News / 19 June 2026, 09:23

NË MELIÁ DURRËS VALËVITET FLAMURI BLU/ Një standard i ri për turizmin shqiptar

Meliá Durrës ka shënuar një arritje historike për industrinë turistike shqiptare, duke u bërë destinacioni i parë në bregdetin e Adriatikut që fiton certifikimin prestigjioz ndërkombëtar “Blue Flag”. Flamuri Blu, i cili tashmë valëvitet mbi plazhin e resortit me 5 yje, është një nga vlerësimet më të njohura në botë për cilësinë, sigurinë, menaxhimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve bregdetare.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së flamurit, operatorja kombëtare e programit “Blue Flag”, Eni Metaj, vlerësoi përkushtimin e Meliá Durrës ndaj standardeve të turizmit të qëndrueshëm. Ajo theksoi se resorti i bashkohet për herë të parë rrjetit ndërkombëtar të destinacioneve të certifikuara me Flamurin Blu, duke u kthyer në një shembull referues për industrinë turistike shqiptare. Sipas saj, ky vlerësim përfaqëson një model zhvillimi që nuk synon vetëm rritjen e numrit të vizitorëve, por edhe garantimin e cilësisë së shërbimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ky certifikim prestigjioz e pozicionon Meliá Durrës në rrjetin global të më shumë se 5 mijë plazheve, marinave dhe destinacioneve turistike të vlerësuara me “Blue Flag”, një standard që u akordohet vetëm subjekteve që përmbushin kriteret më të larta ndërkombëtare në menaxhim, siguri dhe përgjegjësi mjedisore.

Drejtori i Përgjithshëm i Meliá Durrës, Juan Tuñón, u shpreh se marrja e Flamurit Blu është rezultat i investimeve të vazhdueshme dhe përkushtimit për të ofruar një eksperiencë turistike të standardeve më të larta. Ai nënvizoi se një nga prioritetet kryesore ka qenë krijimi i një plazhi të aksesueshëm për të gjithë vizitorët, duke shtuar se ky certifikim konsiderohet gjerësisht si vlerësimi më i rëndësishëm që mund të marrë një plazh në nivel ndërkombëtar.

Me Flamurin Blu që valëvitet tashmë në vijën e tij bregdetare, Meliá Durrës konfirmon vizionin e ndërtuar mbi ekselencën, investimet afatgjata dhe mikpritjen premium. Më shumë se një certifikim, ky vlerësim dëshmon se turizmi shqiptar është tashmë i konfirmuar në hartën e destinacioneve elitare të Mesdheut, ku cilësia dhe qëndrueshmëria nuk janë objektiv, por standard.