estetikën e fytyrës, por edhe duke u përballur me shqetësime përtej fushës së kirurgjisë plastike. Çuditërisht, individët që mendojnë rinoplastikën, shpesh më pyesin nëse adresimi i aspekteve estetike të hundës së tyre mund të lehtësojë njëkohësisht çështje funksionale si gërhitja.

2. Dhe në çfarë përfundimi arritët nga ky vëzhgim?

Ajo çfarë konstatova qysh në krye qe një nevojë e paplotësuar përgjatë ekspertizave lidhur me gjumin, pasi shumë paciente femra më kërkonin udhëzime në lidhje me problemet e gërhitjes së burrave të tyre. Shumë prej tyre mendonin se estetika e hundës mund të ndërlidhej me probleme të tjera, si polipet (mish i huaj ne hundë) të njohura edhe si sinuset, duke krijuar një keqkuptim jo të vogël mbi lidhjen mes vështirësisë në frymëmarrje dhe gërhitjes. Shpejt kuptova një boshllëk në kujdesin e specializuar për problemet që lidhen me gjumin në vendin tonë, ndaj i hyra një misioni për të prezantuar, nëpërmjet bashkëpunimeve në klinikën time edhe mjekësinë e gjumit në Shqipëri.

3. Atëherë më konkretisht, çfarë është apneja e gjumit?

Apneja e gjumit është një gjendje gjatë së cilës pacientët shfaqin episode, ku u ndërpritet frymëmarrja për 20-30 sekonda ndërsa flenë. Në bazë të numrit të episodeve brenda një ore bëhet një klasifikim i niveleve të apnesë, të cilat janë: Mild (e lehtë), Moderate (e moderuar) dhe Severe (e rëndë).

4. A është kjo një gjendje që mund të sjellë komplikacione të tjera në organizëm?

Në bazë të informacionit nga mjekët më të mirë specialistë mund ta pohoj me siguri se apneja e gjumit mund të sjellë komplikacione të tjera në organizëm, duke përfshirë probleme kardiovaskulare, probleme me nivelin e kolesterolit, diabet të Tipit 2 dhe të tjera lidhur me frymëmarrjen.

5. Kur mund të dyshojmë se kemi apne?

Mund të themi se faktorët e parë të cilët na bëjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me apne janë: 

- Gërhitje të vazhdueshme dhe të shpeshta gjatë natës.

- Lodhje dhe mungesë energjie gjatë ditës.

- Zgjim të vazhdueshëm gjatë natës dhe shpesh herë me ndjesinë e mbytjes.

- Shtim i rrahjeve të zemrës gjatë gjumit. 

Apnea e gjumit, pajisjet e gërhitjes dhe praktikat e ekspertëve nga

6. Si mund ta diagnostifikojmë këtë gjendje? 

Në vijim të misionit tim për të prezantuar edhe mjekësinë e gjumit në Shqipëri, unë prej kohësh po bashkëpunoj me emrat më të mirë në SHBA për të realizuar këtë proces në klinikën tonë. Por për t’ju përgjigjur pyetjes, nëse rezultati i testit të gjumit tregon se pacienti ka apne ndiqen dy mënyra:

A.Trajtimi me anë të CPAP, e cila është një maskë që vendoset vetëm gjatë natës dhe fryn ajër në rrugët e frymëmarrjes për ti mbajtur ato të hapura gjatë natës. CPAP është zgjedhja e parë në trajtimin e apnesë në nivelin Severe (më shumë se 30 episode në 1 orë), por për një pjesë të madhe të pacientëve është i parehatshëm.

B.Trajtime alternative, të cilat aplikohen në pacientë të cilët nuk mund të mbajnë dot maskën CPAP dhe që bëjnë pjesë në nivelet Mild dhe Moderate (më pak se 30 episode në 1 orë). Në këtë grup përfshihen: Aparatura Orale, ndërhyrje kirurgjikale, rënie në peshë dhe pozicioni i gjumit. Ndër të cilat më efikase është aparatura orale, të cilën ofrojmë tashmë edhe në klinikën tonë. Ndërhyrja kirurgjikale është një zgjidhje e përkohshme e apnesë, sepse pas disa vitesh shfaqet sërish dhe në shumicën e rasteve në nivele më të larta.

7. A mund të themi se çdokush që gërhet ka apne? 

Jo çdo person që gërhet ka apne, por nëse kjo e fundit bëhet e vazhdueshme mund të jetë një shenjë, sidomos nëse shoqërohet me simptoma të tjera si ulja e nivelit të energjisë përgjatë ditës.

8. Cila gjini dhe grup moshë është më e prirur ndaj kësaj sëmundje/gjendje? 

Apneja e gjumit mund të prekë këdo, por është më e shpeshtë tek meshkujt dhe tek personat mbipeshë. Gjatë konsultave në klinikën tonë, specialistët e fushës kanë mjekuar edhe rastet e fëmijëve dhe grave që gërhasin gjatë natës, por siç e përmenda më herët, kjo nuk do të thotë se vuanin domosdoshmërisht nga apneja. 

9. Cilat janë metodat që përdoren për kurimin e saj në klinikën tuaj? 

Metodat e trajtimit në klinikën tonë bëhen në mënyrë të personalizuar për secilin pacient. Pasi kryhet konsulta me specialistin dhe vlerësimi i ekzaminimeve, që pacientët mund të kenë kryer, me anë të skanerit 3D merren masat e dhëmbëve dhe pozicionet e kafshimit. Masat e marra dërgohen në laboratorët në Nju Jork dhe përgatitet aparatura për secilin nga pacientët. Pas prodhimit, aparatura tërhiqet në klinikën tonë, ku falë specialistëve të shkëlqyer shpjegohet me detaje dhe njëherë përdorimi dhe mirëmbajtja e saj. Pacientët janë në kontakt të vazhdueshëm me stafin e klinikës për çdo pyetje dhe informacion të nevojshëm. 

10. Si është pritur kurimi dhe cili qene rezultati tek pacientët e trajtuar?

Të gjithë pacientët që kanë marrë aparaturën referojnë se ditët e para të përdorimit u është dashur të ambientohen pak me vendosjen e saj. Rezultatet janë të dukshme që javën e parë me një ulje 50-60% të gërhitjes, gjumë të rehatshëm dhe ndihen shumë energjik gjatë ditës. Aparatura vjen me 4-5 nivele avancimi dhe pacientët e ndalojnë përdorimin në pozicionin, që e redukton gërhitjen me 90% dhe ndihen se bëjnë gjumin më të rehatshëm. 

11. Nga vjen ekspertiza, që trajton këto raste në klinikën tuaj, meqë në Shqipëri, kjo shëndetësi e gjumit nuk është e përhapur?

Duke qenë larg prej studimeve e specializimeve për një periudhë të gjatë, nuk isha e informuar për disponueshmërinë e specialistëve të gjumit në Shqipëri. Jam dëshmitare e një numri të madh pacientësh, që shprehnin shqetësime për lodhjen kronike, mungesën e energjisë dhe apnenë e pa diagnostikuar të gjumit, ndaj u bëra e vetëdijshme mbi nevojën urgjente për mjekë të përkushtuar të gjumit në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor. Për klinikën tonë, ky lloj shëndeti është mision, ndaj kemi përzgjedhur aparaturën më të mirë dhe mjekët më cilësorë. Specialisti i gjumit vjen një herë në muaj në Shqipëri nga SHBA-ja në data të përcaktuara për konsulta dhe matjet me aparaturë.

12. Dr. Gera, në fund kam një kureshti, me kaq shumë angazhime në fushën e kirurgjisë plastike, pse vendosët të adresoni edhe këto probleme funksionale? 

Vendimi për të rikthyer këtë ekspertizë në Shqipëri buron nga një angazhim imi konstant për të trajtuar aspektet e shumanshme të shëndetit. Qëllimi im kryesor është që individët të marrin kujdes të plotë si për shqetësimet estetike ashtu edhe për ato funksionale, sa herë i diagnostikoj në konsultat e mia. Dhe klinika jonë ofron mori shërbimesh me bashkëpunime ndërkombëtare.

13. Si çdo gjë e re normalisht pritet me skepticizëm dhe me pyetjen: A është vërtet e efektshme kjo aparaturë? 

E mirëkuptoj çdo dyshim. Fillimi ka qenë i vështirë pasi duhej të informohej çdo pacient për problematikën, që është apneja e gjumit, e më pas aparaturën që mundësonte trajtimin e saj. Gjatë 3-4 ditëve të para pacientët hasin pak vështirësi në mbajtjen e aparaturën pasi ende nuk janë mësuar, por pas javës së parë pacientët mësohen dhe shohin përmirësim të dukshëm në cilësinë e tyre të gjumit. Por në çdo rast mbeten në kontakt me mjekun specialist, pranë klinikës sonë.

 

Horoskop