News / 18 Shkurt 2025, 17:43

Sindroma e Kalimeros: Si të dalim nga spiralja e viktimizimit dhe të mos ankohemi më

Sindroma e Kalimeros: Si të dalim nga spiralja e viktimizimit dhe të

"Është një padrejtësi, ama!" – Kush nuk e kujton këtë shprehje ikonike të Kalimeros, zogut të vogël me gjysmë veze mbi kokë? Pikërisht nga ky personazh i njohur, protagonist i reklamave të famshme italiane, vjen edhe termi "Sindroma e Kalimeros", i cili përshkruan prirjen për t’u dorëzuar përballë viktimizimit dhe ankesave të vazhdueshme.

Ashtu si zogthi i zi në ekran, ata që përjetojnë këtë sindromë ndihen vazhdimisht viktima të rrethanave dhe fatit të keq, duke e kthyer ankesën në një zakon të përditshëm. Ky fenomen është studiuar nga psikanalisti francez Saverio Tomasella, i cili në librin e tij "La sindrome di Calimero" analizon shkaqet dhe pasojat e një qëndrimi të tillë, që shpesh lidhet me mungesën e besimit në vete, ndjenjën e pavlefshmërisë dhe një qasje të përgjithshme pesimiste ndaj jetës.

Ankesa vs. Shfryrja – Ku qëndron ndryshimi?

Të gjithë mund të kemi një "moment Kalimero", por kur viktimizimi dhe ankesa bëhen mënyrë e zakonshme e të menduarit, mund të ndikojnë negativisht në jetën tonë. Psikologia Paola Mosini shpjegon se ka një dallim të madh mes të shfryrit për diçka specifike dhe të rastësishme, që mund të ndihmojë në përpunimin e problemeve, dhe ankimit të vazhdueshëm, i cili bëhet një mekanizëm i rrënjosur dhe shndërrohet në një mënyrë të pashmangshme të perceptimit të botës.

Nga vjen sindroma e Kalimeros?
Edhe pse quhet "sindromë", në të vërtetë është një bashkësi karakteristikash psikologjike që mund të jenë të pranishme në shumë profile të ndryshme. Kjo mënyrë e të menduarit shpesh formohet në fëmijëri, veçanërisht tek ata që janë rritur me prindër shumë kritikë ose kanë përjetuar përvoja negative që kanë ulur vetëvlerësimin e tyre. Me kalimin e kohës, këta individë mësojnë të ndihen të pafuqishëm përballë sfidave të jetës, duke i atribuar të gjitha problemet faktorëve të jashtëm dhe duke besuar se bota është kundër tyre.

Fraza të tilla si "Gjithçka më ndodh mua", "Gjithmonë unë dal i dëmtuar" ose "Paguaj gjithmonëunë për gabimet e të tjerëve" janë tipike për këtë qasje ndaj jetës, e cila vetëm sa thellon ndjenjën e pakënaqësisë dhe e mban personin të bllokuar në një rreth vicioz të pakënaqësisë.

Pasojat negative të viktimizimit të vazhdueshëm
Shumë njerëz e nënvlerësojnë ndikimin negativ të ankesave të vazhdueshme, por studimet tregojnë se edhe vetëm 30 minuta ankesa mund të dëmtojnë aftësinë e trurit për të gjetur zgjidhje. Për më tepër, të qenit në këtë gjendje mendore rrit stresin, përkeqëson ankthin dhe ndikon në uljen e vetëbesimit, duke e bërë më të vështirë përballjen me sfidat e jetës.

Si të çlirohemi nga sindroma e Kalimeros?
Për të dalë nga ky rreth vicioz, është e rëndësishme të kultivojmë vetëdijen dhe të përqendrohemi tek ajo që mund të ndryshojmë. Psikologia sugjeron praktika si mindfulness, e cila ndihmon për të rikthyer fokusin tek realiteti dhe për të dalluar mes asaj që mund të ndryshojmë dhe asaj që duhet të pranojmë.

Ankesa na bën pasivë, ndërsa prania e vetëdijshme na jep kontroll mbi situatat tona. Në vend që të biem pre e një qasjeje viktimizuese, duhet të gjejmë mënyra kreative për të përballuar sfidat dhe për të pranuar atë që nuk mund të ndryshojmë. Vetëm kështu mund të dalim nga hija e Kalimeros dhe të marrim në dorë fatin tonë./Living.al