Thesari i Asadit, nga pjatat e florinjta te çmimi i artë i FIFA-s/ Çfarë u zbulua në “Pallatin e Popullit”
Dhoma e thesarit të Bashar al- Assad, në pallatin e tij, ndodhet në duart e rebelëve. Atje ata kanë zbuluar një foto me nën...
Fotografia: Simone Falcetta
Fashion Editor: Selin Bursalioglu
Make up artist: ELENA PIVETTA
Të rralla janë ato personazhe që jetojnë ende jashtë teknologjisë dhe zhvillimeve të kohës, duke u përpjekur të ruajnë me fanatizëm rutinën dhe duke u kapur fort pas idesë se vetëm ajo mund t’i shpëtojë nga kjo botë frenetike. Mikrobota e tyre është streha më e mirë, është vendi ku gjejnë paqen e duan të bëjnë katarsisin e vazhdueshëm, për t’u ndier të qetë e të mbrojtur nga ato që shohin e dëgjojnë në jetën e përditshme. E tillë rezultoi për mua para pesë vjetësh Florenca Bellova, partnerja e aktorit të njohur Artan Imami. E takoj përsëri, me idenë se gjërat kanë ndryshuar, si për mua, edhe për atë. Në të vërtetë, e gjej më hermetike. Ka të njëjtin stil jetese: spartane në disiplinat e saj dhe në përpjekje të vazhdueshme për të qenë nënë e devotshme dhe shembull për të bijën, duke i kultivuar asaj vlerat më të mira të një shoqërie idilike.
Në një rrëfim ekskluziv për “Living”, Florenca Bellova rrëfehet si para pasqyrës, duke qenë vetvetja jo vetëm me realitetin që e rrethon, por edhe për marrëdhënien me aktorin e famshëm, pengesat për të qenë aty ku dëshiron dhe projektet kinematografike.
Ritakohemi pas pesë vjetësh. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Më bëhet qejfi që i drejtohesh përsëri “Living”. Si ka qenë ky pesëvjeçar për ty, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë personal?
Kanë qenë pesë vite të vrullshme të rritjes së të voglës sime, Audrey Mawlle. Dita ime rrotullohet rreth saj, që nga shkolla e deri tek aktivitet jashtëshkollore. Nga pikëpamja profesionale mund të them se kam pasur projekte ndërkombëtare që dukej sikur do të realizoheshin, por për një arsye apo një tjetër, nuk shkuan ashtu siç duhej.
Ka rreth një vit që kam ndryshuar agjentin e filmit. Tashmë jam lidhur me një nga agjentët më të rëndësishëm dhe të njohur, Luka di Nardo dhe studion e tij CDA STUDIO DI NARDO në Romë. Para se ta takoja Lukën pata fatin të isha shumë pranë një projekti të HBO-së, me regji të Paolo Sorrentino-s, “THE NEW POPE” (me Jude Law e John Malkovich) Anna Maria Sambucco-s (në kastën e Sorrentino-s). E njëjta kastë më ka kërkuar të marr pjesë në provimin për një serial që ka dalë tashmë në “Amazon Prime”, me regji të Gianluca Tavarelli-t dhe me pjesëmarrjen e Kim Rossi Stuart: “Everybody Loves Diamonds”. Do të interpretoja rolin e Judith De Witt, drejtoreshës së një qendre diamantesh në Anversë, e cila u grabit nga një hajdut. Një histori bazuar pak a shumë në fakte reale. Roli i Judith-ës ishte shumë i rëndësishëm, por u përzgjodh një aktore norvegjeze më e madhe se unë në moshë. E njëjta kastë më përzgjodhi për audicion për një rol tjetër të rëndësishëm, në filmin e fundit të Paolo Sorrentino-s, po dhe aty besoj se ka qenë i njëjti problem skenik, duke qenë se dukesha më e vogël nga ç’jam. Një film në të cilin mora pjesë me shumë qejf ishte ai që u xhirua në Shqipëri, “Gjirokastra”, me regji të një regjisori rus, Yuri Arabov. Pjesa ime nuk ishte shumë e rëndësishme, por projekti më interesonte artistikisht. Në të njëjtin film kishte një pjesë të vogël dhe Artani.
Për sa i përket Audrey-t, ajo ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Që kur ishte pesë vjeç dinte të lexonte dhe të shkruante në tri gjuhë: frëngjisht, italisht dhe anglisht. Tani flet dhe gjuhën amtare, ka ecur mjaft mirë me shqipen. Është në klasën e katërt fillore në një shkollë ndërkombëtare franceze. Jam unë ajo që e ndjek nga ana pedagogjike dhe përveçse e bëj me shumë dëshirë, deri diku jam e detyruar që ta mbikëqyr vetë edhe për shkak të krizës së sistemit shkollor. Audrey që pesë vjeçe ka nisur të luajë në piano dhe është vërtet e talentuar. Ka kujtesë të jashtëzakonshme dhe vesh absolut. Duke qenë se është rritur me muzikën, mbi të gjitha me atë klasike, gjithçka i ka ardhur në mënyrë natyrale. Interpreton në piano me një ndjesi dhe inteligjencë prej të rriture.
Nuk ka parë kurrë televizor. Këtë verë në Trieste për herë të parë (ndoshta dhe të fundit) e kam çuar për të parë një film. Adhuron të lexojë klasikët, si: Shekspirin, Dymanë, Dikensin, Zolanë, Danten, Kiplingun. Dhuratat e vetme që kërkon janë librat dhe disqet muzikore.
Para pak muajsh edhe Audrey ka nisur të bëjë aktoren. Ka pasur kërkesë për një film autobiografik të Francesca Comencini-t, e bija e regjisorit të madh italian Luigi Comencini. Gjatë këtyre ditëve na kanë ardhur kërkesa për një film të ri, të një regjisori të njohur italian në bashkëpunim me një anglez, drejtuar nga Keira Knightley, Alicia Vikander, Aleksander Skarsgard. Dy filma në të cilët ka marrë pjesë janë “HERE AFTER”, me regji të Roberto Salerno-s (producent i njohur amerikan) dhe “IN THE HANDS OF DANTE” i Julian Schnabel-it, bazuar mbi librin me të njëjtin titull të Nick Tosche-s. Audrey ka një pjesë shumë të bukur dhe të rëndësishme, të voglën Gemma Donati, gruan e ardhshme të Dante Aligerit. Këtë verë patëm një takim me regjisorin e filmit në Romë. Në takim ishim ne të dyja. E pranoj që isha e emocionuar, duke qenë se jam admiruese e Schnabel-it dhe artit të tij. Ai u mahnit nga Audrey dhe e quajti “gjeni”. Ishte mahnitur nga dy gjëra: nga monologu i Shekspirit që vetëm 9 vjeç ta sillte në atë mënyrë, si dhe për pjesët që Audrey kishte interpretuar në piano. Në set Audrey ishte në krah të vajzës së Isabelle Huppert-it. Tashmë presim shfaqjen e filmit.
Vazhdon të jetosh në mikrobotën tënde të shkëputur nga gjithçka: e njëjta rutinë, pa lajme, pa televizion, me regjim ushqimor konsistent, disiplinë fizike, dashuri për kafshët, por ama tashmë me një faqe “Instagram”-i...
Vazhdoj të njëjtën rutinë spartane. Gazetat i lexoj rrallë, sidomos ato shqiptare, që më duken mediokre, vulgare, jokompetente dhe toksike. Kanalet shqiptare pothuajse nuk i ndjek. Shoh vetëm BBC, CNN, EURONEWS dhe ndonjë film në ndonjë platformë dixhitale. Ama mund ta them me bindje që besnikja ime e përhershme është radioja, në veçanti “France Culture”, për temat që trajton dhe profesionalizmin e lartë. Që nga koha kur jetoja në Paris, në vitin 2012, është e vetmja që më bën zgjimin në orën 6:00 të mëngjesit. Edhe Audrey pëlqen të dëgjojë podkaste me aventurat e Tintinit të Herge, me autorët klasikë, si: Dikens, Kipling, Verne. Jam e lumtur që ashtu si unë, edhe Audrey është dëgjuese e rregullt e radios. “Instagram”-i... kam qenë e detyruar ta hapja, nga agjenti im i ri, i cili më bëri të ditur se është e pamundur të punosh në këtë sektor pa pasur një faqe tënden.
Vazhdoj të mbaj të njëjtin regjim ushqimor gjysmëvegjetarian dhe plot shije. E njëjta vlen edhe për Audrey-in, e cila nuk njeh ushqim ndryshe, si të skuqurat dhe pijet me gaz. Fatmirësisht, nuk ka as kuriozitet t’i provojë.
Dashuria për kafshët vazhdon, duke u lidhur fort edhe me kafshët e braktisura nëpër rrugët e Tiranës. Thonë se ashtu siç trajton kafshët, trajton edhe njerëzit. Në Shqipëri ekziston një qasje injorante ndaj kafshëve që lihen në mes të rrugës dhe keqtrajtohen.
Sot më duket se Tirana është bërë lëkura jote e dytë. Ndihesh më e afërt me këtë qytet? Çfarë mendon se ka ndryshuar në marrëdhënien tuaj?
Mund ta pranoj që është qyteti i vetëm në të cilin nuk kam arritur të integrohem dhe nuk kam gjetur kurrë paqe, sidomos vitet e fundit. Të jem e sinqertë, nuk e dua. E vetmja pjesë që e dua vërtet (motivi kryesor prej të cilit nuk largohem dot) është parku i liqenit, që çdo mëngjes e përshkoj me gëzim me biçikletë dhe më jep paqe shpirtërore. Pastaj, pjesa tjetër më duket kaotike dhe jopraktike. Të mos flas pastaj për banorët e Tiranës, që më duken të paedukatë dhe shumë pak të qytetëruar. Nuk e njohin empatinë. Rinia përdor një gjuhë të turpshme dhe rrotullohet rreth një jetë materialiste, nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja,nuk njohin masën dhe nuk kuptojnë ku fillon dhe mbaron lirija e tyre në lidhje me tjetrin. Kjo vjen nga një edukim i gabuar.
Na fol pak për shërbimin tënd të fundit fotografik, të cilin po e bëjmë publik në “Living”. Si lindi ideja? Fotografi? Fashion Editor-i?
Ideja lindi nga nevoja për të pasuruar portofolin. Agjenti im më la të kuptoja që unë dhe Audrey duhej të kishim fotografi të reja. Së bashku me një nga grimieret më të njohura, Elena Pivetta, e cila punon për revista të njohura si “Grazia” dhe “Vanity Fair” e me një nga fotografët më në zë, Simone Falcetta, realizuam këtë shërbim fotografik. Gjithçka u zhvillua në Milano. Pika kryesore ishte fashion editor-i turk Selin Bursalioglu, i cili solli gardërobën e fundit të markave të njohura, si: “Valentino”, “Gucci”, “Celine”, “Versace”, “Redemption”, etj.
Mendon se i je përkushtuar më shumë rritjes së Audrey-t dhe partnerit tënd, Artan Imamit, duke harruar pak a shumë veten?
I jam përkushtuar tërësisht të voglës dhe Artanit, shtëpisë, kafshëve dhe gjithçkaje që rrotullohet rreth tyre. Nuk dua ta delegoj rolin tim si nënë. Jam e devotshme ndaj tij dhe dua t’i mësoj vajzës gjithçka që mundem. Në këtë mënyrë, Artani është i lirë t’i kushtohet projekteve të veta, sepse merrem unë me çdo gjë. Tashmë po bindem se ka ardhur çasti që të punoj me kohë të plotë dhe t’i kushtoj më pak kohë shtëpisë.
Duhet ta them që jam e pranishme në çdo projekt teatral të tij, shkëmbejmë mendime dhe përpiqem ta ndihmoj. Një nga shfaqjet e fundit të vëna në skenë, ia mundësova unë duke kontaktuar direkt me autorët e shfaqjes nga Parisi “Shtëpiake të dëshpëruara”. Pasi e lexova, u këshillova me Artanin për ta vënë sa më shpejt në skenë, duke qenë se skenari ishte shumë argëtues dhe i përshtatej një publiku të gjerë, që e gjen veten lehtë në këto shfaqje. Dhe vërtet rezultoi e suksesshme, duke u shfaqur rreth një vit e gjysmë, sepse treshja fantastike Artan, Indrit dhe Gentian arritën ta përvetësonin mirë, duke shtuar edhe elemente nga ana e tyre.
Nëse bëjmë një analizë dhe i vendosim gjërat në peshore: çfarë ke humbur dhe çfarë ke fituar nga kjo marrëdhënie?
Nga kjo marrëdhënie pjesa më e rëndësishme është dhe mbetet vajza ime. Por, nga ana tjetër, kam humbur mundësinë për të pasur pozicione pune prestigjioze, si për shembull të vazhdoja të punoja në sektorin diplomatik. Kam humbur pavarësinë, sidomos atë materiale, që të bën të ndihesh e sigurt. Në projektet e mia nuk marr asnjëherë mbështetje nga partneri, ndërkohë që unë përpiqem gjithmonë ta mbështes. Për fat të mirë, mamaja dhe babai mbeten gjithmonë mbështetësit e mi kryesorë, duke u kujdesur që të mos më mungojë asgjë, dhe duke pasur gjithnjë besim tek unë. Këtë e vlerësoj shumë dhe më bën të ndihem e sigurt!
Sa xheloz është ai ndaj teje dhe çfarë xhelozie është?
Ai është mjaft xheloz, por nuk e tregon. Gjithsesi, nuk është se ia jap mundësinë të jetë, pasi përditshmëria ime është e parashikueshme dhe e kufizuar nga lëvizjet në lidhje me Audrey-n. Nuk i pëlqen as që vazhdoj projektet e mia artistike, që mendoj të kthehem së shpejti për të jetuar në Itali apo Francë dhe që t'i rikthehem të qenët e pavarur. Ky është një lloj egoizmi nga ana e tij, që në planin afatgjatë e konsumon marrëdhënien.
Duhet thënë se unë po jetoj një jetë që e kam ndërtuar vetë me durim, me shumë punë e disiplinë dhe mbi të gjitha me pasion për gjithçka që ndërmarr. Ndaj më rëndon edhe më shumë nëse e hedh tutje, sikur të mos kishte ekzistuar para kësaj lidhjeje.
Sa i afërt është ai me Audrey-n dhe nga ka marrë më shumë ajo?
Audrey është jashtëzakonisht e lidhur me mua, për rrjedhojë, marrëdhënia e saj kryesore është me mua. I ati është i pranishëm në çdo çast të ditës dhe pothuajse kudo ku jemi bashkë, por duke qenë se nuk është shumë aktiv me jetën sportive, nuk merr pjesë në aktivitete si kalërimi, çiklizmi, tenisi apo thjesht për një shëtitje në park. Audrey ushtrohet pothuajse çdo ditë në piano, të paktën një orë e gjysmë ose dy në fundjavë kur nuk ka shkollë dhe lexon me shumë dëshirë. Dëgjojmë shumë muzikë dhe nëse nuk dalim merremi me sport në shtëpi... tenis dhe volejboll në dhomën e ndenjjes ose kërcim me litar. Rreth orës 8:00, pas darkës dhe dushit, përgatis Audrey-n për shtrat dhe rreth orës 20:30 - 21:00 ajo është në gjumë. Nuk ka kompromis për gjumin!
Mbrëmjeve nuk dal kurrë pas orës 7:00. Vetëm kur ka ngjarje të rralla (koncerte të muzikës klasike ose balet në Opera). Kjo është ajo që kam marrë nga prindërit e mi të mrekullueshëm, një edukim shembullor, plot dashuri dhe harmoni.
Revistën Living mund ta lexoni dmë poshtë:
Dhoma e thesarit të Bashar al- Assad, në pallatin e tij, ndodhet në duart e rebelëve. Atje ata kanë zbuluar një foto me nën...
Shumica e njerëzve ndoshta shmangin kafeinën dhe ëmbëlsirat para gjumit, por ka shumë ushqime të tjera që potencialisht mun...
Të dhimbshme, "turpëruese", delikate, të paparashikueshme: hemorroidet janë një çrregullim i shpeshtë si tek meshkujt ash...