Horoskopi javor 22-28 qershor; Ujori & Peshqit
UJORI Eksplorimi ose fillimi i aventurës suaj mund të lidhet me Hënën në Peshore. Ky është një fillim i fuqishëm...

Moda në Shqipëri po përqafohet çdo ditë e më shumë nga adhuruesit e saj, e sidomos kjo duket tek dëshira e sa më shumë të rinjve për të sjellë në jetë idetë e tyre unike në veshje.
23 vjeçarja Rexhina Kurti është artistja, e cila i premton shumë modës. E profilizuar në Styling Fashion Design, Rexhina ka ngulur mirë hapat e saj në Shqipëri falë leksioneve dhe praktikave nga profesionistë të fushës si Ardi Asllani, e gjithashtu jep kontributin e saj në dy nga vendet më prestigjioze të modës në vend.

Ajo ka qenë pjesëmarrëse në disa sfilata, në projektin “Art With Heart”, “Muza Competition” dhe më e fundit ajo e “GX Fashion Week” në Milano.
Duke folur pak për veten Rexhina tregon se: “Që kur isha e vogël, rrobat nuk ishin thjesht copa që mbulonin trupin – ato ishin një mënyrë për të treguar pasionin tim. Më kujtohet si sot momenti kur për herë të parë preka makinën e qepjes. Zhurma e saj, fijet që lidheshin, magjia që ndodhte kur një ide në mendjen time merrte formë… atëherë e kuptova: kjo nuk ishte thjesht një hobi, ishte një pasion që bërtiste brenda meje.”

“Të jesh fashion designer për mua nuk do të thotë vetëm të krijosh veshje. Do të thotë të krijosh ndjesi, të japësh besim, të japësh zë atyre që nuk flasin dot me fjalë, por flasin me stil. Moda është enciklopedia ime, është mënyra ime për të zënë vend, një dizajn në një kohë.
Ëndrra ime nuk është vetëm të krijoj veshje që duken bukur, por të krijoj veshje që kanë kuptim. Të sjell kulturën, emocionin dhe historinë në çdo detaj. Të frymëzoj dhe të lë gjurmë. Dhe çdo herë që dikush vesh një krijim timin dhe ndihet vetvetja – kjo është fitorja më e madhe për mua”, vijon 23 vjeçarja.

Nëse për Rexhinën kjo ka qenë apo jo një rrugë e lehtë, ajo shprehet: “Deri tani për mua rruga nuk ka qenë e lehtë. Është dashur guxim, net pa gjumë, refuzime dhe ringritje. Por çdo sfidë më ka forcuar, sepse pasioni im nuk njeh lodhje. Ai rritet me çdo skicë, me çdo ide të re, me çdo kritikë që më bën më të mirë.
Frymëzimi im është i lidhur ngushtë me rrënjët, shpirtin dhe historinë. Mua më frymëzon e shkuara, jam munduar gjithmonë te përcjell një mesazh në veshje…
Etnografia shqiptare është një thesar i pashtershëm për mua – detajet e punimeve tradicionale, ngjyrat simbolike, aksesoret…Brenda saj gjej identitet, krenari dhe një elegancë të natyrshme që më frymëzon të krijoj me ndjenjë.

Detajet ushtarake më japin një tjetër dimension: strukturë, forcë dhe autoritet. Ato më kujtojnë se moda nuk është vetëm estetikë, por edhe qëndrim, përfaqësim dhe histori. Më pëlqen t’i ndërthur këto elemente të disiplinës me delikatesën e artit.
Arti i Van Gogh ( nga ku u frymëzova për koleksionin tim të fundit) më mëson të shoh përtej formës. Më frymëzon për t’i dhënë jetë ndjenjave përmes ngjyrës, për të krijuar tekstile që flasin, që rrëfejnë emocione të thella, të pa përkthyera me fjalë. Ky koleksion është i përberë prej 6 veshje.

Unë kam dashur të bëj bashkë Artin dhe Sportin (përditshmërinë). E imagjinoj veshjen si një pikturë që ecën në zhurmë dhe njëkohësisht gjen qetësinë. Aty ku arti i Van Gog gdhendet mbi tekstilin e fort të xhinsit ku paleti i ngjyrave shkrihet këndshëm mbi tylin 3 dimensional, duke ndërtuar dhe falur një lëvizshmëri të ndjeshmërisë së pikturës. Energjia e penelit te Van Gog rikthehet nga unë në shkrirjen e tylit mbi tekstil, duke ekuilibruar zhurmën dhe qetësinë. Kaçurrelat spirale të tylit përcjellin në mënyrë harmonike imazhin e mesazhit dhe qetësia aktuale vjen këndshëm mbi zhurmën e pikturës dinamike.

Dhe mbi të gjitha, më frymëzojnë artet, përditshmëria, dhe historitë. Të gjitha – ato personale, ato të harruara, ato që ende nuk janë treguar. Për mua, çdo veshje është një histori më vete. Moda është mënyra ime për t’i dhënë zë të shkuarës, për të nderuar kulturën dhe për të ndërtuar një të ardhme që nuk harron kurrë rrënjët e saj.

Moda për mua është një ëndërr e gjallë. Një ëndërr që nuk fle kurrë. Dhe unë jam këtu, çdo ditë, për ta jetuar dhe për ta kthyer në realitet – qepje pas qepjeje, detaj pas detaji, me gjithë dashurinë që kam për këtë art. Kjo nuk është thjesht një ëndërr, është një emocion qe dua ta jetoj çdo ditë…
Instagram: KURT_ISTORE (REXHINA KURTI)
UJORI Eksplorimi ose fillimi i aventurës suaj mund të lidhet me Hënën në Peshore. Ky është një fillim i fuqishëm...
SHIGJETARI Hëna në Peshore ju ushqen dhe ju shëron në fillim të javës. Shigjetar, jeni pjekur shumë dhe po filloni ta shih...
PESHORJA Hëna në shenjën tuaj në fillim të javës hedh dritë mbi marrëdhëniet tuaja. Nëse ka pasur ndonj&eum...