Familja / 11 July 2026, 12:00

Vonesa kronike, ja pse jeni gjithmonë vonë sipas shkencës

Vonesa kronike, ja pse jeni gjithmonë vonë sipas shkencës

Të vonohesh herë pas here është krejt normale. Por kur kjo ndodh pothuajse në çdo takim, intervistë pune apo aktivitet të përditshëm, nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e organizimit. Sipas psikologëve, vonesa kronike mund të jetë rezultat i mënyrës se si truri ynë percepton kohën, i tipareve të personalitetit dhe i zakoneve të përditshme.

Perceptimi i kohës nuk është i njëjtë për të gjithë
Ekspertët shpjegojnë se disa njerëz kanë prirjen të nënvlerësojnë vazhdimisht kohën që u nevojitet për të kryer një detyrë. Ata besojnë se mund të mbarojnë shumë gjëra për pak minuta dhe, si pasojë, përfundojnë duke u vonuar.

Ky fenomen njihet në psikologji si gabimi i planifikimit (planning fallacy), një tendencë për të qenë tepër optimistë kur vlerësojmë sa kohë do të na marrë një aktivitet.

Jo gjithmonë është shenjë mungese respekti
Edhe pse vonesat e vazhdueshme mund të krijojnë bezdi te të tjerët, psikologët theksojnë se në shumë raste ato nuk lidhen me mungesën e respektit.

Disa persona shpërqendrohen lehtësisht, marrin përsipër më shumë angazhime sesa mund të përballojnë ose e kanë të vështirë të organizojnë kohën. Në raste të caktuara, vonesa mund të lidhet edhe me ankthin, perfeksionizmin ose çrregullime të caktuara psikologjike që e bëjnë më të vështirë nisjen në kohë.

Personaliteti ka ndikim
Studime të ndryshme sugjerojnë se njerëzit që vonohen shpesh janë më spontanë, më optimistë dhe priren të mendojnë se do të kenë gjithmonë kohë të mjaftueshme.

Nga ana tjetër, ata që janë gjithmonë shumë të përpiktë zakonisht kanë nevojë më të madhe për kontroll, planifikim dhe parashikueshmëri. Asnjëra prej këtyre prirjeve nuk është domosdoshmërisht më e mirë se tjetra, por të dyja ndikojnë në mënyrën se si secili e organizon ditën.

Si mund të përmirësohet kjo sjellje?
Nëse e kupton se vonohesh vazhdimisht, ekspertët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë:

Llogarit gjithmonë pak më shumë kohë sesa mendon se të duhet.
Përgatit rrobat, çantën ose dokumentet një mbrëmje më parë.
Vendos alarme ose kujtesa disa minuta përpara orarit të nisjes.
Mos planifiko shumë detyra njëra pas tjetrës pa lënë kohë rezervë.
Këto zakone ndihmojnë në krijimin e një perceptimi më realist të kohës dhe reduktojnë stresin e minutës së fundit.