Horoskopi javor 22-28 qershor; Ujori & Peshqit
UJORI Eksplorimi ose fillimi i aventurës suaj mund të lidhet me Hënën në Peshore. Ky është një fillim i fuqishëm...

Në një qytet si Tirana që po transformohet me ritme të shpejta, nje element shumë i rëndësishëm është ruajtja e një balancë të sinqertë midis vizionit bashkëkohor dhe ndjeshmërisë për vendin. Një nga këta zëra që mundohet ta ketë këtë mision një ndër qëllimet e punës së saj, është dhe Lorenxa Molla: Arkitekte & bashkëthemeluese e studios së arkitekturës, Loft Architects. Me më shumë se një dekadë eksperiencë, projektet e saj nuk janë vetëm ndërtime, por rrëfime të ndërtuara me dritë, material dhe kontekst, duke i dhënë jetë çdo ideje e projekti, që ka nisur në një letër e është ngritur më pas në jetën reale.
Si ka lindur “Loft” dhe pse pikërisht një emër i tillë?
Loft nisi si një ide gjatë kohës që studionim në Francë. Me Fatjonin ndoqëm së bashku programin e dizajnit në Paris, ku jo vetëm u formuam profesionalisht, por edhe kuptuam sesa thelbësore ishte qasja bashkëkohore, kërkimi kritik dhe bashkëpunimi në procesin krijues. Kjo përvojë na frymëzoi që pas kthimit në Shqipëri, të krijonim një studio ku mund të sillnim këtë përvojë dhe t’i jepnim një kontribut vendit tonë përmes arkitekturës.
Loft lindi si një nevojë për të ndërtuar një hapësirë profesionale ku projektimi të mos ishte i mbyllur në vetvete, por një dialog i hapur, njerëzor dhe bashkëpunues. Emri nuk është thjesht estetik – për ne përfaqëson lirinë për të menduar, për të eksperimentuar dhe për të bashkëjetuar me hapësirën në mënyrë fleksibël dhe të ndjeshme. Është një gjuhë e heshtur e arkitekturës, që nuk ka nevojë të imponojë veten për të lënë gjurmë.
Çfarë e definon një projekt që mban vulën e “Loft”?
Në çdo projekt qe kemi mundesine te zhvillojme, kërkojmë të ndërtojmë një ndjesi që është më shumë se vizuale – është emocionale. Loft ka një “vulë të heshtur”: elegancë e përmbajtur, ndjeshmëri ndaj dritës, respekt ndaj materialit dhe një thelb i qartë funksional. Projekti Vila Vishaj është një shembull ku minimalizmi jonë takon kontekstin lokal në mënyrë organike, duke përdorur gurin, suvanë e bardhë dhe dritaret e mëdha për të bashkuar hapesiren e brendshme me natyrën.
Si ka evoluar klienti shqiptar ndaj rolit të arkitektit?
Po, shohim një zhvillim pozitiv. Klienti është bërë më i vetëdijshëm për vlerën që sjell një arkitekt – jo thjesht si projektues, por si konsulent, strateg dhe kurator i hapësirës. Në fillimet tona, shpesh duhej të shpjegonim pse një arkitekt ishte i nevojshëm. Sot, më shumë njerëz e kuptojnë se një projekt i mirë nuk është vetëm çështje estetike, por jetese.
Minimaliste apo maksimaliste? Dhe si i menaxhon kompromiset me klientët?
Më tërheq minimalizmi – por ai nuk është kufizim, është përzgjedhje e kujdesshme e elementëve që kanë vlerë. Me klientët, besoj në dialog , kur ideja është e argumentuar, është e lehtë ta bindësh. Por nuk kam frikë të bëj kompromise kur ato janë në funksion të një zgjidhjeje më të mirë, më të ndjerë.
Të jesh grua arkitekte në Shqipëri – sfidë apo përparësi?
Është një sfidë në aspektin e perceptimeve të jashtme, por nuk e kam parë asnjëherë si kufizim real. Arkitektura është një profesion që të kërkon të jesh i/e qartë, i/e saktë, dhe mbi të gjitha – i/e besueshëm. Dhe këto cilësi nuk kanë gjini. Ajo që kam vërejtur është se si gra, jemi shpesh më vëzhguese dhe më të kujdesshme ndaj detajeve që bëjnë diferencën.
Influencat e tua më të mëdha?
Jean Nouvel ka qenë një prej figurave që më ka frymëzuar më shumë gjatë formimit tim profesional – jo vetëm përmes teorisë dhe projekteve të tij, por edhe nga përvoja direkte e punës në studion e tij. Aty mësova rëndësinë e dritës si një material i gjallë dhe si arkitektura mund të shndërrohet në një akt rrëfimi poetik. Përmes këtij formimi, kuptova se një hapësirë nuk ka nevojë të shpjegojë veten me fjalë – ajo duhet të ndihet dhe të përjetohet.
Por me kalimin e kohës, ndikimi më i thellë ka ardhur nga vetë mënyra si jetojmë në Shqipëri. Ekziston një ndjeshmëri e veçantë në një verandë që hapet drejt kopshtit, në një oborr me hijen e pemëve, në një dritare që ndjek dritën me intuitë. Këto elemente të përditshmërisë më kujtojnë se arkitektura më e mirë është ajo që nuk të bërtet, por të rri pranë me qetësi, duke të ofruar një ndjenjë përkatësie dhe paqeje.
Projekti që të bëri të thuash “ja arrita”?
Nuk besoj se ka një moment të vetëm kur mund të them “ja arrita”, sepse një mendim i tillë do të më vendoste kufij aty ku në fakt duhet të nisë një horizont i ri. Për mua, çdo projekt i përfunduar me sukses është një pikënisje për të shkuar më thellë në sfida të reja, për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të eksploruar mënyra të reja të të projektuarit.
Arritja më e madhe është kur nga një projekt hapen rrugë të tjera: qasje më të avancuara teknike, ide më të guximshme, ose bashkëpunime që na shtyjnë të rishikojmë mënyrën se si ndërtojmë. Në këtë kuptim, ajo që e konsideroj sukses të vërtetë është kur një projekt bëhet shkak për të folur për inovacion, për materiale të reja, për teknologji të integruara dhe – mbi të gjitha – për qasje të qëndrueshme ndaj mjedisit dhe jetesës.
Arkitektura e qëndrueshme, si në aspektin mjedisor ashtu edhe në atë shoqëror, është një nga prioritetet më të rëndësishme për Loft Architects në të ardhmen. Nuk mjafton më që një projekt të jetë estetikisht i bukur – ai duhet të jetë i përgjegjshëm, i menduar në funksion të së ardhmes dhe i integruar me logjikën e kontekstit dhe të burimeve që përdor. Kjo është sfida më interesante e çdo projekti që na pret përpara.
Tre projekte që përfaqësojnë filozofinë tënde si arkitekte?
Filozofia ime dhe e studios sonë bazohet në respektin ndaj kontekstit, në ndjeshmërinë estetike, dhe në përgjegjësinë që arkitektura ka ndaj komunitetit dhe mjedisit. Kjo qasje vjen në shprehje të ndryshme në çdo projekt, por ka disa që e përfaqësojnë më fort se të tjerat:
Multifunctional Tower
Ky projekt është një reflektim mbi mënyrën si mund të ndërtojmë densitet të zgjuar në qytet, pa sakrifikuar hapësirat publike. Ndodhet pranë disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në Tiranë dhe është konceptuar jo vetëm si një objekt funksional, por si një pikë takimi për njerëzit – një pjesë e “unazës kulturore” që lidh artin me jetën urbane. Kjo ndërtesë është përpjekja jonë për të krijuar arkitekturë që ndërhyn pa e thyer, që komunikon me mjedisin përreth dhe i shërben publikut, përveç programit të saj bazë.
Domus Village, Dhërmi
Një projekt që na ka sjellë shumë afër arkitekturës tradicionale shqiptare, por me një gjuhë krejtësisht bashkëkohore. Elementët si harqet, ritmet e thjeshta dhe përdorimi i materialeve vendore janë interpretuar në një mënyrë moderne që respekton historinë, por nuk e kopjon atë. Kjo është një mënyrë për të ruajtur memorien e vendit, ndërkohë që krijojmë hapësira të reja jetese që dialogojnë me natyrën dhe me trashëgiminë kulturore.
Partizani High School
Për ne, projektimi i një shkolle është një nga aktet më të ndjeshme dhe më domethënëse në arkitekturë. Shkolla “Partizani” është konceptuar jo vetëm si një vend ku mësohet, por si një mjedis që frymëzon, që nxit bashkëpunimin, lirinë mendore dhe zhvillimin e ndjeshmërisë estetike tek brezat e rinj. Aty kemi krijuar ritme natyrale, dritë të bollshme, oborre që ndërveprojnë me strukturën dhe një atmosferë që i jep rëndësi çdo momenti të përditshmërisë mësimore.
AADF Innovation Hub
Ky projekt përfaqëson më së miri një nga drejtimet më të rëndësishme për të ardhmen: inovacioni dhe qëndrueshmëria. Është një hapësirë e menduar për të nxitur zhvillimin teknologjik dhe sipërmarrës në një mjedis që është njëkohësisht funksional dhe frymëzues. Për ne ishte e rëndësishme që arkitektura të përforconte këtë mision: të ishte fleksibël, përfshirëse dhe me një gjuhë vizuale që fton njerëzit të qëndrojnë, të krijojnë, të bashkëpunojnë. Kjo është arkitektura që nuk e mbyll hapësirën brenda vetes, por e hap ndaj të ardhmes.
Cilat janë gabimet më të shpeshta në arkitekturën shqiptare?
Ka ende një mungesë reflektimi në marrëdhënien që ndërtesa ka me kontekstin. Shpesh mendohet më shumë për formën sesa për funksionin apo ndikimin që objekti ka në përditshmëri. Dhe mbi të gjitha, mungesa e bashkëpunimit të hershëm me arkitektin krijon ndërtime që duken të bukura vetëm në letër.
Një këshillë për arkitektët e rinj?
Mos nxitoni pas “imazhit perfekt”. Arkitektura nuk është fasadë – është proces, vëzhgim, ndjeshmëri dhe durim. Nuk është vetëm formë – është ndjesi, shërbim dhe përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj vendit ku ndërtojmë.
Ruani zërin tuaj – sepse në një botë ku gjithçka duket, atë që mbetet nuk është pamja, por e vërteta që përcjell. Ka vend për të gjithë, por janë të paktët ata që flasin qartë, me ndershmëri, dhe pa u fshehur pas stilit. Këta janë ata që mbesin.
UJORI Eksplorimi ose fillimi i aventurës suaj mund të lidhet me Hënën në Peshore. Ky është një fillim i fuqishëm...
SHIGJETARI Hëna në Peshore ju ushqen dhe ju shëron në fillim të javës. Shigjetar, jeni pjekur shumë dhe po filloni ta shih...
PESHORJA Hëna në shenjën tuaj në fillim të javës hedh dritë mbi marrëdhëniet tuaja. Nëse ka pasur ndonj&eum...