Personazh / 27 Mars 2024, 12:03

Psikologia e “çunave të Londrës”

Psikologia e “çunave të Londrës”

Nga : Santana Çomora

Fotografia : Renato Hyselli

Vendndodhja: Interni Design Albania

Psikologia e “çunave të Londrës”

Vite më parë të ishe psikolog dukej sikur ishte një profesion luksi, një profesion që deri diku të hapte dyert e jetës, por që nuk gjente shumë qasje me realitetin tonë, aq sa, herë pas here ishte dhe i pakuptueshëm për shumicën ose thënë ndryshe të trokisje në derën e një psikologu do të thoshte se” nuk je mirë nga trutë”. Sot, roli i tij dhe pesha që zë në përditshmërinë tonë janë bërë mëse të nevojshme, ashtu si një kontroll rutinë mjekësor. Jeta frenetike na ka bërë që ndoshta një herë të vetme të gjendemi përballë tij, duke rrëfyer pjesë të ndryshme nga jeta jonë, ndoshta nga ato që nuk guxojmë ti themi me zë të lartë, duke e bërë rolin e tij mjaft dominant.

E të rrallë janë dhe emrat e këtyre psikologëve që me përkushtim e punë kanë arritur të jenë më të mirët në këtë fushë. Një prej tyre, të cilën si fillim e njoha nga disa prej shkrimeve të saj në kohë pandemie e më vonë bota e internetit na lidhi më shumë është Enertila Bekteshi, e cila për momentin jeton në Londër ose më mirë të them fizikisht është andej se zemrën dhe të gjitha lidhjet i mban me Shqipërinë. Takimet me të, më shumë sesa si psikologe kanë nota humori e shoqërie të pastër, sepse vetë natyra e saj është e qeshur dhe kërkon ta jetojë jetën në të gjitha dimensionet e saj, duke e përjetuar atë si një udhëtim që të ofron të gjitha mundësitë për të kaluar çdo stacion me sukses. Përtej kësaj, Enertila është gruaja e fortë, e cila i është përkushtuar familjes dhe profesionit të saj. Ajo vendosi të largohej para pak vitesh bashkë me familjen për shkollimin e të bijave në Mbretërinë e Bashkuar duke iu qëndruar afër e njëkohësisht duke mos e lënë profesionin, për të cilin kishte dhënë shumë. Formimi që ka, mosha produktive dhe profesioni si psikologe i dhanë vetëbesim për të nisur një jetë të re sfiduese. Të nisësh diçka të re nuk është aspak e lehtë, ashtu si dhe profesionin në Shqipëri nuk e ka pasur aspak të thjeshtë. Për ta ndërtuar i është dashur shumë punë, ndaj e sigurt që edhe në Angli do të punonte shumë për të vazhduar punën si psikologe, që për të është dashuri, përveçse përkushtim dhe profesionalizëm.

Psikologia e “çunave të Londrës”

Në një intervistë për LIVING, kur e pyes nëse e kishte menduar më parë të largohej nga Shqipëria më thotë që nuk është se donte të largohej, por është e privilegjuar të luaj një rol të rëndësishëm në jetën saj, atë të nënës e për këtë ajo nuk bën kompromise :

 “Qëllimi im si nënë është të mbështes fëmijët e mi në përmbushjen e potencialit të tyre dhe t’u ofroj mundësinë që meritojnë. Fëmijët e mi janë qytetar të shtetit anglez, kështu që duke qenë se janë në moshën e adoleshencës dhe kishin dëshirë për të studiuar në një vend që kishin të drejta dhe shumë lehtësi unë ju përgjigja kërkesës së tyre. E kam menduar me kohë për t’i integruar vajzat e mia në një nga shoqëritë më të zhvilluara në botë. Kam ardhur në Mbretërinë e Bashkuar duke pasur parasysh interesat e fëmijëve të mi, si dhe i kam mbështetur duke i regjistruar në një nga shkollat më të mira në Angli “.

 

Si psikologe që je mendon se ka ikur pjesa më me vlerë e trurit shqiptar, pjesa që në një farë mënyre ka investuar fort për të arritur diçka dhe për një moment kërkojnë të largohen duke e nisur gjithçka nga e para?

Për vite me radhë, Shqipëria po renditet si një vend që po përjeton emigracion të popullatës së arsimuar, po edhe në rrethin tim shoqëror kryesisht mjek, infermierë, informaticien apo njerëz tepër të kualifikuar janë larguar. Faktorët janë nga më të ndryshmit, por edhe te kjo klasë emigracioni ka diçka tjetër që i tundon, përvoja ndërkombëtare mbi profesionin që ata e zotërojnë. Kjo nuk i tremb, madje u krijon mundësi.

Arrite të futesh shpejt në rolin e psikologut, ta gjesh veten në profesionin tënd? Si i vendos kontaktet me pacientët?

Puna e këshillimit psikologjik  kërkon investim emocional, të qenit i pranishëm dhe mbi të gjitha i përshtatur dhe i përmbajtur. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë të balancoja familjen, mirëqenien dhe karrierën time, ndër vite. Unë kam mbi 16 vite eksperiencë pune si psikologe klinike. Shumë vite pune duke treguar përkushtim çdo ditë dhe e dashur nga pacientët dhe kjo gjë për mua është privilegj. Në gjithë këto vite, unë kam investuar edhe në kualifikime dhe edukim me studime edhe në Angli. Kam pasur fatin të kem edhe mundësi punësimi në profesionin tim që më kanë ndihmuar si në përshtatjen e profesionit tim këtu, por edhe në krijimin e kontakteve me shumë njerëz. Gjithashtu, unë jam e angazhuar edhe me komunitetin. Jam anëtare e UK Albania Medical Society Shqiptaro-Britanike për të ndihmuar komunitetin. Nëpërmjet blogut tim interesant “ Një Letër e hapur për Psikologun tim” trajtoj tema me interesa të përgjithshëm. Dua ti falënderoj shumë pacientët, të cilët kanë pasur dëshirën për të vendosur ata kontaktin me mua.

Psikologia e “çunave të Londrës”

Duke qenë afër emigrantëve shqiptarë cilat janë problematikat më të shpeshta të tyre? Cili kontigjent është ai që të afrohet më shpesh për të pasur konsulta të vazhdueshme ?

Shëndeti mendor është një nga sfidat më të mëdha në emigracion, pasi vet procesi i emigracionit është i vështirë. Stresi ,ankthi dhe jeta e shpejtë janë problematikat, të cilat kanë ndikim në jetën e shqiptarëve në Angli dhe që kanë nevojë për ndihmë, por ka edhe shqiptarë që kanë problem me emigracionin apo sistemin e drejtësisë dhe nga kjo situatë e krijuar kërkojnë asistencë psikologjike. Unë nuk do doja ti klasifikoja, ata janë kontigjent nevoje që kanë nevojë të këshillohen mbi problemin e tyre dhe të informohen rreth burimeve për të trajtuar shëndetin mendor. Si në Angli dhe në Shqipëri të rinjtë duket se më drejtohen më shumë .

Je cilësuar si psikologia e “çunave të Londrës” edhe pse ta kanë vënë këtë epitet. Të pëlqen ky personifikim?

Unë profesionin tim e kam ëndërruar dhe është një profesion që të jep mundësinë të dëgjosh dhe analizosh, mos të paragjykosh dhe të ndihmosh këdo. Unë këtë gjë në lidhje me profesionin e kam shprehur vazhdimisht mes miqsh në rrjetet sociale, në televizione dhe kudo. Kjo ndoshta u duket se i ndihmon “djemtë e Londrës” që në jo pak raste më kontaktojnë kur kanë probleme me shëndetin mendor. Referencat për mua shkojnë edhe mes tyre gjë që në një farë mënyre bëhem shpresë për ta dhe kështu më quajnë “Psikologia e çunave të Londrës”.  Për mua puna që unë bëj dhe ajo që unë përfaqësoj ka rëndësi : psikologe e “Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza”, e shqiptarëve  apo e çunave unë personifikohem si një profesioniste që pa diskutim më pëlqen çdo personifikim në lidhje me punën. Edhe ky, si psikologe e “çunave të Londrës“ më pëlqen.

Psikologia e “çunave të Londrës”

Si ta kuptojmë kur kemi nevojë për psikolog. Duket si klishe tashmë, po mendoj se është po aq e rëndësishme sa kontrolli rutinë tek dentisti përshembull?

Shqetësimi i vazhdueshëm emocional dhe vështirësitë e kryerjes së aktiviteteve normale të përditshme apo problemet siç janë ndjenjat negative, stresi problemet që lidhen me punën, ndryshimet dhe krizat, problemet martesore dhe familjare, të qarat, mund të përballin një njeri me nevojën e kërkimit  të ndihmës nga një psikolog. Unë personalisht në seancën e parë që kam me pacientin e falënderoj për ndihmën që i jep vetes duke ndjekur konsulta. Është dhurata dhe gjëja më e mirë  që duhet të bëjmë duke shkuar te një psikolog .

Përtej jetës si psikologe, kush është Enertila Bekteshi dhe çfarë përpiqet t’ju mësojë vajzave të saj?

Si çdo prind edhe unë dua më të mirën për vajzat e mia ndaj gjithmonë mundohem të jem e kujdesshme dhe model për to. Ajo që u mësoj vazhdimisht është që të jenë modeste dhe të ndihmojnë sa më shumë në jetën e tyre. Ndërsa, Enertila Bekteshi është një familjare e përkushtuar, por që nuk di të gatuaj, është një shoqe e mirë, egoiste ndonjëherë, ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes, të ushqehet mirë dhe të bëj shaka .

Në kohën e lirë çfarë pëlqen të bësh?

Varet se sa kohë kam, por që gjithmonë dua të bëj sport, të dal për vrap, palestër apo kërcim në shtëpi. Gjithashtu, lexoj në kohën e lire. Më pëlqen shumë që të shoh fotografi familjare të realizuara familjarisht nga udhëtime apo festa.

Një pyetje që gjithmonë më ka kuriozuar. Ju vetë shkoni tek psikologu?

Po unë shkoj edhe vet në seanca terapie. Sigurisht që e shkuara e vet psikologut në një psikolog tjetër ruan nivelet e ndjeshmërisë. Të dëgjosh traumat e njerëzve për të jetuar, duke qenë gjithmonë i hapur dhe i ndjeshëm nuk është detyrë e lehtë. Shkuarja te psikologu im më ndihmon gjithashtu në shmangien e kundërtransferimit. Kundërtransferimi është një term terapie që do të thotë se një terapist sjell çështjet e veta në seancën me pacientin e tij. Terapisti më ndihmon mua duke më ofruar frymëzim dhe kreativitet. Gjithashtu më kujton ekuilibrin e jetës dhe punës.

Psikologia e “çunave të Londrës”

Nuk ke shumë kohë që je larguar, po si na sheh kur vjen ? Shikon ndryshime për mirë apo për keq ?

Mua më merr malli ndaj ju shoh me sytë e zemrës kur vij. Në kaq pak kohë që kam ikur ka ndryshime edhe për mirë edhe për keq, por që jeta ka uljet dhe ngritjet e veta për këdo nga ne.

Ju falënderoj shumë për intervistën për mua është një vlerësim!

Horoskop