Turizmi / 14 Qershor 2026, 12:24

Media e njohur kanadeze: Uau, kjo është Shqipëria!

Media e njohur kanadeze: Uau, kjo është Shqipëria!

La Presse, Simon Gravel

Shqipëria po ua zgjat gjithnjë e më shumë dorën turistëve. Disa përshtypje nga një vend që do t’u pëlqejë atyre që kërkojnë një destinacion mesdhetar origjinal, autentik dhe me kosto të përballueshme.

Sa e këndshme është të ndihesh i mirëpritur... si turist. Pikërisht këtë ndjesi të jep Shqipëria, ku prania jonë kontribuon në ringjalljen ekonomike të një vendi që deri jo shumë kohë më parë ishte i varfër dhe i harruar. Shqipëria nuk e ka pasur të lehtë për një kohë të gjatë, por era ka ndryshuar drejtim dhe periudha aktuale është ideale për të zbuluar këtë vend të vogël, dinamik të Ballkanit, fqinj me Greqinë dhe i ndarë nga Italia nga Deti Adriatik.

Në këtë anë të Atlantikut, Shqipëria ende nuk është shumë e njohur, por kjo nuk vlen për të gjithë, shkruan dritare.net pasi ajo është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në të gjithë Europën, kryesisht falë çmimeve që sfidojnë çdo konkurrencë.

Por ka shumë gjëra për të dashur në Shqipëri. Së pari, karakteri i shqiptarëve, krenarë me të drejtë për kulturën e tyre unike dhe gjithmonë mikpritës, siç e përjetuam gjatë një udhëtimi dyjavor të realizuar këtë pranverë në atdheun e Nënë Terezës (dhe të mbrojtësit gjigant të Montreal Canadiens, Arber Xhekaj, i cili ka rrënjë shqiptare nga Kosova fqinje).

Pika e dytë e fortë është gjeografia. Shqipëria është një vend shumë malor, por zotëron gjithashtu një vijë të gjatë bregdetare me plazhe shumë të pëlqyera. Në vendin e tretë mes atraksioneve të saj renditet kuzhina: e shkëlqyer, e larmishme dhe me çmime të arsyeshme. Veçanërisht të privilegjuar janë adhuruesit e peshkut.

Tirana moderne

Një udhëtim në Shqipëri nis domosdoshmërisht me mbërritjen në Tiranë, kryeqytetin, dhe nuk gabon nëse i kushton të paktën një ditë vizitës së saj. Nuk ka kuptim të kërkosh “Tiranën e Vjetër”, pasi ajo që ekzistonte dikur është zhdukur, shkruan dritare.net. Sheshi gjigant Skënderbej është një pikënisje e shkëlqyer. Aty mund të vizitohet, ndër të tjera, Xhamia e Et’hem Beut, e cila mund të shihet për pak minuta.

Vetëm pak hapa më tej, muzeu Bunk’Art 2 ofron një zhytje në shekullin XX përmes historisë së policisë sekrete.

Përshkrimet e disa prej metodave të marrjes në pyetje të bëjnë të duash të largohesh sa më shpejt nga ky bunker nëntokësor, por kjo ndalesë edukative ia vlen. Bunkerët, në fakt, janë një simbol i padëshiruar i Shqipërisë, një trashëgimi e liderit komunist Enver Hoxha, i cili vdiq në vitin 1985 dhe urdhëroi ndërtimin e dhjetëra mijëra bunkerëve në të gjithë vendin.

Ndalesa tjetër e domosdoshme lidhet po me të: piramida gjigante e ndërtuar në kujtim të tij. Mund të ngjitesh mbi të dhe të futesh brenda, por ish-muzeu sot ka vetëm zyra. Interesi i saj qëndron te veçantia arkitekturore, pasi çdo gjurmë e kultit të diktatorit është zhdukur.

Përshtypja që të lë Tirana është ajo e një qyteti me një jetë shoqërore shumë të gjallë.

“Plot energji” do të ishte ndoshta fjala e duhur dhe kjo mund të thuhet edhe për Shqipërinë në tërësi. Megjithatë, vitet e vështira kanë lënë gjurmët e tyre dhe betoni gri vazhdon të jetë pjesë e peizazhit urban.

Durrësi historik

Destinacioni bregdetar më i afërt me kryeqytetin, Durrësi, ka hijeshinë e vet dhe një histori të pasur, shkruan dritare.net. Atraksioni kryesor i qytetit, amfiteatri romak që daton në fillim të shekullit II, gjatë sundimit të perandorit Trajan, do të meritonte të promovohej dhe të vlerësohej më shumë.

Shëtitorja buzë detit në Durrës është e këndshme, por ata që janë të apasionuar pas plazhit do të preferojnë ndoshta atë të qytetit fqinj, Golemit, një zonë tepër turistike me një varg hotelesh, restorantesh dhe baresh.

Do të ishte pa dyshim interesante të zbuloheshin plazhet e jugut të Shqipërisë, mes Ksamilit dhe Sarandës, të cilat vlerësohen shumë nga vizitorët, por kjo do të mbetet për një udhëtim tjetër.

Berati, xhevahiri i Shqipërisë

Për ne, thesari i vërtetë i fshehur i Shqipërisë janë fshatrat e saj malorë, si Berati. I vendosur rreth njëqind kilometra në jug të Tiranës, “qyteti i një mbi një dritareve” është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s falë arkitekturës së tij të periudhës osmane. Vizita nis nga kalaja e fortifikuar, e vendosur në majë të kodrës.

Mund të vizitohet Muzeu Ikonografik “Onufri”, por mund edhe thjesht të shëtisësh dhe të admirosh peizazhin dhe rrugicat e bukura të banuara.

Më vonë, duke ecur nëpër rrugët e ngushta me kalldrëm të lagjes së vjetër osmane të Mangalemit, vërejmë një dritare të vogël vere dhe rakie, ku kishte një zile. Është e vështirë t’i rezistosh tundimit për t'i rënë zilës dhe për të shijuar një gotë nga pija tradicionale kombëtare, ndërsa bisedon me pronarin e restorantit Semani, i cili na fton të vizitojmë edhe shtëpinë e tij.

Shumë vende të tjera, si Parku Kombëtar i Thethit në Alpet Shqiptare të Veriut, apo Parku Kombëtar i Vjosës – lumi i fundit i madh i egër në Europë – mbeten për t’u zbuluar. Një tjetër xhevahir i këtij vendi është natyra e tij, përgjithësisht e ruajtur shumë mirë.

Duhet të dini që:

Disa kompani ajrore ofrojnë fluturime nga Montreali drejt Tiranës me një ndalesë tranziti, zakonisht në Europë.

Autobusi është mjeti më efikas i transportit për të lëvizur nëpër vend. Përdoreni për të zbuluar Gjirokastrën, qytetin e lindjes së Enver Hoxhës, të përshkruar në mënyrë të shkëlqyer nga François Maspero në librin Balkan Transit.Gjuha shqipe nuk është shumë e lehtë për t’u mësuar nga të huajt, por komunikimi bëhet pa vështirësi në anglisht, frëngjisht ose italisht, shkruan dritare.net. Sugjerohet që turistët t’i falënderojnë dhe përshëndesin mikpritësit në gjuhën e tyre (“faleminderit” për thank you dhe “mirëdita” për hello), gjë që zakonisht sjell buzëqeshje të menjëhershme.

Monedha e Shqipërisë quhet lek, pasi vendi ende nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Në prillin e kaluar, 100 lekë vlenin afërsisht sa një euro. Dhe një akullore kushtonte vetëm një euro!/Dritare