Personazh / 5 Mars 2024, 15:05

7 minutat e 8 Marsit

7 minutat e 8 Marsit

Koncepti dhe realizimi: Santana Çomora
Fotografia: Endrit Mertiri
Shkrimi: Ani Jaupaj
Design: Aldo Beshiri
Grimi & flokët: Suela Cangu
Editore: Xhoia Dumi
Post-production: Renato Hyselli

Frikërat që tjetërsojnë karakterin, për shumicën e realitetit, janë kapërcyer sepse pakkujt i ka mbetur diçka nga dinjiteti, por në teatër nuk ndodh kështu! Aty është luftë e vazhdueshme. Me veten, me tjetrin, e me kohën që po tjetërson veten dhe tjetrin.

Një ngjarje që gazeta e prodhon si lajm të përditshëm, teatri e shndërron në ushqim shpirtëror. Të njëjtën gjë ka bërë autori italian i pjesës ‘7 minuta’, Stefano Masini, me ngjarjen reale që ndodhi në një fabrikë tekstilesh, ku punëtoret u rebeluan ndaj kërkesës së pronarëve për të zvogëluar kohën e pushimit, me 7 minuta, duke e interpretuar si kërcënim ndaj të drejtave të tyre. I nxitur nga kjo, Masini i dha zë 11 personazheve, duke e tejkaluar faktin konkret, për t’i dhënë një përmasë tjetër, atë të nevojës për të drejtën. 

Me një gjuhë të thatë, pa lule, si çdo grua përballet natyrshëm me mikeshën a kolegen e saj, pa kokëçarrje, pa dyshime paragjykimesh. Me një dialog të përditshëm, në habitatin e tyre, me personalitetin e tyre, me bindjet e tyre por, ndërkaq, me përpjekjen e vazhdueshme për të ndikuar te mendimet e tjetrës, për të mbrojtur kauzën e përbashkët; dinjitetin.   

Ajo që udhëheq këtë lloj vetëdije kolektive është Bianka, përçuesja e fjalës së ‘udhëheqësve’, te klasa punëtore. Yllka Mujo, në këtë rol të prerë, të ftohtë, pa ndryshime të herëpashershme humori, me përvojën e një gruaje në prag pensioni, nuk e fsheh as ndjeshmërinë, kur historitë e kolegeve të saj rrjedhin mes lotëve, nga frika e mungesës së parave. Ajo është e para që këmbëngul, për të refuzuar propozimin e shefave të tyre, sepse e di mirë që nesër, kur rutina ta ketë harruar edhe këtë sakrificë, ka për të qenë shumë vonë. Me fuqinë natyrale të zërit dhe autoritetin e një gruaje që ka ditur ta vendosë në skenë shumë më herët se sa në fabrikë, Yllka Mujo mbetet boshti i përpjekjes, ndërgjegjësimit dhe dëshirës për t’i ruajtur bashkëvuajtëset e saj nga pesha e shtypjes. 

“7 minutat” e gjetën të gatshme Driada Dervishin, regjisoren që, për ndjeshmërinë, inteligjencën dhe vëmendjen, është ndjerë në sintoni me këtë pjesë që ndodh nga lindje në perëndim, në njërën nga dhomat e fabrikës së tekstileve që nuk ndriçohet, as nga drita e dritareve, e as nga gënjeshtrat e një harmonie të supozuar të letrave murale. Ka mjaftuar një skenografi e thjeshtë, me pak ndenjëse, një tavolinë pune, dhe cohat mbrojtëse që vijnë përqark të gjithë skenës, për të krijuar një atmosferë që, në fund, qëllimin e ka vetëm te dinjiteti i grave dhe fjalët e tyre.

Gratë e fabrikës me aktoret e skenës

Nuk ishte shumë e vështirë, për aktoret e teatrit, t’i përshtateshin heterogjenitetit të pjesës për të cilën ishin zjgedhur. Thuajse secila prej një origjine të ndryshme nga e tjetrës, me përparësen e punëtoreve të fabrikës, të ardhura nga vende të ndryshme, siç bëhen bashkë prej rastësisë nevojtarët, u mësuan shpejt. Ishte pikërisht diferencimi i aksenteve që i jepte dritës ndërrmarjes së tyre të prodhimit, duke i sjellë ca nota gëzimi dramës për mbijetesë.

Nëna, bija, bashkëshorte… Në fabrikë, gratë përfaqësojnë çdo status të gruas që përpiqet të tregojë veten, të mbrojë familjen, të ushqejë të dashurit, të fshihet, të mbrohet dhe, në të gjithë këtë luftë të pambarimtë të jetës së saj, të përpiqet dëshpërimisht të reagojë pa bujë për frikën e së ardhmes, duke na i përcjell në çdo çast, si të ishte edhe pjesë e jona, sepse në fakt, realiteti i tyre është i të gjithëve ne. Është i atyre që jetojnë mes dukjes dhe zhdukjes, por është edhe i burrave që nuk ua dallojnë lodhjen, sfilitjen që vizatohet pas së qeshurës së tyre. Se e qeshura ngjan fitimtare, por mban një barrë të tërë sforcimesh për t’ia dalë.

Aktoret e përzgjedhura, e kanë mbështetur interpretimin edhe tek ndjeshmëria fizike. Me ecejake valëzuese, prekje mbështetëse dhe shikime pyetëse që kërkojnë çdo minutë miratimin e tjetrës, për sigurinë e një të ardhmeje të panjohur.

Driada Dervishi ka bërë bashkë Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin, Olta Dakun, Zamira Kitën, Rudina Dembacajn, Anila Bishën, Alesia Xhemalajn, Adelina Mucën, Paola Kodrën, Ajlin Petrelën dhe Xhoana Karajn, për të folur me një zë, për atë që gratë flasin rrallë, të drejtën e tyre.

Në ashpërsinë e një bote që i ka dhënë fuqi vetëm gjakpirësve, nevoja bazike e këtyre grave ngjan dëshpëruese, njësoj si realiteti, por historitë e secilës, kur t’i dëgjoni, do të zgjojnë pak nga njerëzorja që ka humbur. Pas shfaqjeve në 5 qytete, pjesa rikthehet në Teatrin Kombëtar Arturbina, në prag të 8 Marsit, në datën 5 Mars për të vijuar më pas turin e Shqipërisë.

 

Luiza Xhuvani

7 minutat e 8 Marsit

Privilegji i saj dhe ne të gjithëve

"Është privilegj të jetosh me teatrin dhe t’i japësh frymë e zë problemeve të shoqërisë"- këto janë fjalët e aktores Luiza Xhuvani për gjithë peshën e rëndësinë që i jep zërit të gruas, shqiptare dhe jo vetëm, kjo pjesë teatrore. Është privilegj për të, të jetojë me teatrin, siç është e ka qenë privilegji i ne të gjithëve që teatrin dhe filmin e kemi shijuar përmes saj.

Në rolin e Odetës, një gruaje që punon bashkë me të bijën në fabrikë, pra mosbindja do t’i krijonte dëm të dyfishtë, Luiza Xhuvani di ta përcjellë shqetësimin e frikën me qetësinë e një gruaje të ditur e të dhembshur, tipare që, a prej roleve a prej portretit të saj, i lexohen sidoqoftë, brenda e jashtë rolit. Sytë, më shumë se kujtdo, arrijnë t’ia shfaqin pasiguritë e një nëne që, megjithatë, këmbëngul deri në fund të mbizotërojë dinjiteti.

Rudina Dembacaj

7 minutat e 8 Marsit

7 minutat që kisha ëndërruar

 “Të gjithë mendonin që nëse unë do nisja një punë me Driadën do të ishte një komedi, edhe vetë ajo madje. Ndërkohë doja diçka të fortë, si monologët e Këpucëve të kuqe, por jo vetëm, doja t'u fliste sa grave aq dhe burrave. “7 minuta” ishte ajo që pa e ditur kisha ëndërruar, një pjesë që i flet njeriut, një pjesë që përfaqëson dëshirën për t'u konsideruar një qenie njerëzore e jo një numër.”

Prandaj aktorja dhe producentja e kësaj shfaqje, Rudina Dembacaj, nuk rreshti së pohuari, që në krye të punës me prova e deri në premierën e saj, se, deri tani, kjo kishte qenë pjesëmarrja e saj më e vlefshme në teatër. “Është nder të punoj me këto gra kaq të përkushtuara, të mësoj prej tyre”. Bashkë me sportivitetin e së folurës së vendit të saj, trimërinë interpretative, Rudina e çoi shfaqjen edhe në Lezhë, aty ku, më shumë se kund tjetër, lëkura e saj shndrrin nga krenaria.

Driada Dervishi

7 minutat e 8 Marsit

Bukën e gojës apo dinjitetin?

““7 minuta” është një tekst koral me 11 zëra, i cili synon të provokojë debatin demokratik.

Teatri nuk është thjesht një shfaqje, është një përvojë kolektive e cila provokon mendimin apo ngre pyetje të cilave ndoshta vetëm bashkë, mund t'u japim përgjigje.

Ajo që më ka munduar vazhdimisht gjatë provave është pyetja: Individi apo kolektivja: sa personalja ka shkatërruar apo çekuilibruar të mirën tonë të përbashkët?

Sa nga këto 7 minuta falim çdo ditë duke menduar gjoja për të mirën tonë personale e të momentit, duke mos menduar që pothuajse jemi futur në qerthullin  e një skllavërie moderne na vë përpara zgjedhjes : bukën e gojës apo dinjitetin?

“7 minuta” vijon në vazhdën e dëshirës sime për t'u fokusuar tek teatri social, njerëzor, ai teatër që të dhuron kënaqësi, por ndërkohë i ndihmon njerëzit të bëhen më të mirë- e në fund të fundit a nuk na mëson teatri dinjitetin për të punuar për shoqërinë njerëzore, duke folur për problemet e kohës ku jetojmë?”

Paola Kodra

7 minutat e 8 Marsit

E vërtetë si fëmija që pret

 “Grua! Forca jote është e pazëvendësueshme! Përkushtimi, durimi, dhe aftësia jote për të përballuar sfidat janë superfuqi! Ndihu krenare për to!” Askush nuk e di që Sabina është në pritje të një fëmije, as e ëma e saj me të cilën punon në të njëjtin repart të fabrikës. Prandaj pasiguria është më e madhe, por më e heshtur. Aktorja korçare Paola Kodra me vërtetësinë e një fëmije që pret një fëmijë, por dhe ca dëshirave që ia drejton ëndrra për jetën e re, bëhet drita dhe heshtja e të gjithave. Bashkë me interpretimt e saj në këngë, aktorja bëhet zëri i parë dhe i fundit i një shfaqje që zien e gjitha në mendime.   

Yllka Mujo

7 minutat e 8 Marsit

Vetëdija e teatrit dhe pushteti i aftësisë së saj

Nuk është kaq e thjesht të mbash peshën e shqetësimeve të mikeshave të tua, ca më tepër të të duhet të ndriçosh pavetëdijen e tyre. Me rigorozitetin e një punonjëse të kalitur, dinjitetin dhe autoritetin e një gruaje që nuk i ka mbetur edhe shumë për të kaluar në jetë, Bianka e Yllka Mujos është nyja e ngjarjes, siç ka qenë Yllka Mujo nyja e të gjitha ngjarjeve teatrore, në dekada, me pushtetin e talentit të saj.

Olta Daku

7 minutat e 8 Marsit

Drita e fabrikës

Me moskokëçarjen e një gruaje të butë, që duhet të duket e fortë, Greta hera herës, bashkë me revoltën ndaj kolegeve, për ta nxënë realitetin që po i mbyt të gjitha, shfryn edhe te shishja e birrës. Zëri i lartë që i drejtohet disa prej punonjëseve të tjera të fabrikës, bashkë me domosdoshmërinë për të kapërcyer pasiguritë, kërkon të jetë bindës ndaj të tjerave. Aktorja Olta Daku siç mund të vëmë bast se çdo rol që merr përsipër është sikur të ishte shkruar enkas për të, edhe këtë herë, me gjithë dramaticitetin e të gjithë atmosferës së fabrikës, arrin të dal jashtë gjëndjes së gjindjes, për t’i dhënë atij lëmi pikëpyetjesh e frikërash, kurajën e vetironisë së saj.

Zamira Kita

7 minutat e 8 Marsit

Realiteti i gruas me zë dhe figurë

Publiku nuk e kupton gjithmonë nëse janë rolet ato që i japin tiparet dalluese një aktori, apo nëse rolet që zgjidhen për të kanë tiparet që ai ka. Sidoqoftë, energjia e aktores Zamira Kita, në shfaqen “7 minuta” është ajo që i kemi njohur çdo herë, në ekran dhe përtej tij. Roli ishte i prerë dhe këmbëngulës, me vendosmërinë për të mos dalë nga zona e rehatisë, për të mos iu qasur fare rrezikut. A nuk bëjnë këtë shumica e grave të thjeshta?! Të atyre që luftojnë çdo ditë vetëm që të ushqehen, që pranojnë, që durojnë?! Zamira Kita i përcjell këto gjendje të gruas me zë dhe figurë. Shpesh herë nuk dimë t’i lexojmë, por plastika e portretit të Zamirës do t’ju kujtojë që si ajo, keni parë me qindra.

Xhoana Karaj

7 minutat e 8 Marsit

Kujtesa e shfaqjes 

“Ndonjëherë, nga ato 7 Minuta që duken pak, varet e gjithë e ardhmja jonë”, aktorja Xhoana Karaj e ka kuptuar që në fillim këtë, që me rolet e para, prandaj e njeh rëndësinë e çdo minuti në skenë, që e ardhmja t'i japë dinjitetin e roleve që sapo ka nisur

Anila Bisha

7 minutat e 8 Marsit

Dinjiteti mbi të vërtetën

Me gjuhën e Tironës, aktorja Anila Bisha, përfaqëson në shfaqje çiltërsinë e atij që populli e quan babaxhanllëk. E ndikuar edhe nga paqtësia e fesë dhe naivitetit me të cilin ajo të ndërton, roli i Bishës kishte vëmendjen që meriton mungesa e saj në teatër.

“Duhet të luftojnë shumë, e vërteta është se vendi i punës është i rëndësishëm, por edhe dinjiteti është i rëndësishëm. Gratë duhet të luftojnë për të drejtat e tyre”, shprehet aktorja Anila Bisha.

Adelina Muça

7 minutat e 8 Marsit

Këto gra ishin dhuratë e jashtëzakonshme

“Ftesën me zor e kam pritur, pasi me Driadën kam një CV prej 11 vitesh në skenë bashkë, ku e them me plot gojën se kanë qenë të suksesshme. Bërja bashkë e këtyre vajzave dhe grave ishte një dhuratë e jashtëzakonshme. Më vjen mirë që përzgjedhja e veprës që Driada ka bërë është një vepër që na prek të gjithave. Kam dëgjuar komente që njerëzit janë përlotur nga kjo shfaqje. Të njëjtën gjë ndiejmë edhe ne kur jemi në këtë skenë. Edhe pse ka qenë e vështirë për gjetjen e sallave për të bërë prova, them që kjo shfaqe duhet të shfaqet jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera.”

Ajlin Petrela

7 minutat e 8 Marsit

Mbi të gjitha, e drejta e gruas

“Misioni i teatrit është t’u japë zë problemeve që na prekin të gjithëve, e sa bukur është kur i jep zë të drejtave njerëzore e mbi të gjitha të drejta të femrave. Se ashtu siç Zoti i krijoi, të brishta por uragan, ashtu meritojnë të trajtohen.”-Jola nuk shfaqet çdo çast, por është përherë aty, me vullnetin për të kërkuar të drejtën.

Alesia Xhemalaj

7 minutat e 8 Marsit

E bukura nga Vlora

Alesia Xhemalaj është nga Vlora dhe aksentin e këtij qyteti duhet të përfaqësonte në fabrikë, por zgjodhi të flasë me gjuhë letrare, dhe mirë bëri, se as dinjiteti e as e drejta nuk kërkohen me ashpërsinë e një gjuhe që ti nuk e ke zgjedhur. Si një prej punonjëseve më të reja të fabrikës, por edhe një prej aktoreve më të reja të skenës së teatrit, Alesia foli me zërin e moshës dhe të të gjitha arsyeve pse respekti meritohet, në çdo moshë.

Kryeredaktore: Santana Çomora

Revistën Living NO.61 mund ta lexoni më poshtë:

Horoskop