Personazh / 3 Korrik 2024, 17:45

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

Nga: Santana Çomora
Personazh: Alba Halilaj
Dizajni: Aldo Beshiri
Fotografia: Renato Hyselli

Një vajzë e lindur në Lushnjë, me një natyrë shumë ëndërrimtare,
që çuditi një pjesë të mirë të njerëzve, kur zgjodhi teknologjinë
e informacionit si degë studimi, ndërkohë që një pjesë e tyre
prisnin diçka më artistike për natyrën e saj. Për vite të tëra u end në rolet
klasike të një të riu në tregun tonë duke u bërë pjesë e kompanive më të
mëdha asokohe siç ishin ato të telekomunikacionit. Vite më vonë fati e
vuri përballë një zgjedhje, ku mund të punonte në drejtimin e projekteve
duke qenë një eksperte e lirë, freelance, e pa lidhur me asnjë kompani.
Me kalimin e kohës ajo që nisi si një punë e pjesshme, me një ekip
me tre persona filloi të merrte përmasa të mëdha e për pasojë edhe
koha që kërkonte ishte shumë e madhe, edhe shpërblimi gjithashtu.
Puna e saj e lidhur me një kompani fikse nuk ishte më drejtimi kryesor
dhe konsulenca nisi të merrte vendin e duhur.

Një dhomë e shtëpisë u shndërrua në zyrë, oraret u sfumuan duke lënë dorë të lirë për ndërtimin e axhendës ditore dhe çdo gjë u kthye në një shtojcë natyrale, ku pati luksin të shijonte kohën duke vendosur kufijtë e saj. Ama, ora biologjike e një gruaje është në kontradiktë të madhe me orën profesionale.

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

Në moshën 33-vjeçare ajo u bë nënë dhe aty kuptoi se përveç përmasës së re që merr shpirti, merr edhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme për t’iu dedikuar siç duhet këtij rrugëtimi të ri. Tani e gjen veten me një vajzë
3-vjeçare dhe në një program ku janë të përfshirë mbi 160 persona nga
e gjithë bota, në kërkim të asaj formulës që balancon jetën dhe punën
duke i lënë kohë ndonjë arratie të vogël.

- Në pamje të parë dukesh natyrë mjaft e brishtë dhe shumë feminile. Pse zgjodhe pikërisht këtë drejtim në jetë? Çfarë të shtyu apo ishte një zgjedhje momentale, por që rezultoi e vlefshme?

Në të vërtetë në fillimet e mia, ku puna ishte thellësisht teknike nuk jam shoqëruar nga ndonjë sukses mjaft domethënës. Çasti fatlum që bëri ndryshimin tek unë ishte kur m’ u besua drejtimi i projekteve, sepse në
zemër të menaxhimit të tyre është menaxhimi i ekipeve dhe çdo personi që ka interesa ndaj një projekti. Në këtë rol unë munda të përdor karakteristikat e mia natyrale si ndjeshmëria e lartë, inteligjenca emocionale për të kuptuar qasje edhe kur vijnë nga shtigje kuptimore shumë të ndryshme nga të miat. Ajo që duhet të kuptohet veçanërisht nga vendosja në krye të një projekti ku anëtarët e ekipit vijnë nga çdo cep i globit, është që secili prej tyre sjell qasjen e vetë unike, kulturore e disiplinore ndaj punës. Natyra ime mjaft e përqendruar tek njerëzit, për t’i kuptuar, akomoduar, bërë të ndjerë të respektuar dhe të mbështetur, ka qenë faktor shumë i rëndësishëm për rolin që kam pasur në këto projekte.

- Kur e kuptove që dega që kishe zgjedhur do të ishte dega e së ardhmes?

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

Zgjedhjet e degëve bëhen tipikisht 17 vjeç, kur je në maturë dhe asokohe nuk kam pasur vështrim shumë afatgjatë. Ama, roli i prindërve ka qenë thelbësor, eksperienca e tyre e eklipsonte naivitetin e moshës sime dhe kemi
pasur diskutime të gjata mbi disa alternativa, derisa unë bëra zgjedhjen time. Unë mendoj që tashmë teknologjia është pjesë përbërëse e çdo profesioni, edhe nëse nuk zgjidhet si degë më vete, pothuaj në çdo drejtim ku do të shkosh, do të kesh të bësh me pajisje, programe e shumë elemente të tjerë teknologjike. Mendoj që çdo degë është e nevojshme dhe ka të ardhme, ndaj të rinjtë duhet të zgjedhin atë ku aftësitë e tyre shkëlqejnë më shumë, duke qenë gjithmonë të ndërgjegjshëm mbi komponentin teknologjik.

- Seç kanë një prerje tjetër programuesit apo teknologët e informacionit apo ndoshta kështu i shoh unë. Mund të na përmendësh disa cilësi po patën për ty, se ndoshta syri im i sheh ndryshe?

Një shaka popullore mbi rolin tim thotë që ne, drejtuesit e projekteve jemi shpesh herë babysitter të mirë paguar. Përpos shakasë, brenda teknologjisë së informacionit ka një larmi aq të madhe nën-ndarjesh sa besoj i gjen të gjitha ngjyrat njerëzore. A i ka përkëdhelur pak tregu së fundmi këto profesione me ofertat e larta? Po, e pranoj. Ama, puna e tyre është shumë e vështirë, ka aq komponentë teknikë, abstraktë, krijues dhe nevoje për t’i balancuar të gjitha këto, sa nuk do të mund ta bënin dot të gjithë, të paktën jo me sukses. Unë jam fatlume që kam hasur njerëz të natyrave nga më të ndryshmet, dhe që kam pasur dhe kam ekipe kaq profesionale.Një menaxher sado i mirë, nuk është asgjë pa një ekip shumë të mirë. A mund të ekzistojë një dirigjent pa orkestër?

Ndaj jam mirënjohëse për çdo ngjyrë njerëzore që më është shfaqur, edhe pse komunikimet ndonjëherë mund të kenë qenë pak si kode për t’u deshifruar.

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

-Kryesisht në këtë profesion kemi parë më shumë meshkuj. Ti si e ke gjetur veten? Si të kanë pranuar? A e ke ndier diferencën e gjinisë dhe a ke pasur ndonjëherë ndonjë moment që je vënë në vështirësi e ke dashur ta lësh?

20 vite më parë, kur unë fillova studimet, raporti ka qenë mjaft drastik. Përafërsisht në vitin e parë të studimit raporti ka qenë 10 vajza karshi 120 djemve. Vëmendja dhe presioni vinin natyrshëm, ndonjëherë edhe jo të qëllimshme, por binim jashtë modelit të zakonshëm dhe kjo tërhiqte vëmendje, krijonte pyetje. Rol shumë të rëndësishëm ama kanë luajtur meshkujt që kam pasur pranë, im atë, im vëlla dhe së fundmi bashkëshorti im, të cilët kanë qenë mbështetës të jashtëzakonshëm të çdo suksesi dhe dështimi timin, sepse jeta i ka të gjitha. Nëse do të veçoja një moment ku e kam ndierë më shumë peshën e të qenit grua, ka qenë ditën kur vajza ime sapo kishte mbushur 3-muajshe dhe unë duhet të filloja punë, përndryshe rriskoja një marrëveshje nga ku varej e ardhmja ime financiare në atë kohë. Ishte shumë herët për mua, fizikisht dhe psikologjikisht, dhe vetëm sepse familja, veçanërisht mamaja ime, sakrifikoi kohën e saj për të më mbështetur, e pata të mundur ta kaloja atë fazë të vështirë.

- Ke tentuar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

Alba Halilaj: E apasionuar pas lirisë së profesionit

Do gënjeja po të thosha jo. Ama, kam arritur në përfundimin që duhet dëshira shumë e madhe apo ndonjë arsye shumë madhore për ta bërë atë hap. Në ato pak herë kur unë dhe im shoq kemi pasur oferta nga jashtë të vlefshme për t’u diskutuar, peshorja ka anuar gjithmonë tek qëndrimi këtu.

- Si e shikon të ardhmen e kësaj bote në vazhdim? Çfarë do zëvendësojë Inteligjenca Artificiale dhe çfarë do të lërë?

Inteligjenca artificiale ka qenë prej kohësh e pranishme, edhe motori i kërkimit të Google është inteligjencë artificiale. Risitë e fundit në këtë drejtim janë të mëdha, ama jo të papritura. Njerëzimi ka njohur pa fund zhvillime domethënëse, shembull i ngjashëm mund të jetë industrializimi i shoqërisë, ku shumë punë manuale u zëvendësuan nga makineritë dhe njerëzit morën drejtime të tjera. Epoka jonë po prodhon mjete që përdorin Inteligjencën Artificiale për të zëvendësuar disa aspekte në një numër të kufizuar profesionesh.

Është aspekt shumë i pritshëm i zhvillimit të përhershëm të dijes njerëzore. Do të zëvendësojë disa rutina mendoj që ne të kemi mundësi të zhvillojmë aftësi të tjera.
Lexo të plotë në Living

Horoskop