News / 7 Mars 2016, 10:28

Kryeneçja nisi të zbutet në Teatrin Kombëtar

teatrr
Fundjavën që sapo përfundoi u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar një tjetër premierë. ‘Zbutja e kryeneçes’, me regji të Elma Doresit, solli sërish një numër të madh aktorësh, disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe te shfaqja e mëparshme, “Tri motrat”. Komedia e Shekspirit, rivjen në skenën shqiptare pas 27 vitesh, kur ‘kryeneçja’ ishte aktorja Yllka Mujo ndërsa ‘zbutësi’, Petruçio pra, Artan Imami. Janë dy shfaqe krejt të ndryshme së pari sepse dikur, boshti nuk mund të ishte tjetër vec dashurisë e moralit të mirë ndërsa sot, kur e gjithë shoqëria është tjetërsuar e interesat materiale janë mbi gjithçka, Doresi kishte vënë gishtin pikërisht mbi këtë plagë.
Trupa e aktorëve
“Zbutja e kryeneçes” një nga komeditë më të bukura të Shekspirit kishte premierën më 5 mars në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Elma Doresit. Prej kohësh, regjisorja kishte nisur provat për të sjellë këtë vepër javën e parë të marsit. Në rolin e kryeneçes është aktorja Gladiola Harizaj, së cilës i besohet sërish një tjetër rol i rëndësishëm në teatër pas “Liri në Bremen”, ndërsa Petrucio është aktori Helidon Fino. Në role të tjera interpretojnë aktorët: Sokol Angjeli, Devis Muka, Klea Huta, Neritan Liçaj, Klodian Hoxha, Lulzim Zeqja, Mehdi Malkaj, Merkure Bozgo, Genti Deçka, Vangjel Toçe, Erjona Kakeli, Adelina Muça dhe Ermela Ruri. Kostumografia do të jetë e Blerina Kokonës, ndërsa skenograf Genc Shkodrani. Mesazhi kryesor i kësaj vepre është krenaria e tepruar, të cilën regjisorja ka menduar ta sjellë në formë argëtuese dhe gazmore.
Shekspiri…
Komedia e Ëilliam Shakespeare mendohet të jetë shkruar diku rreth 1590 – 1592. Një komedi e ndërtuar me pesë akte dhe dymbëdhjetë skena. E vendosur dhe e trajtuar në forma nga më të ndryshmet, si në film dhe në teatër, nga klasikja e deri tek ajo që ne e quajmë Teatri Modern. Shekspiri në këtë vepër vë në pah vlerat e dashurisë së vërtetë, rëndësinë e komunikimit, krenarinë e tepruar, duke i vendosur ato përballë martesave dhe kompromiseve të tyre. A duhet të jemi krenar? Sa e rëndësishme është mirëqenia në një çift përballë dashurisë? A duhet të dëgjojmë më shumë e më pas të kërkojmë të na dëgjojnë? Këto e një mori pyetjesh do të na lindin gjatë shfaqjes, përgjigjet e të cilave do të fillojmë t’i kuptojmë mbas Aktit të katërt. Një komedi me identitete të gabuara. Një baba, që kërkon të martojë vajzat e tij, me kandidatët që do të sjellin më shumë fitim për të mbas martesave. Një dashuri me shikim të parë e cila ndalohet për shkak të një kushti: Duke parë kërkesat e mëdha për vajzën e vogël, Batista vendos: Të martojë vajzën e madhe, Katerinën në fillim e më pas të voglën, Biankën. Nga ky kusht dalin në pah “Gjuetarët e Pasurisë” dhe një mori kompromisesh, komplotesh, karakteresh, martesa, të cilat ngjasojnë më shumë me marrëveshje biznesi sesa të lidhjes përjetë me njeriun e zemrës. Shekspiri nuk humb aspak kohë dhe në këtë moment, na prezanton me personazhin e Petruçios, i cili vendos të martohet me Katerinën (vajzën e madhe) për shkak të pasurisë. Por sapo prezantohet me të …..diçka ndodh.. I gjithë mesazhi i kësaj vepre është: “Zbuteni zemërimin…Nuk na duhet krenaria…”