Nga shkelmimi i parë në bark deri te hapi i parë - zhvillimi psikomotorik i foshnjës
Viti i parë i jetës së një fëmije përfaqëson një nga periudhat më intensive dhe emocionuese të zhvillimit. V...

Nga Zhaklin Lekatari
Arti erotik është një shprehje e fuqisë vitale që ne quajmë dëshirë. Një nga ngjyrat e shumta që ai ka, është dhe seksualiteti. Në historinë e artit perëndimor, pjesa erotike është fshehur, injoruar dhe dënuar prej shumë kohës. Me shekuj me radhë kemi kërkuar nëpër vepra mitologjike dhe fetare për të parë dhe vështruar trupa të zhveshur: si p.sh Venusin, perëndeshën e dashurisë dhe bukurisë në Romë, ose Adamin dhe Evën si simbole të mëkatit origjinal. Vetëm vitet dhe kohët e fundit, arti erotik sikur është çliruar nga prangat e fesë dhe mitologjisë. Këtu në Shqipëri situata është dhe më e ngurtë. Tentativat për të krijuar art simbolik apo erotik janë të pakta, dhe shpeshherë i gjejmë në profile në rrjete sociale me emra arti. Sigurisht sepse është e vështirë të shprehesh në një vend që dënon ende lakuriqësinë dhe seksualitetin. Megjithatë pavarësisht vështirësive, në Instagram, tashmë Bibla e jetës shoqërore, ka disa faqe të cilat me shumë guxim propozojnë vizatime, punë digjitale me skena eksplicite, me personazhe të famshëm për historinë dhe kulturën shqiptare apo me organe gjenitale të personifikuara.
Po ju prezantojmë me guximtarët e artit erotik në Instagram:
Stjuart Reçi
Stjuart Reçi është një arkitekt i apasionuar 26 vjeçar. Sipas tij puna që bën ka pika të shumta takimi dhe me artin që ai realizon. Stjuarti ka filluar të vizatojë që fëmijë në mure apo mbi trupin e tij, madje thotë që e ëma ruan ende vizatimin e tij të parë të realizuar në moshën 3 vjeçare. Stjuarti më korrigjon kur e quaj artin e tij erotik, duke me shpjeguar që arti që ai bën është një “konglomerat zhanresh”, që sigurisht ka në qendër erosin, por duke qenë art konceptual dhe simbolik, ku organi gjenital simbolizon një tjetër mesazh, apo figurë. Sigurisht që ai merr shkas nga shqiptarët, dhe organet që ai vizaton nuk janë vetëm organe riprodhuese, por një simbolikë dhe shfaqje e mentalitetit shqiptar dhe respektit që ata kanë për erosin, erotikën, trupin, terminologjinë, kulturën, komunikimin. Inspirimin për të krijuar art dramatik, konceptual dhe simbolik e ka pasur kur ka parë për herë të parë veprën e tij të preferuar : “ Origjina e Botës” nga Gustave Courbet, ku kemi një shfaqje shqeto dhe “vulgare” të vaginës, e cila perceptohet plotësisht ndryshe pasi lexon titullin e veprës.

Ky ka qenë momenti i ndriçimit artistik të Stjuartit dhe “devijimit” të tij që është një lloj trajte, derivati apo vazhdimësie e kësaj vepre madhështore të Courbet. Arti i Stjuartit i dedikohet shqiptarëve, sepse dhe inspirimi i tij vjen pikërisht nga shoqëria shqiptare, nga ngjarjet e përditshme, nga situata direkte dhe indirekte që na prekin të gjithë. Qëllimi i tij padyshim që është ndikimi në ndryshimin e shoqërisë shqiptare, duke nxitur zhvillimin e botëkuptimit, të një “shoqërie mesjetare orientale”, por pa imponime. Veprat e Stjuartit tërheqin gjithë kategoritë e njerëzve, ndonëse jo të gjithë e kuptojmë plotësisht, por ai beson në zhvillimin gradual të gjërave dhe në kontributin e tij të vogël, duke joshur shikuesin e veprës së tij.


Erotika, erosi, janë elementë që ka lindur me njeriun dhe e kanë shoqëruar atë në çdo fazë të zhvillimit dhe civilizimit të tij. Për këtë arsye më pëlqen fakti që Stjuarti është kaq i vetëdijshëm dhe me këmbë në tokë, sidomos kur flet dhe me tregon për kritikat që merr, duke thënë që detyra e tij është të edukojë të rriturit dhe jo fëmijët, sepse arti i tij është edukativ, po jo për fëmijët që duhet të edukohen nga prindërit. Vizatimet e Stjuartit janë bardhë e zi, janë të gjitha të bëra me laps dhe nuk e kanë elementin e ngjyrës, sepse ai nuk do të shpërqendrojë shikuesin, për të mos integruar ndjeshmëri të tepërta në një vepër, dhe për ta fokusuar atë te mesazhi dhe te kuptimi që vepra ka në thelb. Ndonjëherë ka dhe elemente të ngjyrës së kuqe të cilat lidhen gjithmonë me temën ''tabu'' që Stjuarti dëshiron të zhbëjë, si zhvirgjërimi apo menstruacionet. Ai thotë që duke mos folur dhe duke e trashëguar ketë heshtje, duket sikur epoka pas epoke ne bëhemi fotokopjet e prindërve tanë.
View this post on Instagram
Blush_ Art
Blush_art është një tjetër faqe arti erotik, që buçet nga ngjyrat kuq e zi, si shqiptarët, si flamuri. Duket qartë që pas faqes qëndron dikush që ka menduar qartë një koncept dhe një simbolikë, duke harmonizuar emrin, ngjyrat, vizatimet. Prandaj nuk habitesh kur gjen pamje eksplicite dhe erotike të Skënderbeut, Shote Galicës, Mujit, Naim Frashërit e kështu më radhë.


Pas “Blush art” ose artit që të bën të skuqesh qëndron Antonio Leka, një 24 vjeçar nga Tirana që punon si grafik dizajner për fushatat e marketingut të një kompanie shqiptare. Antonio, ndonëse shumë i ri në moshë, punon si grafik dizajner që prej 7 vjetësh. Kjo si rrjedhojë e një ''ushqimi'' artistik që ka nisur që në vegjëli, ndonëse shkollën e ka përfunduar në degë të ndryshme nga profesioni që ushtron. Antonio ka eksperimentuar ndër vite me aftësitë e tij krijuese dhe artistike, duke u marrë me piano, pikturë, vizatim, produksione muzikore e dizajn. Disa prej këtyre aktiviteteve kanë mbetur vetëm pasion, të tjera po shtrojnë rrugët e së ardhmes.

Vizatimi ka qenë pjesë e Antonios që në moshë të vogël, kur skiconte çdo gjë që e rrethonte si kafshë, objekte, njerëz. Në moshën 6-7 vjeçare ai filloi të hidhte në letër mendime dhe ide më kuptimplota, duke filluar ushtrimin e dorës në vizatim dhe pikturë, ndërkohë që artin grafik dhe digjital e ka nisur ta ushtrojë vetëm 7 vite më parë. Antonio ka qenë gjithmonë i dhënë pas trupit të njeriut dhe këtë e ka shprehur ndër vite dhe në punimet e tij. Fillimisht punonte vepra abstrakte së figurës njerëzore dhe me kalimin e kohës, në adoleshencë, nisi t’i jepte një domethënie këtyre punimeve, duke u përfshirë në artin erotik. Veprat filluan të kishin një kuptim, një përmbajtje duke mos qenë vetëm një ekspoze. Kur Antonio shfaqi interes për artin erotik filloi të bënte dhe kërkime për të dhe mbi të. Ai thotë “Erotika është një provë e fortë që njeriu ndër shekuj ka qenë përherë i dhënë pas intimitetit dhe tërheqjes fizike”. Sigurisht që si në çdo fushë të artit edhe erotika ka pësuar ndryshime, por duke mos humbur koherencën.

Punimet e Antonios përcjellin një mesazh që thyen tabunë se si duhet të jetë një marrëdhënie, si duhet bërë seksi, kush është vepër e moralshme dhe kush jo, ku varet ajo fija e hollë që ndan perversitetin nga arti. Antonio mendon që erotika është një temë jo shumë e shtjelluar në shoqërinë tonë dhe për këtë arsye ajo meriton më shumë vëmendje, megjithatë nga ana tjetër ndihet mungesa e guximit për ta bërë një gjë të tillë.
Antonio nuk do të qëndrojë anonim dhe I fshehur dhe e vetmja arsye se pse faqja ka një emër arti është ndarja midis jetës personale dhe artistike. Sikurse Stjuarti, edhe Antonio punët e para i ka shkrirë në binomin bardh & zi, por ai ndjeu nevojën e një ngjyrë të tretë që do vendoste theksin mbi veprën, duke zgjedhur të kuqen. Antonio ka si qëllim t’i shërbejë publikut diçka që i vendos në siklet, që ua skuq faqet, por që thellë-thellë gjejnë brenda vetes. Pikërisht për këtë arsye ka zgjedhur personazhe të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare, për të ''normalizuar'' figura njerëzore që përpos ëndrrave të mëdha, kishin sigurisht edhe nevoja personale. Duket sikur kur flasim për heronj, harrojmë që ai hero është një individ me jetë intime dhe erotike. Sipas Antonios, me artin zbulon, mëson, dhe përjeton gjëra të reja. Për momentin arti erotik është një mënyrë mjaft e mirë dhe argëtuese për të shprehur sa më pak banalitet duke dhuruar mesazhe që mbartin peshë.
View this post on Instagram
Snobsketch
Listës tonë ''par condicio ''nuk mund t’i mungonte një vajzë. Ajo është Xheni Beti, një 23 vjeçare që ka përfunduar studimet për dzajn, e cila ndonëse bën dy punë ka ende kohë për të shprehur veten dhe artin e saj. Xhenin e gjeni në Instagram me emrin Snobsketch dhe duket sikur faqja e saj tregon aventurat dhe përditshmërinë, dashurinë dhe zhgënjimet e një personazhi femëror. Xheni ka filluar të bëj skicime në vitin 2017 kur mori si dhuratë një sketch book që e nxiti të vizatonte përditë derisa arriti të krijojë stilin e saj. Edhe Xheni, si artistët e tjerë që sapo prezantuam, krijon vizatime erotike ku në qendër është një vajzë pothuajse gjithmonë lakuriq.

Personazhi kryesor është vetë ajo, dhe këto skicime janë si një ditar apo një shfaqje e historive personale apo të historive të dëgjuara diku, por sigurisht të lidhura më grimca nga jeta e saj. Xheni mendon që natyra njerëzore është e njëjtë, që njerëzit janë të njëjtë dhe që secili njeri e gjen veten në skicimet e saj. Këtë e ka kuptuar dhe nga të gjitha mesazhet që merr, nga publiku dhe ndjekësit që pohojnë që e gjejnë veten në çdo skicë që në të vërtetë është një histori më vete.


Skicimet e Xhenit janë të gjitha bardhe e zi dhe arsyeja ka të bëjë me minimalizmin, por dhe me shijet e saj personale, duke qenë se ajo nuk është vajzë që pëlqen ngjyrat apo gjërat e ngarkuara. Gjithashtu ajo është e sigurt që mesazhi i saj është më i qartë duke pasur këto dy tonalitete. Xheni nuk ka një profil personal në Instagram , herë pas herë ajo ndan foto të saj në story-n e profilit Snobsketch, pa pasur frikë apo komplekse duke shtuar që sa herë ka mundësi e ndan pasionin dhe faqen e saj më shumë të panjohur apo njerëz të rinj. Sigurisht që dhe ajo është përballur me mesazhe negative, që komentojnë format e vizatimit duke humbur dhe larguar vëmendjen nga mesazhi apo historia që Xheni ka ndarë.

Ajo thotë që vizatimi është një mënyrë për të shkarkuar energjinë negative, si një moment meditimi, si një mundësi për të shprehur çdo ndjenjë që ka në mendje. Nuk mund të rri pa pyetur Xhenin se çfarë mendon për erosin për artin erotik që sipas saj vendos në lëvizje çdo gjë: adrenalinën, imagjinatën, lumturinë, hapjen e botëkuptimit dhe komunikimin.
View this post on Instagram
Viti i parë i jetës së një fëmije përfaqëson një nga periudhat më intensive dhe emocionuese të zhvillimit. V...
Qershori sjell disa nga momentet më të mira të vitit për vëzhgimin e qiellit, me planetë të ndritshëm, Hënën...
Studimet e fundit tregojnë se bakteret e zorrëve (mikrobioma) mund të kenë rol të rëndësishëm në zhvillimin e kan...